Kulturë
Bozhuret - Cikël me poezi nga Jusuf Zenunaj
E hene, 19.04.2010, 09:37 PM
Jusuf Zenunaj
U qeshen bozhuret
syve ngjyrë dheu,
qiejve kaltroshë,
opingës që pijmë ujë
gjurmave kuajsh.
toka u nxeh në akuj,
dejve gjakvalë,
rrënjeve të ahut kryelartë.
shpata e fjalës
vringëlloi Dukagjin,
Bozhuret rriten,
akujt u shkrinë.
KOHËT DHE UNË
Kohët dhëmbprishura
më kafshuan një natë,
një ditë
Dhe prapë ndoqa kohët
t’i fus në grusht,
nën këmbë.
Në trupin e tyre
shkrova emrin tim.
Prapë më thirri dikush.
Zogu i humbur
i paemër i pa sy!
Erdha nëpër kohë
edhe me sy
dhe me emër njeri.
NGA URA
Nga Ura e Qabesë
shoh gji nënash të shtjerrur,
vashat flokëthinjura tek lëshojnë gjëmë
dhe kafshë pa dhëmbë.
Nata më tretë
në mes të Urës së Qabesë .
Kokën mbaj në duar,
mbushur jam plot vajë,
nëna ime e vejë
nga t’ia mbaj ?
Emrat zhduken në Saharë
si drita në shpellë,
shpirtrat e humbur në këtë urë
cili zot do t’i mbledhë ?
KASAPI I BALLKANIT
Krekoset kasapi i Ballkanit në Gjygjin e Hagës
nuk e shqetësojnë plagët e të riut,
të nuses as të plakës,
as gratë shtatzëna të vrara me gjithë fëmijë
kush pa këmbë e kush pa sy,
tek i sheh në fotografi
të rritura në ekran,
nuk rrah çerpikë,
fare nuk ofashan.
Siç e ka zakon me fjalët vrer
edhe foshnjet e palindura i quanë kriminelë !
Në Bosnjë,Kroaci, Kosovë e në Luginë të Preshevës
krimet e Milloshit duken si dimrit edhe verës,
nuk i fshijnë erërat, stuhitë as vullkani,
kasap ma të madh s’ka pasur kurrë Ballkani….
NJË DITË U TRETET HIJA
Kohët i arnon me plagë
pakkush sikur populli im,
kujtesën të tjerëve që është gjallë
me dhembje ua përtrin.
Shpeshherë shtatzënat shtyhen në lindje,
po një ditë del në jetë fëmija,
ndaj tij, moj Hije e zezë,
hija e njerëzve të gjorë,
diellin s’e ke zog në dorë.
Kohët i arnojmë me plagë
deri tek pragu ku pret liria,
ç’do të thoni ju të mjerë,
kur nën këmbët tuaja
një ditë u tretet hija?
POPULL I VJETËR JAM UNË
U rrita në tragjedi
jetoj në tragjedi,
luftoj me tragjedi,
Evropa përgjon sikur t’ish në gjumë,
luftën mijëvjeçare do ta fitoj,
popull i vjetër jam unë.
Bruksel, 1995
NË PRAG TË DIMRIT
Nën tendë
fëmijët e dëshmorit
përballën me acar,
të tjerët përreth në shtëpi
thonë: „Sa bukur qenka në liri“.
1 nëntor 2001
MAMUTHËT NUK KANË IKUR
Nata e shekujve nxin Ibrin,
agun e këpusin në dysh hijet e zeza,
mamuthët mprehin dhëmbët
t’ia këpusin krahun Ibrit.
Kryqi sllavo-ortodoks
ruan bekimin e djallit në gji,
zotin s’e heq goje,
pret e vret me emrin e tij!
Shtratin lumit t’ia ruajmë
me krahët mijëvjeçarë-
gjakut tonë era i vjen prush,
në Mitrovicë ka shumë mamuthë.
Bruksel, gusht, 1999
SI E QUAJNË ATË RRUGË
Lisat i rrëzuan nëpër kohë
rrënjë t’mos kenë as për trohë
rrugë hapën ballabanët
që të ecin sulltanët.
Shirat i lanë plisat
qullur në gjak e lotë,
bardhësinë që patën
s’ua humbën dot.
Si e quajnë atë rrugë?:
« Rruga e Ballabanit »,
në të mori ikën
edhe vetë Sulltani
FYELLASHTI IM
Fyellashtin tim qindvjeçar
s’e ngroh dielli në pikë të verës,
nuk e fryn as era e bjeshkës.
Fyellashtin tim nuk e lajnë shirat e vjeshtës,
s’e ngrin as akulli siberian,
as ujku nuk e bren dot me dhëmbë.
Në hartën e grisur të atdheut tim;
në hartën e arnuar,
fyellashtit tim do t’i bie,
me verë ilire që piu Aristoteli
do të ngre dolli.