E hene, 29.04.2024, 09:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Gaspër Karaqi – Poeti i dashuruar në lirinë e atdheut

E marte, 13.04.2010, 09:58 PM


GASPËR KARAQI- POETI I DASHURUAR NË LIRINË E ATDHEUT

 

Shkruan: Mr.sc. Besim MUHADRI

 

Mësuesei, atdhetari, poeti dhe dëshmori i kombit, Gaspër Karaqi (1961-1999), la në dorëshkrim një numër të konsideruar krijimesh poetike, kryesisht poezi dhe një poemth, të shkruara në periudha të ndryshme kohore. Madje të filluara që në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme dhe deri në ditët e fundit të jetës. Ai kishte shkruar edhe një dramë, të cilën arriti ta vinte në skenë në prag të Krishtlindjeve të vitit 1999. Por gjatë viteve të veprimtarisë së tij ai u mor edhe me shkrime publicistike, të cilat i botoi në shtypin e kohës, përkatësisht në revistat regjionale “Etja” dhe “Rrezja”. Shkrimet publicistike, në të cilat Gaspri  trajton probleme të ndryshme të kohës, si dhe një numër poezish, kryesisht me motive patriotike, i kemi publikuar në librin “Mirëmëngjes atdhe”, libër i botuar në vitin 2000, në Një vjetorin e rënies së dëshmorit.

Në opusin e tij krijues Gaspër Karaqi ka lënë edhe një numër të caktuar poezish, një dramë si dhe disa gjëegjëza, të cilat do t’i prezantojmë në këtë libër. Mirëpo, për të pasur një pasqyrë sa më të saktë në lidhje me krijimtarinë tij, ne, në këtë rast do të paraqesim edhe pozitë e botuara në librin Mirëmëngjes atdhe.[1]

Për Gaspër Karaqin poezia qe një akt sublim i shprehjes së ndjenjave të tij të zjarrta, qoftë për atdhe, qoftë edhe për dashuri. Me anë të poezisë ai mundohej të shprehte tërë afshin e zemrës, e cila i digjej, i zhuritej në vargonjtë e rëndë të jetës. Poezinë ai e krijoi në momente të caktuara jetësore e kohore. Atëherë kur e ndiente me shpirt e zemër. Ishin momente të veçanta kohore dhe historike kur Gaspri shkruante, sepse këtë e ndiente. Krijimet poetike të tij janë krijime të cilat të bëjnë të kuptosh se te ky njeri pasioni për të shkruar ishte një akt i cili ditë për ditë plotësohej dhe pasioni i të shkruarit shpejt do të kalonte në vokacion krijues e jetësor.

Krijimet e Gaspër Karaqit janë krijime në të cilat shpesh shpërthen shpirti liridashës i njeriut shqiptar, në mes ndrydhjeve e vuajtjeve gjatë rrugëtimit shtigjeve të gjata e të vështira në kërkim të lirisë së atdheut. Aty ndihet dashuria e madhe për tokën, për vendlindjen, për atdheun e robëruar, i cili me shekuj kërkon të çlirohet nga prangat e robërisë së gjatë. Atdhedashuria për Gaspër Karaqin ishte dhe mbeti një nga aktet më sublime. Ta duash atdheun e të luftosh për lirinë e tij është një vlerë, një detyrë. Për Gaspër Karaqin si në jetë, në punë, ashtu edhe në poezi, kjo dashuri ishte një nga prioritetet e para. Vdekja për atdhe dhe për lirinë e tij, për të ishte një akt, një ëndërr e bukur që duhet prekur atëherë kur këtë e kërkon ai (Atdheu):

 

Të betohem n’komb e n’flamur

Se një herë veç kam me vdekë

E të bëhem  i fortë si gurë

Për këtë tokë, me të vërtetë

 

Kjo është moto e poezisë së Gaspër Karaqit që për temë ka atdheun dhe flijimin për të. Dhe kjo përsëritet pothujase në çdo poezi dhe në çdo varg. Poezia e Gaspër Karaqit na del si një poezi kushtrim që përpëlitet shtigjeve të atdheut dhe bën thirrje për sakrificë. Është një poezi e shkruar nga dora e një luftëtari të devotshëm të çështjes kombëtare, i cili nuk fle, sepse ëndrrat i ka të trazuara nga fantazmat që ia shprishin dëshirat për jetë, e cila ishte ngulfatur nga errësira e natës së gjatë të robërisë. Këtë natë ndoshta dikush nuk e vërente, apo thjeshtë nuk dëshironte ta vërente sepse i pëlqente ashtu. Por, megjithkëtë, shpirti i poetit luftëtar, i trazuar nga këto fantazma që ngulfatin bukurinë e atdheut, nuk flinte:

 

Sot një gjë më mundon

Gjumi i rëndë që na ka zënë

Pse dikush s’e kupton

Vuajtjen e të shkretës nënë

 

“Nëna” për poetin është Kosova, që po lëngonte dhe kërkonte dorën e ndihmës nga bijtë e saj, disa prej të cilëve, siç thotë poeti kishin futur ,,veshët në lesh” dhe bënin gjumë të rehatshëm edhe në këtë kohë të trazuar, kur vendi ishte në rrezik të madh të zhbërjes:

 

Dikush ka futur veshët në lesh

I rrethuar lavd  e “mirësi”

Harron veten e s’merr vesh

Se ky popull do liri

 

Ky popull do liri, është një varg që troket mbi ndërgjegjën e fjetur te atyre që “kishin futur veshët në lesh” dhe mendonin se “ndoshta do të bëhet mirë”, edhe pse e dinin se me dëshira dhe me ëndrra nuk fitohet asgjë. Për më tepër, ky varg shkon edhe përtej kësaj kategorie njerëzish. Gaspri këtë e dinte, prandaj bënte thirrje, lëshonte kushtrim. Ky kushtrim që lëshonte poeti ishte një trokitje në ndërgjegjën e mjegulluar të atyre që ende flinin dhe shihnin ëndrra me sy hapur. Duke lexuar nëntekstin e kësaj poezie, na del se ajo është edhe një akuzë ndaj të gjithë atyre që mendonin se liria mund të fitohet duke bërë sehir. Te Gaspri vazhdimisht vlon dëshira dhe ngjallet shpresa se në një “pranverë me aromë lirie” shpejt do të valëvitet flamuri i fitores së madhe. Pra, duke lexuar poezinë e Gaspër Karaqit me këtë temë, shohim se në tërë vargun dhe kompleksitetin e kësaj poezie ndihet fryma dhe shpirti i luftëtarit të paepur që thërret për bashkim, që urren ndarjet dhe përçarjet, të cilat na përcollën gjatë tërë rrugëtimit tonë si një mallkim i keq. Uniteti dhe dashuria, që e hasim në poezinë e Gaspër Karaqit, janë dy elemente që e plotësojnë dhe e forcojnë qëllimin  jetësor dhe artistik të këtij poeti dhe atdhetari.

Por, ajo që ishte dhe që mbeti përherë e shenjtë në mendësinë e Gaspër Karaqit, prandaj edhe në botën e tij poetike, është nderimi dhe respekti për dëshmorët, për njerëzit e kauzës sonë kombëtare. Për të gjithë ata që ranë në altarin e shtrenjtë të lirisë së atdheut. Poezitë kushtuar Shtjefën Gjeçovit, Jusuf Gërvallës, Gjergj Fishtës, Migjenit dhe shumë poezi të tjera të kësaj natyre janë poezi në të cilat reflektohet dukshëm bukuria e fjalës, por edhe ndjenja e adhurimit dhe e respektit. Në këto poezi, përveç dhuntive të lartpërmendura, shpërfaqet edhe dhuntia e krijuesit në gdhendjen e fjalës e të mendimit.

Në poezinë e Gaspër Karaqit shprehet haptas edhe brenga e ndarjes dhe  e përçarjes fetare ndër shqiptarët, si një plagë e vjetër, e cila u trashëgua nga e kaluara jonë e hidhur historike. I vetëdijshëm se një dukuri e tillë do të kishte pasoja të rënda në situata të ndërlikuara historike për popullin tonë, Gaspri, qoftë përmes aktiviteteteve të ndryshme, qoftë edhe përmes vargut të tij poetik, të një vargu të çiltër dhe të sinqertë, përpiqej që të ishte sa më real dhe sa më transparent në luftë kundër thellimit të kësaj plage:

 

Na ndanë në fe, na ndanë në fise

Na përçanë e na zvogëluan

Na dhanë kockë dhe ofiçe

Mendjen seç  na turbulluan

 

Janë vargje të një poezie të Gaspër Karaqit, në të cilën tregohet qartë se si shqiptarët u ndanë dhe u përçanë. Se si vendi u “zvogëlua”, u tkurr nga këto ndarje e përçaje që erdhën si pasojë e mentalitetit dhe e qëndrimit tonë si popull në situata të caktuara historike.

I lindur në një ambient ku ballafaqimi me këtë dukuri ishte ndoshta më i theksuar, poeti megjithatë nuk dorëzohet. Ai është optimist se e gjithë kjo do të tejkalohej, sepse shqiptarët, pavarësisht ndarjeve fetare, janë të një rrënje. Prandaj, bindshëm shprehet:   

 

Nuk ka fe as nuk ka fis

Para kombit dhe lirisë

Jem’ një rrënjë e jem një lis

Në rrugën e shenjtërisë

 

Për poetin nuk ka as fe as fis. Mbi të gjitha është kombi dhe liria. Dhe kur e shkroi këtë poezi ai nuk ishte më shumë se 19 vjeç. Tetëmbëdhjetë vjet para se të binte në altarin e shtrenjtë të kësaj lirie të cilës i këndonte dhe e cila bashkë me kombin për të ishin mbi të gjitha. Poeti në atë kohë ishte shumë i ri për të dhënë mendime kaq të pjekura dhe parashikime kaq të qëndrueshme. Por e tërë kjo vinte për shkak të përcaktimit të tij të hershëm në rrugën e lirisë, nga e cila nuk kishte kthim prapa. Poeti ishte “pjekur para kohe” ngase koha ishte e atillë dhe i piqte njerëzit që mendonin ta ndryshonin atë, sepse ishte kohë e paqëndrueshme dhe, si e tillë nuk mund të qëndronte, prandaj duhej të ndryshonte. Gaspri, siç shihet, në këtë kohë kishte rënë në kontakt me njerëz me të rritur se ai në moshë, të cilët punonin për ndryshimin e kësaj kohe. Për ndryshimin e kësaj gjendjeje të padurueshme për popullin shqiptar që zhuritej nga mungesa e lirisë.

Poetin e pengonte heshtja e atyre që nuk duhej të heshtnin në ato situata kur liria e atdheut kërkonte sakrifica. Por, këta njerëz që kishin ndikim në zgjimin e vetëdijes kombëtare, sepse për një gjë të tillë edhe ishin të thirrur, nuk e bënin dot një gjë të tillë, qoftë duke e thënë edhe një fjalë të vetme. Gaspri, si poet dhe si njeri ndiente neveri për ta, prandaj një gjendje dhe një atmosferë të tillë tepër nervoze shpreh edhe në poezinë Homazh për disa famullitarë, në të cilën përmes ironisë dhe metaforës në përgjithësi arrin të stigmatizojë të gjithë ata njerëz që i nënshtrohen një heshtjeje kaq të padurueshme dhe këtë poezi poeti e shkroi hiq më larg se në kohën kur lufta në Kosovë kishte filluar dhe vendi po digjej flakë. Në të gjitha anët e vendit regjimi serb po digjte e po vriste shqiptarët vetëm e vetëm pse ata ishin shqiptarë, ndërsa protagonistët e poezisë “Homazh....”, që siç e thamë ishte një nga krijimet e fundit të poetit, bëjnë sehir sikur këtu nuk po ndodhte asgjë. Vetë fjala “Homazh” tregon diçka që nënkuptohet se dikush ka vdekur dhe mbi arkivolin e tij bëhet homazh. Nuk ka fjalë më të rëndë që mund të gjente poeti që të shprazte mbi këta njerëz të cilëve ai u bën homazh. Kjo do të thotë se për Gasprin ata tashmë kishin vdekur, prandaj edhe u bën homazh:

 

....sikur të isha sot...

Ah, më mirë të mos isha

Se do të më qortonte Kolë Ashta

Për mossakrificë

Sikur të isha Pjetër Bogdani

Do të kërkoja përkrahës

Botës anembanë

Dhe do të ftoja besimtarët e mi

Për tokën tonë që Zoti na ka premtuar

Dhe do t’u thoja:

T’i rrokim armët, o burra!

Sikur të kisha diçka lidhje

Me martirët e Karadakut

Do t’u kërkoja falje

Për ligësinë time....

 

Në 52 vargjet e kësaj poezie që mban datën 1998, kur u bën homazh famullitarëve, poeti atyre ua përkujton me qëllim disa nga figurat më eminente të historisë sonë kombëtare e kishëtare, siç janë Pjetër Bogdani, Kolë Ashta, Gjergj Fishta, Anton Harapi, Martirët e Karadakut, sakrifica e të cilëve duhej të ishte një frymëzim për veprim e jo për heshtje në situata të vështira kur liria e atdheut po lëshonte zë. Në këtë poezi poeti është tepër i brengosur, tepër i revoltuar dhe gati sa nuk shpërthen në klithmë.

 

Kurbeti në poezinë e Gaspër Karaqit

 

Gaspër Karaqi kishte përjetuar edhe rrugët e vështira të kurbetit, të kësaj plage tjetër të rëndë ndër shqiptarët. Duke qenë një përjetues i drejtpërdrejtë i këtij realiteti, ai arrin ta regjistrojë me mjaft besnikëri në poezinë e tij. Prandaj, tema e mërgimit është një temë që ngacmon shpirtin delikat të poetit. Jeta e kurbetçarit është një jetë plot trauma, plot mërzi dhe dhimbje, që gllabëron shpirtin e poetit dhe të njeriut në përgjithësi, i cili tretet në erërsirën e pritjes së ditës së kthimit në atdhe. Poeti arrin që me plot nostalgji t’i këndojë nga larg vendlindjes, prindërve, shokëve, familjes, duke shprehur fuqishëm mallin për të gjithë. Poezia e Gaspër Karaqit, e kësaj tematike është një poezi e dhimbjes, e pritjes dhe e dashurisë. Një poezi e mallit të pashuar. E atij malli që përvëlon dhe që djeg shpirtin e njeriut kurbetçar, i cili përpëlitet e tretet udhëve të pakthim të ndrydhjeve, rënduar mbi supe me trastën e kujtimeve dhe të ëndrrave të bukura të kthimit në atdhe.

Kurbeti për Gaspër Karaqin është një sfidë e vështirë, një plagë e hapur në trupin e njeriut shqiptar. Është një tjetër mallkim që erdhi si rezultat i një situate të rëndë ekonomike dhe politike në vend. Njerëzit e vendlindjes së poetit, bredharakë të përhershëm rrugëve të kurbetit, anekënd Evropës dhe botës, janë ndoshta njerëzit më fatkëqinj, të cilët duhet të durojnë derisa një ditë të mos jetë shuar edhe shpresa e vetme e kthimit dhe e shërimit të kësaj plage të trashëguar shekuj me radhë.

 

Dashuria apo dëshira për realizimin

e ëndrrës së ndaluar

 

Tema e dashurisë në poezinë e Gaspër Karaqit zë një vend të rëndësishëm. Ndonëse të shkruara që në bankat e shkollës së mesme, poezitë me motive dashurie janë poezi që ngërthejnë në vete një tjetër shqetësim të poetit, në kohën kur në moshën djaloshare i zhuritej zemra për vashën e “ndaluar” të fshatit.

Në poezinë e Gaspër Karaqit dashuria paraqitet me tërë kompleksitetin e vet, me tërë dëlirësinë e saj. Përmes fjalëve plot emocion e ndruajtje dashurie, poeti mëton të përshkruajë e të portretizojë të adhuruarën e tij që rri e strukur në këndin e “fshehtësive” dhe të egërsisë së patriakalizmit fshatarak. Përmes një vargu të çiltër dhe plot emocion rinor, poeti arrin që të vëjë në spikamë disa nga dukuritë e tjejkaluara dhe të një mentaliteti të vjetër që ndrydhte dëshirat rinore, që shtypte dashurinë e sinqertë dhe që pengonte realizimin e ëndrrave të të rinjve, të cilët pa dëshirë i nënshtroheshin “rregullave” të pashkruara të një tradite kufizuese. Edhe përmes këtyre poezive Gaspër Karaqi na del si një luftëtar i denjë kundrejt dukurive që pengonin zhvillimin shoqëror dhe që si të tilla edhe linin pasoja.

Dashuria, si një ndjenjë sublime, për Gaspër Karaqin është një shprehje e lirë e një dëshire që duhet realizuar. Dhe për realizimin e një dëshire, apo kërkese duhet luftuar. Gaspri ishte një ithtar i asaj ideje se lufta duhet zhvilluar deri në fund, qoftë edhe me sakrifica të mëdha. Realizimi i një dashurie të “ndaluar” për Gaspër Karaqin kërkon angazhim, por edhe përballje. Prandaj, në poezinë e tij, të kësaj natyre, shpesh hasim pengesa, ngurrime, por edhe kërkesa për të shkuar deri në fund. Poezia e Gasprit, në këtë rast, është edhe një udhëpërshkrim i peripecive të të rinjve që kërkojnë të realizojnë një kërkesë të tyre që del thellë nga shpirti. Ky “udhëpërshkrim” interesant e bën poezinë e Gasprit një poezi me plotë gjallëri, me plot kërkesa dhe së fundi edhe me një përmbyllje shpesh jo me “happy end” . Po kjo, tek e fundit, është jeta, e paraqitur me tërë kompleksitetin, koloritin dhe me tërë lakuriqësinë e saj. 

 

Evokimi i historisë në vizionin

poetik të Gaspër Karaqit

 

Në prill të vitit 1941 në xhaminë e Rogovës së Hasit ndodhi një nga masakrat më të tmershme të atyre viteve, të cilën e kishin bërë ushtarët dhe kolonët serbë. Në fshatrat Ujz, Bishtazhin, Fshej, por edhe në fshatra të tjera të Hasit, të banuara kryesisht me shqiptarë të besimit katolik, serbët marrin dhjetëra burra dhe i pushkatojnë në mënyrën më barbare. Masakrimi i këtyre njerëzve të pafajshëm, të paarmatosur, nuk ndodhi pse ata ishin katolikë apo myslimanë, por thjeshtë pse ata ishin shqiptarë. Dhe veprimi më makabër ndodhi atëhërë kur këta njerëz të mjerë, të lidhur e të torturuar i dërgojnë në xhaminë e fshatit Rogovë të Hasit. Qëllimi ishte i qartë që te popullata shqiptare e besimit katolik të krijonte një dyshim dhe një bindje se këtë masakër e kishin bërë shqiptarët e besimit mysliman. Ky ishte një krim i dyfisht: Serbët me anë të këtij veprimi dëshironin që t’i përçanin shqiptarët. Që tek shqiptarët e besimit të krishterë të krijohej urrejtja ndërvëllazërore dhe pastaj të fillonte konflikti në mes shqiptarëve. Dhe po të arrinte këtë, Serbia do ta kishte më lehtë të realizonte qëllimin e vet, përçarjen e shqiptarëve dhe sundimin e këtyre tokave. Mirëpo, kjo nuk u arrit kurrë. Shqiptarët që jetonin me mijëra vjet në këto troje, qindra vjet të ndarë fatalisht në dy e tri fe, ishin të vetëdijëshëm se kjo u kishte ardhur nga armiqtë, prandaj edhë në këtë rast, i kishin  të qarta qëllimet serbe. Por, meritat më të mëdha për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe sqarimin se masakra ishte kryer nga serbët i ka famullitari i kishës në Bishtazhin, dom Lukë Filiqi, i cili arriti që të njoftojë opinionin për krimin e kryer. Në shënimet e lëna nga ky prift, shihet qartë qëllimi, por edhe mënyra e vrasjes se shqiptarëve në xhaminë e Rogovës. “Ata u vranë dhe u msakruan nga terroristët e Serbisë”, do të shkruante në shënimet mortore ky prift, i cili në ato shënime sqaron edhe mënyrën dhe kohën e vrasjes së këtyre martirëve.

 Se vrasja dhe masakrimi i shqiptarëve në xhaminë e Rogovës ishte një akt i papranueshëm për shqiptarët e të dy besimeve, kjo u pa edhe pas përfundimit të luftës, kur njerëz të “pushtetit të ri popullor” dëshironin t’i kthenin kolonët serbë e malazez të ikur nga Kosova. Në mesin e udhëheqësve të këtij “pushteti”, për fat të keq, kishte edhe shqiptarë. Kthimi i kolonëve në tokat e dikurshme, të uzurpuara me dhunë, po përgatitej të bëhej edhe në fshatrat e Hasit, përkatësisht në fshatrat ku ushtarët dhe kolonët serbë më 11-14 prill të vitit 1941, në prag të Festës së Pashkëve (të Premtën e Madhe), kishin vrarë dhe masakruar me dhjetëra shqiptarë. Dhe derisa në Rogovë po diskutohej se si do të realizohej “projekti” i kthimit, disa atdhetarë të asaj kohe, në krye të të cilëve ishte atdhetari dhe intelektuali Hajrullah Sahiti (Muhadri), iu kundërvunë kësaj politike. Ai (H.Sahiti) kishte përgatitur një referat që apelonte në moskthimin e atyre që kishin bërë krime mbi shqiptarët. Ndër skenarët e këtij burri të devotshëm, ishte edhe ai i përgatitjes së familjarëve të të masakruarve në xhaminë e Rogovës që në momentin kur do të diskutohej për kthimin e kolonëve serbë e malazias në fshatrat e Hasit, dikush të hynte me rrobat e përgjakura të të masakruarve, që i kishin ruajtur me mjaft dhimbje, dhe t’iu tregonte të gjithë atyre që kishin harruar se këtu ishte bërë një krim i përmasave të mëdha. Hyrja e njërit prej familjarëve me rroba të përgjakura të të masakruarve në prill të vitit 1941 ishte akti më kuliminant, i cili prishi skenarin e vrasësve të konvertuar në komunistë, që i kishin ende duart e zhlyera me gjak të pafajshëm shqiptari.

I rritur me rrëfimet e vazhdueshme të prindërve, të bashkëfshatarëve të tij dhe i frymëzuar gjithnjë nga ato ngjarje rrëqethëse, Gaspër Karaqi shkroi poemthin e tij ”Dymbëdhjetë apostujt”, që pasqyron në mënyrë shumë besnike atë ngjarje dhe ato dhimbje të pashërueshme. Shqetësimi për ngjarje të mëdha, vula e të cilave ishte ruajtur e do të ruhej e pashlyer me vite të tëra, ishte i përhershëm. Është një shqetësim i një njeriu, i një  intelektuali dhe i një atdhetari. Prandaj trajtimi i kësaj ngjarje, qoftë edhe në këtë formë ishte një gjest sa human, aq edhe kombëtar i Gaspër Karaqit si krijues dhe si njeri.

Poemthi është shkruar me një frymë shqetësimi, por edhe qortimi për të gjithë ata që kishin harruar historinë, e cila kishte rrezik që të përseritej, ashtu sikurse edhe ndodhi me të vërtetë në vitet 1998-1999.

Për të parë këtë shqetësim, të trajtuar në mënyrë artistike nga ana e Gaspër Karaqit, në këtë libër do ta japim të plotë poemthin, ashtu sikurse e kishte shkruar dhe e kishte lënë në dorëshkrimet e tij Gaspri.

Shikuar si tërësi, poezia e  Gaspër Karaqit është një poezi e dominuar nga tema e atdheut, e dashurisë, e historisë së dhembshur, por edhe ajo e kurbetit, tema të cilat poeti i kishte “prekur”, i kishte përjetuar dhe i kishte ndjer nga afër me shpirtin dhe trupin e tij.

Dhe, duke lexuar dhe analizuar në tërësi poezinë e Karaqit, arrijmë të konkludojmë se ajo është një poezi e shkruar nga një njeri që e deshi poezinë, të cilën, siç e thamë më parë edhe u mundua që ta shndërronte në vokacion të vetin krijues. Ajo është një poezi e shqetësimeve të rëndësishme dhe e përjetimeve, e shkruar nga dora e një talenti që shkruante vetëm atëherë kur e ndiente në shpirt dhe kur kishte frymëzim dhe kur shpirtin e tij e ngacmonin tema të rëndësishme.

 



[1] Gaspër Karaqi, Mirëmëngjes atdhe, përgatitur dhe redaktuar nga Besim Muhadri, botoi  SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2000.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora