Kulturë
Skënder R. Hoxha: Poemë e dhimbjes krenare
E merkure, 21.04.2010, 09:22 PM
Skënder R. Hoxha
POEMË E DHIMBJES KRENARE*)
/Do kujtime për Jabllanicën, vendlindjen time/
Ka shumë rrugë malore që çojnë
N’Jabllanicë n’këtë skaj’ Dushkaje
Kurse n’krah t’Lugut t’Baranit
Është Lumbardha me disa vaje.
Kur trupoj Lumbardhën, arat 5
Ngjitem kodrave përpjetë,
Me martirët e ‘njëzet e njëshit
N’lapidar për t’u zatetë.
Afër Malit t’Vnesht’ve
Në majë të Kodrës së Madhe, 10
Gjashtëdhjetë e katër burra
Çetnikët i patën bërë batare.
Kështu kanë bërë çetnikët e zi
Banda serbe e malazeze
Të Savë Batares ato hordhi 15
Miliç Kërsta iu kishte pri’.
Ndalem e çmallem gjatë
Aty në Kodrën e Madhe plakë,
Jabllanicën e shumëvuajtur
E sodis si në shuplakë. 20
Ia kujtoj të kaluaren
Nëpër shtigje e histori,
Burrat e urtë dhe trimat
N’kulla të gurit me frëngji.
Edhe turkut edhe shkjaut 25
Nëpër mote i thatë – JO!
N’këngë malësorçe e me lahutë
Troje shqipesh gjithmonë këto.
Brez pas brezi ndër këto male
Ruajtët traditë kanun e fe, 30
Gjuhën shqipe e plisat e bardhë
Që janë të shenjta për atdhe.
N’Jabllanicë vinin strategët
Nga shumë vise të shqiptarisë,
Për punë t’kombit në Lëvizje… 35
Si të dalë prej robërisë.
Lanë këta burra amanete
Se armiq edhe tradhtarë
N’votra tona mos me’i lanë
Zot shtëpie as komandarë. 40
* * *
Ishte kalitur këtu rezistenca
Nga kohë t’moçme deri më sot,
t’Jabllanicës djem sokola
donë këtij trolli për t’i dalë zot.
N’dhjetëvjëtësh t’fundit t’shekullit njëzet, 45
Serbosllavët e harbuar
Polici, militarë e qyqarë,
Gjenocid bëjnë mbi shqiptarë.
T’i shfarosin donë nga faqe e dheut
Këta stërnipër të Skënderbeut. 50
Më nëntë mars nëntëdhjetë e tre
Ishin nisur një ekspëditë,
Nga Gjakova një grup policë
Paskan shkuar në Jabllanicë.
N’Mahallë t’Lugjve ishin ndalë, 55
Kërkojnë njerëz e kërkojnë armë,
Do djemni aty janë bashkuar
Bandën serbe e kanë rrethuar.
Do të rinj e do më të vjetër
Kishin vendosur të bëjnë dekën, 60
Këmbë polici n’shtëpi mos të lanë,
Pushkë as allti mos me ju dhanë.
Fjalë pas fjale në bisedime
Policët turren më kërcënime,
Me fjalë t’rënda
Sadri Zeneli e humb durimin
Kacafytet me njëfar’ Millutinin,
e ia nxjerr alltinë prej dore,
Radio-lidhjen ia then përtoke. 70
Policët tjerë marrin frikë,
Nuk guxojnë ata për t’livritë
Prej fshatarëve t’Jabllanic’s
Mezi ia dalin të hyjnë n’”Gazikë”.
U khtyen shkiet të turpëruar, 75
Se kështu kurrë s’ishin mësuar
T’ikin keq haraç pa marrë
Si zagarët bisht nër kambë.
Pas tri ditësh do policë tjerë
Marrin me vete dhe oficerë, 80
A s’po miunden hak me nxjerrë
N’Jabllanicë shkojnë me “Landrover”.
N’Mahallë t’Lugjve ndalin turrin,
Por tash kanë punë me krejt katundin.
Nisin fshatarëve po iu mbajnë fjalë 85
Se “kemi ardhur vesh me’u marrë,
Për do njerëz që po i kërkojmë
Janë n’fshat t’juaj – dyshojmë,
Policia duhet me hi
T’hallakati npër disa shtëpi”. 90
Kurrë! – thanë burrat – pënjëherë
Se kemi bërë një be të madhe,
N’për sht’pi tona s’ka për t’hyrë shkja
Për pa mbetur katundi n’gra.
Me zë t’lartë foli Halil Smajli, 95
I derës së gishtit e Kuvendit
- nuk ju njohim tash për policë,
se ju jeni shovenistë…
Aty bëhet një përleshje
N’mes policësh me do burra, 100
Mësyjnë ta shkyejnë atë kriminelin
Pse n’makinë e fusin Halil Zenelin.
Qazim Brahimaj e Avdyl Zeneli,
Tahir Hajdari e Hajdin Ahmeti,
Xha Tatiri me djalë Faikun 105
Sypatrembur për armikun.
- I kam do vjet – thoshte atë ditë Qaza,
- por nuk ndi për këta hajlaza.
Ishin këta burra të orëve të para
E të tjerë që u priu e mbara, 110
Ua kanë nxjerrë me zor Halilin,
Shkiet e ndezin automobilin.
Shpejt vijnë burrat përpjetë Ulic’s
Nga çdo lagje e Jabllanic’s,
I gjithë fshati ishin të një goje 115
S’durojnë më armik n’këto troje.
Ikën shkiet shpejt e shpejt
Që t’mos kthehen këtu për gati gjashtë vjet,
Se e panë në sa është ora
U kishte dalë atyre boja. 120
S’ju kishte mbetur vend n’këto anë
Veç kur t’vijnë për t’ndarë mejdan.
U hap lajmi e mori dhenë
Se çka ndodhi atje n’Dushkajë,
Thoshin burrat e Malësisë – 125
Heu, të lumtë moj Jabllanicë!…
Kanë dëgjuar bjeshkë e vërri,
Llap, Gallap e Dukagjin,
Has, Llapushë edhe Drenicë,
Për rezistencën n’Jabllanicë. 130
Ishte habitur krejt shkinia,
Vallë, kush janë këta bij shqiptari?
Që kanë zemër e kanë trimëri
Të kacafyten me polici!
Jabllanicë ty t’u dhashtë e mbara 135
T’punoi ora e prine e para,
Ke lënë shembull historik:
Se si i thuhet armikut – armik.
I tërë fshati bënin roje
Të gatitur i madh e i vogël, 140
Se mos bandat serbiane
N’Jabllanicë vijnë për hakmarrje.
Shpejt ia mbërrijnë djemtë e Gllogjanit,
Haradinajt – nipa t’Brahimajve,
Të bëhen plane për t’u armatosur 145
Se kjo që është nisur do të sosur.
Është formuar Grupi i Parë
Ilegal, po atdhetar,
Po, për nderin e shqiptarisë
Për të mbrojtur prakun e shtëpisë. 150
Grupi i vogël me pak vetë
Djem sokola trima me fletë:
Lahi Brahimaj, Sadri Zeneli,
Të Brahimajve – Naseri e Hyseni,
Si luan ai Myrtë Zeneli, 155
Luan Smajli njaj pika e djalit,
Agim Zeneli i bacë Bardhit,
I Ukzenelve ishte Xhevati,
Sokol Smajli e Hajdar Ahmeti,
I Përkolve – Selim Ademi. 160
Këta janë djem të Grupit të Parë,
Për ditë lirie – nismëtarë…
Guerilja vjen e zgjerohej,
Për aksione po gatohej.
Të papërtueshëm këta trima: 165
Hamza, Miftari e Nazmi Brahimaj,
Se ky armik s’do bisedime
Veç kërkon njat grykë martine.
Gjatë kësaj kohe n’Jabllanicë
Vinin trimat prej Drenic’s, 170
Nga Drenica e Malësi tjera
T’bashkëveprojnë për plane t’reja:
Haradinajt, vëllezër nga Gllogjani,
Vinte këtu ai Hashim Thaçi,
Vëlla Rexhepi me Sylejman Selimin, 175
Kadri Veseli, Xheladin Gashi,
Abedin Rexha – Sandokani,
Ismet Jashari – Kumanova,
Ishin Fehmiu e Xhevë Lladroci,
Mujë Krasniqi e Rasim Kiçina, 180
Mirë nënë Aza i ruante këta trima…
Kishin arritur do armë t’mira
N’Jabllanicë për këta trima,
Ishin ardhur nga patriotë –
Për t’i dalë atdheut zot. 185
Nisin aksionet guerile,
Guelilja me këta petrita
Që s’i ndante nata as dita
Në aksione e nëpër prita.
Policinë e kishin cak 190
Dhe stacionet t’i hedhin n’ajër,
Ogurzezat policore –
Ku shqiptarët u dhunuan prore.
Me aksione e luftë guerile
Mish e shpirt këta djem pa hile, 195
Ky armik do hequr qafe
Me plumb t’kuq e jo me llafe…
Kështu vazhdoi për disa vjet,
Por akmiku i dalë prej shkine
N’Kosovë bëri edhe shumë krime, 200
Bëri masakra në këto votra
U shqetësuan Evropa e bota.
* * *
Fillimviti ‘nëntëdhjetë e tetë
Lufta bëhej më e nxehtë,
Nëpër frontet më të vështira 205
Ishin djemtë nga Jabllanica.
Në Lug t’Baranit e n’Dushkajë,
Drenicë, Podrime e Kallavajë,
O për t’marrë armë në Shqipëri
Jabllanicasit kanë pri’. 210
Muaji maj i atij viti
Ofensiva bënte armiku,
Nga çdo anë e përtej Bistricës
T’i afrohej Jabllanicës.
Luftë e rreptë n’Këpuz e n’Qeskovë 215
Sjell armiku tanke e topa,
Me ushtri e polici
Donë të bëjnë pluhur e hi.
UÇK-ja u del përballë,
Komandonin Agimi e Myrta 220
Po, këta edhe shumë petrita
Që i kishte rritur Jabllanica,
armikut sllav ia fusnin tmerrin
N’ajër ua dogjën helikopterin.
Ditë e kobit njëzet e një maji 225
N’betejë të Këpuzit vritet Myrta,
Myrtë Zeneli bie n’altar
I Jabllanicës dëshmor i parë.
Luftë pas lufte nëpër beteja
Rezistuan këta djem si rr’feja, 230
Për sulme t’egra armiku gatohej
Jabllanica shpesh granatohej.
Në rrethana të panjohura
N’Grykë të Shtrazës skaj’ zabeli
U gjet i vrarë Muhamet Zeneli 235
* * *
N’fillim t’gushtit nëntëdhjetë e tetë
Në ofensivë Jabllanica u gjet,
E rrethuar prej t’gjitha anëve
Nga hordhitë serbosllave.
Për Rrugë t’Gllogjanit vinin tanket, 240
Vijnë nga Suka për Rrugë t’Kralanit,
Nga Zhabeli e Lugu i Baranit,
Prej Bokshiqit e për Va t’Gashit.
N’tym e n’flakë krejt Jabllanica,
Më dy gusht bjen ushtar Drenica 245
Idriz Gucati prej Tërsteniku,
Deri n’vdekje se trembi armiku.
Datë tre gushti e kishte radhën
Ditë e kobshme për nënë Azën,
N’kacafytje ajo me barbarë 250
Si burrëreshave që u ka hije
N’fushë të nderit ajo bie,
N’oborr t’vet e vrasin me t’ëmën
Për t’i mbetur i madh një emër.
Azë Brahimajn e vranë çetnikët, 255
N’rezitencë ishte n’oborr t’shtëpisë
Ku u shtroi sofra trimave t’Lirisë.
Armiku sllav që s’ka më të keq
Nuk kurseu fëmijë, gra, as pleq,
I vrasin dy pleq të Kasumajve: 260
Ishin vëllezërit Arifi e Sejdiu.
I vrau një dorë krimineli
Tek po ktheheshin bri Zabeli.
Nuk kanë dashur të largohen
Nga praku i shtëpisë, 265
Ishin nga një derë bujare
Gjithmonë nder i shqiptarisë.
* * *
Pas një muaji ofensivë e dytë
Sjell armiku gjithë orditë,
S’ishte ngopur n’ofensivë t’parë 270
Me disa pleq e me një ushtar,
Nuk kishte marrë të mirë haraç
Se i humbën ushtarë edhe tri herë kaq.
N’atë mengjes të muajit shtator
Dridhnin tokën tanke e topa, 275
UÇK-ja ishte n’për kodra –
N’Pikë t’Shqiponjës e n’Pikë Te Shkolla.
Luftë e rreptë bëhej ato ditë
Por nuk ishte e barabartë,
Kishin ardhur shumë barbarë 280
Të luftojnë me’i grusht ushtarë…
Nga luftimet gjëmon Zabeli
N’Pikë t’Shqiponjës Driton Zeneli,
Janë n’këtë Pikë do ushtarë trima
Gjuajnë n’armikun si vetima. 285
Mirë drejtonte komandant Dritoni
N’luftë i njohur me nofkën “Fatoni”,
Por një ditë shkruar prej Zotit
N’Kodër t’Madhe e gjet plumb i mortit.
E ka prekur e mortit dorë 290
T’nëntëdhjetë e tetës më tetë shtator,
S’do të lëshonte ai pozicionin
Prej armikut mos t’humbë mejdanin
Po atë ditë prapë punoi kobi
N’lagje t’fshatit bjen Xhevdet Hoti, 295
Ushtar Xhevdeti vritet atë ditë
Kish’ mendu’ se janë larguar hordhitë.
N’ofensivën në shtator
T’Jabllanicës ranë dy dëshmorë.
Gjatë kësaj lufte u dogj katundi, 300
Pleq, gra, fëmijë ishin n’për male.
U dogj katundi shtëpi për shtëpi,
Vrisnin shkiet edhe bagëti.
* * *
Ushtarët trima të Jabllanic’s,
Të shpërndarë nëpër vija t’Frontit 305
Ku e kërkonte Ora e Lirisë –
Nëpër Kosovë në flakë t’barotit.
* * *
Erdhi janari i vitit të ri,
Djemtë e luftës shkonin n’Shqipëri
Për stërvitje e armatim, 310
Ndonjëherë edhe për shërim.
Njëzet e nëntë janari ‘nëntëdhjetë e nëntë,
Për Kosovën ditë e rëndë -
Tek po shkonin trimat n’Shqipëri
Kishin rënë në një pusi. 315
E kalojnë disi atë pusi,
Djem të zgjedhur kishte aty
Komandant Agimi – “Çergashi” duke iu pri’,
N’Rogovë t’Hasit atëherë kanë mësy.
Për të qenë afër Shqipërisë 320
Të vazhdohen punët e lirisë,
Por aty dora e tradhtisë
Hije t’zezë i la shqiptarisë.
Athua mos, vallë, atë natë hana
M’i zbuloi këta djem si zana? 325
Athua mos ajo natë me shi
Më bëri hile në këta djemni?
U gjendën trimat të rrethuar
Nga gjakpirësit e tërbuar,
E rreptë bëhej një luftë n’moh 330
Atë ditë janari që n’gjak u ngroh.
Kolaboracionistët e tradhtarët
Ua kishin kurdisur djemve pritën,
N’luftë me shkjaun dhëmb për dhëmb
Ranë si burrat e s’u koritën… 335
Ranë ushtarët nëpër oborre,
Ranë edhe vendës prej Rogove,
Agim Zeneli aty ra,
E prej shkieve s’dihet sa.
Agim Zeneli e Luan Smajli 340
T’Jabllanicës këta dy trima,
Nëpër shumë lufta u dalluan
Keq i mori n’Rogovë tradhtia.
Ishte Agimi luftëtar i mbarë
Komandant i Batalionit të Parë, 345
Me Luanin të pandarë.
Luan Smajli i biri i Avdisë
Ishte student i historisë.
Dëshmorë t’kombit, martirë, viktima
Deri tash dha shumë Kosova, 350
Por aty ku ka dorë tradhtia
Nuk na e falë kurrë historia.
* * *
Me lufta t’egra erdhi prilli,
S’çelën lulet as trëndafili.
Me tym të zi mbuluar Dushkaja 355
Ushtria Çlirimtare nëpër shullaja.
Bëjnë qëndresë djemtë e Lirisë
Për të mbrojtur prakun e shtëpisë,
Bashkë me mikun që iu erdhi pas shpine
- Pakti NATO me bombardime. 360
Ofensiva e prillit të thyer,
Pesë e gjashtë prillit të atij viti t’zi
N’Jabllanicë bëri kërdi –
U futën tanket me këmbësori.
Tash do trimave thuase u erdhi radha 365
Të UÇK-së ishin t’radhëve t’para,
Në aksione, lufta e shumë beteja
Trima t’urtë e t’shpejtë si rr’feja.
Naser Brahimaj bie n’Pikë Te Shkolla
N’pozicion lufte bashkë me do sokola, 370
Në Pikë Te Shkolla e vrasin Naserin
Këtë që ua fuste armiqve tmerrin.
S’kishte lënë luftë në Dukagjin
Pa marrë pjesë Naseri trim…
N’luftë të Këpuzit e t’Qeskovës 375
Kishin dëgjuar shkiet për Naserin,
Me shumë trima të Jabllanicës
Ua pat kallur n’ajër helikopterin.
Po të nesërmen, më gjashtë prill
Drama e madhe kishte zënë fill, 380
N’fushë të nderit bjen Sadri Zeneli
Afër shtëpive, skaj Zabeli.
Sadri trimi ai mjekërbardhi
I rezistencës ishte i pari,
Inxhinieri i metalurgjisë - 385
I pat dhënë grusht xhandarmërisë.
Ishte Sadriu i ilegales,
I vetëmbrojtjes e luftave t’rrepta
I pathyeshëm deri n’frymë t’fundit,
Nuk largohej prej katundit. 390
Ranë këta trima siç ka hije
N’tokë t’vendlindjes në altar,
Për t’u bërë dëshmorë lirie
E njomën n’gjak t’pranverës bar.
Më këtë datë veç natën vonë 395
N’Kryq t’Rakocit në një lëndinë,
Duke ndërruar pozicionet –
Një grup burra nga Jabllanica
Kishin rënë në t’armikut prita.
Disa djem të armatosur 400
Ishin ushtarë të UÇK-së,
Ndezën armët nëpër natë
Por, kanë thënë se – prita t’çartë.
Të gjithë ishin të Mahall’s Mulaj
Vëllezër të gjakut e kushërinj, 405
Veç ashtu shkruar prej Zotit
Gjashtë prej tyre vriten aty.
N’pritë të pare, po që gjeti –
Bjen dëshmor Arben Mehmeti,
Keq e çonta nata gjamën – 410
Ra Alia bashkë me Ramën,
Nga ky grup edhe këta shkuan
N’Mal t’Rakocit u martirizuan.
Ramë Mehmetaj e Ali Rama
Burra t’mirë i pati mëhalla, 415
Ranë n’këtë pritë që ishte gatue,
Selman Rexha këtu u plague.
N’pritë të dytë ranë tre dëshmorë,
Bënë qëndresë me armë në dorë:
Islam Ademaj e Bajrush Mehmeti 420
Nëpër drunj, dëllinja e therra,
Bashkë me ta ra edhe Fitim Rexha.
Nëpër t’shtëna të atij kiameti
U plagos Mehmet Mehmeti,
Nga ky grup atë natë i shkëputur 425
humbi Lan Rexha që është i zhdukur.
N’këtë natë t’kobshme të tërbuar
Asllan Mehmetaj ishte hutuar,
Përreth t’vrarëve i tmerruar
Ndarë prej tjerëve i vetmuar – 430
Tri javë maleve ka mbijetuar.
N’Jabllanicë prapë ajo egërsirë
Ia shtoi fshatit edhe një martir,
Në një bahçe mbuluar me zall –
Ukshin Hamza u gjet i vrarë, 435
S’kishte dashur të shkojë askund
Po t’bëjë dekën n’mahallë n’katund.
* * *
Pas këtij prilli të shëmtuar
Vinte maji me shumë ankth,
Maji i lodhur në prak t’lirisë – 440
Dhembje tjetër për Jabllanicë.
Në Gjakovë kishte shkuar Gania
Donte të dijë si është familja
Dhe t’i nisë ata për Shqipëri
E prapë të kthehet te shokët e tij. 445
Por shtatë maji nëntëdhjetë e nëntë
Për Gani Brahimajn gdhiu i rëndë,
N’rrugë t’qytetit me shumë të tjerë
Befas hasin në kriminelë –
I kanë zgjedhur nja njëzet e tetë 450
E i fusin rrugic’s përpjetë,
I arrestojnë ata policia
Në atë grup edhe Gania,
Bashkë me këta edhe mësuesi Gani
Për t’mos u kthyer më në shtëpi, 455
S’dihet gjallë apo i humbur -
Nga ajo ditë ai është i zhdukur.
Prej Gjakovës që atëherë
Ka të zhdukur edhe shumë të tjerë,
Serbi vriste e masakronte, 460
Arrestonte e kidnaponte,
Shumë të rinj patën këso fati
Me lot nënash u la Çabrati.
Krejt Kosov’s nëpër atë t’lig mot
Ushtria Çlirimtare i dilte zot, 465
N’Jabllanicë e në Dushkajë -
Nuk dorëzoheshin djemtë e saj.
N’Pikë t’Shqiponjës n’mal me qarra
Me Njësit t’vetin edhe komandant Mala.
Nëpër Mal t’Kodrave e istikame 470
Fort i bënin armikut dame,
Nja dy tanke kallur ia kanë
N’Jabllanicë një, tjetrën n’Gllogjan.
NATO-ja nga ajri me sulme t’veta,
UÇK-ja n’brigada e n’çeta 475
Në armikun fusin panik –
I dëmtojnë njerëz edhe teknikë.
* * *
Pas kësaj lufte të përfunduar
N’histori duhet shkruar:
Dymbëdhjetë dëshmorë dha Jabllanica. 480
I trembëdhjeti nga Drenica,
Gjashtë martirë e dy t’pagjetur,
Shtëpi për shtëpi katundi i djegur,
Janë këto dhembja e krejt katundit
Është haraçi i luftës së fundit… 485
/shkurt – mars 2004, Pejë/
______________
*) Këtë poemë së pari e botova në librin tim monografik “JABLLANICA (SHQIPONJA) E DUSHKAJËS”, Art Poetika, Pejë, 2004, fq. 253 – 271. Po ashtu e kam botuar edhe në librin poetik me titull “POEMË E DHIMBJES KRENARE”, Art Poetika, Pejë, 2007, fq. 49 – 79. – (Autori)