E premte, 02.05.2025, 02:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (XII)

E diele, 11.04.2010, 09:12 PM


DREJT STANARDIZIMIT TË GJUHËS SHQIPE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

          

XII.  Mendime rreth inkuadrimit apo jo të

                 paskajores me+pjesore në standard

 

                     Në këtë krye, siç e paralajmëruam do të shohim se nga gjuhëtarët, përveç tjerash, zihet në gojë paskajorja e mirëfilltë me + pjesore.

                     Mirëpo para se të japim mendimet e tyre po rikujtojmë lexuesit e nderuar se në një punim tonin me titull: “Përsosja e shqipes standarde faktor integruese në jetën tonë kombëtare” të përgatur më herët, por të botuar në fillim të vitit 1996 në revistën Koha të Prishtinës, pikërisht në raportin shqipe letrare kombëtare / gegërishtja ose ish-shqipja letrare mbi bazë të gegërishtes, veç tjerash edhe lidhur me paskajoren me + pjesore, qemë shprehur kështu:

(...) Nuk mund të quhet e padrejtë kërkesa e kuadrove të caktuar që në gjuhën e njëzuar standarde po kërkojnë të fuqizohet për koncepte e nuanca të reja prania e trajtave karakteristike kryesisht me origjinë gege, sidomos në fushë të leksikut, siç janë foljet me –NO (tipi pleqnoj, shtalbnoj), me MO (tipi: thithmoj, ermoj), emrat me –NI (tip,  mirëni,  pleqni) prejpjesorët me –Ë (tipi: pritë, v/dekë) dhe me –TAR (tipi mihtar, ngrohtar), emrat e mbiemrat paranyjorë, tipi: e pame, e varme, e ardhme etj.  dhe të bëhet (ri)integrimi i formës së paskjores me + pjesore” –,

madje lidhur me  paskajoren e mirëfilltë patëm shtuar:

Dihet se pragmatikisht a sipas normës tradicionale asnjë formë e pazëvendësueshme e gjuhës së gjallë në situata të caktuara s’mund të mënjanohet, përkundrazi ajo duhet të jetë e lejueshme sa herë që ndjehet e nevojshme për t’u përdorur në gjuhën standarde. Ç’është e vërteta, sot për sot ajo, në rrethana të caktuara përveç tipizimeve të zakonshme (e drejtë kjo që s’mund të diskutohet), vazhdon të përdoret (dhe për këtë kërkon legalizim) edhe në këto katër nënfusha të nëpërdukshme semantike:

E para në funksion të përfaqësimit (së paku plotësues) të foljes së caktuar, sidomos në raport me  infinitivin e gjuhëve të huaja...;

E dyta, në shprehje frazeologjike të një abstaksioni të lartë...;

E treta,  për qëllime ideo-estetike, kur paskajorja me me  (me + pjesore e shkurtë) mund të shërbejë si “mollë e ndaluar” por joshëse për përdoruesin, qoftë në stilin letrar, qoftë në atë politik etj.

E katërta, në fumnksione sinonimike... ngase dihet fakti se të

 

dhe për këtë në vijim arsyertonim:

Sigurisht, kur kemi parasysh faktorët psikolinguistikë dhe sociolinguistikë është më mirë të mos shikohen gjerat si kjo vetëm me syrin e toskërishtfolësit, por me të dytë, me të tretë e me të katërt, pra edhe me syrin e objektivitetit shkencor dhe me atë të politikës a të planifikimit gjuhësor, sidomos kur kemi parasysh faktin, siç po thuhet, se mëse ¾ e bashkësisë folëse e njohin apo e kanë të ravijëzuar në sistemin e tyre ligjërimor formën e tillë dhe se në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes kjo cilësohej, si me thënë, shtyllë kurrizore e sintaksës së asaj gjuhe (sot variant ende i gjallë jo vetëm dialektor), këtë e dëshmojnë, pos tjerash,  edhe veprat e klasikëve të gjuhës sonë...

dhe përfundonim:

Gjithsesi me përsosjen e normës së shqipes letrare dhe me përplotësimin e formave të caktuara të bazës së saj të të gjitha niveleve njëzimi i standardit do të jetë ndërgjegjësisht më i pranueshëm, politikisht me i përqafueshëm dhe kombëtarisht më i integrueshëm.

 

Me fjalë të tjera ishim për rishikimin e normës së standardit, sidomos  lidhur me paskajoren me + pjesore, të cilën veç aty në atë trajtesë dhe në disa raste të tjera e kemi pasë cekur varësisht nga tema që trajtonim. Ndërkaq  pikërisht kësaj çështjeje ia kemi kushtuar edhe 2 monografi (libra): Paskajorja - çështje shqipes standarde (2000) dhe Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, 2006. Mjerisht kjo çështje mbeti ende e hapur me fajin e standardologëve të derisotëm.       

                     Sidoqoftë, konstatimet ose reagimet e gjuhëtarëve të tjerë që e përmendim paskajoren me + pjesore  i  ndajmë në dy grupe:

                     a) ata që nuk e mohojnë, por që paskajoren e konsiderojnë si vlerë të diskutueshme (jo të pranueshme) për standardin e sotëm (mbi bazë të toskërishtes) dhe

                     b) ata që paskajoren e konsiderojnë si vlerë të domosdoshme për standardin e shqipes.

 

                     1. Paskajorja si  vlerë e diskutueshme

                               për standardin e sotëm

 

                     Më poshtë po i japim disa citate të disa gjuhëtarëve të cilët nuk e mohojnë, por që shprehin rezervë rreth rikthimit të paskajores në standardin e sotëm (mbi bazë të tokërishtes) apo jo, mendime këto që do t’i shoqërojmë me ndonjë sqarim rasti:

 

1) Për ne zgjon interes mendimi edhe pse kundërthënës i prof. Mehmet Çelikut, i cili nuk e qas në standardin e sotëm paskajoren e mirëfilltë ndonëse e pranon se gjuhës shqipe i duhet një paskajore,  por, siç sqaron ai,  me që:

Shqipja standarde si variant mbidialektor është bërë duke u formuar mbi dialektin e toskërishtes letrare, ngase në rrethana të caktuara sipas direktivave të shtetit pasi si abetarja, si gramatika i duheshin shkollës... Po si rrjedhojë e një veprimi të tillë duke u mbështetu në toskërishten letrare lindi standardi, por u bë përjashtimi, ndodhi kufizimi i gegërishtes. Nuk lejohej as shkrimtari,  as mësuesi as letrari të pëdorte gegërishten... Kjo ishte shkelje e të drejtave të njeriut. Ishte një ndërhyrje nga lart për këtë qëllim... (pushtetmbajtësist) dëshironin sa më shpejt të ligjërohej vendimi për një shqipe të përbashkët me bazë të toskërishtes letrare... Kështu, tani mbeti problem çështja e paskajores... Në fakt shqipja standarde nuk ka paskajore të gjuhës shqipe... E vlerësoj shumë paskajoren, por lidhur me atë që disa gjuhëtarë duan ta integrojnë në standard paskajoren e gegërishtes, mendoj se nuk ka vend(!). Them më mirë të presim që me mjetet ekzistuese të bëhet një paskajore e natyrshme e shqipes standarde (toske!) sa të fusim në mënyrë artificiale një normë (paskajoren me + pjesore !) që do të stononte nga një masë e Shqipërisë shqipfolëse (!!!)- (Shih Gazeta Koha jonë).

 

Pikëçuditjet me fjalët në kllapa dhe në fund janë shtuar pre nesh, ngase, për çudi, vërtet aludimet kundërthënëse të prof. M. Çelikut si gegë i deklaruar janë për shumë pikëçuditje. Për kundërthëniet e tij kemi folur në një vend tjetër. Këtu shohim pozitiv faktin se autori e pranon ndërhyrjen shtetërore për ndalesën e gegërishtes, pra edhe të paskajores, ndërhyrje që e cilëson si shkelje të së drejtave të njeriut, por mjerisht, si duket nuk ka mundur ende të lirohet nga indoktrinimi a narkoza e propagandës së regjimit totalitar lidhur me mosmundësinë e rehabilitimit të paskajores në standardin e shqipes jo të toskërishtes?! Nuk mund ta kuptojmë profesorin kur thotë se duhet të presim një paskajore të natyrshme? Mos vallë atë natyrshmëri e sheh në kthimin e  gegërishtes si standard(?!!) apo ende si gjuhë letrare kombëtare e konsideron vetëm toskërishten? S’mund ta kuptojmë pra, mbase fsheh diçka në qëllimin e tij, apo jo, kur dihet fakti se tani ka ardhur koha që së paku të përmirësohet diçka ose të ndërpriten gjithsesi shkjeljet flagrante të të drejtave të njeriut në fushën e standardit të trashëgua,r për pika të caktuara, nga sistemi monist, që ishte shkelësi i të drejtave të gegërishtfolësve  ose 2/3 e popullsisë shqipfolëse?! Fundi i fundit, siç e di edhe profesori i nderuar si edhe të tjerët se nëse toskërishtja duhet të mbajë edhe më simbolin a përfaqësimin e standardit të shqipes si gjuhë letrare kombëtare ajo patjetër duhet të pajiset me vlerat e domosdoshme të dialektit tjetër. Prandaj, me rehabilitimin e paskajores në standard s’ka se si me u stonue standardi nga një masë e madhe e Shqipërisë shqipfolëse. Faktet tregojnë ndryshe. Siç jemi shprehur në një vend tjetër, nuk dimë me qëllim apo jo, prof. M. Çeliku dhe të tjerët që ia mbyllin derën e standardit paskajores, ata i bëjnë shërbim jo të mirë standardit në fuqi, perspektivës  e fuqizimit të tij,  ngase ndihmojnë që të shpërthejë patjetër standardi paralel i gegërishtes, ngase paskajorja me vlerat e saj assesi nuk mund mbahet mbyllur, si e pa qenë, së paku për 2/3 e shqipfolësve, siç u tha, që arrin shifren, jo katër, por ndoshta 7-8 milion frymë (?!!).

 

2) Po shkëpusim vetëm pak diçka edhe nga një punim i studiuesit bashkëkohor mjaft aktiv Ardian Vehbiut, i cili  bën thirrje që gjithsesi:

Gegërishtja letrare të ringjallet, sepse ka një numër folësish të shqipes që nuk e njohin vetveten plotësisht në format e standardit... ,prandaj rishikimi i standardit mund të kërkohet, por jo duke kërkuar reforma protokollare të tipit rikthimi i paskajores perifrastike ose të ndryshimeve të thjeshta në drejtshkrim, por parasegjithash në rishikimin e sferave ose të hapësirave..., duke u thelluar në analiza filologjike dhe tekstologjike ..., ngase, në gjendjen e sotme:“E vetmja gjë që mund të pohohet ... është  (1) përjashtimi i sforcuar i gegërishtes letrare (nga standardi) dhe (2) drunjëzimi i toskërishtes në standard që janë anë të ndryshme të të njëjtave zhvillime historike dhe kulturore, të cilat tanimë janë arkivuar, nuk veprojnë më... (Koha ditore, 20.08.’09, f. 15). 

 

                     Pra, edhe pse për mendimin tonë edhe ky del paksa kundërthënës, megjithatë studiuesi ka koncept më të gjerë rreth ringjalljes së gegërishtes në tërësi,  e cila jo të bëhet, hë për hë, vetëm me rikthimin e paskajores me pjesoren e shkurtër etj. në standard, ngase kjo zgjidhje i duket  pak, prandaj e quan protokollare, zgjidhje jo e plotë, andaj edhe nuk e pëlqen. Të vihet re se sa të dëmshme i quan të dyja veprimet që e kanë dëmtuar e shkallmuar keqas, tashmë, standardin e sotëm: përjashtimi i sforcuar i gegërishtes, në njërën anë dhe drunjëzimi i letrarishtes së sotme, në anën tjetër, dukuri këto që i sheh të arkivuara,  prandaj edhe standardin e sotën e sheh pa perspektivë në shkallë kombëtare. Mirëpo, edhe ky, për çudi nuk pajtohet me prurje të reja të domosdoshme, sa për fillim-terapi, siç është paskajorja e mirëfilltë, e cila sipas mendimit tonë do ta shpëtonte menjëherë nga alivanosja  standardin, ngase ajo amulli që i ka kapluar të dyja komponentet që i ka vënë re autori: drunjëzimin  e standardit të sotëm dhe arkivimin e gegërishtes, do të riaktivizoheshin, ngase, sipas tij, që të dyja këto po e penguakan jetën normale e perspektivën e standardit të shqipes natyrore!

                    

3) Po në një faqe të internetit, te adresa Forumi shqiptar ndeshëm: këtë koment që zgjon interes:

Paskajorja që në ligjëratën e shkruar të M. Elezit është gjithnjë simbolike, sepse autori nuk synon t’i japë menjëherë kontributet që ajo ka brenda gegërishtes letrare, por vetëm të kampionojë, duke ia dhënë lexuesit, si të thuash, me kafshata të vogla. Nëse ky eksperiment do të ketë sukses apo jo, është herët të thuhet Ka mendime se një formë e tillë kaq themelore sa paskajorja gege nuk mund të futet në strukturat e gjuhës  mekanikisht, pse gegërishtja dhe standardi dallojnë mes tyre jo vetëm në përdorimin e paskajores, përkatësisht lidhores (kërkon me përcaktue / kërkon të përcaktojë), por edhe në morfologjinë e ndërtimit të pjesores së foljeve (përcaktue/ përcaktuar).... Nga ana tjetër, standardi edhe në të kaluarën ka bërë të veta trajta të gegërishtes letrare, të tilla si grupi ue në mbiemrat e tipit i kushtueshëm i përballueshëm etj.. sikurse ka treguar se është në gjendje të pasurohet me prurje specifike të leksikut geg. 

 

Edhe këtu autori duket si me qenë i bllokuar propagandisht, ngase mendon vetëm si toskërishtfolës e jo si shqipfolës, sepse nuk e ka pasur parasysh të vëretetën se gegërishtfolësit që kalojnë 7-8 milionshin s’kanë nevojë ta marrin paskajoren pak nga pak, sepse atë e kanë të plotë në sistemin e tyre ligjërimor. Ndërsa toskërishtfolësit ,si të duan. Mund ta marrin ose mos ta marrin! Për mendimin tonë nëse duan mund ta provojnë fakultativisht, sa për të provuar se a ua ëmbëson fytin e mendjes si gegëve apo jo, ashtu siç ua ka pasë ëmbëlsuar stlin disa intelektualëve të shquar toskë gjatë rilindjës, periudhën e Pavarësisëe më vonë?!

 

4) Gjuhëtari me pseudonimin Xha Xhai, mjaft gjerësisht bën fjalë pikërisht rreth paskajores, e cila:

“... në gjuhët indoeuropiane shënon foljen në formë të kulluar, pa e bashkëlidhur me kategorinë gramatikore të vetes, numrit kohës e mënyrës dhe në nivel konceptual kjo formë (paskajorja) është më abstrakte dhe e pavarur se sa format e shtjelluara...”,

Pastaj shënon 11 funksione të saj të tipit me punue sipas sintaksës së gegërishtes, ndërsa për tipin e paskajores së dytë për të punuar në sintaksën e shqipes së sotme (toskërishtes) sjell vetëm katër funksione të saj, duke shtuar se

në të gjitha këto shembuj niveli i abstraksionit nuk preket, vetëm se ndërtimet në toskërishte janë zakonisht ridontante (me përjashtim të atyre modale), sepse i shprehin kategoritë gramatikore 2 herë.  Autori në vijim jep këtë shembull në dy versione:

geg. Lypi me hangër – tosk.  E kërkoi të hante.

Për ne ka rëndësi konstatimi tjetër po rreth paskajores në krahasim me lidhoren:

Më problematike janë ato raste kur paskajorja gege i referohert foljes si kategori abstrakte, sikurse është në gjuhë të tjera indoeuropiane  P.sh:

geg.  Ma mirë me krye punën a me fjetë? –  tosk. Më mirë të kryesh punën apo të flesh?        

Dhe lidhur me këtë  autori shpjegon se në këto raste

 “Veta e dytë e lidhores i ka humbur lidhjet kuptimore me veten e dytë dhe është funksionalisht e barasvlershme me paskajoren gege”,

çka për ne dhe të gjithë gegërishtfolësit është disi jo fort e besueshme, sepse nuk duket ky kuptim polisemantik i vetës së dytë të njëjësit të lidhores, zëvendëson konceptin e paskajores, sepse, fundi i fundit, nuk ka shtrirje sinonimike për të gjithë shqipfolësit e sidomos për atë shumicë që e kanë në sistemin e tyre ligjërimor zgjidhjen e parë me paskajore. Sidoqoftë, autori vazhdon sqarimin:

Me fjalë të tjera edhe pse nuk e ka paskajoren e gegërishtes toskërishtja dhe standardi i mbështetur në të, mbi toskërishten nuk kanë asnjë vështirësi për t’i shprehur me mënyrat e tyre funksionet e paskajores së gegërishtes. Natyrisht dikush që i qaset standardit nëpëmjet gegërishtes, do të ketë fillimisht vështirësi të mësohet me këtë mënyrë shprehëse, por kjo është çështje tjetër...

 Autori edhe pse i kupton vështirësitë e gegërishtfolësve që duhet ta bëjnë zëvendësimin e paskajores së vet të natyrshme me një trajtë të lidhores  së vet që e përdor për funksione të tjera(!), shtron pyetjen Pse nuk mund të integrohet paskajorja në standard? dhe po atë pyetje e modifikon të përmbysur kështu

:

Për kodifikuesit e gjuhës pyetja formulohet kështu:  A mund të integrohet paskajorja gege në sistemin gramatikor të toskërishtes???

 

Dhe autori jep përgjigjen me një Jo të madhe. Pra, përgjigjet si toskë e jo si një standardolog ose  si folës  i gjuhës shqipe. Megjithatë vazhdon:

Për fat të keq, integrimi i kësaj forme gramatikore has në vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores së gegërishtes ua/ue – dallim gjithpërfshirës...

                     Përsëri autori pyet, duke e vënë në mëdyshje konstatimin e vet të prerë të sipërthënë me fjalët:

“Meqenëse janë marrë prej gegërishtes format si mësues dhe i lexueshëm, atëherë pse të mos merrej edhe paskajorja me punue?

Dhe përsëri përgjigjet:

 Jo. Paskajorja gege nuk integrohet dot në sistemin morfo-fonetik të foljes toskërishte (?!!?)... Sistemi foljor nuk mund të pranojë që pjesoret e foljeve të dalin në dy trajta fonetike të ndryshme edhe punuar edhe (me) punue. Ky do të ishte një dallim që nuk do t’i përgjigjej, ndonjë nevoje funksionale, por vetëm do të shërbente si burim paqëndrueshmërie në sistem. Prandaj paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit, me që ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit gegë dhe të variantit letrar përkatës.

 

Nuk dimë kush i pari e ka dhënë një arsyetim të tillë të mbrapësht, jo objektiv, shumë të diskutueshëm për standardin, madje jo shkencor dhe shumë të dëmshëm gjuhësisht e kombëtarisht  Argumentet tregojnë të kundërtën e konstatimeve të tilla, edhe sa i përket paskajores ashtu edhe sa i përket pjesores së shkurtër. Siç e kemi vërejtur, në një vend tjetër me shikue realisht stnandardi i sotëm e pranon në formëformim e fjalëformim por edhe në ligjërim se shqipja i ka dy pjesore, të shkurten (të ashtuquajtur gege, te trajtat: mësues, mihtar, korrtar, mihës, korrës, i pajtueshëm, lypë-a, pritë-a; lypkam, fshikam, fshisë, pjellë-a, e dalë e dala etj. dhe atë të zgjeruaren të toskërishtes (mësuar,  i mësuar,  të mësuarit mësuarje!, lypur, fshirë fshirës i fshirë të fshirat të fshirët etj.). Por kjo del e nevojshme të kuptohet e të sqarohet më mirë nga vetë sandardologët, sepse paskajorja me + pjesore ka më shumë finesa përdorimi edhe në vetë standardin e sotëm se këto që i solli autori. Madje më shumë se me një trajtë të lidhores ka sinonimi me trajta të dëftores, kushtores, urdhërores, asnjanësin etj.

Fundja, nuk mund ta kuptojmë pse ngulet këmbë vetëm në pjesoren e toskërishtes e jo në trajtat e tjera të gjuhës shqipe?

 

5) Gjovalin Shkurtaj, edhe pse është zbatues rigoroz i normës së sotme dhe për këtë akuzohet nga kolegët e vet shkodranë se nuk po i del zot gjuhës së nanës, gegnishtes, megjithatë tërheq vërejtjen më fort kolegëve të vet, mbrojtës fanatikë të standardit të sotëm, duke u shprehur kështu:

Së fundi dua të them se koha do të bjerë që edhe ndonjë çështje e normës së sotme gjuhësore, jo vetëm në drejtshkrim, por edhe në ndonjë dukuri tjetër, siç është p.sh. paskajorja gege, të diskutohen nga specialistët e gjuhësisë, duke shqyrtuar e parë, jo vetëm ç’është thënë e zgjidhur mirë, por edhe ndonjë gjë që duhet rishikuar për të gjetur zgjidhje më të mirë. Sigurisht diskutime të tilla duhet të bëhen dhe koha ka ardhur të bëhen, porse ato nuk kanë të bëjnë më me themelin e gjuhës letrare të njësuar e të vetme për të gjithë.

Vërtet paskajorja është diskutuar dhe ende vazhdon e duhet të diskutohet për deri sa kolegët e autorit të binden se një veprim i tillë për të arsyetuar  rehabilitimin është i domosdoshëm për standardin e shqipes së përbashkët.

Ka edhe autorë të tjerë që dalin të hutuar në raportin paskajorja e mirëfilltë /standardi mbi bazë të toskërishtes, por ne po e përfundojmë  me citatet e këtyre pesë autorëve, për të kaluar te grupi tjetër që vendin e paskajores e shohin domosdo në inkuadruar në standardin e gjuhës shqipe.

 

2. Paskajorja vlerë e domosdoshme për standardin e shqipes

 

Lidhur me nevojën e inkuadrimit të paskajores së mirëfilltë në standardin e shqipes jemi shprehur botërisht në Tiranë në vitin 1992, në konkferencën shkencore, kushtuar 20 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit,  por para 14 vjetësh e pata shtruar pak në hollësi në punimin e cekur në fillim të këtij kreu, prandaj mendimet e studiuesve për këtë çështje që do të jepen në vijim për mua janë të mirëseardhura, ngase nuk i kisha të njohura më përpara. Edhe këto mendim-citate do t’i shoqërojmë me ndonjë sqarim a koment të shkurtër rasti: 

 

1) Po fillojmë me paraqitjen e mendimit të  prof. Arshi Pipës rreth paskajores  së mirëfilltë (me + pjesore ), e përjashtuar nga standardi në raport me sinonimet përkatëse të standardit të sotëm:

Gegënishtja ka ruejtë paskajoren të cilën toskënishtja e zavendëson me  nji parafrazë qëllimore: me ba / për të bërë. Me këndue / për të kënduar. Ky asht nji ndryshim madhor, i cili reflektohet në t’ardhshmen gegënishte: kam me ba (kam + paskajore), kurse toskënishtja do të bëj (do + lidhore) si dhe në të kaluemen e kushtores kisha me ba, toskënishtja do të bëja... Në sintaksë dallimi kryesor qëndron në përdorimin e paskajores gegënisht në vend të lidhores toskënisht. Krahaso:  I thashë me marrë shënime / I thashë të merrte shënime. Këtu ka paralelizëm. Por  I thashë me më ba me hangër duhet ndërtue ndryshe në toskënishte; I thash të më bënte gati drekën (darkën). Po kështu kjo frasë në gegënishte: Me ma falë s’e marr  ka tjetër strukturë në  toskënishte:  S’e marr edhe po të ma falësh. Në pikëpamje sintakstike paskajorja perifrastike toskënishte nuk asht e vlerëbarabartë me paskajoren gegnishte. Nji frazë Me punue asht detyrë nuk mund të kthehet toskënisht Për të punuar asht detyrë (!), mbasi kjo fazë asht e mvarun dhe nënkupton nji frazë të pavarun të themi Jam stërvitur për të punuar. Korrespodenti toskënisht i frazës Me punue asht detyrë  asht: Të punuarit asht detyrë. Dihet se një gjuhë dallohet nga nji tjetër kryesisht nga struktura gramatikore.

 

Nga konstatimet e mësipërme për mendimin tonë duhet të zbutet konstatimi i fundit, ngase këtu kemi të bëjmë me dallime në strukturën dialektore e jo të dy gjuhëve. Të vihet re, veç tjerash, konstatimi se koncepti i paskajores së mirëfilltë në toskërishte ose në shqipen e sotme standarde zëvendësohet në raste edhe me asnjanës, kategori kjo që sipas burimeve të sotme përkatëse gramartikore, për çudi, që të dyjas këto forma nuk dalin të favorizuara, përkatësisht dalin të përjashtuara të dyja kategoritë edhe asnjanësi edhe paskajorja!!! Sidoqoftë, edhe kjo çështje do zgjidhje të drejtë sa më parë në gramatikat tona normëzuese.

 

2) Edmond Tupja, në vështrimin e tij ndalet më në hollësi rreth paskajores së mirëfilltë:

Po t’i bësh një analizë morfologjike fjalës paskajore vëren se ajo ka për rrënjë fjalën skaj që në këtë rast paraprihet nga pjesëza mohuese pa-, d.m.th. pa fund, pa skaj, pra paskajore... Sidoqoftë,  paskajorja, kohë e pashtjelluar e foljes shpreh një veprim a gjendje në mënyrë të përgjithshme... Kjo paskajore tipi me kalue në një emision në TV u përdor herë pas herë nga Ilir Meta, edhe pse si tosk me origjinë nuk e ka të lindur, siç e kanë p.sh. Sali Berisha, që e përdor jorrallë dhe Edi Rama që e përdor  tek-tuk.

Me fjalë të tjera autori na tregon se paskajorja edhe pse e përjashtuar nga norma, del e përdorur në realitet edhe nga politikanët më të njohur të sotëm në Shqipëri, pa përjashtim toskë e gegë, andaj kjo formë s’ka arsye të mos futet në standard. Edhe ne kemi argumentuar më parë dhe tash emi edhe argumente të reja se jo vetëm udhëheqësit e sotëm, por edhe ata të mëparshmit e kanë përdorur pothuaj normalisht paskajoren me + pjesore  Kemi fakte se b.f. edhe Enver Hosha, para, gjatë dhe pas LDB, por edhe pas Kongresit të 1972-shit e ka pëdorur këtë mënyrë të foljes (paskajoren me me), prandaj për mosfutjen e paskajores në standard, nëse duhet fajsuar dikush, duhen fajsuar standardologët keqkuptues të normës  gjuhësore, sidomos gjuhëtarët gegë të atëhershëm për atëherë dhe patjetër të sotmit për sot.

 

            3) Prof Anton Nikë Berisha, njohës i mirë edhe kësaj problematike, shprehet me mjaft maturi:

Dialekti gegë ka një pasuri të jashtëzakonshme shtjellimesh, shprehjesh e frazeologjizmash, mënyra foljesh, siç është paskajorja (infinitivi) dhe ato bëjnë pjesë në thesarin e gjuhës shqipe dhe si të tilla duhet të merren e të përfshihen  edhe në rregullat e gjuhës së shkruar. Duke e kuptuar se gjuha është një përbërës kryesor dhe një dukuri e gjallë, arsyet pse kuvendohet dhe pse bëhen kërkesa që të rishikiohen disa gjëra në përcaktime (rregulla), janë të natyrshme, jo për të filluar nga fillimi, por për të përcaktuar rregullat që mbështeten vetëm në natyrën gjuhësore, jashtë çdo ngjyrimi politik, po në të mirë të pasurimit të gjuhës... Në qoftë se një rregull, një fjalë, një shprehje, një mënyrë e foljes, siç është paskajorja ose diçka e ngjashme nuk do të jetë e natyrshme, në rrjedhë të kohës nuk do të përdoret dhe do të zhduket. Po kujtoj këtu se në Kongresin e Manastirit (1908) u pranuam me të drejta të barabarta dy alfabetet dhe nuk u përmbys bota shqiptare, por  ndërkohë fitoi njeri alfabet. Mendoj se me disa rregulla të Kongesit të 1972-shit u veprua mbi parimin, meqenëse më mjafton njëri sy, çka më duhet tjetri! Një veprim i këtillë është sa vetrrënues, aq edhe vetëvrasës. Ata që mendojnë se me Kongresin e 1972-shit, është mbyllur çdo gjë në gjuhën tonë, kuptojnë gjithçka tjetër, por jo edhe çka është gjuha dhe çfarë rëndësia ka ajo për jetën dhe identitetin e një populli.

S’kemi koment për këto konstatime vetëm kërkojmë nga standardologët e sotëm  që t’i lexojnë shumë herë dhe me vëmendje  të shtuar, deri sa t’i kuptojnë mirë e thelbësisht deri sa t’u flejë e ngulitet mirë në mendje e zemër mesazhi i shprehur.

 

4) Prof AgronTufa, në punimin me titull E drejta e krijuesit në diskursin mbi gjuhën,  thekson :

Liria krijuese i tejkalon mediokritetet e stërvonuara të adminiseratës shtetërore dhe konferencat e mykura akademike të ish--shkencëtarëve me bisturi në dorë.”

të cilët lidhur me rehabilitimin e paskajores së mirëfilltë, që për çudi, ende po ngurrojnë me e inkuadrue në standard ose, edhe më keq, po shprehen kundër riintegrimit të saj në jetën normale, dhe kështu po e zvarrisin zgjidhjen, pasi përmend tejkalimin me sukses të eutanazisë (“lehtësimin e vuajtjeve” të vdekjes) që i kishin përgatitur gegofobët, gegnishtes, përkatësisht paskajores së miërpëfilltë, shprehet në këtë mënyrë:

“Siguroj, pa u sforcuar në këtë profeci se kur të jemi pleq, natyra e standardit do të ketë gjetur fizionominë e vet ndoshta edhe me flamujt e kthyer të infinitivit. Miti i standardit do të fillojë të shembet ... Në debatet televizive sheh jugorë që e përdorin shlirshëm infinitivin e privuar nga standardja... Pyesim shkrimtarët dhe poetët – ku mbërrijtëm ne si gjuhë me letrarishten pa paskajore?

Dhe atori vetë përgjigjet:

Në një varfërim të skajshëm të shprehjes së vërtetave shpirtërore, metafizike e ontologjike!

Duke vazhduar sqarimin:

Nga të gjitha gjuhët evropiane e joevropiane, vetëm shqipja e greqishtja (e re) janë të privuara prej infinitivit. Por infinitivi është e vetmja kategori gramatikore e ngritur me kuptim abstrakt e domosdoshme për të kryer operacione të holla të mendimit, semantikës, filozofisë, ndërkaq që folja e zgjedhuar në veten e parë, numri njëjës, shenjon kategori gramatikore krejt tjetër! Pa këtë kategori gramatikore, edhe dilema shekspiriane më e madhe e njerëzimit : to be or not to be” degjeneron në : të rrosh a të mos rrosh (banosh, gjallosh jesh etj.) – kjo është çështja, në vend me qenë a mos me qenë... Gegnishtja 500 vjet përcaktoi identitetin shqiptar këtu ku jemi. Ka traditë shkrimi 400 vjeçare në gegërisht. (Shih zsh 5.18.’09)

 

Nuk dimë për rrethanat dhe presionet kur e ku dhe pse e nis kështu të shprehurit prof. A. Tufa, rrerth mplakjes! Sidoqoftë, lidhur me konstatimet e tij po themi se as ai (autpri) as kurrkush tjetër nuk ka nevojë të presin moshën e pleqërisë së thellë, lidhur me paskajoren, ngase ajo gëzon të drejtën universale të integrimit menjëherë, pa zvarritje dhe pa pritur mplakjen e shqipshkruesve, sidomos për ato koncepte që nuk shprehen kënaqshëm me mjetet e standardit të sotëm, siç i përmend autori. Madje një e drejtë e tillë s’mund të mohohet, sepse vështruar nga të gjitha anët, përdorimi i saj del i padiskutueshëm, kur një formë tpçë tillë e kërkon konteksti.

 

5) Pothuajse të një mendimi, si ne rreth rehabilitimit të paskajores, janë edhe disa studiues të tjerë, ndër ta edhe Shkumbin Munishi, i cili shprehet se për t’iu bërë ballë më me sukses sfidave të globalizmit lypset përforcuar bazën e shqipes standarde me elemente të gegërishtes, sepse i duhen asaj, andaj shprehet kështu,:

 Standardi si problem kryesor ka mungesën e mënyrave dhe të formave strukturore të gegërishtes, siç është mungesa e paskajores dhe e pjesores së shkurtër... Format e paskajores të ndërtuara me pjesoren e shkurtër duhet të futen në gjuhën standarde sa më parë (K. ditore, 16.VIII. 2007, f. 14-15)..

Është për t’u çuditur pse deri tani nuk është inkuadruar paskajorja në standard.(?!), edhe pse, siç u tha, atë e mbështet norma e natyrshme globale, norma e situatës dhe e drejta universale, sepse mbulon koncepte që nuk mbulohen dot kënaqshëm me elemente të standardit të sotëm, madje ka edhe favore të tjera.

 

6) Në të vërtetë, numrit të gjuhëtarëve dhe intelektualëve për rehabilitimin e paskajores së mirëfilltë me+pjesore në standardin e sotëm, i është bashkuar botërisht edhe prof. Imri Badallaj, i cili, veç tjerash thekson:

Gegnishtja krahpërkrah  toskërishtes merrte frymë deri në vitin 1972, tashti Kongresi i Drejtshkrimit(1972) mori vendim për ngulfatjen e plotë të saj, andaj “asgjë nuk prish punë as në sistem dhe as në zhvillim të standardit, rehabilitimi i paskajores, sepse ajo “është shumë më funksionale në aspektin sintaksor se konjuktivi”, me të cilin disa koncepte që mbulon paskajorja “s’mund të shprehen”. (Shih: Java, 27 dhjetor 2007, f. 17 dhe K. ditore 15 dhjetor 2007, f. 12.)

Siguri9sht propfgesori e di se gegërishtja nuk merrte frymë si duhet edhe para Kongresit, por sidoqoftë  kërkesa për rehabiolitimin e paskajores është e drejtë. 

7) Edhe studiuesi Agim Morina po për këtë pikë tërheq vërejtjen dhe ngulmon:

Puna për një standard të shqipes nuk ka kuptim pa paskajoren e mirëfilltë (K. ditore, 22.08.’09, f.13).

.

8) Po kështu gjykon edhe Bekim Lumi,  por ky shkon edhe më larg me kërkesa konkrete: 

“Standardi i ri gjuhësor... brenda një koncepti liberal, duhet të fillojë së  pari me hapjen e derës për rikthimin e mija fjalëve të të dyja dialekteve  në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, së dyti, në shqipen e shkruar, duhet të rikthehet paskajorja dhe, së treti, në kuadër të lëndës Gjuhë Shqipe, si pjesë e natyrshme e planprogramit mësimor ... krahas Drejtshkrimit dhe të Gramatikës Standarde duhet të mësohet edhe Drejtshkrimi dhe Gramatika e Gegërishtes”. (Shih: Koha ditore,  23.08.’07, f. 17.)

Nuk dimë autori për cilin drejtshkrim dhe cilën gramatikë të gegërishtes e ka fjalën?!. Fundja kërkesa është me vend, standardologët le ta përcaktojnë zgjidhjen.

 

9) Gazmend Berlajolli, çështjen e paskajores e trajton mjaft theksueshëm si një çështje jo vetëm  morfologjike, duke konstatuar se:

Shumica e gegnishteve në qarkullim, spastrue prej mëtesash hiperbolizuesee vu mbi emnuesin më të madh të përbashkët të kërkesave, ngulmojnë kryekreje në paskajoren si element edhe sintaksor e stilistik më fort se veç atij morfologjik - si dhe labërgimin e fjalësit dhe idiomës brenda vetë standardit... Zgjidhja s’do të quhet e arritun deri sa të mos jetë tumirë, në mënyrë të kënaqshme paskajorja brenda çfarëdo varianti të shqipes standarde. (K. ditore, 17.08.’07, f. 15.)

Autori mbase me shprehjen shumica e gegnishteve në vend të folmet e dialektit gegë i quan  mbase të folmet e trevave të caktuara të këtij dialekti dhe gjithsesi bën mirë që e thekson në mënyrë të veçantë paskajoren, si simbol përfaqësimi i të gjitha gegnishteve, e cila patjetër duhet të inkudrohet në çfarëdo varianti të shqipes standarde.

 

10) Daniell Gazulli, është mjaft energjik në shprehje kundër Kongresit të Drejtshkrimit, të cilin e quan:

 

“Më fatkeqin Kongres, ngase sipas tij “humbi njiheremirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore... të pallogaritshme leksikore, frazeologjike, humbi nji formë të të menduemit, të të shprehunit, humbi shpirtin e  pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humb gjuha humb edhe shpirti... Asgjasimi i paskajores, kësaj trajte themel të foljes, ka qenë pa ma të voglin dyshim krimi ma i randë i atyne vendimeve. Asht shembull qi s’ka nevojë për vërtetim, ashtu si nuk vërtetohet nji apostulatë... se këtu në punë të Kongresit 1972 ”kallën gjindarmerinë” si thonte i madhi Konica, dhe e gjymtuen shqipen me nji pa mëshirtësi, prej barbarësh.” (Shih: Java, 20 nëntot 2008 f. 22.),

përkatësisht:

Standardi i 1972-shit, gjithçka mund të ishte por jo i përsosun... Nuk ka më pikë dyshimi se shqipen po e mbajnë peng urrejtjet më primitive që kanë ndryshkë mendjet e (disa) gjuhëtarëve tanë... Vorfnimi që bani shqipes  famkeqi Kongres i Drejtshkrimit që i preu arterie e vena, këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurtëzueme që s’asht as  tosknisht, jo ma shqip.

A meriton, apo jo, vlerësimi kaq i ashpër kundër Kongresit të Drejshkrimit le të vlerësohet,  por për ne edhe djalli nuk është aq i zi sa e thotë dikush. Sipas nesh vërtet gegnishtja me paskajoren u mënjanua para Kongresit, mbase edhe këtu u tentua me e zhdukë autanazisht, por ajo nuk humbi përgjithmonë, vlerat e saj, shpresojmë se ato vlera do të rivitalizohen. madje edhe do të futet në standard, ashtu ose kështu.

Fundi i fundit, sot, siç e tha  dikush, vetëm gjuhëtarët sharllatanë mund ta vetëcensurojnë ose vetëm ndonjë redaktor i paformuar intelektualisht e gjuhësisht mund ta korrigjojë paskajoren e mirëfilltë, sepse  në bazë të drejtës universale të autorit askush nuk ka të drejtë as morale as shkencore ta heqë nga konteksti këtë formë (paskajoren e mirëfilltë), atëherë kur ajo përdoret me vend e me rend. Ky fakt (përdorimi i paskajores) logjikisht e pragmatikisht arsyetohet nga nevoja por ligjërisht edhe nga norma e situatës si dhe norma e natyrshme globale  e gjuhës sonë.

 

11) Ndërsa studiusi e dashamirësi i gjuhës shqipe Hans Lankch, lutet e porosit njëherazi, jo vetëm anëtarët e Këshillit ndërakademik për çështjen e konstatimit të vërtetësisë së standardit, por edhe, siç thotë ai:

“Të gjithë të tjerët që marrin pjesë në rishikimin e standardit mos me u kënaqë me retushime të vogla, mos me u marrë me arrnime, por me përmirësime e kurime të vërteta... Për t’iu shmangur diglosisë duhet me marrë parasysh edherealitetin gjuhësor të shqipes në të shkruemit e në të folunit, ku mundem me veçue, sidomos, fjala vjen, çashtjen e paskajores, e cila përdoret prej dy të tretave të viseve shqipfolëse... Gjuha e sotme letrare duhet me u lirue nga korseja e një standardi të ngurosun... Standardi i bazuem mbi toskënishten  letrare ka me u shkri me elemente gege. Kultivimi i gegnishtes letrare dhe liberalizimi i standardit nuk duen me thanë dhe nuk synojnë divergjencën, por konvergjencën e natyrshme të idiomave të shqipes.” (Shih: Java, 04.12.’08, f. 17.)

Kërkesa dhe konstatimet nuk mund të quhen të pabazuara, ndërsa  shkrirja e toskënishtes me elemente gege, mbase mund të bëhet jo me aq vështirësi, por, hë për hë, lypset  njëfarë parapëgatitjeje për mos ba hopa të parakohshëm. Sidoqoftë, kërkesat e autorit le të vlerësohen.

 

12) Gjokë Vata, duke qenë ithtar i flaktë i rehabilitimit të gegërishtes, kërkon mirëkuptim nga toskërishtfolësit, sepse sipas tij, kjo nuk pengon aspak, dhe për këtë shtron pyetjen::

Çfarë vështirësie mundet me i paraqitë jugorit paskajorja e pjesorja ose ndonjë vogëlsi tjetër e papërfillshme e gegnishtes?

dhe mendja e tij: aspak nuk pengon, andaj  përfundon:

Detyrimisht të futet paskajorja në standard!

Madje në një tjetër vend  konstaton:

Sot shqipja i ngjet nji hardhie të krastitun pa kurrfarë mjeshtrije ...Tashma të gjithë e dinë se rezultati i atij Kongresi qe shndërrimi i gjuhës shqipe në toskënishten e iniformueme, mbase grimca elementesh të gegnishtes që i pranoi sa me thanë si justifikim që ai standard me u quejtë aty e mbrapa standardi i gjuhës shqipe, por nësa mund të quhet kromi ar nga shkaku i përqindjes së këtij metali që gjindet në atë mineral aq mund të  jetë i drejtë ai emërtim.

Po ashtu, po ky autor polemizon me ata që e fajsojnë paskajoren pse gegërishtfolësit nuk po e zotërojnë standardin e sotëm kënaqshëm, atëherë ky edhe shtron pyetjen fjalamujtas:

Këtë defekt e ka vetëm infinitivi i shqipes apo infinitivi i çdo gjuhe ka të njëjtin faj? Nëse infinitivi gjindet kaq fajtor, kudo në botë i duhet dhanë i njëjti dënim që i dhanë standardistat shqiptarë infinitivit të gegnishtes.... Justiifikimi se heqja e infinitivi është veçori e gjuhëve ballkanike nxjerr pyetjen tjetër: Mos vallë edhe gjuhët e mëdha të botës duhet të ndjekin shembullin e gjuhëve ballkanike?! Pse nuk përmendet fakti se infintivi nuk u përshtatet strukturës së gjuhëve ballkanike, që e kanë pasë dhe e kanë heqë ashtu si puna jonë. E pra për hir të gjuhëve ballkanike apo të tosknishtes me strukturë të gjuhëve ballkanike u hoq gegnishtja me strukturë të gjuhëve europiano-perëndimore (!)...     

Vërtet, edhe ne, nuk dimë sa ishin rob të një konstatimi të parathënë standardistër e periudhës në shqyrtim që shqipja në tërësi patjetër duhej t’i shkonte pas ndonjë gjuhe ballkanike pa paskajore, siç është greqishtja e re apo jo?! Kërkohet që edhe kjo punë të rishqyrtohet esëll, kur është fjala te paskajorja e mirëfilltë e shqipes.

 

13) Edhe Geotar Mjeku, pasi kërkon që shqipja sot duhet të gëzojë lirinë e plotë, jep disa mendime interesante që zgjojnë interes:

.Meqenëse ”gjuha standarde shqipe ... ishte rezultat i një politike gabimisht të orientuar..., atëherë dhe sot reformimi i saj po ngec, por:

 

Një ditë  do të ishte e natyrshme që përdoruesit e gjuhës, botuesit etj. pa miratimin e gjuhëtarëve kompetentë t’i standardizojnë “gegizmat” si paskajoren; me shkue me punue etj.,

 ngase:

”i pashpjegueshëm është përjashtimi i paskajores e cila nuk është e huaj për toskët, Vetë e kam hasur në  të folme të kufirit Gegëni /Toskëni...

 

Mendimi i autorit se paskajorja e ndonjë gegizëm tjetër do të inkudrohet në standard pa pritur miratimin nga stardardistët e moshuar të dali nga vahti ose nga keqkuptuesit e normës standarde, që kanë mbetur, si@ç e tha dikush, adoloshentë në pikëpamje shkencore për këtë pikë, përputhet plotësisht me të drejtën universale, që u cek disa herë këtu, ngase kur kemi të bëjmë me koncepte të paplotësuara kënaqshëm ose fare me mjetet e letrarishtes së sotme, përkatësisht kur kemi të bëjmë me ekzotizma e idioma, ashtu si edhe në gjuhën letrare-artistike, përdorimi i  paskajores nuk mund të jetë i qortueshëm, përkundazi, varësisht nga konteksti duhet të jetë i mirëpritu sidomos atëherë  kur kjo del në përputhje me normën e situatës, të asaj pragmatike dhe me normën e natyrshme globale të gjuhës shqipe.

 

14): Si shumë dashamirës të gjuhës edhe Hajriz Demaku,  shprehet se nuk është për pëmbysjen e normës së shqipes së sotme në tërësi, por gjithsesi sipas tij:

standardi duhet barazuar (balancuar), duke e pajisur (pasuruar) normën e sotme me paskajoren gege. ( Zsh 12. 01.’09.)

 

15) Tash së voni edhe Sami Islami ka shprehur bindjen e tij lidhur paskajoren me + pjesoere, të cilën e vlerëson si perlë të gjuhës shqipe, por të anashkaluar arbitrarisht nga standardi dhe ja si e shpreh zhgënjimin e tij autori:

 

Si mund të shpjegohet të hedhurit poshtë të paskajores gege “me punue” si të pavlerë nga Kongresi i Drejtshkrimit (arsyetim ky) që dilte madje nga goja e gjuhëtarëve tanë, profesorëve tanë të nderuar(!). Kjo tingëllon  pikërisht sikur t’i thuash një njeriu  unë po ta prej këtë krah , por mos u mërzit se unë po ta ngjes një tjetër që do të funksionojë shumë mirë, se ai krahu yt ishte i panevojshëm (!). Në anën tjetër paskajorja gege leje që nuk “u zhduk” në veri, por u ngul thellë pothuaj kudo edhe në jug. Fundi i fundit, mjafton të shkosh sot në Tiranë dhe të vëresh se kjo paskajore (me punue) jeton sikur të jesh në mes të Prishtinës, në gjuhën e folur sidomos. (zsh , 3.11. ’09.)  

Vërehet se gjithnjë po vetëdijësohen gjuhëtarët e intelektualët tanë, duke u liruar nga narkoza e indoktrinimit monist të ngulitur me dhjetra vite kundër vlerave të paskajores edhe nga vetë mësuesit e  profesorët tanë të fakulteteve.

 

16) Nik Leshai, duke polemizuar me një gegofob, përkatësisht me një kundërshtar të rehabilitimit të gegnishtes, veç tjerash shpreh këto mendime të qëndrueshme:

Ka të tillë gegofobë që refuzojnë me integrue edhe një fjalë të vetme gege pa e toskëzuar atë. Ose prej atyne qi pranojnë ma parë me vorfnue gjuhën shqipe sesa me përdorë konstrukte gege...

Mirëpo:

...edhe diktatura linguistike në mes tjerash po përjeton fundin e saj,... prandaj gegëfobët janë hjedhë të gjithë në sulm si bisha të plagosura për dekë...

 dhe tërheq vërejtujen:

 

Por gjuha zyrtare nuk ka nevojë me zgjedhë në mes zë gergishtes e tosknishtes, nuk ka nevojë me qenë kundër gegnishtes apo tosknishtes. Ajo ka nevojë vetëm për disa përmirsime (apo zgjanime) që do ta banin atë ma të lamishme në tingull, ma të aftë për me formue fjalë të reja, ma solide në strukturë dhe të eliminohen disa çrregullime të panevojshme...

Ndërsa për  paskajores shprehet  kategorikisht se në standardin e ri:

Do ta shtojmë paskajoren, patjetër, sepse nuk jemi aq të paditur sa me gjymtue gjuhën tonë. Madje edhe të përmirësojmë (gjuhën tonë) edhe me ndonji diçka tjetër... çashtja nuk shtrohet se a me prekë, a me prishë a me përçudnues, por vetëm e vetëm si me përmirësue. Asgja nuk prishet. Disa gjana rregullohen. Ma mirë për të gjithë. Ma mirë për gjuhën...

Po të sendërtohet kërkesat e tilla, për çka insistojmë për disa vite edhe ne, vërtet gjuha shqipe do të ketë dobi dhe kurrfarë dëmi.

 

17) Eqerem Shijaku, si mësues i vjetër përshëndeste nismën për rishkimin e normëzimit, duke e bërë me dije opinionin  se:

Ideja që qarkullon në mjediset shkencore është që në konferencën e ardhshme të shtohen disa elemente të gegërishtes, si paskajorja e foljeve me pjesorën (e shkurtër) me –ue ose –ë, si dhe zëvendësimi i mbaresave  toske  -nj me  ato të gegërishtes –j në shumësin e emrave mashkullorë. Sidoqoftë, xhaketa e vjetër duhet ndërruar...

Ndërkaq lidhur me paskajoren  shton:

“dua të ceki se kjo gjë nuk është çeshtje preference, por është një mënyrë e të menduarit dhe u tregua se nuk mund të eliminohet infinitivi (paskajorja)  gjë që ka qenë në përdorim me mija vjet...

Vërtet, nuk dimë pse ende po hezitohet ose po kundërshtohet me kokëfortësi inkuadrimi i paskajores nga disa qarqe të caktuara të gjuhëtarëve nga qendrat (Tiranë e Prishtinë).

 

18)  Rreth raportit letrarishte e sotme / ish gegërishtja letrare, zgjidhje praktike ka dhënë Nexhmi Hamdi Bushati, me rastin e botimit të librit të babës së tij. Ja si e ka zgjidhur këtë problem konkretisht autori:

“Duhej të ruheshin disa veçori tipike të gegërishtes letrare, si prania e N-së në vend të rotacizmit, ruajtja e diftongut UE, përcjellorja e paskajorja e gegërishtes dhe pjesorja  e shkurtër me  fundoret –UE ose -Ë “, ndërsa në të gjitha rastet e tjera për problemet fonetike e morfologjike u vendos të ndiqeshin kriteret që rekomandojnë dy botimet shkencore: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe dhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të ruajtur vazhdimësinë dhe konsekuencën në drejtshkrim dhe për të mënjanuar fluktuacionet gjuhësore”.

 

Vërtet, një zgjidhje e tillë praktike lypset përshëndetur, sepse ishte e domosdoshme për të ruajtur vazhdimësinë dhe konsekuencën në drejtshkrim. Madje këtë metodë pune duhet ta kenë parasyshsi zgjidhje të gjithë nevojtarët si autori si dhe standardologët e sotëm.

 

19) Enciklopedinë e lirë: (në faqet e internetit), problemin në shqyrtim rreth paskajores e ndeshëm të shpjeguar mjaft mirë: 

Kjo veçanti e gegërishtes (paskajorja me + pjesore e foljes me punue me kallëzue) përdoret në shumicën e gjuhës dhe zë vendin e mënyrës lidhore të gjuhës standarde në shumicën e rasteve. Mënyra lidhore që përdoret në standard lidhet me veten dhe kohën e tashme, p.sh. të punoj, d.m.th. unë të punoj, ti të punosh etj dhe te e pakryera të punoja të punoje etj., ndërsa paskajorja e gegërishtes është gjithpërfshirëse. Shumë gjuhëtarë sot  janë për futjen e këtij lloji të paskajores në gjuhën standarde, meqë një pjesë e madhe e shqiptarëve e përdorin në të folurën e përditshme. Këta gjuhëtarë mendojnë se shqipja standarde me të do të ishte më e lehtë dhe më me shumë mundësi shprehëse e stilistike. Ky lloj i paskajores do të afronte përkthime më adekuate. Në këtë rast “To BE or Not To Be (Shekspiri, Hamleti III-1) nuk thotë të jesh apo mos të jesh (-është çështja) , por do të thotë, pa iu drejtue asnjë vete, as të dytës as të tretës: Me qenë a mos me qenë... Ndërkaq një përkthim i tipit: Për të qenë apo për të mos qenë – nuk tingëllon shqip.

Sigurisht jo vetëm nga konstatimi i mësipërm se ky lloj i paskajores do të ofronte përkthime më adekuate, por edhe nga konstatime të tjera mjaft gjera të diskutueshme e tjera  të panjohura gjithnjë e më tepër po bijnë në vijë.

 

20) Edhe Arben Çejku, në një artikull, që na tërhoqi vëmendjen sidomos nga stili i tij i veçantë i të shprehurit, prek çështjen e paskajores së shqelmuar nga standardi i sotëm, por ajo megjithatë gjallon. Ja si shprehet autori:

Drama shpërfillet fill aty ... vetëtimë e zezë sintaksa e fjalisë... Fjalë të shpërfillura të gjuhës së gjallë të shqelmuara, si paskajorja, herë-herë zënë vendin e natyrshëm të mohuar padrejtësisht.

Vërtet, me shqelmimin e paskajores padrejtësi i është bërë shqipes mbarë, jo vetëm gegnishtes, prandaj standardologët e sotëm duhet të vetëdijësohen rreth nevojës për rehabilitim të kësaj çështjeje madhore në standardin e shqipes..

 

21) Po në  faqet e internetit në një replikë me një akademik të shquar nga Tirana një autor që nuk na doli me identifikim të qartë, lexuam:

Të gjithë e dinë se paskajorja nuk u hoq, ngase nuk mund t’i pështatet toskënishtes, po pse nuk mund t’i pështatet tosknishtja paskajores, prandaj paskajorja u desht me u flijue si Rozafa për me ndërtue mbi të kalanë e gjuhës së sotme letrare. Këtu lind edhe kjo pyetje: Heqja e paskajores a ishte pasunim apo vorfnim i gjuhës? A duhej denue paskajorja për të vetmin faj se nuk i përshtatej asaj toskënishtja? Paskajoren e banë viktimë sakrifikimi ata që patën gurin edhe arrën në dorë pa e përfill faktin se paskajorja asht në themelin e gjuhëve ma të përpunueme...

Dhe përfundon autori me një pyetje tjetër që prek raportin dhënë/marrës ndërdialektor: Cili prej dialektesh ka me marrë ma shumë prej tjetrit?

Besojmë se s’ka intelektual që nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje.

 

22) S’mund ta lëmë pa e përmendur edhe mendimin e Mehmet Elezit, ngase rrah hekurin aty ku duhet dhe gjen rrugëdaljen njëherë për njëherë më të lehtë për zgjidhjen e çështjes së standardit, duke pasur para sysh tri realitetet e reja jashtëgjuhësore si fakte të pamohueshme e që janë:

a)  kodi i  drejtshkrimit, i cili  ka mbetur i ngrirë, 

b) tashmë Kosova ka dalë e pavarur, dhe

c) realiteti i ri  i shqiptarëve  në raporte ndërkombëtare,

 

faktorë këta edhe pse jashtëgjuhësore, patjetër duhen pasur parasysh  aktualisht. Edhe këta faktorë shtrojnë nevojën për një rishqyrtim të normës mbarëkombëtare të gjuhës shqipe. Është arsye e mjaftueshme kjo që çdo shqipfolës, por sidomos intelektualët me standardologët në krye duhet me dijtë me i dalë zot vetvetes edhe nga aspekti gjuhësor. Dhe si duhet me i dalë zot vetvetes autori shtron tri parim-detyra që gjithsesi duhen zbatuar:

 

e para,  në zgjidhjen e çështjes së standardit duhet respektuar parimi i pragmatizmit;

e dyta, duhet implementuar parimin e ngritjes e jo atë të përmbytjes së satandardit dhe

e treta, duhet jetësuar filozofinë e gjithpërfshirjes e jo atë të përjashtimit.

 

Edhe pse nga parimet e shtruara del sheshazi pozicionimi i autorit ai megjithatë rrefehet kështu:

:

Nuk jam për përmbysjen e gjuhës standarde, por gjithsesi jam  që gjuha shqipe të reformohet dhe të hapet në mënyrë që të thithen të gjitha pasuritë e mëdha që ka.  

 

Ndërsa lidhur me paskajoren, e cila, siç e thotë ai, ishte një ndër viktimat e para, përsërit  dhe e përforcon qëndrimin e tij të mëparshëm:

 

Dihet se paskajorja si kategori foljore përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatrikor në sistemin foljor të një gjuhe. Ajo përbën formën më përfaqësuese të foljes përkatëse. Asgjësimi i saj do të thot asgjësimi i vetive më të larta abstraguese gramatikore të gjuhës. Pa u ndalur, se nuk është rasti, të aftësitë shprehëse të jashuzakonshme e shumë përdorimesh të paskajores në gjuhën shqipe... Me e shlirue gjuhën nga pneumatoraksi i dhunshëm i një epoke të dhunshme, me marrë frymë gjuha shqipe me kapacitetin e plotë të mushkërive të saj, jo vetëm me kapacitetin e njërës mushkëri... (Shih  ZSh dhe Zëri, 12.05. 2009, 25.)

Vërtet autori shtron argumente mjaft bindëse për nevojën e domosdoshme të futjes ose përligjjen e paskajores së mirëfilltë në standardin e gjuhës shqipe.

 

23) Si përgjigje të njëfrarë Xha Xhai, i cili ishte për Jo lidhur me inkuadrimin e paskajores në standardin e sotëm, se gjoja nuk e qaska, siç e thotë vetë sistemi i toskërishtes (!), njohësi i këtij problemi Pirro Suli, në dobi të inkuadrimit të paskajores në standard paraqet këto katër argumente bindëse:

Së pari, paskajorja me punue është e ngulitur në të folme popullore në Gegëri e Toskëri (edhe pse më rrallë).

Së dyti, ekzistenca e paskajores i jep kuptim e jetë edhe vetë standardit, si një ndër kategoritë  që e ka sjellë nevojën etj.

Së treti, fonetikisht paskajorja gege nuk e rrudh aspak standardin, por përkundrazi e pasuron dhe e rrit atë, sidomos jashtë grupit ue/ua, si p.sh. me marrë, me dalë, me ardhë, me derdhë, me rrahë etj.

Së katërti,  vetë fakti që ende pas kaq kohe diskutohet për të, kuptohet se paskajorja e gegërishtes mbetet një kategori gtamatikore shumë e rëndësishme që bashkëjeton me standardin sot e gjithë ditën.

 

Mbase këta argumenta kanë ndikuar që edhe vetë Xha Xhai, ta zbusë qëndrimin dhe të pranojë  paskajoren me + pjesore, përkatësisht pjesoret e shkurta si ardhë (me ardhë), derdhë (me derdhë) si eksperimente që ndoshta mund të japin rezultat! 

 

24) Studiuesja Ledi Shamku – Shkreli, e cila rreket të kapet me të arriturat më te reja në shkencën e gjuhësisë pasi konstaton se në gjuhë ka vetëm situata komunikuese dhe zgjidhje të përgjegjshme, por të lira komunikimesh, përkatësisht

Meqë shqipja  e  sotme letrare  nga njëra anë nuk mund të  ta vijojë rrugëtimin si trashëgimi e pastër gjenetike e Shqipes Totalitare, e nga ana tjetër nuk mund të mëtohet për një kthim në stadin paratotalitar (ish shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes n. v.) e po ashtu nuk mund të pritet që këto korrigjime të kryhen vetëm  prej prirjeve e proceseve të brendshme vetërregulluese...

atëherë autorja ka mendimin se:

...kjo kohë shtron para hartuesve të politikave gjuhësore nevojën e ndërhyrjeve delikate në mënyrë që të shlirohet shqipja nga kallëpat e parafabrikuar...

 

Ndërkaq lidhur me problemin akut rreth paskajores fillimisht paraqitet si neutrale, por sadokudo zbulohet me një konstatim-kontribut shumë të qëlluar ndërlidhur me një konstatim të prof. E. Çabej, të cilin e   sjell para lexuesit me këto fjalë sqaruese:

Një tjetër pikë e debatueshme sot është çështja e paskajores  (infinitivit) dhe lidhur me këtë debati nuk po merr assesi zgjidhje, por argumentat pro e kundër vijojnë të jenë më fort si qëndrime etike se shkencore. Kështu pra, thuhet se infinitivi duhet rehabilituar në normë pasi është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë gjuhësore gege, apo, nga ana tjetër se gjuha letrare s’ka si ta ketë infinitivin, ngase toskërishtja nuk e ka (!!!).... Duke lexuar trajtesën historike që Çabej i bën kategorisë së infinitivit vihet re se të dyja gjykimeve të mësipërme, pro e kundra, iu mungon  vështrimi filozofik dhe ab ovo që jepet te ky libër Çabej thotë se

“Formimi i infinitivit të gjuhëve indoevropiane në pjesën më të madhe është një dukuri që shfaqet në periodat historike të tyre. Kjo lidhet edhe me një arsye, si të thuash kulturore. Infinitivi gjuhësisht është një përftim që lidhet me njëfarë përparimi kulturor, sepse ka lidhje me një mendim abstrakt... Lidhet me zhvillim të një mendimi, të një abstraksioni mendor. Do me thënë, çështja e infinitivit kushtëzohet nga një zhvillim, nga një proces i gjatë në gjuhët e ndryshme indoeuropiane”.

Dhe  së këtejmi autorja nxjerr përfundimin:

Kumti logjik i këtij arsyetimi është se infinitivi nuk është thjesht i gegërishtes, është infinitivi i shqipes, pasi ai shfaqet qysh se shqipja del në histori.                                                                                                                                                                                                                  

 

Edhe pse për ndonjë ndërkombëtarizëm që e parapëlqen autorjas në vend të termit vendës nuk jemi të në mendjeje me të, rëndësia e këtij konstatimi lidhur me paskajoren s’do koment. Edhe ne patëm arritur në një përfundim të tillë. Në të të gjitha vështrimet tona ku ceket çështja e paskajores, ajo quhet vetëm paskajore e mirëfiltë e gjuhës shqipe. Gjithsesi konstatimi i studiueses tash për tash shpresoj se do të ngulitet edhe më mirë e më bindshëm në mendjet e standardologëve tanë normëvënës me një pro (!), d.m.th. për rehabilitimin e pakajores së mirëfilltë në standardin e shqipes.

           

25) Intektuali ynë i shquar Avdi Baleta, nga penda e të cilit trajtohen mjaft tema të nxehta shqetësuese nga fusha e publicistikës, politikës dhe të kulturës,  ka prekur edhe çështjen e paskajores

 

Problemi i  mënyrës paskajore shqetëson, e cila u përjashtua nga  gjuha shqipe pa argumenta të shëndosha shkencore. Ka pas qenë përdorur gjerësisht në pjesën dërrmuese të trevave shqiptare,  edhe në dialektin e toskërishtes.

 

Është vërtetë se me sa kemi parë ne në të gjitha gramatikat e autorëve toskë të botuara para viteve ’50 të shekullit të kaluar, dilte e trajtuar duke e zënë vendin e merituar edhe paskajorja me + pjesore, andaj konstatimi i autorit e pohon mirë këtë fakt.

.

26) Prof. David Luka, i cili si argument se çështja e standardit  të sotëm të gjuhës shqipe nuk mund të jetë çështje e mbyllur, ngase ajo ka bazë njëdialektore, ngase e ka injoruar pa të drejtë dialektin tjetër,  thekson:

Shembulli më i qartë për të vërtetuar se baza dialektore e shqipes standard përfaqëson katërçipërisht toskërishten letrare është i ashtuquajturi problem infiniti ose paskajorja... Nga përjashtimi i paskajores nuk ka pasur pasurim, por varfërim gjuha standard e kjo është krejtësisht e kuptueshme, sepse sa më shumë forma foljore të ketë një gjuhë aq më e pasur bëhet forca shprehëse e saj...Tani kuptohet është detyrë e domosdoshme që kjo pasuri t’i kthehet gjuhës standard... Kjo punë do studim dhe përgatitje, punë që duhet ta kryejë në mënyrë të planifikuar Instituti i Gjuhësisë (Tiranë).

Për çudi, deri më tash, me sa dimë, as Instituti i Tiranës ashtu edhe ai homonim i Prishtinës për këtë punë jo vetëm kanë ngecje, po përkundrazi po e zvarrisin ose po e bojkotojnë zgjidhjen e këtij probloemui, duke mos e inkudruar në standard paskajoren. A thua vallë, është e vërtetë ajo që po thuhet, që s’mund ta besojmë për cok, se studiuesit e të dy instituteve gjuhësore Tiranë- Prishtinë,  disi duket si me u u marrë vesh që mos  me e studiue këtë temë, ngase paskan bindjen se një formë e tillë është shpifje spontane, e cila duke mos u përfshi në standard e duke mos u studiuar vetvetiu autanazisht do të lëmekej e do të shuhej dhe kështu kjo shtyllë kurrizore që simbolizon vetëm qenien gegërishtes (!) nuk do të ishte pengesë por shpëtim për gegërshtfolësit që sa më me lehtësi ta zotërojnë standardin, pa këtë formë(!).  E thamë se një supozim i tillë për ne del shumë i pabesueshëm po fundi i fundi nuk dimë me shpjegue ngecjen në drejtim të zgjidhjen se këtij problemi.

 

27) Rreth gjuhës letrare të koduar në Kongresin e ’72-shit dhe përjashtimin e gegërishtes dhe në veçanti rreth paskajores së mirëfifilltë mjaft mirë por me një stil paksa të guximshëm këmbëngulës ka shfaqur mendimin e vet edhe Rifat Buzhala, i cili jep këtë vërejtje të pëgjithshme:

“Vendimi për gjuhën letrare kombëtare nga viti ‘1972 ka dalë i dështuar me vetë faktin se gjuha e njësuar nuk po përvetësohet dot prej 70% e popullsisë shqiptar. Këmbëngulja për të mos ndryshuar gjë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, në përmirësimin e atyre rregullave drejtshkrimore sa më shpejt që të jetë e mundshme, mund të quhet një veprim arrogant, me të cilin i bëhet dëm më së shumti vetë gjuhës shqipe. Lumi që fryhet del nga shtrati dhe bën rrëmujë, shkakton dëme të paparashikueshme. Po puna është që të mos e lëmë ta lëshojë shtratin... Këtë më së miri mund ta bëjnë ata që vunë nënshkrimin e tyre për miratimin e atyre rregullave...”

Së këndejmi edhe ky autor kalon në konstatim-kërkesën e veçantë rreth paskajores dhe duke iu drejtuar njërit prej akademikëve tanë të shquar (kosovar), pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimi (1972), shprehet kështu:

“...Është mohuar pa të drejtë kategoria foljore e paskajores gege, si forma më kryesore gramatikore e përdorur nga gegët. Paskajorja (infinitivi gegë) dhe jo vetëm ajo është më shumë se shpirti për gegën, më shumë se bërthama për shprehjen, prandaj pse bëheni pengesë... ose pse nuk ndërmerrni diçka për integrimin e saj në gjuhën standarde... kur vetë e dini se pa të gega nuk di nga t’ia nisë dhe si ta mbarojë shprehjen, mendimin, fjalinë, ligjëratën, shakanë etj.... Unë po due të integrohem në Shqipëri në rrënjët e gjuhës shqipe dhe me këto elementet e mia gjuhësore me bërthamën e dialektit tim. Me infinitivin e shqipes, e pse jo edhe me disa elemente të tjera të domosdoshme të dialektit tim., sepse shqipja standarde nuk ka infinitiv atë ia hoqën me dhunë, pa fije dhimbje, sikur të kishte qenë i një gjuhe anmike, i një gjuhe që ka sjellë kërcënim për gjuhën shqipe e jo i një dialekti me të cilin ka filluar të shkruhet  gjuha shqipe dhe nga i cili vërtet ka dalë letërsi e madhe në gjuhën shqipe... Paskajorja gege do t’ua mundësonte të gjithë shqiptarëve të kuptohen shumë më lehtë mes tyre dhe t’i kuptojnë me lehtësinë më të madhe veprat e letërsisë shqipe të shkruara dhe që do të shkruhen. Pastaj vjen thesari dhe frazeologjia gege, që duhen të futen në standard, sepse nuk mund të ketë frazeologji gege në standard pa paskajore, e cila ka lidhje të pandashme me të... Pa infinitivin, pra shqipja standarde do të jetë e destinuar të thahet, të vyshket, të mos japë ëmbësinë e saj, bukurinë e saj, të largohet nga masa e popullit, ‘të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale’... “

Siç mund të shihet përqëndrimi i autorit, ashtu si edhe i një numri të konsiderueshëm të gjuhëtarëve të tjerë, ka të bëjë me kërkesën rreth integrimit të paskajores në standardin e shqipes, por pa lënë me dalë nga shtrati ujin e lumit, pra pa përmbysje të bazës së standardit të sotëm. Prandaj mendim-propozimin e tij e pranojmë pa rezervë.

                    

                     Siç do të shohim në vijim pikërisht paskajoren me + pjesoree konsiderojmë si terapi të parë për përmirësimin e shëndetit të standardit  të drunjëzuar të gjuhës sonë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx