Kulturë
Rudi Berisha - Rudi: Rama i vogël
E marte, 13.04.2010, 06:46 PM
Ruzhdi Berisha - Rudi
RAMA I VOGËL
Koliqi është një fshat rural,i shkapërderdhur ne shumë lagje. Dikur aty jetonin më shumë banor edhe-pse kushtet për jetë kanë qenë më të rënda.
Shtëpitë ishin si kasolle dhe nuk mund të sigurohej egzistencë e qëndrueshme.
Kryesisht jetohej nga bagëtia e shumtë sepse relievi ishte i përshtatshëm për këtë.
Shtëpitë ishin të ndërtuara nga druri dhe të lyera me baltë, kurse në vend të tjegullave ishin të mbuluara me firë.
Në vitin 1958 në njërën nga këto kasolla lindi një djalë që ishte gëzimi më i madh, sepse aty me dekada nuk kishte lindur asnjë mashkull.
Atë natë në atë kasolle u mblodhën shumë burra e gra për të festuar. Dikush kishte shtënë pesë herë manzerk. Babi i fëmijës herë qante, herë qeshte nga gëzimi.
Gratë në kthinën e tyre ia kishin kris defit dhe kërcenin e këndonin sikur të behej dasmë.
Hëna kishte ndriçuar thua se edhe ajo ishte gëzuar për lindjen e çunit.
Pa u hamendur shumë e kishin pagëzuar Ramë.
Koha po kalonte dhe Rama kishte lëshuar shtatë. Tanimë po ruante bagëtinë. Meqë me shtat ishte me i vogël se moshatarët e thërrisnin Rama i Vogël.
Djali ishte dalluar prej barinjve tjerë edhe me talentin për muzikë. Ai kur lëshonte bagëtinë merrte jangjikun me bukë dhe fyellin,dhe posa nisej ia niste këngës. Pasi që ishte djalë hasreti dhe simpatik, të gjithë e donin dhe ja përgledhnin flokët kur kalonte rrugës. Fshatarë që punonin në fushë apo kopshtije, e kurajonin që të vazhdonte këngën bile ndonjëri i thoshte:
- Hë të knoftë zemra Ram, se belivalla na kënaqe !.
Djali po bëhej një trim bujar, i qetë dhe zemër mirë. Të gjithë fshatarëve që kishin nevojë u ndihmonte,edhe-pse punonte shumë për ta mbajtur familjen edhe përkundër angazhimeve gjente kohë të këndonte.
Më vonë kishte gjet punë te një fshatar i cili ishte më i pasur se të tjerët,dhe nuk kishte pasur fuqi punëtore.
Ai ishte zemër-mirë dhe nuk e kishte munduar aqë. Bile shumë herë e kishte ndër-pre dhe e kishte lutur që të këndonte. Një të marte kur ishte kthyer nga qyteti ai i kishte sjellë Ramës një çifteli. Gëzimi i tij kishte qenë i pakufishëm. Netë të tëra kishte kaluar duke u mësuar të luajë në çifteli. Dhe ia kishte arrit.
Ishte bërë i famshëm në fshatin e madh. Kishte shumë vajza që e shikonin nëpër vrima të gardhit kur kalonte,ose dilnin në dritare kur këndonte. Disa djem e kishin xhelozuar për popullaritetin tij.
Edhe-pse ishte bërë për martës prapë e thërrisnin Rama i Vogël. Në kohën e vërës e thirrin nëpër dasma,kurse netëve të gjata të dimrit në darka postermash dhe në lojëra të gjata filxhanash. Ai nuk përtonte edhe për faktin se kjo gjë i sillte edhe para dhe kishte filluar të mëkëmbej e të vishej mirë e me plis të ri në kokë.
Kështu në një ditë vere në njërën nga lagjet me të mëdha kishte pas dasmë një shtëpi e madhe e njohur edhe jashtë fshatit. Ata kishin marrë tupanë dhe kishin ftuar aq shumë dasmorë, sa që kurrë ma parë askush s’kishte bërë dasmë më të madhe.
Natyrisht, e kishin ftuar Ramën e Vogël për këngëtar. Kësaj radhe ai çuditërisht kishte përtuar të shkonte. Nuk ishte ndier mirë,por megjithatë kishte shkuar.
Ishte ulur këmbkryq në mes të odës së madhe kishte vënë çiftelien në prehër dhe kishte filluar këngën. Vërtet atë natë ishte dukur ma bukur se kurrë.
Tirq e jelek të zi,plisi i bardhë,kurse jashtë tij i kishin dalur një tufë flok të zezë. Ia kishte thënë një këngë si përvajshëm,për ato historitë e dhimbshme të kombit.
Disa kishin shtënë me arme në tavanin me dërrasa dhe krejt pluhuri u kishte rënë në kokë.
Zëri i tij kishte depërtuar larg. Vajzat dhe nuset i kishte magjepsur dhe i ishin afruar dritares e disa edhe derës së odës të cilën e kishin hjek për shkak të kallaballëkut.
Po e shikonin Ramën dhe po dëgjonin zërin e ëmbël të tij.
Dikush nga meshkujt e shtëpisë i kishte vërejt dhe kishte thirr plakun e shtëpisë.
Ky ishte xhindos fare. Kishte marrë një shkop dhe kishte goditur cilën kishte arrit.
Pastaj ishte kthyer në odë dhe kishte urdhëruar që të pushojë kënga.
E kishte fyer djalin ma fjalë të renda. Kinse ai ishte fajtor që erzi dhe namuzi i tij ishin cenuar keq. Mandej e kishte urdhëruar që ta lëshonte dasmën,duke ju kërcënuar se për këtë do të flasin më vonë.
Rama i Vogël ishte larguar me zemër të thyer. E dinte se nuk kishte as një hile në këtë punë. Ishte mbyllur në kasollen e tij për tri ditë rresht.
Të zotin e dasmës e kishin vizituar shumë miq duke e nxitur që të hakmerrej pasi që këngëtari sipas tyre ishte fajtori kryesor për marren e madhe që i kishte ndodhë ditën e dasmës.
Ditën e tretë Rama kishte dalur. Me kokë lartë kishte ec nëpër fshat pastaj kishte hyrë në pyll që të shijonte gjelbërimin e vërës. Ishte ulur nën një lis dhe i pikëlluar kishte menduar gjatë. Nuk kishte mund të kuptonte pse fajësohej për diçka që nuk kishte lidhje me te. I vetmi faji i tij ishte zëri i ëmbël si i bilbilit.
Pas dite ishte nisur për në shtëpi. Në rrugë përpara i kishte dalë qeni i tij besnik,i cili i kishte lëpirë këmbët dhe kishte anguruar çuditshëm.
I ishte afruar trinës së lëmes të tij. Dhe në momentin kur po e hapte trinën, ishte dëgjuar një krismë e idhët e mauzerit,pastaj edhe katëra të tjera. Rama kishte rënë i vdekur me syçelë. Qeni i zi kishte anguruar dhimbshëm si kurrë më parë. Thuhet që dorasi pastaj kishte shtënë disa herë në ajër derisa po kthehej në shtëpi në shenjë gëzimi që e nxori fytyrën!!!
Pas pak ishte dëgjuar një bubullimë e fortë. Moti ishte prishë keq. Kishte filluar një shi dhe një erë e paparë gjer atëherë.
Ky mot i ligë kishte mbretëruar shumë ditë. Madje thuhet se një breshër i madh kishte shkatërruar krejt të lashtat. Nën lisin ku kishte qëndruar për herë të fundit Rama i Vogël çdo vit edhe sot e kësaj dite çdo verë vjen qyqja dhe ia thotë përvajshëm kukamës, si shenjë për një jetë që ishte shuar pa pikën e fajit....