Kulturë
Kalosh Çeliku: ‘’Kajgana’’
E marte, 20.04.2010, 09:59 PM
KALOSH ÇELIKU
“KAJGANA”
Erdhi koha të shënohet edhe Dita e Pavarsisë së Republikës të Maqedonisë. Drekë festive, Qeveria shtronte në hotelin më të njohur “Aleksandër Palas”, në Shkup. Mes fytyrave të elitës (ajkës) politike të Maqedonisë, edhe mua si kryetar i LSHSH më në fund ma kishin dërguar një ftesë.
Nuk do mend, vendosa të shkoj në këtë dasëm festive edhe atë, më tepër shkaku se bëhej fjalë për Ditën e Pavarsisë së Maqedonisë. I madh e i vogël, pa dallim feje e kombësie plot gëzim si te ajo kënga e vjetër popullore shqiptare në kohën e komunizmit: “Me gëzim po shkoj në punë”, turrevrap te hoteli “Aleksandër Palas”. Dihet, si gjithmonë unë vonohem në kësi manifestimesh politike. Dhe, arrij i fundit. Shkak ky, që mbetem te dera. Nuk kishte vend nëpër tryeza, si zakonisht edhe nëpër festat e partive politke, ose para këmbëve të hoxhës për Bajram. U ula në mesin e gazetarëve, te dera. Padashtas, sytë më ikën te një politikan i yni i madh, patriot. Thashë, me vete: mirë qenka puna pasi e kanë ftuar edhe këtë politikan patriot, me siguri edhe gjendja e shqiptarëve do të ndryshojë më në fund, njëherë e përgjithmonë në këtë shtet “demokratik”.
Politikan patriot ishte ai, që gjithmonë e ngrinte zërin lart për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Parlament. Edhe në Bit – Pazar, shpeshëherë para zgjedhjeve lokale e parlamentare, këtë burrë pushteti e kisha parë me megafon në dorë duke kërkuar liri dhe barazi kombëtare hipur edhe mbi karroca të hamallëve.
E shi, sot e shihja pera meje në tryezën festive me këmbën përmbi këmbë. E kishte lënë çantën e lëkurës të politkanit pranë vetes në një karrike. Politikani ynë sipas madhështisë i kishte zënë dy karrike. Edhe kërpeshin e kishte kuqezi. Këpucët, nuk mundja t’ia shoh nën tavolinë, me siguri i ka pasur të kuqe me çorapë të bardhë. Fundekrye, politikan i përgaditur për drekë festive.
Papritmas, erdhi edhe kamarieri me një bllok shënimesh dhe laps në dorë. I pyeste me rend të pranishmit se, çka do të porosisnin për drekë. Njëri, porosiste: “ramstek”. Tjetri: “biftek”, “pastramka”… I erdhi radha edhe Politikanit tonë të Madh.
- Ti, zotëri?
Politikani ynë i Madh e ngriti kokën:
- Ende nuk kam vendosur, mendohem... Pak më vonë. E, n? an?n tjetër tha me
vete: Tashti, do të shihni ju se kush është i Madhi. Edhe atë, jo vetëm nëpër tubime të ndryshme parazgjedhore, tryeza të rrumbullakta, tribuna e debate televizive, po edhe në tryeza festive ku maten burrat e mejdanit.
Politikani ynë i Madh, pasi i dëgjoi edhe kërkesat e këtyre kolegëve, përsëri tha me vete: Asgjë speciale, mish viçi. E kjo tjetra: mish mëzati. Mish kau. Mish lope. Mish qëngji. Edhe kjo tjetra, nuk është për t’u duartrokitur: “Pastramka”. Peshk. Eh, edhe katundarët sot hanë peshk. Lumenjt janë të tyre, zbresin nga katundi. Jo. Jo, unë do të porosis drekën mbretërore, që këta kalamaj politikanë, jo që s’e kanë hëngër, po as edhe kanë dëgjuar për atë specialitet. E lëre më, ta kenë provuar gjatë karrierës së tyre politike…
Edhe njëherë kamarieri kaloi para Politikanit tonë të Madh me meny në dorë.
- Hë, zotëri! A vendosët më në fund se, çka do të porositni për drekë?
- Jo, ende. U përgjigj Politikani ynë i Madh. Dhe, vazhdoi me shfletimin e menys
faqe pas faqe mbi tavolinë duke i ndërruar syzat.
- Mirë, tha kamarieri, vazhdoni me zgjedhjen, do të kthej përsëri më vonë, zotëri. Dhe, vazhdoi me mysafirët e tjerë të radhës politkanë, akademikë dhe alamet doktora të universiteteve. Porosiste secili sipas dëshirës së vet dhe mendjes së barkut: “Medalioni”, “peçeno jagne”, “losos na skara”…
Kamarieri edhe një herë ktheu para Politkanit tonë të Madh.
- Zotëri, a vendose më në fund për drekën?!
Politikani ynë i Madh, pasi u shkund një herë nga krahët, pasi më në fund ia kishte qëlluar drekës mbretërore, e ngriti kokën dhe tha:
- “Kajgana”!...
Kamarieri mbeti i shtangur nga një kërkesë e këtillë befasuese. Përpak, t’i bie të fiktë. Edhe një herë e pyeti Politikanin tonë të Madh:
- Zotëri, më falni nuk ju dëgjova mirë! Nëse ka mundësi, ma përsëritni edhe një
herë porosinë tuaj për drekë!
- “Kajgana”, bërtiti edhe më i sigurtë me krenari Politikani ynë i Madh.
Kamarieri uli kokën dhe përpara se të ikë përmes tavolinave, mori guximin ta pyes edhe një herë këtë politikan kaq të “veçantë e origjinal”:
- E, për pije?
- Çaj rusi!...
Kamarieri, kësaj radhe vetëm e shkundi kokën në shenjë habie. Dhe, iku me të katërta përmes mysafirëve drejtë kuzhinës.
Në ndërkohë, erdhi edhe “kajgana”. Specialiteti i ushqimit të zgjedhur me aq mund i këtij burri të mejdanit. Politikani ynë i Madh, kur i pa vez?t e fërguara para tij, gati i ra koka mbi tavolinë si cung shelgu në livadh. E përmbajti veten, hodhi edhe një sy nga enët e kolegëve të tjerë politikanë: ata me mish viçi, qëngji e peshku, cakrronin gotat me verë shoku me shok në këtë Ditë feste.
Edhe, m’u drejtua mua pas shpine: Epo, kështu është kur nuk të kuptojnë “vëllezërit” në politikë. Vite me radhë, unë u them: gjuha shqipe duhet të jetë në përdorim në të gjitha nivelet e shtetit. E, “vëllezërit” dhe shqiptarët e shitur: jo, gjuhë e dytë zyrtare. Jo, vëllaçko! Jo. Gjuha shqipe duhet të jetë, jo gjuhë e dytë, po gjuhë e parë zyrtare, e barabartë në këtë shtet. Mjaftë më me fajin e tyre gjithë jetën hëngra “kajgana”: në kohën e Turqisë, “kajgana”, në kohën e Serbisë, “kajgana”, në kohën e Gjermanisë, “kajgana”, në kohën e komunizmit, “kajgana”. Edhe në kohën e sotshme “demokratike”, u dashka përsëri: unë të ha si larask? vetëm “kajgana”?!…