Kulturë
Edmond Joni: ''Vajza me trëndafila prej ëndrre'', roman i shkrimtares së njohur, Lule Shameti(Dhromi)
E premte, 09.04.2010, 09:36 PM
''Vajza me trëndafila prej ëndrre'', roman i shkrimtares së njohur, Lule Shameti (Dhromi)
Nga
Pas lëvrimit me sukses të gjinisë së poezisë, tregimit, esesë, artikujve kritikë e studimorë, kumtesave të mbajtur në sesione të ndryshme shkencore në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, bashkpunimeve publicistike, krijimtari e përmbledhur në vëllimet poetike si :-``Serenatë dashurie``, ``Një degëz mimoze``, ``Ëngjëj të pambrojtur``, ``Rrënjët e këngës sime``
Vëllimeve me tregime e poezi;-``E fshehta e Merit`` dhe ``Dallgë psherëtimash``, të pëlqyera nga lexuesi, të vlerësuara në shtypin qëndror dhe lokal, në mediat audio vizive dhe veçanërisht nga emra të shquar të letërsisë shqiptare, Lule Shameti e njohur kryesisht si poete, me një çmim të dytë të fituar në një konkurim për të rinjtë në Prishtinë, për librin e parë poetik``Serenatë dashurie``, më 1996, vjen përpara lexuesit në një tjetër profil po aq të suksesshëm, në atë të romancieres, me romanin e saj të parë, ``Vajza me trëndafila prej ëndrre``.
Një roman që lexohet me një frymë. Me një subjekt interesant, intrigues, me temë për rininë,ku fokusohen natyrshëm dhe me ngjyra të gjalla mardhëniet mësues -nxënës, prind- fëmijë, burrë – grua, format e ndryshme të dhunës në familje dhe shoqëri, përfshirë nga një ndjenjë idilike e një mardhënieje dashurore të pastër e të sinqertë, në kërkim të së cilës janë shpesh të rinjtë, por dhe çdo moshë. E , veçanërisht, ëndrra për t`u arsimuar është një nga aspiratat më të rëndësishme, që kërkon protagonistja e romanit për ta realizuar, e cila ndesh në jo pak vështirësi. Me gjithë frymën e dukshme romantike, që përshkon qelizat semantike të fjalës së gjallë , të shkathët e plot ekspresivitet, me një figuracion të pasur e interesant, që ngjason me pemën, e cila natyrshëm mbush degët me lule e gjethe dhe lidh kokrra të dëndura, në roman ndihet qartë prirja realiste për të përshkruar një realitet të besueshëm artistik dhe plot gjallëri. Një roman fluid ky i Lule Shametit, i tipit alegorik, që të rrëmben e të vë në mendime faqe më faqe, derisa zbulon tërë peisashin shpirtëror e jetësor me detaje të hollësishme, deri në mbyllje të tij.Lexuesi e shfleton librin me ëndje, falë tensionit, të papriturave, përshkrimit interesant të ndjenjave dhe mendimit të freskët, jetës plot bukuri dhe kontraste prekëse.Sendi, protagonistja e romanit, që shfaqet me portretin më të plotë fizik e shpirtëror, ëndërron, udhëton, njihet me vise të tjera, përballet me një botë ndryshe, nxiten e lindin dëshira të fuqishme brenda botës kureshtare të një fëmije 13-vjeçar,(starti ku fillon jeta e personazhit) që edhe pse nuk ka përvojën dhe pjekurinë e duhur, ka një pasuri të çmuar, pastërtinë e shpirtit dhe një tufë trëndafilash prej ëndrre.Ka në dorë shansin të thurë ëndrra të bukura, me vendosmërinë dhe guximin për t`i realizuar. Dhe autorja shkel edhe në vise të ``rrezikshme``, por nuk është ``faji`` i personazhit apo i narratores, që papritmas jeta merr ngjyra të zymta, të pabesueshme, petalet e ëndrrës fillojnë të vyshken , të humbasin bukurinë, freskinë dhe aromën, por është vetë realiteti njerëzor që i kapërcen edhe kufijtë e imagjinatës, dhe autorja, edhe pse nuk dëshiron të ringjallë kohë të shkuara, nuk mund t`i lerë jashtë kontureve të romanit, por pa ngurruar me një tis dhimbje e trishtimi të padëshiruar i paraqet, si pjesa më paradoksale e jetës, në kapitullin``Shembja e perandorisë së idhujve``, si një mesazh njerëzor për të rifreskuar kujtesën që historitë e dhimbshme kombëtare të mos përsëriten. Por ajo ndërhyn me trillin artistik gjen një zgjidhje, mbase një artificë për të zbutur trishtime ende të pathara, vjen me dëshirën dhe mesazhin për ta parë vendin e saj të bëjë një jetë metropolesh me shije Amerike…Dhe trëndafilat e ëndrrave fillojnë të çelin sërish, të freskohen e të shpërhapin aroma marramendëse, të të hutojnë… Zemra mbushet me ngrohtësi, optimizëm , shpresë dhe një tufë pikëpyetjesh për sfidat që e presin njeriun .