Kulturë
Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (I)
E merkure, 14.04.2010, 09:39 PM
Çerkin Ismaili
Ethe të trishta
(roman)
Prishtinë, 2009
Titulli: Ethe të trishta
Autori: Çerkin Ismaili
Redaktor:Mexhid Mehmeti
Recensues:Adem Zejnullahu
Redaktor gjuhësor: Ejup Ceraja, prof.
Ballina dhe përkujdesja kompjuterike: Shkumbin Ismaili
Botues dhe Shtypi: “Grafoprint”Prishtinë
Botoi: Shtëpia Botuese “Grafoprint”Prishtinë, 2009
Të zura Lush Rebeli! Më në fund të zura me kapistër pele në dorë! Mos ke menduar se kam vdekur për së gjalli, a ?! Mos ke menduar, more leckamani i namun, se karriera ime ka dhënë shpirt, a ?! Sa shpejt paske harruar se karriera ime i ka nëntë shpirtëra si të përbindëshit , treqind këmbë të padukshme gjarpëri?! Ka krahë karriera ime, Lush Rebeli!. Ai përbindëshi i djeshëm që të përcillja hap pas hapi jam edhe sot, ai gjarpëri i djeshëm jam edhe sot, por me tjetër surrat, me tjetër ngjyrë, me tjetër lëkurë, me metoda edhe më të sofistikuara të fshehjes së krimit, me pushtet dhe autorizime sa një det! Budalla, u rebelove kundër një pushteti të egër dhe fitove luftën, ndërsa si kundërshpërblim more pushtet okupatorësh të rinj të jashtëtokësorëve, që ju i quani jashtëvendorë, që lakun ta mbajnë shlirshëm në gushë, por kur u teket ta shtrëngojnë për ta zënë frymën!
Unë i gjori , atëherë isha vetëm kameleon i mjerë që dukesha e zhdukesha nëpër labirinte të errta , duke të zënë prita , duke të kurdisur kurthe , duke u përpjekur ta përdhos emrin, autoritetin e karakterin tënd, kur ishe në ilegalitet! Të jem i sinqertë, atëherë, emri yt më tmerronte, kur turma demostrantësh i brohorisnin në bulevardin e kryeqytetit! Pushka jote më lemeriti kur jehoi në male! Kushtrimi yt në fushëbetejë më varroste për së gjalli…! Tash më tmerron hija jote... Më tmerron emri yt... Më tmerron gjaky yt... Më tmerrojnë hapat e këmbës sate në asfallt , kur kërcen si kenguri nga një cep në cepin tjetër të qytetit! Edhe çalaman nuk dorëzohesh dot, Lush Rebeli! Por, tash që je çalaman e kam shumë më leht të merrem me ty!. Kështu, si je katandisur njeri me një këmbë , lufta ime kundër teje do të jetë fare e lehtë!. Tash edhe gënjeshtrës time i besohet më leht!. Ti nuk e dije, se demokracia në emër të së cilës luftove e kapërdinë gënjeshtrën gati si ai regjimi im komunist! Kurthi im tash është më modern, i mbuluar me plafin e quajtur demokraci, i përngjet rrjetit të merimangës nga i cili viktima ime nuk
Lush Rebeli, e di se dergjesh urie....! E di se kërkon ndonjë thërrimë buke sa për të mos ngordhur..!. E di se nuk ke adresë banimi...! E di,se fle ku të zë nata, larg kujdesit shoqëror,i harruar, i injoruar,i vetmuar, i përqeshur,i nëpërkëmbur..., ndërsa karriera ime lulëzon më shumë se në kohët kur isha kameleon! Të gjithat t’i kam rrëmbyer! Të gjithat. Të kam lënë lakuriq pa brekushe midis rrugës me idhullin e lirisë në dorë!
Ti budalla bëre luftën, unë e kam në dorë fitoren tënde , të cilën e mjegulloj kur e përdor kundër teje ! Ti ndoshta, akoma nuk e ke kuptuar se paslufta është luftë e shkuar luftës?! Lufta ishte e jotja, paslufta është e imja!? Ani, guxon të kërkosh edhe vlera të reja shoqërore, art, kulturë, letërsi... Vlera dhe qasje moderne politike , kur unë dua mjegull si egërsirat! Sa më e dendur të jetë mjegulla, unë shoh më mirë...! Dëgjoj më mirë…! Urith i verbër i Ezopit jam!. Viktimën e nuhas më mirë në terr e mjegullirë! Madje , jam unë ai që krijoj mjegull e errësirë...! Zot pagan i mjegullës jam! Rroftë mjegulla …! Rroftë errësira…! Kujto atë sentencën e vjetër “Ujku do mjegull!” dhe do ta ripërceptosh figurën time që se kap dot as me sy as me mëndje në tisin e dendur të mjegullës! Mjegulla ime të gjithëve do t'u vërbojë...! Kuptoni njëherë e përgjithmonë! Të gjithëve do t’u çorroj kur të më teket! U tërheq për hunde si gomarin në pazar, ndërsa karriera ime dhe e Klanit tim do të shkëlqejë, pasi të hyjë përsëri në kullën prej fildishi, pasi të ngordhë kobra e verdhë që bën roje! Mos e bëftë Zoti të kthjellet moti se unë vdes! Sa shumë e urrej dritën! Unë edhe i mundur dola fitimtar, ndërsa ti që e quan veten çlirimtar fut kokën në deponi bërllogu si struci në rërë i dënuar të heshtësh dhe i lirë të mburresh se jeton në paqe! Je i dënuar ta harrosh të kaluarën tënde.! Nuk guxon as të këndosh as të qajsh! Mundesh vetëm t’i numrosh varret dhe të krenohesh me to! Të kam futur në brirë dhie! Unë ta rrëmbeva fitoren dhe me fitoren tënde do ta thyej kokën kur më teket! ... A kupton Lush fakiri? Prapë, si dikur në motet e mia të lidh si qenin...! Të lë të ngordhësh urie ...! Të vras kur dua dhe vrasjen tënde e shpall enigmatike...! Të fus në birucë burgu si në ato ditët e mia brilante! Ha! ha! haaaaa!...Fitorja jote, pushteti im! Po, po, do ta shohësh, praktikisht, mjerimin e fitores tënde dhe pushtetin tim, Lush Rebeli!
* * *
“ Of, nënë, këmba bre...!”, rënkoi i plagosuri pasi e zgjuan nga gjumi i rëndë dhe ëndrra e trishtë krismat e një rafali arme , ndërsa në plagë djersitur iu kishin përzier gjak e djersë. Djersët e njelmta që i rrëshqisnin në varrë, të plagosurit i manifestoheshin me dhembje e kruarje të dregëzave bojëkafe, që kishte formuar hemoglobina e gjakut.
Sapo hapi sytë blu të mbytur në thellësirat e zgavrave, që dukeshin si meteorë të përplasur në greminë, në dritën e llambës me vajguri, që e theu paksa errësirën, e pa fare të zbehur togere Bubulinën , që i rrinte mbi kokë si engjëllushë tek i rridhnin lotët, ndërsa me shami i fshinte të plagosurit bulëzat e djersëve në ballë dhe gjakun që herë pas herë i rridhte nga plaga në këmbë. Duke u dridhur sa nga plaga po aq nga ankthi i ëndrrës, i plagosuri mezi mori fuqi për t’u ngritur ulur në shtratin e improvizuar në bunker.Mjekra që kishte nisur t’i thinjet, mustaqet e vetullat e zeza kaleshe që i binin mbi qerpikë, fytyra eshtake dhe kapilarët e gjakut të mavijosur vijëzoheshin si portret piktori impresionist në sfondin e tenit të zbehur të lëkurës anemike , që më tepër i përngjante kufomës se sa njeriut të gjallë. Sapo i plagosuri u zgjua, togerja u përpoq t’i ndalë lotët, por lotët, si për inat togeres, vazhduan t’i rridhnin mbi ballin e ushtarit të plagosur, të cilit i dinte emrin dhe asgjë më tepër.
-
- Mos u sekëlldis, bukuroshi im! Nuk të vret njeri! Larg janë armiqët! Shumë larg kanë ikur. Më kurrë nuk do të kthehen. Ikën të turpëruar me bisht nën shalë – përpiqej togerja ta qetësonte të plagosurin, duke e marrë me të mirë.
-E, kush je ti pra, që flet kështu?! Mos je engjëll i dërguar nga hazreti Xhibraili të ma marrësh shpirtin?! Nëse jeengjëll bëje edhe ti punën tënde! Jetën e dua , por vdekjes nuk i druaj! Me sy hapur dua ta shoh mordjen kur të më marrë mbi flatrat e veta, duke ma shëtitur shpirtin nëpër qiell!- vazhdoi të fliste i plagosuri.
- Unë jam Bubulina , Lush. Bububulina jam, Lush Rebeli. Infermiere Bubulina jam. Sa shpejt më paske harruar, more Lush. Kthjellu Lush Rebeli! Mundi dhimbjet dhe ankthet e luftës! Gëzoju lirisë!
- Bubulina! Cila Bubulinë?! Nga vjen Bubulina?-pyeti përsëri i plagosuri.
- Bubulina jam Lush. Më shiko drejtë në sy dhe do më njohësh! Togerja amerikane. Jam infermierja e Batalionit Shqiptaro- Amerikan- u përpoq ta sqaronte identitetin e vet togerja.
-E, pse qan, pra? Pse derdh lotë për një të panjohur?! Mos të ka ndodhur edhe ty ndonjë e keqe?! Mos të ka marrë edhe ty ndoshta ndonjë i mallkuar plumbi?
- Nuk po qaj, Lush, por ja që, lotët vetë rrodhën! As plumbi nuk më ka marrë- u arsyetua Bubulina.
-Motër, mos i jep lak të vërtetës! Lotët tuaj po më vrasin si rrufeja. Të lutem ndali lotët!
Kij mëshirë për zemrën time!
Togerja fshiu lotët, por lotët si për inat të saj, nuk i ndaleshin. Të plagosurit i erdhi keq për lotët e togeres, të cilën nuk e njihte akoma mirë kush ishte.I pa lotët që binin si sumbulla nga sytë ngjyrëblu që ndërsa zdirgjeshin mollëzave të zbeta, shfaqehin në mijëra ngjyra si xhevahirë.
- Mos je mërzitur me mua , motër?- theu heshtjen i plagosuri. Lotët tuaj po më vijnë më të rëndë se plagët në shtat! Bile,lotët peshuekan më rëndë se injoranca e Lugatit dhe Akunve në ëndrrën e ankthtë me të cilën u zgjova. Ndoshta do të çmendesha në gjumë sikur të mos zbrazej ai rafal në male,- tha, disi si i druajtur i plagosuri , sa për ta nisur bisedën.
-Jo zotëri, as nuk jam mërzitur me ty, as jam lodhur me luftën.Vetë erdha . Nuk më detyroi njeri të vija. Ndoshta edhe unë do të çmendesha sikur të mos kisha ardhur. As luftës nuk i frikësohem. Lotët e mi, zotëri , janë lotë që dalin nga jeta , nga fati yt, nga e kaluara jote. Edhe im at në këto male kishte fat të ngjashëm me tëndin. Të ngjashëm edhe me fatin tim, por ndryshe nga fati yt dhe i tim et, është fati im . Fatin tim vetë e zgjodha.
- Lëri tani fatet togere ! Lufta kurrë nuk ka sjellë fat të mirë e lumturi, por e mira e saj është se sjell liri. Nuk e kam hallin për këmbën time të këputur nga ajo e mallkuar mine, as për fatkeqësitë e së shkuarës , por hallin e kam për të ardhmen , te paslufta. Paslufta!... Paslufta po më trishton, togere. Në male , kur kishim pak pushim pas betejave, komandant Gurra thoshte se paslufta është luftë e shkuar luftës. Fati i krijuar në luftë leht mund të shpërfillet, të tjetërsohet, të nëpërkëmbet në pasluftë. Paslufta krijon fate të reja, karaktere të reja, dhembje e dashuri të reja... por, pamëshirshëm, di të krijojë edhe pafatësi të reja për individin dhe kolektivitetin, ndoshta edhe më të këqija se të luftës. Lufta, pas luftës, mund të kuptohet si mëkat , kurse mëkati mundet t’i mvishet si fat i kobshëm njeriut dhe një pjese të kolektivitetit?!
Pas bisedës për fatet dhe fatkeqësitë e luftës, i plagosuri i rrëfeu togeres fill e për pe ëndrrën , nga e cila e zgjuan rafalet, krisma e të cilave erdhi diku larg nga malet.
-O Zot këtë ëndërr mos e bëj zhgjëndërr! Ëndërr e keqe, medet...! Ëndërr e keqe dhe ankth i stërzgjatur! Ëndërr sa një shekull! Ëndërr më të tmerrshme kurrë në jetën time nuk kam parë! – tha Lush Rebeli, pasi fshiu me gisht sytë e lëbyruar , ndërsa infermiere, Bubulina e Batalionit Shqiptaro Amerikan herë i fshinte bulat e djersëve në ballë e herë të plagosurit i pastronte me pambuk varrët në këmbën që i kishte këputur mina, kur kishte shkelur gurin e kufirit, të cilin Lushi mijëra herë në ditë e mallkonte.
-Togere, ai i mallkuar guri m’i hëngri babë, gjysh e stërgjysh , kurse tash i erdhi radha edhe këmbës time ...! Sa i pangopur ishte i mallkuari...! Kurrë nuk u ngop me kokat dhe gjymtyrët tona ! Që kur e ngulën, qëndroi si ogur i zi , duke ndjellur vetëm vaj, dhembje e mallkim...! Kurrë nuk u ngop me gjak i mallkuari...! Por, mirë që i erdhi dita të shkulet ai ogurzi...! Kur e shkulëm , rrëzuar përtokë gjëmoi si përbindshat parahistorikë, që nxirrnin flagë para se të ngordhnin...! Akoma po më ushtojnë veshët nga gjëmët e tij tek jehonin humnerave ... ! Ushtimë të tillë lemeritëse kurrë nuk kam dëgjuar. Pastaj m’u duk sikur toka mori frymë më lirshëm! Shpupurimat e gjetheve të rëna të malit më erdhën si gudulisje e fëmijës në djep… Mu duk se kurorat e lisave maje kreshtave qeshën, kurse bjeshkët e djegura u bashkuan. Zëri i babë Isufit më dukej sikur më thërriste, kurse jehona e zërit të tij më vinte e zgjatur duke jehuar honeve, shkrepave e humnerave të bjeshkëve: “ O ooo Lush-oooo! Shkele atë ogur të zi, o im biiiir! Shkeleee!”
Drita e dobësuar e llambës me vajguri sa nuk ishte fikur, ndërsa në bunker , tisi i trashë i tymit të duhanit me monoksid karboni , Lushit dhe togeres u zinte frymën. Shtratin në bunker nga rrogozi e gjethet e aheve, ku rrinte shtrirë i plagosuri , Zoti e di kush e kishte shtruar gjatë luftës për ta bërë një sy gjumë pas betejave. Shtroja e lagur nga tajitja e ujit që rridhte nga dheu e gurët kundërmonte erë myku që të linte pa frymë. Përmbi rëndonin trupa të trashë lisash dhe mbi ta gurë të mëdhenj. Pika uji, njëtrajtshëm, rëndë pikonin në shtrat, duke krijuar monotoni vrastare nervash tek nxirrnin tinguj “çklluk…çkllak…”, ndërsa bashkoheshin në pellgun e të gjitha pikave që formonin një det në miniaturë. Të plagosurit që kishte derdhur shumë gjak i zihej fryma . Të rrahurat e zemrës i manifestoheshin me aritmi të theksuar të zemrës, duart i dridheshin, gishtërinjtë i kërcëllenin nga zjermia që e kishte kapluar. I plagosuri ishte zbehur si kufomë. Togere Bubulina vërejti frymëmarrjet e ngulfatura të të plagosurit, që vinin sa nga monoksidi i karbonit, të llambës së vajgurit, po aq edhe nga era e mykut dhe vrapoi e trishtuar t’i hiqte shulin portës metalike të bunkerit, që i përngjante varrit. Me kërcëllimën e bagllamave u hap dera e hekurt, ndërsa në horizont, togerja pa hënën somnabull , tek shëndriste Bjeshkët e Pashtrikut. Tok me dritën e hënës në errësirën skëterrë hyri edhe ajri i freskët pranveror, që ngadalë qetësoi gërhitjet e rënda të frymëmarrjes së të plagosurit , duke i mbushur mushkëritë me ajër të freskët . Pasi që u ngop me frymë, i plagosuri iu falenderua togeres që hapi portën , por mëndja nuk i shqitej nga ankthi i ëndrrës së keqe që e kishte zgjuar dhe përsëri fill e për pe i rirrëfeu ëndrrën togeres.
Togerja nuk kuptoi gjë nga ëndrra, që i plagosuri e quante të keqe. As nuk kuptoi pse ëndrra e të plagosurit mund të ishte e keqe. Ajo nuk i njihte asnjërin nga personazhet e ëndrrës së keqe të të plagosurit. Nuk dinte kush ishte Lugati, as Harun Bixhozxhia , as Akun Bishti. Madje, togerja nuk dinte as kush ishte i plagosuri të cilit i mjekonte plagët njëzet ditë me radhë , duke derdhur lotët mbi shtatin e tij , tamam , si motra e Gjergj Elez Alisë në epikën legjendare . Duke druajtur se mos do ta lëndonte shpirtërisht të plagosurin, kurrë nuk e kishte pyetur kush ishte , nga vinte, kishte kë në familje, cili ishte profesioni i tij... E dinte vetëm se të plagosurit mina i kishte këputur këmbën kur e rrëzuan gurin e kufirit shqiptaro- shqiptar dhe asgjë më tepër. E dinte se e kishte emrin Lush dhe se bashkëluftarët e quanin komandant Rebeli dhe asgjë më tepër. Këtë i kishte thënë Lushi togere Bubulinës sapo e kishte marrë veten, kur e strehuan të plagosur në bunker. Për mbiemrin e tij nuk dinte nëse e kishte nofkë të luftës apo vërtetë ishte patronim i tij familjar. Për togeren kryesore ishte t’i ndodhej gjithnjë afër të plagosurit dhe të përpiqej t’i shëronte plagët, ashtu siç kishte mësuar gjatë studimeve nga etika ushtarake amerikane për sjelljen etike të ushtarakut ndaj të plagosurit në rrethana lufte. As i plagosuri nuk dinte asgjë më tepër për togeren, përveç gradës ushtarake që mbante të varur mbi supe dhe emrin e saj që i kishte treguar vetë togerja. Lushi e dinte se togerja amerikane ishte shqiptare .Togerja fliste gjuhë të kulluar të shqipes, ndonëse të ngatërruar me sistemin tingullor të anglishtes. Lushi disa herë kishte dashur ta pyeste togeren për hollësira të saj biografike , por druante mos pyetjet e tij do ta lëndonin, duke e kthyer në jetën e saj të lumtur, kur po venitej në bunker si shpirt i keq, duke u përpjekur ta shëronte luftëtarin e panjohur, aleat i të cilit ishte në luftë.
Ndërsa , as togerja as Lushi nuk dinin nga t’ia fillonin muhabetit, vajguri i llambës u harxhua e drita u fik. Hëna e verdhë, ngritur lart në horizont diku mbi Bjeshkët e Nemuna , duke hyrë nëpër portën e hapur të bunkerit me flladin pranveror shëndriti shtratin e përgjakur dhe të zhubravitur të të plagosurit. Togerja vendosi ta thejë atë heshtje varri në bunker dhe e pyeti të plagosurin:
-Zotëri Lush, a mund të ju pyes kush jeni? Nga vini? Kë keni në familje?
Cili është profesioni juaj? – dhe pas pyetjeve mori frymë thellë e druajtur se hollësirat biografike të plagosurin do ta trondisin shpirtërisht. I plagosuri mori frymë thellë, pastaj ofshani, u mundua të lëvizë pak nga shtrati trupin e mpirë, rrudhi vetullat, shtrëngoi gishtërinjtë e duarve prej nga u dëgjuan kërcëllima eshtrash , ndërsa në ballin e gjerë ku binin xhufka flokësh të thinjur iu hapën hulli të thella , kur nisi të rrëfejë për hollësirat e veta biografike që nga fëmijëria e deri kur ishte njohur me togeren:
-Ashtu siç të kam thënë, quhem Lush. Nënë Naza e babë Isufi kështu më patën ripagëzuar. Nuk di pse, ndoshta atyre u dukej emër përgëdhelës që në jetë do të më sillte fat! Ndoshta ...?! Ku ta di unë, pse më kanë pagëzuar me këtë emër, por e di se emri im kurrë nuk më solli fat në jetë. Kam dëgjuar se të gjithë njerëzit që kanë emrin si unë janë njerëz të pa fat si unë...! Më falë togere, unë ndoshta të dukem superesticioz, ndoshta të dukem i krisur, mëndjeprishur, por është e vërtetë se të gjithë Lushat që i njoh janë njerëz të pa fat! Unë mund t’i numëroj të gjithë njerëzit që kanë emrin si timin që janë të pafat, por muhabeti do të zgjatej shumë. Lush Voglushit i patën vrarë tërë familjen në ofenivën e 2 shtatorit dhe kur të mbarojë lufta i shkreti do të mbetet fillikat vetëm. Të gjorin nuk mundi ta vrasë lufta, ndërsa ngadalë- ngadalë do ta vrasë vetmia e pasluftës. Lush Rrokotelin e pati shtruar nën dru Akun Bishti në vitin 1981 dhe pas shtatë vjet burgu u detyrua të ikë diku në metropolet e Evropës dhe atje u përzie me atë farën e mërgatës që të krisurit e quajnë diasporë, domethënë farë e humbur, farë e zhdukur ose farë që është e dënuar të zhduket. Nëse, ndonjëherë kthehet Lush Rokoteli për t’u çmallur në vendlindje, sigurisht, që Akunët do ta quajnë marksist- leninist. Munden t’i ngjesin edhe bishtin si tradhtar, duke u shitur si patriotë e shkuar patriotësh në llogari të tij. Madje, të gjithë Lushat do të ishte mirë ta kishin edhe mbiemrin Rebel, sepse të gjithë ishim një soj i veçantë i njerëzve që aspironin ideale kryengritëse kundër regjimeve të huaja. Ha! ha! ha! Sa i marrë që jam! Një togereje amerikane që bjerrë rininë e lumturinë e vet , për hir të lirisë time dhe vendit tim, i shpjegoj gjëra, ndoshta, fare të parëndësishme për te. Sigurisht që i duken profka apo marrëzira të një të krisuri me të cilat, sigurisht , nuk dëshiron të mirret.
Togerja u ndie e fyer nga reagimi i Lushit, duke iu pëgjigjur se vendi i tij është edhe i saj dhe se nuk ndihej e penduar që po humbaste lumturinë për lirinë e atdheut për të cilën kishte ardhur nga Amerika e largët dhe i sugjeroi bashkëbiseduesit të vazhdonte rrëfimin që i dukej si në filmat amerikanë me përmbajtje fantastike. Lushi, pasi që i kërkoi falje togeres për ngacmimin pa dashje, vazhdoi rrëfimin, por kishte harruar ku e kishte ndërprerë.
Pasi u mendua pak , ndezi një cigare , ndërroi edhe një herë pozicionin në shtrat , pastaj nisi të shpalosë kujtimet për veten, duke u çuditur se si pas të gjitha mënxyrave nuk kishte harruar biografinë e vet:
-Përveç Lush, më shpesh më quajnë Lush Rebeli. Harun Bixhozxhia ma pat ngjitur këtë emër. Ti nuk e di sa i poshtër dhe sa spiun i urryer është agjenti i UDB-së, Harun Bixhozxhia! Madje, ishte edhe më idiot se i vëllai , Akun Bishti! Njerëzit më të poshtër të familjes së Akunve të Mëhallës së Xhehenemit të kryeqytetit janë! Bile, as Lugati nuk është aq i pa shpirt e gjakpirës sa Haruni e Akuni. I poshtri , kur më pati zënë me flamur në dorë gjatë demostratave, m’i bëri brinjtë petë lakrori dhe ma shau nënë Nazën, Tokën , Zotin, Enver Hoxhën dhe më quajti rebel. Tamam para godinës së Rektoratit të Universitetit, sapo dola me flamur në rrugë, më pati kapur ai katil! Aq më bëri si më quajti, ama kur më shau nënë Nazën, Tokën e Zotin... u mundova t’i shkëpusja prangat në duar dhe t’i nxirrja shpirtin nga prapanica, por pasi që prangat nuk u këputën dot, mu në zyrat e shërbimit të intelegjencës edhe unë quajta Bixhozxhi...! Dhe , kështu nisi avazi i kryeqytetit. Mua më quanin Lush Rebeli e Harunin, Harun Bixhozxhia, ndërsa të vëllait të tij nuk di kush i kishte ngjitur emrin Bishti, por e di se i tërë qyteti e thërrasin Akun Bishti, mbase si hafije me nam që është, kur e do puna ta ngjet bishtin e kur e do puna ta pret bishtin! Teoria e Darvinit për atavizmin, apo kthimin e gjallesave në gjendjen e parë kur i krijoi Zoti , si teori dhe praktikë moderne e atavistëve , askund nuk mund të shihet më mirë se sa në trupin fizik, mendor dhe shpirtëror të Akun Bishtit, i cili sa hap e mbyll sytë, njeriut i pret ose i ngjet bisht. Tashmë, është vështirë të gjendet në kryeqytet njeri i cili nuk ka bisht, ngase të nxitur dhe të stisur nga sukseset e Akun Bishtit gati të gjithë kryeqytetasit u patën yshtur për t’u shndërruar në bishtaxhinj , kurse tash nuk dihet kush kujt i ka ngjitur bisht as kush ka e kush nuk ka bisht, duke mos shpjeguar gjenezën e bishtit, por bishtat , gati të gjithëve iu duken, sado që kryeqytetasit në mënyrë permanente, fare perfide, kujdesen ose t’i fshehin ose t’i prejnë bishtat! Akun Bishti ngjitjen e bishtave e shpjegon me teorinë e atavizmit, gjeja se pasi që të parët e kryeqytetit do të kenë pasur bishta është gjynah t’u zhduken, por të modifikohen në bishta modernë sipas shijes së dizajnerve të artit bashkëkohor të bishtaxhinjve të kryeqytetit ! Ndërsa, te ne, gara për të ngjitur bishta është fare e rreptë , pa kritere dhe pa normë as morale e as ligjore. Kur në kryeqytet filloi pluralizmi politik, të parat u formuan partitë e shoqatat e bishtaxhinjve me programe të veçanta , të destinuara enkas për ngjitjen dhe prerjen e bishtave! Ngjitjen dhe prerjen e bishtave në kryeqytet e kuptojnë dhe programojnë si akt patriotik dhe moral pa të cilin askush nuk mund të ngjitet në shkallët e mundimshme të hierarkisë politike, që kryeqytetasit e quajnë pari e zgjedhur ose elitë. Partitë e shoqatat e bishtaxhinjve kanë shpallur konkurs të hapur përherë për pranimin e veprave të bishtaxhinjve dhe ndajnë çmime prestigjioze për artin e bishtaxhinjve, ndërsa juria që vlerëson shijet estetike të autorëve për secilin bisht është fare e pa hile!! Çmimi i parë arrin vlerën e njëqind romaneve të botuara, ose sa vlera e të gjitha pikturave të Pablo Pikasos , Van Gogut , Ibrahim Kodrës ?!...
Togere Bubulina prapë nuk kuptoi gjë nga paqartësia e rrëfimit të Lushit kur fliste për bixhozxhinj, rebelë , bishta, parti e shoqata bishtaxhinjsh, por nuk i ndërpreu Lushit rrëfimin , i cili nuk i dukej i qartë, por i dukej fare interesant. „Këtu paqartësia shpesh herë duket më intersante se qartësia ! “ mendoi togerja. Sidomos togeres iu duk interesant episodi i rrëfimit kur Lushi ka tentuar t’i shkëpusë prangat që i lidhnin të dy duart, i cili i përngjau rrëfimit biblik për Samsonin e Fan S. Nolit, që këputë nga këmbët e duart vargojt e lidhur nga Rahila e Dalila. Ju kujtua kur nënë Trashja i kishte sjellë nga “Vatra” dramën “Israelitë e filstinë” të Nolit. Ishte libri i parë shqip që kishte lexuar. Derisa bisedonte me Lushin, togeres i kishte shkuar mendja se ndoshta Samsoni i Nolit ishte pikërisht Lush Rebeli. Pastaj togeres i pëlqeu rrëfimi i të plagosurit për shoqatat e bishtaxhinjve si dekor i demokracisë moderne , që në Amerikë dhe botën moderne nuk ekzistojnë dhe fare pa kuptuar gjë nga filozofia e ngjitjes dhe prerjes së bishtave , u zotua se kur të kthehet në Amerikë do ta formonte edhe ajo një shoqatë të tillë, e cila do t’i joshte shqiptarët e atjeshëm, të cilët, padyshim, do t’i kishte ithtarë të vet, me të cilët do të përftonte nga rasti të kandidohej për senatore në Senatin Amerikan!?
Shiriti i kujtimeve përsëri diku iu këput Lushit dhe mendja kush e di ku i vajti .Një heshtje e rëndë prapë pllakosi bunkerin që rëndonte mbi kokën e togeres dhe të plagosurit si dhe varri, por togerja e mërzitur me heshtjen monotone të labirinthit të bunkerit dëshironte që atë natë rrëfimi i Lushit të zgjatej e stërzgjatej deri në agim.
-Vazhdo, zoti Lush, të lutem vazhdo! Thyeje sonte heshtjen! Le ta dijë errësira , gurët e dheu i bunkerit se brenda ka të gjallë... se ka shpirtëra që nuk mundi t’i vrasë lufta shtrigë…! Ah! Heshtja e mallkuar si gjarpërushë më është lidhur e nuk më shqitet dot qe njëzet ditë e njëzet net. Më trego më përqartë, Lush kush je? Sonte vetëm biografia jote më joshë ta dëgjoj. Vetëm rrëfimi yt më bën të di kush jam.
Kur togerja përmendi emrat Trashe dhe Zunoj, Lushi u bë më kureshtar dhe më me ngulm kërkoi nga togerja detaje për ish bashkëfshatarët e tij, që nuk i kishte parë kurrë, por i njihte nga rrëfimet e të ëmës. !
-Ti...! Ti...! Ti..! E bija e Zunoj Zenës dhe e Trashes...! O Zot ! A jam në ëndërr apo në zhgjëndërr...?! O Zot , bacë Zunoji , gjallë, a?! Pas pesëdhjetë vjet vdekjeje tash të gjallë bacë Zunoji e nënë Trashja ...! Me lotë i patën qarë babë Isufi e nënë Naza që kur u tretën... Me lotë i kanë qarë Lisguri , Zgori e Gurra...! Janë pesëdhjet vjet që në Lisgur i kanë varret e hapura..! Varre të shkreta i quajnë varret e tyre të hapura ...! Ndërsa...! Ndërsa ...! Ata gjallë...! Dhe fruti i farës së tyre prapë i
-.Çaste thyerjesh emocionale, mallëngjimi e stërkeqjesh shpirtërore pas luftërave kanë përjetuar edhe gjeneralët më të mëdhenj që qëndisin faqet e historisë botërore e lëre më unë Lush Rebeli, që nuk marr vesh nga arti luftarak. Akili i Greqisë antike ishte ligështuar kur e qëlluan në thembër, Leonida u ligështua kur pa ushtarët e vet të masakruar në fushëbetejë, shkabat tek u nxirrnin sytë , Napoleon Bonaparta sa nuk është çmendur kur humbi luftën dhe e nisën në mërgim për në Shën Elen...Kserksi i Eskilit i mposhtur nga grekët në Betejën e Salaminës vajtoi me gjamë ushtarët e rënë... Njeriu që nuk di të mallëngjehet në luftë, togere, ose është i krisur ose idiot i pashpirt ose trim budalla! Mos u merakos togere Bubulinë,sonte nuk do të vdes . Edhe nëse do doja të vdisja , sonte nuk mund të vdes ...! Më beso, sonte nuk mund të vdesë Lush Rebeli ! Lush Rebeli nuk mund të vdesë pa e hedhur në bulevardin e kryeqytetit vallen e ëndërruar të lirisë në netët e gjata në Goli Otok, Idrizovë, Gradishkë... Nuk mund të vdes pa e hedhur një valle në rrugët ku humba rininë, ku njëzet vjet demostrova për liri. Ndoshta nuk ka gjë të keqe nëse do të vallëzoj me një këmbë! Ndonjë torollak, ndoshta, do më shajë mua dhe luftën që nuk më kapërdiu. Dikush do të qajë për fatin tim të zi . Ndonjë tjetër, ndoshta, do të qajë për këmbën time të mbetur në kufi. Por, e di se vallja ime do të jetë vallja unikate në historinë e vallzimit. Valle që nuk ka parë kurrë kryeqyteti do jetë vallja ime. Nuk ka rëndësi nëse do të rrjedhë gjak nga këmba apo jo. Atje,njerëzit janë mësuar të shohin gjak dhe besoj se nuk do të trishtohen as nga gjaku i këmbës time. Edhe gjaku im është i kuq si i atyre që u derdh në rrugët e kryeqytetit dhe në male, prandaj nuk dëshiroj as të trembet , as të tmerrohet njeri nga gjaku im që do të derdhet edhe një herë në vallen e lirisë . E di, se do druajnë mos do rrëzohem gjatë vallzimit ... Por të gjithë duhet të kuptojnë se Lush Rebeli nuk rrëzohet dot, ashtu sikur nuk u rrëzua as nuk mori në thua kurrë në përpjekjet për liri. Pastaj... Edhe nëse do të doja të vdisja, sonte nuk mund të vdes pa e parë nënë Nazën, duke ma uruar fitoren. Jo, jo.Togere, mos u merakos, sonte nuk do të vdes ...! Nëse do të vdisja sonte do të vuante shumë nënë Naza. E shkreta më ka vetëm mua. Me sa të vështira më ka rritur e gjora. Me pe e gjilpërë më shkolloi derisa mbarova universitetin. Sa nuseve të kryeqytetit nënë Naza u ka përgatitur pajën, ndërsa paratë m’i dërgonte në burg, atje ku mbarsej fruti i lirisë. Kurrë nuk munda t’i paguaj hakun nënë Nazës. Borxhli ndaj saj jam në këtë dhe atë botë. Grua e pa burrë ishte e gjora. Ata të pashpirtët e Mëhallës së Xhehenemit e përqeshnin, duke e quajtur vejushë. Pizevengët e kryeqytetit i vardiseshin sikur të ishte Dudie hanmi apo Tatlije fallxhesha, ndërsa unë sa nuk pëlcisja nga inati kur më quanin i biri i vejushës. O Zot, shuaje Mëhallën e Xhehenemve me gjithë fisin e Akunëve!
Kur më pati burgosur Akun Bishti, tërë fajin tim i pati mveshur edhe nënë Nazës. E diferencuar, e linçuar moralisht, e ekskomunikuar, nënë Naza ishte gruaja më fatkeqe e botës. Agjentëtët e Akunit , Harunit dhe Lugatit e rrahnin e burgosnin dhe mund ta vrisnin çdonjërin që guxonte t’i thoshte një fjalë të mirë, madje edhe të keqe nënë Nazës. As bukëpjekësi i mëhallës nuk i shiste bukë, as mjeku nuk e vizitonte kur sëmurej, as farmacisti nuk i shiste ilaqe. Të gjithë e injoronin se kishte lindur djalë rebel, që kishte këcënuarr bashkim- vëllazërimin e Titos. Kur nuk i flisnin, nënë Naza sa nuk çmendej. Dëshironte ta shanin, ta pështynin, ta shtronin në dajak, vetëm t’i flisnin, ndërsa nuk i fliste njeri , ndoshta nga inati i prishjes së bashkim – vëllazërimit të Titos, ndoshta edhe nga frika se po të dëgjonin hafijet e Lugatit , nëna e vet nuk do ta njihte bashkëbiseduesin e nënë Nazës, kurse Lugati e Akunët kishin shije e nuhatje të hollë për çdo gjë, jo vetëm që flitej, por edhe që ëndërrohej në Mëhallën e Xhehenemve. Lugati me trajtë njeriu kishte pushtet sa një det! Eh, nënë Naza! Nënë Naza! Diferencimi poilitik, edhe pse ti nuk mirrje erë në politikë, të bëri të flasësh me vetëveten, të ndau nga të njohurit e të panjohurit, të ndau nga miqët dhe të vuri në shënjestër të Akunëve të Mëhallës së Xhehenemit. Pastaj... Pastaj... të quajtën Naza e krisur...! Naza budallaçe...! Naza matufe...! Naza e çmendur...! Gruaja më e nëpërkëmbur e botës ishe, nëna Nazë. Të mbaj mend kur flije me urnën e babait që e kishin futur në shishe pasi që i dogjën kufomën ! Sa shtrenjtë e bleve urnën e babait nga agjentët e UDB-së. Shtëpi e katandi në Lisgur u shite të bijve të Elez Maxhupit për ta blerë shishen me urnën e babait dhe paratë i mori Novica i Zi. Sa ëmbël flisje me urnën...! E mbaj mend kur i tregove se isha diplomuar në universitet. Çmalleshe me urnën sikur babai të ishte vërtet i gjallë. Sa mirë e kuptoje gjuhën e kufomës së djegur. E ndjeje aromën e hirit të burrit tënd. Vetëm ti i shihje shpupulimat e flatrave të Feniksit të mbyllur në shishe që herë pas herë hakërroheshin të dilnin jashtë dhe të fluturonin. Ku ta di unë?! Ndoshta çoje edhe dashuri me urnën e Isuf Lisgurit! Net të tëra kam kaluar pa fjetur duke të përgjuar ç’i thoshe e ç’të thoshte hiri i tim et! Pasi që ngopeshe me muhabete, i shtroje shtratin, i vurje jastëkun nën krye dhe e shtrëngoje
Si duket, i plagosuri i tretur në të kaluarën e hidhur të së ëmës dhe të et, fare kishte harruar se e kishte afër togeren, e cila duke e vështruar mendonte se Lushi vërtet po vdiste dhe se monologjet e tij ishin çastet e fundit të përpëlitjeve në luftën jetë – vdekje, që zhvillohej në agoni . Prapë një heshtje e trishtë varri pushtoi bunkerin, ku shtrihej i plagosuri. Lushit iu harxhuan fjalët për të cilat ndiente aq nevojë togerja , ndërsa togerja akoma nuk kishte hapur kutinë e pandorës së kujtimeve të hidhura nga jeta e nënë Trashes dhe babë Zunojit, që ndiheshin krenarë me të bijën që po kthehej në luftë për lirinë e atdheut. Heshtjen në bunker përsëri e theu Lushi pasi që piu dy- tre hurpa ujë nga pugurja që i solli togerja.
-Ndoshta, togere të mërzita me peripecitë e mia dhe të nënë Nazës. Kurrë, askujt nuk i kam rrëfyer hapur për dhembjet, fatin e dashuritë e mia. Për herë të parë sonte rrëfeva dhe sonte u shfreva . Je njeriu i parë që i hapa zemrën për përkushtimet e mia dhe vuajtjet e nënë Nazës .
Togerja përsëri heshti, duke mos kuptuar nëse i plagosuri ishte esëll apo fliste në agoni. Kurrë nuk kishte parë njeri duke vdekur, ndaj pranë të plagosurit qëndronte e nemitur si mumje e gjallë, kurse heshtja e saj bëri që i plagosuri të dyshojë mos rrëfimi i tij i gjatë ishte monoton dhe ndoshta togeres mund mos t’i ketë interesuar fare.
- Togere Bubulinë- iu drejtua përsëri i plagosuri , paksa i ndrujtur, togeres, e cila kush e di ku i kishin tretur mendimet- fol ose sonte mund të çmendem! Ajo ëndrra e keqe tmerrësisht më ka çakërdisur mendjen. M’i ka zhdaravitur kujtimet... M’i ka zgjuar dhembjet. M’i ka vrarë shpresat. Sonte vetëm fjala jote mund të më shpëtojë nga çmenduria. Të lutem fol diçka, nëse vërtetë ndjen dhembje ndaj meje ! Kij mëshirë togere! Kupto, nëse nuk flet do ta kesh më të vështirë të merresh me mua! Do t’i harrosh plagët e gjakun e këmbës dhe pastaj do të duhet të merresh edhe me çmendurinë time! Sa e pa fat që ishe togere që të ka rënë për hise të merresh me një çalaman që në çdo moment mundet edhe të çmendet , këtu, në bunkerin e errët!
Pas rrëfimeve të të plagosurit, togerja mbeti disi e hutuar , ndërsa nuk ishte fjala se nuk dëshironte të fliste, por nuk dinte nga t’ia niste bisedës. Çkado që do të fliste mund ta thyente shpirtin e trazuar të të plagosurit , që përpëlitej për jetë a vdekje.
-Të shkuarat, të harruara qofshin Lush! Tash do të fillojë një jetë e re pa Akunët e Lugatin. Lufta mbaroi Lush Rebeli.Kjo natë do të jetë nata e fundit në bunker, ndërsa nesër...? Nesër do të kthehen luftëtarët, këtu në bunker, me flamuj e këngë të fitores dhe bashkë do të nisemi krenarë dhe ngadhnjimtarë për në kryeqytet.
-Të shkuara qofshin, togere Bubulinë, por kurrë të harruara! Nuk mund të harrohet hiri i kufomës së Isuf Lisgurit, as linçet ndaj nënë Nazës, as vitet e Zunoj Zenës në bunker, as përdhunimi i nënës sate, Trashes nga çetnik Rasha, që lindi fëmijën e padëshiruar. Nuk mund t’i harroj Lugatin, Akunin , Harunin ... që një çerek shekulli më ndoqën këmba këmbës. Jo, jo. Nuk mund as t’i falë as t’i harroj ato kërma të ngordhura . Të shkuara , por kurrë të harruara! “Një popull që harron sakrificat për liri është i dënuar të jetojë në skllavëri!”, ka thënë dikush, emri i të cilit nuk po më kujtohet, por sigurisht që ai dikushi do të ketë qenë njeri i mençur që nuk ka dashur të harrojë. Mos e bëftë Zoti që as unë as populli im të shndërrohemi në harrestarë! Sa herë që harruam të zezat na u trefishuan, ndoshta u dhjetëfishuan gjithnjë në trajta zezonash, që nuk mund t’i mbulojë dot hiri i harresës.
Togere Bubulina deshi të reagojë ndaj meditimeve për të shkuarën, të harruarën e të paharruarën, për qëndresën e sakrificën, që fliste i plagosuri, por gjumi i para agimit i paloi qepallat të plagosurit, ndërkaq përmes portës së bunkerit pa se hëna tinëzisht kishte dalur nga bunkeri dhe ishte fshehur diku prapa bjeshkëve, kurse ylli i mëngjesit paralajmëroi ditën e re që po lindej. Fare afër të plagosurit, në shtratin prej rrogozi e gjetheve të lisave , që vazhdimisht kundërmonte erë myku, djerse e gjaku, u shtri edhe togerja për ta bërë një sy gjumë, duke menduar se të nesërmes kurrë nuk i dihet saktësisht.