E premte, 02.05.2025, 04:21 AM (GMT+1)

Kulturë

Alma Papamihali: Intervistë me regjizorin, aktorin dhe skenaristin - Anastas Nika

E merkure, 14.04.2010, 09:59 PM


Intervistë me regjizorin, aktorin dhe skenaristin -  Anastas Nika 

 

Kur je krijues, je një ''zot i vogel", që ndërton botën ashtu siç e mendon, për t´i ardhur në ndihmë njerëzimit.

Gjithcka do fantazi positive! 

 

Nga Alma Papamihali 
 

Biografia, me fillesat dhe vështirësitë e para.

 

A. Nika

 prej vitit 1990, si i sapodiplomuar, e deri më sot,  punon pranë teatrit  në Sarandë si aktor-regjisor-skenarist. Ka shkruar e vënë në skenë, duke qenë protagonisti kryesor në këto premiera:"Po të mos kesh kokë", "Një shqiptar në hënë", "No coment", "Syri jeshil në kohë të tretë" si dhe komeditë "Marrëzia e një të mënçuri", "Tre kërcunjtë", "Dhëndri nga Amerika" si dhe komedi me një akt "Vaji i dashurisë", "Këngën ma dëgjoni nesër", "Gjyq në fund të shekullit" dhe "Krijimi i Partisë Lakuriqe". Në vitin 1992 realizon me shumë sukses komedinë e Nobelistit Italian Dario Fo "Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq" . Ne vitin 1993, ngjit  skenë komedinë e Jani Durit ''Konti i Monte Petreles''. Në vitin  2003  në Sarandë rregjisori i njohur i tragjedive  ''Antigona'' dhe ''Medea''dhe mik  i vertetë, Mikel Kalemi  do të nisnin punën  për vendosjen në skenën e Butrintit,  tragjedinë  e Sofokliut ''Antigona''- ku Anastas Nika, do interpretonte rolin kryesor, atë të Kreontit. Në vitin  2004, rregjisori  i njohur dhe i talentuar Spiro Duni, merr rrugën  për në Sarandë, për të vënë në skenë  komedinë e autorit kroat Miro Gavran  ''Burri gruas sime'', ku do interpretonte në rolin e  Tonit. Në  vitin  2006 ish aktori i teatrit  Kombëtar dhe  për 30 vjet spikeri i lajmeve në TVSH, Shefqet Bregu,  vë në skenë në Sarandë, monodramën ''I çmënduri që bëhet mbret'', përshatur prej tregimit të Nikollaj Gogolit  ''Ditari i një të çmënduri''- ku aktori do interpretonte për më shumë se një orë, i vetëm në skenë, rolin e Poprishinit, rol të cilinpubliku e pret me shumë dashuri. Në vitin 2007 kritiku i teatrit Josif Papagjoni, do të vendosë  pjesën  e shkruar prej tij ''Endërr apo zhgjëndërr '' ku do të interpretojë me sukses rolin e Zotit.

Ne vitin  2008 ftohet prej rregjisorit Mikel Kalemi në Tiranë, i cili pas suksesit të madh me tragjedinë ''Medea'',do të vendoste  në Teatrin Kombëtar  dramën  gjermane të Tankred  Dost ''Kthesa'', përkthyer nga rregjisori i njohur Kastriot Cipi, i cili kishte përkthyer dhe komedine ''Burri i gruas sime'' ku do të interpretonte rolin e viktimës.Së  fundi, në bashkëpunim me teatrin'' Bylis'' u vu nga rregjisori  i ketij teatri Klajdi Marku, dy komedi të autorit  të viteve 30' Kristo Floqi si ''Vëllazëri me interes'' dhe komedinë tjeter ''Zi e më zi''- ku interpreton rolin e Mitit. Ka realizuar  rreth  4 dokumentarë, kushtuar  figurave të ndryshme   historike kombëtare, me skenar dhe rregji, realizuar nga vetë Anastasi, formatin televiziv ''Pak Dritë'' me poezi, të ndërtuara në forme klipi në vendet më të bukura  përreth Sarandës.Në kalanë e Lekuresit, ka realizuar gjithashtu suksesshëm një Miss bukurie dhe nje sfilatë mode.

      

Alma: Përshëndetje z. Nika dhe faleminderit për mundësimin e këtij bashkëbisedimi, në mënyrë që lexuesi shqiptar të njihet edhe më mirë me artistët shqiptarë dhe punën e palodhur të tyre. Kur i thatë vetes, që une i përkas Aktrimit, apo artit skenik në përgjithësi...

 

Anastasi: Kam lindur në një fshat diku afër  qyetit antik të Butrintit dhe dihet jeta e bukur e fshatit. Duke qenë në një natyrë të mrekullueshme, shpesh organizoja lojra teatrale dhe them se fillesat e para, jane pikërisht atje, në fshatin tim të bukur, në lëndinenme kurora delesh dhe gjethe ulliri në koke, ku shpesh kur ishim duke bërë vargjet e para...Mendoj se të bëhesh dicka nuk është punë dëshire, por je edhe i detyruar të bëhesh. Kjo do të thotë që unë nuk u bëra aktor se kisha dëshirë, por unë mendoj dhe tani e kam bindje, se kisha lindur për tu bërë vetëm aktor, dhe ndoqa atë që më kishte përcaktuar ''fati'' . Pavarsisht, që të jesh dikush thonë duhet një herë talent dhe dhjetë herë  punë, por ajo ''1 herë talent'' është shumë e shumë  më tepër se 10 a 20 herë punë.Pa atë "1 herë"nuk bëhesh dot, ndaj dhe shumë dështojnë, se ata nuk kanë lindur për këtë punë, por për diçka tjeter. Paaftesia shpeshherë është mosqënia atje ku duhej të jesh, dhe kjo ndodh se ai nuk ndjek instiktin, por dëshirën e tij e aq më tepër atë të imponuar nga të tjerët a rrethanat.                                                                                                                          

 

Alma: Po në familjen tuaj, ishte dikush që i përkiste këtij zhanri...A keni ndjerë në fëmijërinë tuaj diçka të tillë...

 

Anastasi: Me sa di unë nëna ime, këndonte shumë bukur madje edhe sot, ajo  tregon  e flet si një aktore e vërtetë. Një fytyrë e qeshur që buron vetëm dritë e mirësi. Ka një të folur tejet të  pastër, e me një timbër të ëmbël ku dhe aktoret tona sot do ta kishin zili të folurin e zërin  e saj. Babai -thonë- ka interpretuar rolin e një gruaje plakë, pasi femrat nuk pranonin të luanin në skenë dikur. Habitem si e ka bërë këtë, pasi ai është shumë  i rëndë dhe i prerë, por edhe ai ka humor të hollë, megjithese një portret  për role tragjike. (qesh)    
 

Alma: Ndër rolet e realizuara deri më sot, cili mbetet roli  i dashur për ju...

 

Anastasi: Thuhet nga aktorët, se rolet janë si gishtat e dorës...Por sigurisht, ka role që vërtet aktorin e mundojnë shumë, dhe  aq me kanë munduar disa, e megjithe punën e stërmundimshme qe kisha bërë, prapë  para se të dilja në skenë (në ndonjë rast dhe brenda skene), kur sapo kisha hyre dhe ndodhesha perballe publikut,  dridheshin këmbet dhe nuk i frenoja dot.

E kjo ndodhi tek nata e parë e tragjedisë ''Antigona'', ku një aktor që ishte poshtë meje ndjente dridhjet e objektit ku unë qëndroja, por pas fjalëve të para, çdo gjë ishte në një siguri të plotë. Pra një nga rolet e mi më të dashur që do të doja ti rikthehesha (dhe rregjisori e ka këtë mendje) është roli i Kreontit  tek''Antigona''.Gjithashtu  roli i Poprishinit tek  monodrama ''Ditari i një të çmënduri''te  Gogolit. Por nuk dua të le pa përmendur  dhe rolin i Tonit tek ''Burri i gruas sime'', ku shumë që e kane parë e vlerësojnë si një arritje; pasi kisha dale jashtë natyrës sime ku shquhem për role të fuqishme emocionale dhe ai ishte krejt një gjë tjetër...  

 

Alma: Projekte, apo dëshira që keni ndër mënd për të ardhmen...

 

Anastas:Kam shumë projekte, por dhe jam me parimin :''Më mirë puno kot,se sa të rrish kot'' (qesh)

Ëndrrat janë pafund. Kam ende shumë jetë, për të qëndruar në skenë dhe besoj se do të interpretoj shumë role të reja. Ëndrra ime për të ardhmen do jetë realizimi i figurës  Sokratit të Platonit, por një Sokrat ndryshe në koncept, tekst, dhe vënd. Dhe kjo gjë do tëndodh këtë vit, në një amfiteatër tejet të vjetër e të madh, nga më të medhenjtë në Mesdhe, zbuluar së fundi, ku edhe shfaqja do të jetë në dy gjuhe .Gjithashtu, sapo mbarova skenarin për një dokumentar,(dhe së shpejti fillojme xhirimet), nisur sipas një eseje, e cila  ka fituar një çmim botëror dhe bën fjalë për Sarandën si Qëndra e Botës.Mendoj se kjo do të jetë një hymn per Sarandën  (e jo vetëm për të) e do të ngelet një vlerë për gjithë brezat që vijnë.Edhe shumë të tjera si shfaqje teatri, tragjedi e një format te ri televiziv me poezi në formë klipi të autoreve shqiptarë dhe atyre nga bota.

 

Alma: Ku qendron ndryshimi mes filmit dhe teatrit... dhe ku e kategorizoni ju veten në lidhje me to...

 

Anastas: Aktori i mirë ose i ''plotë'' sic thuhet, mendoj se  i bën të gjitha llojët e karakteret, pavarsisht nga shkalla e realizimit(aktori shndërrohet-e. Nëse nuk arrin të shndërrohesh dot, atëhere  je aktor i kufizuar…?!)

Ndryshimi mes filmit e teatrit,mendoj, pasi janë  thënë e stërthënë shumë ndryshime, është se aktori i teatrit, përveç forcës  fjalës, duhet të sjellë në skenë  edhe atmosferën e natyrës, duhet të përjetojë pranverë a dimër, apo vapë korriku, det a mal...kurse aktori i filmit, nuk ka pse ta sjellë atë. Ai gjëndet mes natyrës ku e jeton e përjeton dhe ndonjëherë edhe keq, duke e rrezikuar edhe veten.E dyta, mendoj është të folurit ''në jetë'' (në film) dhe të folurit ''si në jetë''(në teatër), por ajo që duhet të kuptojnë të dyja palët, se në të dy rastet, fjala dhe veprimi është ngritur në art dhe kërkon që ashtu ''ëmbël'', të mos e harrojë këtë gjë, si aktori  i filmit dhe ai i teatrit. E treta, është se personazhet në teatër janë më artistike se në film, që shpesh janë jetësorë e më  jetësorë. Janë simbole që marrin pamjen, flasin artistikisht e levizin në bazë të idesë së rregjisorit, e ku shpesh bëhen ''manekenë'' në dorën  e rregjisorit, gjë për të cilën sot bëhet një diskutim e debat i madh për lirinë e te drejtat e njëri-tjetrit…  

 

Alma: Përveç një aktor i suksesshëm, ju jeni gjithashtu edhe nje regjizor i njohur dhe po aq i përkushtuar.

Lidhja me regjizurën...

 

Anastasi: .

 

Je krijues, je  një ''zot''i vogel,që e ndërton botën ashtu sic ty e mendon,  për ti ardhur në ndihmë njerëzimit, që njerzëit të kënaqen e të bëjnë ''katharsis'', (ashtu si në poezite tuaja të mrekullueshme, që pasi  i lexon kthjellohesh si ''një i dehur pas pijes''dhe pyet veten se ku gjëndesh në raport me veten, tjetrin e shoqërinë) Jo të gjithë aktorët e rregjisorët me diplomë, mund ta bëjnë. Ajo është një ''dhunti perëndie''. Kërkon fantazi, fantazi, fantazi. E ç'farë nuk kërkon fantazi. A nuk do dhe vete dashuria, familja, puna dhe jeta fantazi…?!Gjithcka do fantazi positive! Mua me trembin njerëzit që nuk kanë fantazi, se ata i bien shkurt, si dhe ata qe kanë atë negative(çështje karakteri..). E pastaj duhet të jesh eruditë, të kesh një shpirt të madh e të gjërë, një mënyrë  komunikimi të ngrohtë e jo të lodhshme, e të përfaqësosh denjësisht atë i cili ti je.E bukur dhe e vështirë regjia (e vërtetë) por kur ja arrin, ''Eureka''?! 

 

Alma: Jetën skenike e bëjnë edhe më të paharueshme lidhja dhe momentet me kolegët, të cilët janë si vetë filmi dhe skenarët, që bëhen pjesë tëndja. Kolegë  paharruar për ju, apo një përvojë me një emër të shquar kinematografik...

 

Anastasi: Kujtoj dhe vleresoj, mikun tim aktorin e talentuar, Herion Mustafaraj, të cilit i jam shumë mirënjohës për gjithçka, qoftë nga ana profesionale, apo dhe ajo shoqërore. Kujtoj dramat ''Shtigat e Salemit'',''Mikroborgjezet'',''Njeriu që pa vdekjen me sy'' ''Familja e peshkatarit'',''E bukur shtëpi e vjeter'' ,''Dashuria nuk eshte loje'', ku  ose do të ishim ''babë e bir'' ose ''i miri dhe i keqi''. Gjithashtu, edhe Enea Zhegun e vlerësoj për gjithcka që ka bërë për mua në vitet studentore. Të dyve u jam tejet mirnjohës! Dhe tjetri, që sëpari i vlerësoj karakterin e tij të forte, dhe së dyti (që dhe ajo është në lartësinë e karakterit) - ana profesionale, mikun dhe rregjisorin e njohur dhe i talentuar i teatrit  sotëm shqiptar, cilësuar nga media e kritika si ''djali i tragjedisë moderne'' ...Mikel  Kalemi, me të cilin mbaj kontakte mjaft të afërta...(flasim e thurim ide  për vepra të reja teatrore, apo dhe filmike)

.

Alma: Për ju jeta përveç anës profesionale, ka edhe kuptimin protagonsit, siç është familja. Ju keni dy djem dhe tek ata, me sa kam parë disa video të realizuara nga ju, është brymosur gjithashtu, dashuria për artin në pergjithësi, apo lojën skenike ne veçanti...

 

Anastas: Djemte mi kanë ndjekur  festivalin e Butrintit per 10 vjet rresht, qysh në moshën tre vjecare dhe kanë parë rreth 80-90 shfaqje në Butrint, dhe  më besoni, ata janë mbajtur në prehër  e puthur nga buzët e legjendave te teatrit e filmit shqiptar si  Kadri Rroshi,Violeta Manushi, Margarita Xhepa, madje mbaj mend një natë kur ishte stuhi e madhe me erë e shi, dhe aktorët në skenë nuk donin të linin shfaqjen, por edhe djemte e mi nuk donin të iknin, i paharuari Kadri Rroshi, që kishte disa gazeta, ua vendosi në gjoks nëpjesën e kurrizit, që të mos depërtonte shiu në trup. Besoj janë këto impresione, punët e mia, që bëj në skenë apo  filma, ku ata jo pak herë, do të jenë edhe si aktorë të vegjël, e të paktën  nëse nuk u bënë artistë, do të jenë artistë në shpirt e spektatorë te kulturuar..Cdo gjë tek ata ka ardhur organikisht,pa imponim,pasi është mjaft e dëmshme për jetën e tyre. Falenderoj gruan time, që dhe ajo  punon  në stilin  e saj pa i imponuar, por duke i drejtuar ku ata vendosin këmbën vetë,  e ritheksoj vetë! 

 

Alma - Pasione, apo hobe të tjera të Anastasit...përveç artit skenik...

 

Anastas - Një nga hobet e mia ka qenë kënga, dhe për këtë më vjen keq dhe e kam si peng, që nuk e vazhdova dhe kanton, krahas aktrimit. Gjithashtu, krijoj skenarë artistikë për dokumentarë dhe filma të shkurtër, komedi si dhe ndërtoj librete për  teatro poetike, ku deri tani  kam realizuar katër të tillë  si ''Nënë Tereza,''Skënderbeu'', ''Nëntoriada'' dhe ''Pulëbardhat e Jonit'' Mbase një ditë do të realizoj ''Shtegëtim pulëbardhe'' (qesh).Gjithashtu, për gjithë këto vite, kam përgatitur studentët që kanë shkuar në Akademi të ndryshme të artit skenik...Përmend këtu aktorin e shquar shqiptar në skenën e teatrit e filmit grek, Laert Vasili, regjisorin e talentuar i cilësuar "djali i tragjedisë moderne" - Mikel Kalemi, Ervina Kotolloshi në spektaklin "Portokalli"- në rolin e Ponjës e Adelës , Armela Demaj e Najada Elmazi etj.Nuk është besoj rastësi,  gjithë studentët nga Saranda, janë ndër më të mirët gjatë shkollës, por dhe në jete..?! Eshtë bukur të lindësh femijë biologjikë si prind, por dhe të  ''lindësh''  artistikisht fëmijë?! 

 

Ju falenderoj për këto përgjigje mjaft interesante, duke ju uruar suksese të mëtejshme në rrugën e artit. 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx