E shtune, 03.05.2025, 09:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Është plakur pritja

E marte, 20.04.2010, 09:43 PM


Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

ËSHTË PLAKUR PRITJA

 

Muranë

 

Me kthetrat e shqiponjës

Vizatova diellin

Mu në ballin e atdheut

Dhe...

edhe më tej

Pritnim... Të na ngrohte

Ngrohtësia globale

Në majë stalagmiti

Pastaj... i vizatova udhët

Që nuk na merrnin për udhë

Flokët e zeza futë

I zura gërshet

Në muranën e Rozafës

Dhe... bashkë... pritëm...

Pritën

 

Matematikën

Edhe pas shumë shekujve

Hëm

Kurrë s’e mësuam

Dhe vazhdimisht gabuam

Për të llogaritur

Largësinë e Yllit Polar

Dhe Rrugën diellore

Dhe... edhe më tej

Nuk e mësuam dot...

  

Është plakur pritja

 

Një ditë, koha noprane

Ma vodhi edhe pritjen

E unë me gjymtyrë të shqepulta

vrapova pas saj

 

Më thanë lëre të iki

Unë qava si stinë apokaliptike

 

Më thanë, imzot

Më thanë

Është e plakur pritja

Nga pritja

duke pritur

në pritje

 

Nuset, grisën duvakët

Dhe thanë

Merrni të gjitha

Por... pritjen...hëm...

Jo

Se do të thyhet

Në miliona copëza

Ëndrrat stramastike

Thanë nuset

Në natën bojë alli

 

Liria

 

Një ditë

Kur do vijë - Liria

Do të shkëputen  yjet nga qielli

Në gjuhën e gjarprit

Do të shkulet jatagani

 

E një çast tjetër

Kur do të takojmë - Lirinë

Do të qepim lëkurën e Atdheut

Të grisur nga shekujt

E shtatin me shtatë plagë

Do ta mbështjellim

Me parzmoren e ylbertë

 

Vjeshta në ikje

Do të më përqeshë

Paçka...

 

Zot... o Im zot...

Ti kur do të kthehesh

Thuaja këngës malësorçe

Se liria pa lirinë

Nuk do të ketë emër

As mbiemër

 

As dje, as sot

 

As dje

Nuk arrita të  skicoja lektisjen

Në fletë papirusi

Dhe nuk e shijuam

huallin mjaftuar

 

Atë që e kishim trampuar

Në tryezat e  botës

e kërkuam në shekullin e ri

E vit nopran i pritjes

Brinjët në bisturi na i shndërroi

Unë përsëri

Edhe në anën tjetër të vegullisë

Vizatova diellin

Në udhë duke udhëtuar

Pelegrin i lodhur

 

E sot

Më fshikullon zjarrmia

Duke më lëpirë

Ajkën nga buzët

 

Herezi

 

Në Arbëri edhe sot

Bie shi... dhe rragaten stinët

Në frëngjitë e gurta të kullës

Liria vjen - nuse

Në sofrën time ulet këmbëkryq

Dhe...  bisedon

Me mua... shtruar

Shijoj... e nuk ndiej fare

Rrëzëllimën ilirike të pritjes

 

Çfarë shije ka pritja

Më pyete mbrëmë

Kur edhe harrimi të harron...

Konstatove

Sozi im buzëqeshi përbuzshëm

Dhe me buzë të irnosura

Kafshoi puthjen satanike

Dhe trasoi udhë të reja

Për udhë pa udhëtarë

Dhe në zhguallin e hënës

Kishte rënë pluhur hënor

Që në një kohë tjetër

i fshinte era

i lante shiu

I mëkonte harrimi

Dhe realiteti im i stisur

Kthehej në të kundërtën tjetër

 

Vetë më the

 

Një ditë

Vetë më the

Merr çdo gjë që kam

Nga imagjinata ime e mbarsur

 

Kipci im qeshi

  

Humbëtira humbur kishte

Nisjen për t’u nisur

Në udhët që ktheheshin

Në udhëtarët që shkonin

Përtej harrimit

 

Në mëkatin gri



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx