Kulturë
Hajdin Morina: Romane që shpalosin çjetëzimin e jetës nën diktaturë
E enjte, 15.04.2010, 09:58 PM
ROMANE QË SHPALOSIN ÇJETËZIMIN E JETËS NËN DIKTATURË
Nga Hajdin Morina
1. Ismail Kadare, “Vajza e Agamemnonit”, roman, shtëpia botuese “
Romani “Vajza e Agamemnonit” është vepra e parë e distikut letrar, të cilin e përbën edhe romani “Pasardhësi”, vepra këto që janë motivuar nga jeta e njerëzve nën diktaturën komuniste shqiptare, e cila, siç thotë Ismail Kadare, e kishte çjetëzuar jetën, e kishte tharë atë, e kishte shkrumbuar për ta sunduar më lehtë. “Vajza e Agamemnonit” është shkruar më 1985 dhe më 1986 është depozituar në “Banque de la cite”, bashkë me vëllimet në prozë “Hija”, “Ikja e shtërgut” dhe me një numër vjershash të Ismail Kadaresë. Depozitimi i këtyre veprave në Paris ishte bërë për shkak se ishte i pamundshëm botimi i tyre në Shqipëri, dhe Kadareja lejonte që ato vepra të depozituara të botoheshin në momentin më të përshtatshëm për to dhe për autorin.
Subjektin e këtij romani e përbëjnë ngjarjet që lidhen me një dashuri të parealizuar për shkaqe politike dhe shumë ngjarje të tjera që kanë të bëjnë me fate tragjike të qytetarëve nën diktaturë. Është roman që shpalos para lexuesit funksionimin e tmerrshëm të mekanizmit të shtetit totalitar, i cili në emër të “vigjilencës komuniste”, në emër të “revolucionarizimit të çdo gjëje në Shqipëri” dhe në emër të “parimeve të marksizëm-leninizmit” ndërmerrte fushata të egra spastrimesh në kulturë, në ekonomi, në ushtri dhe kudo ku vëreheshin “shenja të rënies së vullnetit dhe të optimizmit në pranverën socialiste, nën qiellin komunist, në Shqipërinë pa borxhe të jashtme, në shtetin e parë komunist në botë”.
Që në fillim të mbarështimit dhe të shtjellimit të ngjarjeve lexuesi ndodhet para dy pamjeve kontradiktore: në një anë turma përshpejton për në vendin ku do të mbahej parakalimi tradicional për nder të festës së 1 Majit ( ky vrap i turmës shkakton zhurmë që pengojnë jo vetëm personazhin-rrëfimtar, por shkaktojnë ndjenja të pakëndshme edhe për lexuesin), kurse në anën tjetër një skenë pritjeje: personazhi-rrëfimtar, një gazetar i Radiotelevizionit Shqiptar, pret në apartamentin e tij të dashurën e vet, Suzanën, e cila i kishte thënë se nëse nuk do të vinte deri në orën tetë e gjysmë, të mos e priste më, të mos mërzitej, ajo do ta dashuronte sërish, por asaj i kërkohej një flijim: “Në qoftë se më 1 Maj... po ti, kurrsesi s’duhet të mërzitesh... Mos kujto se unë do ta kem të lehtë... E di ç’do të thuash... Po ky flijim është i domosdoshëm... Unë do të të kujtoj përherë.” (fq. 19)
Fjala “flijim” bëhet motiv i një përqasjeje të bukur estetike ndërmjet Suzanës, të cilën donte ta flijonte i ati me “sëpatën e bardhë”, dhe Ifigjenisë, të cilën e kishte flijuar i ati, Agamemnoni, me “sëpatën e përgjakur”, dy mijë e tetëqind vjet më parë. Babai i Suzanës kishte përjetuar ngritje në karrierën shtetërore, dhe dëshironte që vajza e tij të ndryshonte mënyrat e sjelljes e të veshjes, të ndryshonte edhe format e dashurisë, të mos kishte çfarëdo shoqërie. Në emër të gradave shtetërore po e flijonte të bijën, siç e flijoi mijëra vjet më parë Agamemnoni Ifigjeninë për të shtruar erërat, për t’i zgjidhur spirancat e anijeve ushtarake, për t’i bashkuar ushtarët dhe për t’ia mësyrë Trojës. Babai i Suzanës po e flijonte të bijën me “sëpatën e bardhë” që dhembte njësoj, mbase dhe më shumë se “sëpata e përgjakur”, sepse në këtë mënyrë vritej shpirti njerëzor. Pjesë e kësaj përqasjeje bëhet edhe flijimi birit të Stalinit, Jakovit, nga ana e babait të tij. Stalini nuk pranoi të shkëmbente pengjet e luftës, që të shpëtonte djalin e zënë rob, jo që djali i tij të kishte fatin e çdo ushtari rus, siç shprehej Stalini, por për të pasur dorën e lirë mbi çdo ushtar dhe mbi këdo tjetër, në emër të doktrinës komuniste.
Një përqasje e tillë e personazheve dhe e ngjarjeve të kohëve të ndryshme bëhet për të argumentuar në mënyrë artistike se etja e njeriut për pushtet, dhuna, vrasjet pas shpine për marrje të pushtetit dhe format e tjera të makinerisë vrastare të shtetit totalitar janë të vjetra dhe kanë funksionuar në praktikë sipas një përvoje të gjithëbotshme dhe të gjithëkohshme. Nëse analizojmë raportin vepër-lexues, mund të konstatojmë se lexuesi me përvojë letrare dhe me shije artistike, gjatë leximit të romanit “Vajza e Agamemnonit” krijon në mendjen e tij imazhe që ndërlidhen me vepra të rëndësishme të letërsisë botërore, me skena artistike të tmerrit e të krimit, që janë realizuar në disa tragjedi të Eskilit, të Shekspirit, në prozën e Franc Kafkës, të Albert Kamysë etj.
Në narracionin e ngjarjes për parakalimin tradicional të festës së 1 Majit, nëpërmjet kujtimeve të personazhit-narrator dhe dialogëve ndërmjet personazheve të ndryshme janë trajtuar fate tragjike të intelektualëve, në jetën dhe në veprimtarinë e të cilëve ndërhynte mekanizmi i shtetit për t’i degraduar, për t’i nënshtruar dhe për t’i frikësuar. Skenat që kanë të bëjnë me parakalimin festiv të 1 Majit japin informacion të mjaftueshëm për të kuptuar dhe për të përjetuar tragjedinë e një populli të varfër e të sfilitur nga diktatura e proletariatit. Mjaftojnë dialogët dramatikë të personazhit-rrëfimtar me xhaxhanë e tij, i cili është promovues i denjë i “ideve dhe i pranverës socialiste”: “Ti s’mund të kuptosh se, edhe sikur Shqipëria të shuhet nga faqja e dheut, s’ka gjë, mjafton që idetë e Udhëheqësit të saj të jetojnë!” (fq.56).
Në ditën e parakalimit tradicional për 1 Maj qytetarët mund t’i njihnin më mirë ata që ishin lidhur edhe më shumë, “si kocka me mishin” me Partinë dhe me mësimet e saj. Ata që kishin ftesa për t’u ulur në pjesë të ndryshme të tribunave, ishin të tillët. Ftesa nuk merrej pa dhënë diçka nga vetja, nga dinjiteti njerëzor. Një ftesë të tillë, për t’u ngjitur në tribunat e festës, e kishte marrë nga Partia edhe personazhi-rrëfimtar i romanit, sepse për shkak të tij dy kolegë të zyrës fqinje i kishin transferuar në fshat, për shkak se këta të tre paskan përsëritur mendimin se thashethemet për rënien e ndonjë funksionari të lartë nga posti nuk i përhap elementi mikroborgjez, por përpunohen nga vetë shteti, nga një zyrë e fshehtë speciale, për të pasuar me të vërtetë rënia e atij funksionari. Gazetarin nuk e kishin lëvizur, sepse ai paskësh thënë se një mendim të tillë e kishte lexuar në një vepër që fliste për Çekosllovakinë pas pushtimit sovjetik.
Nga personazhet që kanë përjetuar degradime të thella shpirtërore dhe morale janë edhe R. Z., Th. D., të cilët ngjiteshin e binin dhe ngjiteshin sërish, sepse dinin ta luanin mirë rolin e Qerosit të përrallës popullore, i cili një ditë befas kishte rënë në botën e poshtme, dhe për t’u ngjitur sërish atje lart duhej të hipte mbi krahët e zhgabonjës dhe gjatë gjithë fluturimit përmbi humnerat e zeza e të pafundme duhej t’i jepte mish asaj, sa herë që ajo të bënte “krau”, mish nga pjesa që kishte siguruar, mirëpo, kur ky mish iu harxhua, Qerosi, kur zhgabonja bënte “krau”, u detyrua t’i jepte asaj mish nga trupi i vet dhe, meqë rrugëtimi ishte shumë i gjatë, Qerosi doli lart pa mish në trup: skelet i gjallë. Edhe një përqasje artistike e të jetuarit nën diktaturë me fluturimin përrallor të Qerosit mbi krahët e zhgabonjës. Krahasim i bukur i makinerisë shtetërore me figurën zhgabonjës së përrallës.Ata që s’i dhanë mish zhgabonjës ranë në thellësitë më të thella dhe më të tmerrshme të humnerës komuniste: “Nuk kuptohej si ishte më mirë: të tulateshe diku, apo të kreshpëroheshe, të ishe personalitet i njohur, apo njeri i rëndomtë, me parti, apo pa parti!” (fq 92). Litari i fajit të përbashkët po i mbështillte të gjithë, të gjitha kategoritë e qytetarëve, prandaj personazhi-rrëfimtar klith: “Ruaje, Zot, këtë vend nga çjetëzimi, klitha përsëri. Mbroje nga shkrumbimi i mëtejshëm! Se atë që nuk ia bënë dot vapa dhe pluhuri aziatik, po ia bën vetvetes”. (fq.111).
Autori përshkruan edhe se si mund t’i vinte rreziku njeriut, madje mund të internohej, të dënohej e të binte i vdekur në gropat e minierave të kromit, për shkak të një letre anonime që mund të vinte në zyrat e Partisë, që mund të “qëndisej” në zyrat e mekanizmave të veçantë shtetërorë. Si shumëçka në diktaturë, edhe fenomeni i letrës mbetej enigmë, nuk dihej kush e ka dërguar, nuk dihej kush nga aparati i shtetit e ka shkruar dhe e ka futur në kutinë postare, dhe kureshtar ka pritur efektet e saj shkatërrimtare.
Një letër e tillë erdhi një ditë nga Lushnja në Radiotelevizionin Shqiptar, por në fillim nuk ia vunë shumë veshin. Letra kritikonte spikeren e Festivalit të këngës në Radiotelevizion, sepse kishte veshur një fustan paksa të gjatë. Pëshpëritej shumë për letrën. Drejtuesit e Radiotelevizionit bënë ca autokritika, por këto nuk i mjaftuan Partisë. Drejtori i Radios dërgohet në fshat e pastaj në minierë. Keq do ta pësojë drejtori i përgjithshëm, i cili transferohet në qytetin e vogël N., drejtor i Komunales, pastaj punëtor i thjeshtë që shtronte plaka në banjat e apartamenteve. Pastaj ndodh arrestimi i tij, dënimi me burg prej 15 vjetësh, dhe fundi tragjik: një dorë e porositur e një të burgosuri ordiner e shtyu poshtë në gropën e thellë të minierës së kromit. Autori me mjeshtëri artistike ka bërë përshkrimin e fatit tragjik të drejtorit të përgjithshëm, motivimin, ankthin shpirtëror dhe majat e tragjedisë jetësore të këtij intelektuali.
Çdo skenë e tillë, ku trajtohen fate tragjike njerëzish, ndërlidhet sakaq me ngjarjen kryesore të subjektit, me parakalimin tradicional me rastin e festës së 1 Majit, me fatin e personazhit-rrëfimtar që është ulur në tribunën C-i dhe me fatin e Suzanës që ishte ulur më poshtë, në tribunën C-2. Ashtu siç vrojtohej më lehtë nga tribunat parakalimi i manifestuesve me pankarta në duar, me buqeta lulesh dhe me portrete të anëtarëve të Byrosë politike e të Stalinit, ashtu edhe për lexuesin kjo pikë e ngjarjes bëhet më e përshtatshme për ti përcjellë skenat e narracionit të romanit, mbase pse atje lart ishin dy personazhet kryesore: Suzana dhe gazetari i Radiotelevizionit, rrëfimtari i ngjarjes.
Vëllimi në prozë “Vajza e Agamemnonit” bën pjesë në veprat e shumta të Ismail Kadaresë, të cilat dallohen për një gjuhë të lartë artistike, për figuracionin dhe stilin shumë të pasur. Autori i kësaj vepre është i njohur për mjeshtërinë e krijimit dhe të përdorimit efektiv të figurës së krahasimit, figurë kjo që në këtë vepër e lartëson stilin e Kadaresë, shoqëruar edhe me ironinë, groteskun, antitezën, paralelizmin figurativ etj. Janë origjinale krijimet e disa antitezave, të cilat ndërtohen prej dy gjendjeve, njëra nga të cilat është pamje reale, kurse tjetra pamje mendore, imazh në mendjen e personazheve dhe të lexuesve. Një antitezë të tillë shkrimtari e ka sajuar kur bën përshkrimin e toneve të gëzueshme që nxirrte orkestra para tribunës së udhëheqjes së shtetit dhe përshkrimin e imazheve në mendimet e personazhit-rrëfimtar për krimet, spastrimet, diferencimet, degradimet nga më të tmerrshmet. Një antitezë tjetër domethënëse: para tribunave parakalojnë minatorët e kromit, me pankarta në duar, “me buzëqeshjen e pranverës socialiste në fytyrë”; në mendjen e personazhit dhe të lexuesit lëvizin imazhet e vrasjeve të të dënuarve politikë nëpër gropat e zeza të minierave të kromit, imazhi i mbytjes së drejtorit të përgjithshëm në njërën nga këto gropa të thella, porositur nga dora e shtetit. Parakalojnë edhe punëtorët e institucioneve të kulturës, pra edhe ata të Radiotelevizionit...
Figurat e tilla artistike lexuesit ia qartësojnë më mirë shumë ide në vepër, rregullojnë ritmin e rrëfimit dhe ritmin e ngjarjeve, krijojnë skena dramatike dhe pjesë lirike në tekst.
Romani “Vajza e Agamemnonit” përfundon me këto dy fjali: “Fushata e Trojës ka filluar. Asgjë nuk e pengon më tharjen e jetës” (fq. 113). Ç’krahasim! Fushata kundërkulturore dhe kundërnjerëzore që ndërmerr makineria e shtetit të diktaturës në Shqipëri, në shekullin XX, krahasohet me fushatën ushtarake shkatërrimtare të ushtrisë greke, prirë nga Agamemnoni, kundër Trojës, dy mijë e tetëqind vjet më parë.
Dy fjalitë e fundit të këtij romani mbrujnë brenda çdo fjale një kuptim dhe një kumt shumë tragjik për fatin popullit tonë nën diktaturën komuniste, ndër më të egrat në botë.
Lexuesi i vëmendshëm, pas leximit të këtyre dy fjalive, nuk mund ta mbyll librin, por e mban atë të hapur edhe për një kohë të gjatë, duke lexuar e rilexuar disa herë dy fjalitë e fundit të tekstit, duke shfletuar faqe të tjera të romanit. Këtë sjellje të lexuesit e motivon pesha artistike e veprës, fuqia magjike e stilit dhe e fantazisë krijuese të shkrimtarit tonë të përbotshëm Ismail Kadare. Fundi i romanit i mundëson lexuesit të krijojë nëntekste të pafundme, brenda të cilave zhvillohen ngjarje tragjike, brenda të cilave lëvizin me drejtpeshim të çekuilibruar, si në teatrin antik grek, njerëz me “faj tragjik”, të vetëdijshëm se i pret “fundi tragjik”, sepse fajin e kanë trashëguar nga prindi ose nga gjyshi, sepse faji i tyre “zbulohet”, krijohet përditë e përnatë nëpër laboratorët e makinerisë shtetërore, e cila punonte në emër të doktrinës, në emër të “luftës së klasave”.
2. Ismail Kadare, “Pasardhësi”, roman, shtëpia botuese “
Shkrimtari Ismail Kadare në romanin “Pasardhësi” ka trajtuar artistikisht vrasjen e Pasardhësit shqiptar dhe enigmën rreth kësaj vrasjeje, e cila edhe sot ka mbetur enigmë e pazgjidhur. Mënyra e tregimit të ngjarjeve, krijimi në roman i disa argumenteve letrare të lejon të mendosh dhe të logjikosh se Pasardhësin e kanë vrarë, ashtu siç i kanë vrarë edhe shumë të tjerë para dhe pas enigmës së vrasjes së tij. Mirëpo krahasimi i shtresave të ndryshme tekstore, sidomos krahasimi i fillimit të romanit me fundin e tij, me tekstin e kapitullit “Pasardhësi” të lë të kuptosh se enigma mbetet dhe lexuesi krijon përshtypjen se nuk është gjithaq i rëndësishëm zbulimi i vrasjes ose i vetëvrasjes së Pasardhësit. Kjo nuk përbën qëllimin e veprës. Kadare nuk e lëndon misionin e letërsisë.
Vrasja ose vetëvrasja (edhe vetëvrasja në diktaturë ishte vrasje) e Pasardhësit natën ndërmjet 13 dhe 14 dhjetorit 1981 shtjellohet qysh në fillim të romanit, paraqitet si ngjarje kyçe, me të cilën lidhen ngjarje të tjera të subjektit dhe përshkrime e zbërthime fatesh tragjike. Viti i vrasjes, 1981, nuk jepet fare, mbase për arsye e kritere letrare.
Sikur në romanin “Vajza e Agamemnonit” edhe në veprën “Pasardhësi” autori krahason ngjarje, veprime e fate njerëzish. Në Shqipëri, në mëngjesin që agoi pas vrasjes, njerëzit prisnin të shohin elemente të zisë: flamuj në gjysmështizë. Kjo nuk ndodhi. Nëpër qendrat botërore të zbulimit po shkundej pluhuri nga dosjet e Shqipërisë. Shqipëria paraqitej e largët dhe e panjohur mirë për ta. Ndonjëri vrasjen e trajtonte të lidhur me rebelimin (demonstratat e vitit 1981) që ishte shtypur kohë më parë në Kosovë.
Përshkrimi i natyrës së asaj nate i përshtatet përshkrimit të krimit që do të ndodhte. Nata, shiu, era e fuqishme, gjumi i rëndë i familjes së Pasardhësit atë natë- janë fjalë që bartin kumtin e zisë.
Derisa kapitujt e veprës “Vajza e Agamemnonit” shënohen me numra, kapitujt e romanit “Pasardhësi” emërtohen me tituj që ngërthejnë në vete fatin e personazheve dhe lëmshin e ngjarjeve kryesore në roman: Dhjetori i vetëvrasjes, Autopsia, Kujtime të ëmbla, Rrokullima, Prijësi, Arkitekti, Pasardhësi.
Sikurse në romanin “Vajza e Agamemnonit” edhe në veprën “Pasardhësi” autori krijon figura të qëlluara stilistike, siç janë: krahasimi, paralelizmi figurativ, ironia, antiteza etj. Shkrimtari shpesh ironizon: “Nëpër festa, nëpër këngë, brohoritnin kudo ‘dritë e Partisë’, ‘nëna Parti’, kurse së shpejti do të ulërinin ‘qumështi, gjinjtë, seksi i Partisë’. Në të vërtetë, ashtu kishte nisur ajo punë, qysh në grupet e para komuniste, kur militantët burra e gra, flinin ose nuk flinin bashkë, jo sipas kodit martesor, por pas atij të doktrinës” (fq. 84).
Disa personazhe dhe disa ngjarje të të dy romaneve e plotësojnë njëra-tjetrën. Suzana është personazhi që bart në vete peshën më të madhe të ngjarjeve, ajo i lidh ngjarjet, autori kujdeset shumë për realizimin e figurës së saj, prandaj Suzana bëhet njëra nga personazhet më domethënëse, më lirike dhe me të dashura për lexuesin, nga galeria e gjerë e veprave të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Suzana la dy dashuri të parealizuara në këto dy romane. I flijoi këto dy dashuri dhe në këto dashuri e ka shkakun fatkeqësia e jetës së saj, të cilën nuk e shijoi ashtu siç donte. Dashuria e dytë me Genc Daklin dhe fejesa e tyre (në hetuesi e pyesnin edhe për dashurinë e parë me gazetarin e Radiotelevizionit) u bë burim i fatalitetit për babanë e saj, Pasardhësin si dhe për krejt familjen e saj, të cilën, pas vrasjes së Pasardhësit, e internuan në fshatrat e Lushnjës. Pas vrasjes së babait, Suzanës i mbeten vetëm kujtimet e dashurisë, skenat jetëdhënëse që kishte përjetuar në apartament me gazetarin dhe imazhet e pashlyeshme për ditët dhe netët që kishte kaluar në vilën e plazhit me të fejuarin e saj, Gencin.
Lojën dhe intrigat e paskrupullta që bënte pushteti i diktaturës me qytetarët e vet autori i ka zbërthyer bukur duke përshkruar pamjet plot ankth, në të cilat shihen qytetarët, përfaqësues të të gjitha kategorive shoqërore, tek dëgjojnë në katërmbëdhjetë sallat kryesore të kryeqytetit, nga magnetofoni, zërin e Prijësit nga fjalimi i tij që duhej të mbahej më 13 dhjetor në prani të Pasardhësit, por, meqë atë natë ishte bërë vonë, ishte shtyrë për datën 14 dhjetor. Në atë fjalim shihej se Prijësi e kishte falur Pasardhësin. Të pranishmit, tek dëgjonin dhembshurinë e kurdisur të këtij fjalimi të përpunuar, pyesnin veten dhe të tjerët pse nuk paskësh pritur Pasardhësi vetëm edhe një natë. Pas autopsisë dhe incizimeve të shumta në shtëpinë e Pasardhësit, pas të shtënave me armë për të konstatuar se a mund të jetë dëgjuar jashtë krisma e vrasjes, qytetarët sërish u ftuan në katërmbëdhjetë sallat kryesore për të dëgjuar fjalimin e Prijësit nga magnetofoni. Kësaj radhe bëhej fjalë për komplot të rëndë kundër shtetit. Pasardhësi shpallej fajtor. Pritej rënia e Ministrit të Brendshëm Ardian Hasobeu, i cili më vonë ra nga posti dhe u burgos. Në katërmbëdhjetë sallat kryesore sërish do të ftohen qytetarët, pas pak ditësh, për të dëgjuar nga magnetofoni deklaratat e gruas së Pasardhësit, të djalit të tij dhe të Suzanës, të dhëna në hetuesi. Më së shumti e kishte akuzuar Pasardhësin e shoqja, kurse e bija dhe i biri ishin treguar më të matur.
Ngjarjet që përfshijnë fjalimet nga magnetofoni në katërmbëdhjetë sallat kryesore përbëjnë një nga ngjarjet kryesore të subjektit të romanit, që krijojnë një unitet në strukturën e narracionit dhe reflektojnë ide, mesazhe e nëntekste, ngase bëhen përshkrime që zbërthejnë botën e brendshme të personazheve dhe pasojat e shtetit totalitar: “Ndërkaq pastruesit e sallave, ndërsa hapnin dyer e dritare për ajrosjen e tyre, habiteshin me erën e veçantë që ndihej cep më cep. Nuk ishte erë djerse a këmbësh, as athëtirë bulmeti, apo ajo që lëshonin rrobat prej shijaku, siç ndodhte shpesh pas takimeve të blegtorëve të dalluar. Ishte një erë tjetër që ndihej shpesh e më shpesh kohët e fundit, ajo e trupave që kanë frikë” (fq.103).
Mpleksja e shumë zërave i jep romanit jo vetëm një ndërtim origjinal, por edhe mundësi për thellim të drejtpërdrejtë në botën e brendshme të personazheve, në vetëzbulimin e tyre dhe në krijimin e unitetit ideoartistik të gjithë veprës ( Dr. Floresha Dado, Teoria e veprës letrare, Poetika, Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë 2003, fq. 225).
Autori i kushton mund dhe kujdes të merituar formimit të figurës, ngase figura përbën një nga përbërësit kryesorë të strukturës dhe të poetikës së romanit. Figurat e Kadaresë konceptohen në tërë tonalitetin e tyre, bëhen përshkrime të nevojshme të pamjes së tyre, bëhen përshkrime të hollësishme të përjetimeve, të mendimeve dhe të ideve të tyre për çështje të ndryshme intelektuale dhe praktike.
Në këtë drejtim dallohet figura e Suzanës,e cila ka pësuar shumë shpirtërisht, dhe për shkak të traumave që ka pësuar shpesh nuk është në gjendje të dallojë veprimet reale nga ato që përjeton në ëndërr ose në kujtime. Shpirtin e saj të çiltër dhe të dhembshëm e rëndon shumë mendimi se ajo ishte bërë shkaktar i gjëmës në familje. Mundohet të jetojë e tëra në krahët e kujtimeve erotike, shpesh e kujton dashurinë me Gencin, takimin e fundit në shtëpinë e plazhit, ku kishin ndezur oxhakun edhe pse nuk bënte ftohtë.
Autori, ashtu siç bën në vepër përqasje të ngjarjeve dhe të figurave të ndryshme, bën përqasje ose krijon paralelizma figurativë duke krahasuar lirizmin e skenave të dashurisë me ashpërsinë e jetës nën diktaturë, për të realizuar më shumë efektet ideoartistike, për të krijuar sa më shumë imazhe në mendjen e lexuesit dhe për ta çliruar atë nga ndjesitë e rënda që ka përjetuar më parë. Duke krahasuar ngjarje të tilla, duke krahasuar personazhe të dy anëve të kundërta të jetës, autori sfidon ata që veprojnë për ta çjetëzuar jetën, për ta vrarë me “sëpatën e bardhë” dashurinë e Suzanës: “Ata kishin të tjera dehje në jetë, kishin kongreset, flamurët, himnet, varrezat e dëshmorëve, kurse ajo kishte vetëm atë...trupin e saj...të pafund” (fq.70).
Autori ka krijuar edhe përqasje të tjera, shumë origjinale dhe të efektshme kur krahason tallazin e dhimbjes së gruas së Pasardhësit me komunikimin e saj verbal në momente tejet dramatike për fatin e saj dhe të familjes. Kështu, ajo, për shkak të frikës ndaj pushtetit, nuk guxon ta qajë të shoqin e posavrarë ashtu siç ia do zemra, por e qan në mënyrën që dëshiron Partia: “Medet, ç’i bërë Partisë!” (fq.80). Në momentin kur ngarkonin gjërat e shtëpisë në kamionin me targa të Lushnjës, sepse po i internonin, gruaja e Pasardhësit kërkon nga shoferi që fotografisë së madhe të Prijësit t’ia shtronte në fund një karton, në mënyrë që fotografia të mos lëkundej gjatë rrugës.
Shkrimtari ka sajuar skena të tilla dhe ka depërtuar thellë në botën psikologjie të personazheve për të krijuar në veprën artistike dhe në mendjen e lexuesit përmasat e lumturisë, të dashurisë dhe të lirisë në jetë.
Për të përjetuar efektet ideoartistike të veprës së Kadaresë lexuesit së pari i nevojitet koha dhe ambienti i përshtatshëm për lexim, i nevojiten fletë për shënime dhe një përqendrim që mbështetet mbi përmasa intelektuale, logjike dhe krijuese.
Vepra e Kadaresë tejkalon kohën dhe hapësirën tonë, falë një poetike origjinale në narracionin e ngjarjeve, në krijimin e figurës dhe në strukturën e subjektit, falë një fantazie dhe një praktike të veçantë krijuese e psikologjike.
Mënyrat e ndërtimit të narracionit, të strukturës dhe të subjektit
Romanet “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi” dallojnë edhe për nga mënyra e shtjellimit të rrëfimit artistik. Në romanin “Vajza e Agamemnonit” ngjarjet zhvillohen brenda një dite, kur po festohej festa e 1 Majit dhe nëpër qendër të qytetit parakalonin manifestues të shumtë. Në rolin e rrëfimtarit është njëri nga personazhet e romanit, një gazetar i Radiotelevizionit shtetëror, i dashuri i Suzanës, i fejuar më parë me një tjetër vajzë. Ky personazh-rrëfimtar luan rolin e autorit dhe shpesh shpreh pikëpamjet e tij për jetën dhe problematikën shoqërore. Kjo mënyrë e komunikimit të veprës letrare me lexuesin është një nga metodat e frytshme të poetikës së prozës moderne, sepse kështu bëhet më e kapshme rrjedha e ngjarjeve, kuptohet dhe përjetohet më lehtë bota shpirtërore dhe psikologjike e personazhit, sepse personazhi-rrëfimtar ka më shumë kohë dhe më shumë hapësirë për të rrëfyer për veten dhe për të krijuar lidhje më të qëndrueshme me personazhe të tjera dhe me lexuesin. Shfrytëzimi i mirë i kësaj metode për të bërë procedimin e lëndës artistike, dramatizmi i ngjarjeve gjatë dialogut të personazheve, përsëritja e të njëjtave ngjarje dhe personazhe në veprën tjetër, përqasja e ngjarjeve dhe e figurave me ngjarje dhe figura të tjera nga historia, letërsia ose nga mitologjia- të gjitha këto i kanë mundësuar shkrimtarit tonë emërmadh Ismail Kadare që të krijojë dy romane që do t’i qëndrojnë kohës, ose, siç thotë Claude Durandi, president i shtëpisë botuese “Fayard” (Paris), “këto dy romane jo vetëm shtjellojnë të njëjtat personazhe, por përbëjnë një nga ansamblet letrare më të përkryera të Ismail Kadaresë”. Rrëfimet në veten e parë të personazheve si Suzana, vëllai i Suzanës, Pasardhësi, arkitekti etj. mundësojnë që lexuesi më lehtë të depërtojë në shpirtin e tyre të trazuar dhe më lehtë të vërejnë lidhjet ndërmjet pjesëve që ndërtojnë përmbajtjen e veprës, stilin e autorit, kontekstin e caktuar shoqëror, mesazhin kryesor të tekstit dhe elemente të tjera që kanë të bëjnë me analizën e veprës letrare.
Të lë pa frymë mjeshtëria artistike, gjuhësore dhe ideore në ndërtimin tekstit të kapitullit të fundit “Pasardhësi”. Gjithçka në tekst ka rëndësinë e vet dhe kryen funksion në dobi të arritjes së qëllimeve artistike të veprës. Një gërshetim i mrekullueshëm i elementeve të jetës reale, të ëndrrës dhe të fantazisë. Teksti ngërthen në strukturën e vet fuqinë që ndikon në zhvillimin e mendimit krijues të lexuesit, në zgjerimin e përmasave logjike të vlerësimit të tij për kulturën e sistemeve shoqërore.
Nuk është në misionin e letërsisë zbulimi i krimit dhe zbërthimi i enigmave të jetës shoqërore, por teksti i kapitullit “Pasardhësi” zbërthen në mënyrë artistike kodin e tiranisë dhe të tiranit kurdo dhe kudo që të ketë vepruar. Teksti i këtij kapitulli të krijon përshtypjen se je duke qëndruar para labirintit ku janë lidhur nyjë të gjitha krimet e shoqërisë njerëzore, të kryera nga faraonë, perandorë, mbretër e sundues të tjerë të të gjitha sistemeve shoqërore e shtetërore.
Autori analizon, zbërthen shpirtin e Psardhësit, që herë ka përmasa të Pasrdhësit shqiptar, herë ka përmasa universale. Bëhet zbërthimi i vetëdijes dhe i ndërdijes së tij. Nga ky monolog artistik mësojmë se Pasardhësi, si përfaqësues i tiranisë dhe i shkatërrimit të jetës, bashkë me sojin e tij të ri e të vjetër, që sundoi kudo nëpër botë, janë tash larg nesh, shumë larg nesh, “nëpër humnerën e zezë të gjithësisë”, por, sipas mesazhit të tekstit, njerëzimi duhet të krijojë aso hapësira të jetës e të lirisë ku tiranët të mos kenë mundësi të kthehen më kurrë “me maska në fytyrë, me duar me gjak si dikur, pa pendim, pa ndjesë dhe pa haleluja”.