Kulturë
Arif Molliqi: Te rrasa e zogut
E shtune, 10.04.2010, 09:56 PM
Arif Molliqi
TË RRASA E ZOGUT
(Luftëtarëve të Koshares)
1.
Rigon egër Një trazim i hovshëm mbetet në mes
Mbi shkëmb të Malësisë luftëtarët majë bjeshke
Çdo ditë të vijnë vullnetarisht nga lugina
Nga të katër anët e botës aty nga ku gufon zemra djaloshare
Atdheu i thërret ejani në Koshare Përgatituni
Me fishekë e këngë majëkrahut me zjarrin që gufon në gji.
Ejani në shkrepat e thepisura aty ku Rrasa e Zogut ju pret
Kosova me vallen e shqiponjave në qiell
Rojet e tokave tona janë aty
Në lartësinë e Bjeshkëve të Nemuna
Natyra është e dashuruar në luftëtarët e Lirisë
Aty shikimet dhe këngët e tyre të madhërishme
Rrinë aty në ujin e zhurmshëm të përroskave
Kosharja ua lidh trupin pas nëntë plagëve
Muzat e Rrasës së Zogut ua pastrojnë plagët me lotët e ngrohtë
Për betejën e nesërm i bëjnë gati.
2.
Në kasollen e pyllit në rrasën e gurit era njësoj e ftohtë
Pranvera në Koshare u kthye sërish sërish u kthye
Që një shekull e ngujuar në gurë.
Dhe bilbilat filluan përsëri të këndojnë
Dëgjoj në heshtje zërat e mbrëmjes e,
Mbi gjethet e ahut shiu shembet
Nga shkrepi në shkrep nga zemra e gurit
Vjen zëri i ëmbël i Sali Çekut
Thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit
Ti Kosovë e bukura Kosovë
Lindim dhe vdesim për ty
3.
Koshare Koshare ti kohë e netëve të gjata
Ti kohë e ditëve të ndara në dyja pjesët e Atdheut
Tash nata e Bartolomeut aty
Çasti i kohës së ndaluar përtej tokës së rrudhur
Mbaroi Guri i kufirit s´është më
Rrasën e Zogut Muzat shqiptare e mbrojnë
Këtu ku rri unë s´ka dritë asgjë shqiptare
Këtu edhe frika për vdekjen s´është shqiptare
O më falni s´jam si Ju
Ujë nga Rrasa e Zogut s´kam pirë
Muzat e Bjeshkëve të Nemuna s´më kanë përkundur
Dashurinë për Ju e shkruaj në mërgim
Mos më ndërpritni i di të gjitha.
Sonte një ushtimë shkrumb valë -valë zbret,
Krisma armësh Vegimi s´më gënjen
Gurët në Koshare po thyejnë qafën
Shi të Rrasa e Zogut shi në Çiçavicë në Pashtrik
Gurë e varrit gurë kufiri u dridhen
U rrokullisën në kapërcell shekulli
Në humnerë as copat e ndërgjegjes Evropë
Dy krahët një Torzo bashkohen
Tropojë pa mjegulla
4.
Këtu gjithçka është kujtimi për Ju
Liria Rrasa e Zogut e kuqëluar
Mbi barin e njomë të kësaj Pranvere fle
Por s´kam fuqi të bisedoj me Ju
Liria fjala e juaj e fundit guri i kufirit
Bota s´bën sehir
Te degët e pishave të rrënjët e Ahut hijemadh,
Vashat ua lidhnin plagët lotët e ngrohtë
Bora e Gjeravicës shkrin
Te pellgu i gjakut zogjtë s´i mbyllën dyert
Kënga tmerronte bajlozin e zi.
Dielli ndërmjet Rrasës së Zogut nisi të dalë.
Ta ngrohë ftohtësinë në të dy anët.
5.
Gjeravica beteja e re
Kohë shirash pranvere
Heshtja shekullore shkëmbi Rrasa e Zogut
Këngën e trimave të plagosur jepte kurajë
Ej mos u tërhiqni Atdheun e pashë sërish e pashë
Gjeravica qëndron
Shi në Rrasën e Zogut para lindjes se diellit
Sa e ftohtë sa e ftohtë kjo natë
Agimi e Salihu ranë për të jetuar
Tiranë, prill 1999/Hamburg, maj 1999
(Nga libri me poezi “Premiera e një pranvere”, botoi, Rilindja, Prishtinë, 2000)