E premte, 02.05.2025, 02:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Manjola Brahaj: Poezitë e dashurisë së Josif Brodskijt

E diele, 11.04.2010, 02:24 PM


POEZITË E DASHURISË     JOSIF BRODSKIJT

 

Aleksandrovich   Brodsky   1940 - 1996

 

Nga MANJOLA BRAHAJ

 

I vendosur, që nuk pranon kompromis dhe refuzon gjithçka që nuk i shkon përshtat. Braktis dhe lë mbrapa pa pikën e mëshirës apo të dhimbjes, me bindje të plotë dhe pa iu dridhur qerpiku, ky është Brodskij njeri (1940- 1996).

Kategorizon, klasifikon dhe refuzon si në rastin e mësuesve të tij : “ Thjesht ,nuk munda të duroj disa surretër të klasës sime, dhe kryesisht, mësuesit. Dhe ja , në një mëngjes dimri, pa ndonjë arsye të dukshme, u ngrita mes mësimit dhe në mënyrë malodramatike u largova, duke ditur mirë se kurrë nuk do të kthehem.”.

Po ashtu dhe rebelohet, në mënyrat më interesante, të cilat di t’i bëjë vetëm Brodskij, si në rastin e rebelimit kundër së dashurës: “Pastaj më tej ja se ç’ngjau: ai pshurri në një galloshe dhe e hodhi atë në tenxheren që ziente në kuzhinën komunale të konviktit ku jetonte e dashura e tij, në shenjë proteste ndaj asaj që e dashura nuk e lejonte të hynte në dhomë pas orës dymbëdhjetë të natës.”

Mirëpo braktiset me lehtësi një gjë në jetën tonë reale, ashtu siç braktiset me vështërsi një tjetër. Ndodh një çekulibër ndjenjash, sigurish dhe ne jemi të detyruar të dorëzohemi. Nuk jemi të aftë të tregohemi të prerë dhe tashmë shtigjet e zgjidhjeve janë mbyllur, alternativat janë ngushtuar. Dhe e vetmja fole, për ata që Zoti u ka dhënë dhumtinë e krijimit është pikërisht krijimi, shpëtimi nga humbja, nga plagët, nga mosarritjet, nga dështimet, nga ndarjet. Zhgualli mbrojtës, qilimi fluturues drejt qiellit të lirisë, qëllimi final i synimeve shpirtërore, e vetmja pikë çlirimi, i vetmi vend ku ndihemi mbretër, ku jemi të lirë t’i shprehim shqetësimet, brengat, idetë. Vend të cilin disa njerzve të veçantë ua përcakton Zoti, siç shprehet në një nga proceset gjyqësore, kur i drejtohet prokurori duke e pyetur:

 

Prokurori: -I pandehur, çfarë profesioni keni?

Josif Brodskij: -Poet!

Prokurori: -Ku e keni nxënë këtë profesion? Kush ua ka mësuar?

Josif Brodskij: -Këtë profesion as nuk e nxë kund, as ta mëson kush : është një dhunti , të cilën Zotynë s’para pëlqen ta shpërdorojë pa kriter, duke ua blatuar vdekëtarëve të rëndomtë. Fjala vjen, të llagapit tuaj.

 

Dhe më vonë Josif Brodskij në ligjëratën e mbajtur kur merr çmimin Nobel, më 1987 do të shprehet: “Ai që shkruan poezi e shkruan atë, para së gjithash, sepse poezia është një përshpejtues kolosal i vetëdijes, mendimit, botëperceptimit.” Ai e kuptonte më së miri lidhjen që kishte krijuesi me poezinë e tij, por edhe vlerën e talentit dhe prirjes së lindur që ishte më shumë diçka mistike dhe e ardhur nga Zoti. Por, edhe një kërkim dhe zbulim arkitektoniko-estetik i cili ka në bazë një shpirt dhe përjetimet e tij.

-Shtrirja, meditimi dhe krijimi i vargut i cili relevon vëmendje dhe gdhendet në mendjen e lexuesit, duke krijuar një gjendje varësie me të, dhe është i detyruar të kërkojë vazhdimisht kontaktin me të. Varg i cili shpesh është i rimuar, por qe del edhe jo në pak raste në vargje të lira, më i shpenguar, më i lirë për të shprehur atë gjë që e shqetësojnë unin poetik.

-Një poet tek i cili, lidhja me antiken, mitin dhe filozofinë e vjetër po ashtu dhe bashkëkohore, është shumë e dukshme, duke i mundësuar krijimit të tij refrenca të shumta me kultura dhe qytetërime të ndryshme, dhe kumte të mëdha poetiko- ideore, por edhe qëndrimin mbi kohë të krijimit të tij.

-Një pjesë të veçantë dhe origjinale zënë dhe krijimet kushtuar dashurisë, si një ndër pjesët më të rëndësishme të gjithë krijimtarisë së Brodskijt.

Dashuria e ndjerë, ajo e mbushur me mall, përjetim , por edhe vrragë lënduese që ka lënë gjurmë në shpirtin e unit poetik. Ajo që sjell lumturi, përjetohet deri në cakun e saj më të skajshëm, ku dy të dashuruarit thonë:

“Aq e huaj na dukej çdo surprizë ,

sa përqafjet tona trup me trup

turpëronin çdo psikanalizë.”

Harmonia shpirtërore dhe ekulibri i ndjenjave papritur shprishet, shkatërrohet, diçka në atë ndjenjë aq të paster nuk ka më përsosmëri. Filli është këputur dhe ajo që e bën më të dhimbshme, është se ai është këputur nga një forcë e jashtme, që ka ndërhyrë padëshirueshëm. Si një forcë e padiskutueshme shkatërruese dhe tjetërsuese që ua largon të dashuruarve mundësinë e përjetimit dhe realizimit të dashurisë.

Ndoshta, ky korpus i poezive që ka këtë drejtim kuptimi dhe që janë të shprehura ndjesitë e humbjes se dashurisë dhe e shpërblimit me ndarje, mund të shpjegohej me ngjarjen reale jetësore të tij, ndarjen më të dashurën dhe gruan e jetës së tij dhe të birin në momentin kur u detyrua të braktiste tokën e Rusisë pas gjygjit dhe denimit me largim. Pasi poezi është ndoshta forma e krijimit në të cilën lidhja e poetit njeri njeri dhe poetit krijues është më e fortë dhe më e shfaqshme se në çdo formë tjetër, çka të bën të kujtosh çfarë thoshte Reverdia për poetin, se ai nuk ka subject për të trjatuar. Ai ha vetveten. Mirëpo shpesh poezia tenton të jetë e ngatërruar dhe të shpien nëpër labirinte që ngjajnë me ato të shpirtit. Bëhet kështu një lloj “çapkëneje që nuk jepet lehtë” sepse në fund të fundit siç thotë Rene Char poeti është farkëtar i ligjërimit dhe të shpie ku don, gdhend dhe i jep trajta krijimit që në disa raste (siç ndodh me poezinë hermetike dhe poezinë moderne të shek. të XX) janë të padeshifrueshme e të pakuptueshme.

Tek Poezia e Brodskijt ndodh ndarja, pastaj ndjehet vetmia e cila s’është gjë tjetër veçse njeriu në katror, është ajo që zë fronin pas një ndarjeje me dhimbje dhe zbrazëti dhe uni poetik thotë se të lidhur, tash, asgjë ne nuk na mban.

-Leksiku me të cilin i shpreh këto përjetime dhe zikzake në ndjenjat e tij uni poetic, është i pasur, një dhe disa shtresor, duke dhënë një dhe disa kuptime. -Imazhet janë nga më të ndryshmet dhe pasuria e tyre shkon e rritet nga vargu në varg, dhe duket sikur procedimet kryesore ai i bën me anë të kombinimit dhë ndërthurjes së këtyre imazheve.

Të dashuruarit ngjajnë me:

“shigjetat e një fushë-ore,

në dymbëdhjetë qafuar para se ,

jo një ditënatë, porse përjetë të ndaheshin.”

Gjërat janë mbetur pezull dhe asgjë nuk është realizuar, duke ngjarë kështu me shtëpinë, ku pasqyrën shpunë, por nuk banuan.

Me të tilla imazhe ndërtohet e gjithë ngrehina estetike e poezive të tij, të cilat janë të shumta dhe nuk kufizohen me kaq.

Pra nje poezi që sygjeron dhe ngjall kureshtje, që kumton dhe lë për t’u deshifruar shumë gjëra nga lexuesi. Dëfton ndjenja dhe përjetime.

-Erotizmi i tij nuk është i shfaqshëm e as i theksuar, ai i këndon një dashuire të pastër, drejt së bukurës, të paarritshmes së përsosur dhe sublimes. Një dashuri e dlirë dhe fine, çka ndoshta mund të shpjegohet dhe me finesën dhe brishtësinë e gjuhës ruse në vetvete, por edhe me letërsinë ruse të deriatëhershme, e cila nuk i kushte kushtuar shumë vend erotizmit (i referohemi këtu momenteve të aktin të dashurisë dhe leksikut erotik më të theksuar).

Nënteksti i krijimeve të Brodskijt flet më shumë se sa teksti i tij, dhe nga ana tjetër, më shume bashkëlidhja e pjesëve, pra e tëra, se sa secili fragment, imazh apo ndjesi më vete.

-Mungesa është prani dhe prania është mungesë.

Sepse mungesa e dashurisë dhe objektit të saj e bën unin poetik të ndjejë praninë e dhimbjes, vuajtjes, trishtimit, humbjes dhe të vetmisë, si një madhësi e përcaktuar si njeriu në katror.

Po nga ana tjetër prania e dhimbjes dhe vetmisë janë si mungesa për shpirtin dhe përtërimin e tij, duke dalë kështu në pozicion negativ e përkeqësues. Këto gjëra që me ikjen e dashurisë bëhen mbizotëruese dhe janë të ngjeshura në çdo cep të lumturisë, dikur kishin qenë të parëndësishme dhe i përkisnin dorës së dytë, bile nuk ishin ndjerë fare. Ekzistenca e tyre nuk ka qenë e nevojshme, ashtu si e objekteve, të cilat , për të dashururarit nuk vlejnë.

“ Aq gjatë jetuam bashkë pa libra ,

pa mobilje, pa divanin këmbëshkarë

rrëngallë , që para se të lindte-

qe trekendësh perpendikular,

pingul prej miqve tanë montuar

mbi dy pika shkrirë , përbashkuar.”

Ndaj pasi vjen ndarja hidhërimi shungullon i cili kalon i pakuptuar dhe fjalët shurdhuese bëhen shkak i shtimit të brengës.

Poezi të shumta të tij mbajnë titullin elegji, shumë prej tyre dalin patitull, por të pjesa më e madhe që i kushtohen dashurisë mbajnë një shenim me iniciale M.B të cilat janë shkronjat e para të emrit të gruas së tij.

E dashura thirret , e dashur, mikeshë dhe zëri i saj është i gjithëpushtetshëm dhe definitiv, duke ndikuar kështu përfundimisht në ekulibrin dhe gjendjen e ndjenjave, në përmirsimin e atij ekulibri apo në shpërbërjen e tij.

Çdo gjë është baraz me zero dhe vetëm i mbetet të bëjë asociacione imazhesh si; qielli plot me avionë, tingujt e pianove dhe shtëpinë me pamjet e saj që tashmë janë torturuese, ashtu si malli dhe tallazitjet ngjajnë me detin e trazuar. Malli për kohen e shkuar, për vendin e dashurisë, pikturën me detajet e vogla të një jete, tashmë, të sosur , të shkretuar, mbi të cilën sundon pluhuri.

Ndaj Brodskij mbetet i veçantë me krijimet kushtuar dashurisë, të cilat ndonse shprehin dhimbje, trishtim, kanë një ëmbëlsi të veçantë dhe të mbeten në mendje. Nuk janë pesimiste dhe bezdisëse as hermetike apo të mbylluara që largojnë lexuesin, pra ai shpreh dashurinë e tij nëpërmjet një dashurie tjetër, poezisë, po aq të madhe për të, por të pavdekshme.

Ndaj në poezitë e tij ndjehet lidhja e poetit me gjuhën si mjet përçues i ndjesive dhe ideve të tij dhe poeti sipas Brodskijt , pasi e provon këtë përshpejtim një herë (duke iu referuar krijimit të poezisë), njeriu s’është më në gjendje të mos e përsërisë këtë përvojë, ai i bie në varësi të këtij procesi, sikndërse bien në varësi prej narkotikëve apo alkolit. Njeriu që gjendet në një varësi të tillë nga gjuha, mendoj, quhet poet.

I tillë është ai poet , një ndër më të shquarit dhë më të veçantët e letërsisë ruse në veçanti, i cili në gjallje njohu si përçmimin më mizor, që mund t’i bëhet një njeriu dhe krijuesi nga vendi i tij, ashtu dhe vlerësimin më të madh që mund t’i bëhet një poeti në shkallë botërore (vlerësimi me çmimin Nobel). Ngjarje për të cilën nënçmohej dhe akuzohej në vendin e tij, Rusi, dhe në festen kushtuar këtij eventi siç kujton poetja dhe mikesha e tij Ollga Sedakova në një intervistë të sajen në vitin 1999 në Moskë, u festua vetëm nga filologë dhe gjuhëtarë të cilët nuk guxonin të flisni për krijimet e tij dhe në vend të kësaj, flisnin për karakterin dhe humorin që e karakterizonte si njeri.

 

Pra ky është Brodskij, me profesionin poet dhe mbetet i tillë, edhe pasi ndërron gati 14 profesione në jetën e tij, sepse asnjëri nuk i përshtatej dhe pikërisht për këtë e akuzojnë për “parazitizëm social”, një akuzë kjo, që vetëm regjimet komuniste kanë ditur t’i shpikin. Por Brodskij poet dhe vepra e tij, është pjesë e perandorisë së artit, dhe si e tillë mbetet e pavdekshme.

Lexuseit shqiptar e ka njohur atë me përmbledhjen me poezi të zgjedhura “Stacion në shkretëtirë”, tranë, Arbëria, 2004.(Përkthyer nga origjinali nga Agron Tufa.)

 

Por pavarsisht ngjarjeve, e dukurive si kjo e mësipërmja Brodskij dhe krijimtaria e tij në poezi, jo vetëm ajo e dashurisë, i ka dhënë botës një kontribut të madh e të veçantë që mban firmën e origjinalitetit të tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx