E premte, 18.07.2025, 03:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Servilo-zvarranikët që dalin nga klonimi i maskave

E premte, 09.04.2010, 09:32 PM


Servilo-zvarranikët që dalin nga klonimi i maskave

Nga Kujtim Mateli

Vëllimi poetik “Vetëklonimi i maskave”, i autorit Zyhdi Dervishi,  shënon një arritje për letërsinë shqipe duke i sjellë asaj një këndvështrim të ri në të parët e dukurive dhe fenomeneve të jetës së përditshme. Libri është i ndarë në shtatë cikle të ndërtuar si një mozaik, secili me ngjyrimet e veta, duke  dhënë përjetime që mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit.
***
Poezia e Zyhdi Dervishit është shqetësimi i qytetarit që kërkon të bëhet më shumë për ecjen përpara, por fatkeqsisht nuk ndodh kështu. Vendi i tij vazhdon të jetojë ende me paradokse që nuk iu ndanë deri më sot. Poeti kërkon që të rritet prestigji i nëpërkëmbur. Ky prestigj nuk mund të ngrihet nga ministrat-laro, as nga një palo prijës, as nga një gjeneral krimesh. Vendi i tij nuk ka kohë për të humbur.
“Çdo sekondë poshtërimi/ të helmon si nepërka-lubi/mijëra orë”.(Mokra e helmetës fq. 26)
Poezia “Varka” na jep bukur poetikisht jetën njerëzore në rrjedhën e saj. Në dymbëdhjetë mijë vite njerëzimi është në kërkim të një përsosmërie. Një përsosmërie edhe shpirtërore për të cilin kanë luftuar brezat deri më sot. Por njerëzimi nuk e ka gjetur këtë përsosmëri për të fituar më vonë qetësinë. Njerëzimi është ende larg nga ajo pikë ku autori dëshiron të mbrijë. Gjersa të arrijmë atje, shumë shpresa do të rrëzohen në honet pa fund. Ndërsa ndodhet në një pikë të tillë, njeriun nuk e ligështon dështimi. As nuk e sheh të ardhmen pa rrugëdalje. Një zë dhe një ndienjë e bukur i ndodhet pranë. E ndien se si i afrohen :
“ motive poezie/si varka shpëtimi”. (Varka, fq. 61)
***
Poeti nuk është indiferent ndaj natyrës dhe bukurive të saj. Si gjithë të tjerët  edhe poeti është pjesë e kësaj bote. Edhe ai dëshiron të shikojë dhe të përjetojë bukurinë e vendit ku jetojmë, t`i gëzohet si fëmijë ëndrrës së bardhë , rruzullit tokësor që në çdo moment i gjendet pranë një dritë agimi, duke parë atë jo të ndarë, po si një të tërë. Në këto momente të rralla që na afrohen, poeti përshkruan njerën prej tyre, mbresat që ka përjetuar ndërsa ndodhej mbi detin Marmara.  Lart qielli shumëngjyrësh, poshtë deti që vezullonte në kaltërsinë e tij mbresëlënëse. Avioni mes detit e qiellit. Dhe ja: “ …nën krahun e majtë të avionit/ u shfaq një unazë ylberi/me përmasa e hire të mëdha”. (Befasi mbi detin Marmara, fq.65)
Poezia vazhdon me një mesazh vëllazërie mes popujve dhe vendeve. Bota është një dhe e pandarë midis njerëzve ashtu si vetë kupa qiellore që i rri përsipër mbarë planetit. Aty, mbi detin Marmara: “Qielli mes Europës dhe Azisë/na dhuroi një bukuri të rrallë-/ogur mbarësie”.

***

Tek poezia “Zhburrërimi i malit” bëhet apel për një qëndrim qytetar ndaj një fenomeni që është shqetësues për shoqërinë shqiptare. Po prishen vlerat e vendit tonë, po shkretohet natyra, nisur nga një përfitim i ditës, duke harruar pasojat që sjell një veprim i tillë dhe heshtja që e shoqëron këtë fenomen negativ. Dikur pyjet dhe korijet hyjnizoheshin dhe arsyeja ishte që të parandalohej dëmtimi i tyre nga njerëz të pandërgjegjshëm. Sot ndodh e kundërta dhe është heshtja ajo që i shkon pas këtij fenomeni negativ. Autori na jep një peizazh konkret duke na treguar se si po vdes natyra nga furrat e gëlqeres që thithin goma makinash duke nxjerrë gazra vdekjeprurëse. Janë këto gazra që po e rrallojnë kurorën e blertë të malit të Krujës. Tani mali ngjan si vend shkretëtire. “…dhe mali që s`u thye nga gjylet/më të rënda të luftrave/në ditë paqtimi/po zhburrërohet”.( “Zhburrërimi i malit”, fq.68)
Motivit të ruajtjes së mjedisit poeti do t`i rikthehet përsëri. Tani janë lumenjtë ata që ndihen të kërcënuar. Të vjellat e gjirizeve të industrisë po i shkatërrojnë. Tani ata ecin nën këmbët e maleve duke mbartuar jo ujin e kristaltë e të ftohtë si bora, e cila i ushqen, por helmin e mbetjeve industriale. Këta lumenj, duke u lënë kështu, do të paralizojnë  :” …palcën kurrizore/ të natyre-virgjërisë”. (Narkozë, fq. 78)
***

Një vend të rëndësishëm zenë në këtë vëllim disa nga figurat më të shquara të vendit tonë, që ia kushtuan jetën vendit të tyre, duke punuar me përkushtim. I tillë ka qenë gjuhëtari Eqerem Çabej, të cilit poeti i thur vargje të mbushura edhe me ndienjën e mallit se nuk ndodhet fizikisht mes nesh, sepse mendja e tij i dha shumë shkencës sonë gjuhësore. Po këtë përkushtim të tij nuk e vlerësuan ata që e kishin për detyrë  ta mbështetnin. Në vend të mbështetjes, në dyzet vitet e punës së tij, i ngritën Ferrin tokësor. Megjithatë, ai la një vepër të çmueshme, që e bën të të jetë i pranishëm midis njerëzve, sepse njeriu komunikon me veprën edhe kur nuk është i pranishëm fizikisht. Këta mediokër, politikanë xhelato-trutharë, që mundoheshin t`ja bënin Ferr jetën tokësore, një ditë menduan se e mundën këtë njeri të madh. Këta nuk e kuptuan se nuk zbritën në dhe’ arkivolin e tij, por një mirazh flu të tij. Ai ishte dhe është ende i pranishëm me mendimin e tij gjenial: “Ju u shumëfishuat në mijëra/ flutura eterike/përherë në fluturim/labirinteve etimologjikë/ të stërmundimit”.(Etimologut Çabej, fq.76)
Një tjetër figurë e dashur për autorin është dhe ajo e muzikantit Ferdinand Deda. Një njeri i mirë dhe një kompozitor po kaq i mirë. Njeri që rrezatonte ëmbëlsi dhe dashuri tek njerëzit. Njeri që nuk kishte këmbyer kurrë dy fjalë të këqija me njerëzit. Të gjitha fjalët që desh të na i thoshte i la atje në pentagramin e zymtë dhe gazmor të jetës. Hidhërimin e mbante për vete, ndërsa për të tjerët dhuronte nektarin e vet të frymëzimit , e blatonte për ta dhe për të gjithë Shqipërinë. Po ndërsa jemi duke pirë një kafe a në punën rutinë të së përditshmes, e ndiejmë atë, kompozitorin e madh të shpirtrave tona sepse ai: “U kthye në eter që na përqafon/dhe na përcjell kudo”.(Ridistilimi shpirtëror, fq. 87)
***

“Mes flakëve” është një tjetër poezi ku poeti na vë njërën përballë tjetrës botën e lakmisë dhe atë të mirësisë.
E keqja e bën syrin si një zgavër ku brenda saj jetojnë gjithfarë vemjesh që kërkojnë të zhvillohen në botën e madhe ku jetojmë sot. Edhe botën po t`ua falësh ajo u duket sa një kokërr veze që nuk ngop as më të voglën babëzi.
Ndërsa në bebet e kristalta të retinave gjejmë akuarele mirësie, që shumfishohen vazhdimisht duke na dhënë: “oqeane me korale ëndërrimesh/dhe lumenj mjalti në hapësira fismërie,/dallgë shtatëballësh lumnimi/dhe shatërvane të panumërt diturie”  Në këtë botë ku jetojnë dhe bashkëjetojnë këto dy lloj mendësish, në këtë botë ku kemi vargmale të përqafuara me nektar miqësimi  dhe nga ana tjetër, njerëz të pangopur me pasuri që prodhojnë tufane të errët dëshpërimi, jetojmë të gjithë ne që kërkojmë që jeta të bëhet më e mirë, më e bukur, më e dashur dhe të shoqërur nga një simfoni miqësie dhe vëllazërimi, të zhbëjmë të keqen dhe të ngrejmë në piedestal të mirën për veten tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.
***

Poezia e Zyhdi Dervishit është poezi e ndienjave të holla, ku shpirti harliset pas një bukurie magjepëse, kur dielli i mëngjezit, ende i fshehur matanë malit, ngre në kupën qiellore telajon e purpurt të agimit. Poezia e Zyhdi Dervishit është poezi e një meditimi të thellë për jetën dhe vdekjen, për problemet e shumta të një jete njerëzore, ku autori i kërkon shpresë t`i shumfishojë shpresat. Poezia e Zyhdi Dervishit përfaqëson zërin qytetar dhe bën thirrje për më tepër dinjitet duke denoncuar me neveri servilo-zvarranikët që: “…pështirosin fytyrën e tokës/me zvarritje të përjagura”.

Zyhdi Dervishi

Vetëngujimi gjenetik

Si barinj në kopshtet e mirazheve
me alkiminë e tjetërsimit
Njerëzit e kohës sonë
Vetëklonohen 1001 herë.

Të klonuarit e njënjtë si narcisë
dashurohen mes veti.

Në retinat e syve
nuk u gjallojnë më
silueta njerëzish
të tjerë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx