Kulturë
Skënder Hasko: Poezi për dashurinë
E enjte, 08.04.2010, 09:13 PM
Skënder Hasko
Poezi për dashurinë
(Shkëputur nga libri “Ah!...”)
U bëfsha valë deti
Valëzat e detit,
tërë zjarr e mall,
Shtrihen përmbi rërë,
puthen nëpër zall,
Pastaj prapë tërhiqen,
zbresin prapë në det,
Atje marrin zemër,
atje marrin jetë.
Pa i kthehen bregut
dhe më lozonjare,
Më leht’ e më butë,
dhe më ledhatare,
Puthin kurme çupash
dhe i përkëdhelin,
Që të lenë pa mend
kur përkulin belin…
Det, o det’ I kaltër,
as më merr dhe mua,
Tretëm, bëmë valëz,
tjetër gjë nuk dua,
Të vijnë të freskohen
vashëzat perri,
E t’i puth në buzë,
në gush’ e në gji!...
Mos harro!
Pse më rri kaq ftohtë,
Si dëborë e ngrirë,
Më grmis, më shtyn,
Për në humbëtirë?!
Herë je si akull,
Herë je si prush,
Herë si gjemb në kodër,
Herë lule në fushë...
Herë më rri si mike,
herë si e huaj,
Ç’ke me zemrën time,
Që e bën të vuaj?!
Mos harro: një ditë
do t’iki pranvera,
Pa pastaj do thuash:
“Ç’bëra unë e mjera!”
Zëri i vashës
A s’më thua, vashëzo,
Nga del zëri yt, që flet?
Duket sikur vjen nga qielli,
Duket sikur zbret nga retë...
Si zë engjëlli pëshpërit,
Vjen e më trazon te shtrati,
Si zog zemra përpëlitet,
më rrëqethet gjithë shtati.
Ndizmë!
Zbrit, sorkadhe, tatëpjetë,
Zbrit të më japësh jetë!
Zbrit e më fal dashuri,
Të më ndezësh zjarr në gji!
Ndizmë, që të përvëlohem,
Të fle gjumë e të mos zgjohem,
Pastaj të më kthesh në hi,
Të më mbash në hajmali,
Hajmalinë në gush’ ta kesh,
Kur të ecësh e të flesh…
Dëshirë
Një zë i bukur, si zë bilbili,
Nga poshtë dritares më vjen në vesh,
Unë brof të shoh, se erdh’ bandilli,
E shpirti mbushet e zemra qesh.
Më vjen të hidhem që nga dritarja,
Të bie si gjeth në duart e tij,
Në përkëdhelje të humbas e tëra,
Të më puthë në buzë, në gush’ e gji.
Pa të më shpjerë në folezë,
E të më shtrijë përmbi shtrat,
Të marrë flakë dashuria,
E njësh të bëhemi pak nga pak...
Ashtu, të shtrirë, të bërë njësh,
Nga zjarr’ i epshit të përvëluar,
Të fluturojmë nëpër qiej,
Nëpër ëndrra të harruar…