E premte, 02.05.2025, 02:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Letërkëmbimi i Nënë Terezës me familjarët

E diele, 11.04.2010, 08:33 PM


Nga Arjola Hekurani

 

Itali, nën titullin “Madre Teresa, Tutto inizio’ nella mia terra” (“Nënë Tereza, Gjithçka nisi në tokën time”), zbulon detaje të panjohura nga fëmijëria, por edhe nga jeta prej bamirëseje e kësaj shqiptareje të madhe. Marrëdhënia me familjarët, baba Kolën, nënë Loken, motër Agen dhe vëlla Lazërin, rrëfehet përmes letërkëmbimit dhe dëshmive të njerëzve të afërt, si dhe me një përshkrim të plotë të ambientit ku Gonxhja u rrit

Letërkëmbimi i panjohur me familjen

“Gjyli”, kështu e thërriste me përkëdheli Nëna Drane të voglën e fëmijëve, Gonxhe Bojaxhiun, Nënë Terezën e ardhshme. Ajo i ngjante shumë asaj jo vetëm në tipare, por edhe për sa i përket besimit, devotshmërisë e kujdesit për të ndihmuar e për t’u kujdesur për të tjerët. I vëllai e dëshmon qartë këtë. “Sot, kur e shikoj Gonxhen-Nënë Terezën, më duket sikur shoh nënën tonë të dashur. I ngjan shumë. Kur nëna jonë erdhi në Tiranë, vura re se ishte shumë e lumtur, qoftë sepse ishim bashkuar, qoftë sepse motra jonë Gonxhe ishte bërë murgeshë. Ajo atëherë na shkruante shumë dhe na bënte më të fortë me lutjet e saj. Mamaja ime lutej gjithmonë: në kishë, në shtëpi, rrugës. Mbante gjithnjë rozarion në dorë”. Nënë Dranen e thërrisnin “Nëna e Shkupit”, ndërsa bija e saj u njoh si Nënë Tereza e Kalkutës, që i përkiste të gjithëve, anembanë botës... Gonxhes i kujtohej mjaft mirë dita kur i tha Nënë Lokes se kishte vendosur t’i falte pastërtinë e saj Zotit. “Kur manifestova dëshirën t’i falja Zotit pastërtinë time, ime më ishte kundër, por në fund më tha: ‘Mirë bija ime, shko, por bëj kujdes të jesh vetëm e Zotit dhe e Krishtit’. Jo vetëm Zoti, por edhe ajo do të më kishte dënuar, nëse nuk do të kisha ndjekur denjësisht vokacionin tim. Një ditë më tha: ‘Bija ime, ke jetuar vetëm për Zotin’? Nëna ishte kundër vokacionit tim për t’u bërë misionare, edhe pse vetë ishte një shenjtore. Nuk donte të më humbte. Të gjithë në shtëpi u lutëm së bashku. Një ditë më tha: ‘Do të të jap lejen të shkosh në kuvend’. Dhe e di çfarë bëri? U mbyll në një dhomë dhe gjatë gjithë ditës nuk donte të shihte asnjë. Kur dola nga shtëpia ime atërore, më tha: ‘Vendose dorën tënde në dorën e Jezusit dhe shiko përpara. Shiko drejt Atë. Mos shih kurrë pas. Gjithnjë përpara! Sepse nëse kthehesh, prapa do ecësh’”. Dhe Gonxhja nuk u kthye më... Kështu nisi rrugëtimi i gjatë i Nënë Terezës, në ndihmë të atyre që më shumë kishin nevojë. Ajo u largua nga gjiri i familjes. E më pas, në vitin 1925, vëllai Lazër u transferua në Tiranë për motive pune. Tre vite më vonë i shkon pas edhe motra Age. Në vitin 1934, me ta bashkohet edhe nëna Drane, e cila kishte mbetur e vetme në Shkup. Age nuk u martua, për t’i qëndruar pranë nënës. Ajo ishte një vajzë shumë aktive: e diplomuar për Ekonomi në Jugosllavi, fillimisht punoi si përkthyese e gjuhës serbo-kroate në shqip, e më pas si folëse në radio dhe anëtare e korit radiofonik të Tiranës.

Për arsye studimi, Lazëri u largua nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1939, pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Aty edhe qëndroi derisa ndërroi jetë në vitin 1981. Nënë Terezës iu dha mundësia të takohej me të vëllanë disa herë. Me nënën dhe motrën nuk u panë kurrë më. Ato u izoluan në Shqipërinë komuniste. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nën regjimin e rreptë të Hoxhës u transferuan në një ndërtesë të shtetit, në varfëri ekstreme dhe braktisje. Drania lutej ngaherë, ditë e natë, në fshehtësi, sepse ndryshe ndëshkohej. Disa javë para se të vdiste, i dërgoi një fotografi të dashurës Gonxhe, ku i shkruante: “Të puth- Nëna Loke”.

Megjithatë me vëllanë nuk i humbi lidhjet. Letërkëmbimi mes të dyve ishte i pasur dhe i shpeshtë. Falë tij ilustrohet mjaft mirë dashuria dhe mbështetja reciproke që kishin për njëri-tjetrin, jo vetëm vëlla e motër, por edhe ndaj nënës e motrës tjetër që nuk i panë kurrë më për së gjalli. Disa letra të panjohura, detaje nga jeta familjare, jeta si misionare etj., e Nënë Terezës, janë përmbledhur pak kohë më parë në një botim të shkruar nga autorja italiane, Cristina Siccardi. I botuar në Itali nën titullin “Madre Teresa, Tutto inizio’ nella mia terra” (“Nënë Tereza, Gjithçka nisi në Tokën time”), na zbulon edhe një herë më imtësisht këtë shqiptare të madhe. Marrëdhënia me të atin, Kolën, nënë Loken, vëlla Lazërin e motër Agen, përcillet te lexuesi përmes këtij vëllimi, ku lexuesi njihet nga afër me jetën tokësore të Gonxhes së shenjtë shqiptare. I plotësuar me dëshmi e intervista, artikuj të kohës, si dhe me një përshkrim të plotë të ambientit ku jetoi dhe u rrit Nënë Tereza deri në moshën 18-vjeçare, ky libër i botuar nga shtëpia botuese “San Paolo” rrëfen jetën e vajzës që u formua në familjen shqiptare me origjinë nga Prizreni, të vendosur në Shkup të Maqedonisë për shkak të tregtisë me të cilën merreshin. Atje ata themeluan të parin teatër të këtij qyteti, ku vetë pjesëtarët e familjes interpretonin duke nisur nga aktrimi, kërcimi, banda muzikore, e mbi të gjitha në spektaklet që u kushtoheshin fëmijëve. Nuk mungojnë as të dhëna për ardhjen e saj në jetë dhe si u prit në familje, pagëzimi, shkollimi, miqësitë dhe rregulli bazë i mikpritjes shqiptare mbi të cilin u ngrit i gjithë misioni i saj bamirës: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut; ndërsa simbolet janë tre: bukë, kripë e zemër të pastër”. Për Nënë Terezën, ato ishin arsyeja e jetës...

 

 

Letërkëmbimi i Nënë Terezës me familjarët

Letra dërguar vëllait Lazër:

12 maj 1963:

E mora letrën tënde. Ju falënderoj për lutjet tuaja, të cilat më ndihmojnë të bëj më të mirën e Zotit (...). Ne tani jemi 180 motra. Tashmë kemi nisur të kemi edhe Vëllezër.

 

Unë e kam harruar shqipen dhe për këtë nuk arrij t’ju shkruaj më shumë.

 

Lutuni për mua. Dhe unë do të lutem për ju.

 

Dashuria e Zotit qoftë me ju.

 

Kalkutë, 10 qershor 1978

Faleminderit për letrën tënde. Mos u shqetëso për mua, tani jam mirë me shëndet, vetëm se këtu bën shumë nxehtë dhe unë erdha nga Roma ku bënte shumë ftohtë, ndërsa këtu ishte nxehtë, ndaj edhe më zuri gripi. Por mos u shqetëso për mua. Zoti ka një dashuri shumë të madhe për mua dhe kështu Ai është gjithnjë aty, gati, duke menduar për mua. Shpresoj që ju të gjithë të jeni mirë dhe që të gjitha ditët të mund të shkoni në kishë dhe të merrni Krishtin në zemër (të bëni kungimin). Nuk e di nëse unë do të mund të jetoja pa Kungimin e Shenjtë.

 

Letër e Nënë Lokes dërguar Lazërit, shkruar nga motra Age. Aty manifestohet dëshira e madhe e saj për të parë fëmijët me të cilët kishte humbur lidhjet:

Sa shumë gëzova kur mora letrën tënde. Ti, shpirti im, nuk e di se sa shumë të dua dhe sa shumë dëshiroj të të takoj sa më shpejt. Nëna jonë ka gjithnjë në dorë fotografinë tënde. Unë nuk mund të bëj tjetër veçse të pres ditën në të cilën do të mund të të shikoj më në fund... Tani zemra ime është e fryrë prej mallit. Prej Gonxhes nuk kam marrë asnjë lajm prej kohësh. Por jam e gëzuar që është mirë me shëndet. 

 

Nënë  Tereza i shkruan arkipeshkvit Perier

 

12 shtator 1957

Kam marrë një letër të gjatë prej nënës sime të moshuar. Më në  fund kanë lajme prej meje dhe vetëm tani ajo është njohur me Misionaret e Bamirësisë. Në vitin 1948 kishte dëgjuar se isha larguar prej Loretos, e pastaj asgjë. Kujtonte se kisha vdekur.

 

Letër  e 4 janarit të vitit 1970. Age shkruan:

“Mamaja po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Tani thuajse nuk më njeh më. Është dobësuar shumë dhe ka humbur mjaft në peshë (peshon 39 kile). Unë jam mirë, edhe pse ndihem shumë e trishtuar”.

 

Nëna Loke i shkruan edhe një herë të birit në Itali duke i thënë:

“Dëshira ime e vetme është të të shikoj edhe një herë para se të vdes, ty, familjen tënde dhe shumë të dashurën time Gonxhe...”

 

Si e refuzoi ardhjen e Nënë Terezës në Shqipëri   

 

Ambasada shqiptare

Nënë Tereza tentoi të  shkonte në Ambasadën shqiptare në Romë për të  gjetur një mundësi për të parë edhe një herë  motrën dhe nënën. Nga ambasada i vjen një përgjigje: “Nuk dëshirojmë të flasim me ty”. Duke dalë, Nënë Tereza qante. U ndal dhe ktheu sytë nga qielli e tha: “Zot, unë pranoj këtë vuajtje për ty, por për nënën time të gjorë është e vështirë ta kuptojë dhe ta pranojë. Prej vuajtjeve nga pleqëria, ajo dëshiron vetëm të më shikojë, sikur edhe një herë të vetme...”. Atëherë u mundua të krijonte lidhje përmes kanaleve të tjera për të hyrë në Shqipëri, por pa sukses. I tha të vëllait: “Deri më sot, me lutje e dashuri kam arritur të fitoj çdo gjë, por ka disa mure e disa barriera që dashuria nuk arrin t’i kalojë”. Pak kohë pas këtyre përpjekjeve, Nënë Tereza merr një letër prej së motrës, Age, përmes së cilës nëna i thoshte: “Nëse nuk shihemi në këtë tokë të mjerë bija ime, me siguri që do të shihemi sërish në qiell”. Më 12 korrik të vitit 1972, vëllai Lazër merr një telegram nga Tirana: “Sot, më 12 korrik, në orën 5 Lokja vdiq”. Më 14 korrik nga Palermo vëllai i telegrafon Nënë Terezës: “Lutu për Loken që ka ndërruar jetë”. Nënës nuk iu lejua as të merrte pjesë në funeral. E njëjta gjë do të ndodhë edhe më vonë për motrën Age



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx