Kulturë
Luftar Paja: Roli i arixhiut
E enjte, 22.04.2010, 09:02 PM
Pjesë nga monografia Luftar Paja
Nga Albert Zholi
Roli i arixhiut
Jam një aktor që kam marrë gjithçka që mund t’i jepet një artisti, por që ende nuk i kam thënë të gjitha. Para disa ditësh, televizioni shqiptar transmetoi një skeç të viteve ‘80 ku luaja unë. Të nesërmen një i ri që më takoi rastësisht më tha: “Ua xhaxha, ti qenke Luftar Paja që ka lozur Magazinierin? Po pse, aktor paske qenë ti?” Më vjen keq sepse jam në formën më të mirë. Me një përvojë artistike 45 -vjeçare jam i gatshëm të luajë çdo lloj roli në fushën e humorit dhe të satirës, por kam frikë se po harrohemi. Plasën nëpër teatro, duke përkthyer vepra amerikane, franceze, angleze, greke dhe italiane. Harrojnë se ky vend quhet Shqipëri, se këta njerëz janë shqiptarë. Po harrohen të vjetrit. Një ditë takova regjisorin Armando Bora.
- Ti po vë në skenë, një pjesë me një rol arixhiu. Unë nuk e di se si do e luaj ai tjetri, po pse s’ma dhe mua? - Ai shqeu sytë. - A e ke parë ti rolin e Arixhiut që kam realizuar unë këtu e 40 vjet më parë?
- E ku ta shihja! - M’u përgjigj Armando. - Në atë kohë unë nuk kisha lindur akoma.
S’m’u durua dhe i thashë: - E po mësoje or çun, se kur ti nuk kishe lindur akoma, unë “haja bukë” me arixhinjtë e Levanit. I njoh me dhëmbë e dhëmballë, ua di huqet, lëvizjet, psikologjinë, mentalitetin, aksentin.
Duket se artistët e mirë po harrohen. Nuk është fjala vetëm për mua si individ, por një psikologji indiferentizmi po injektohet te të rinjtë për të hedhur poshtë e për të lënë pas dore traditën. Pra, për të harruar çdo gjë “të vjetër” dhe me vlerë. Asgjëkund nuk po kujtohen Naim Frashëri, Mihal Popi, Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Tano Banushi, Nikolin Xhoja. Në harresë nuk po lihen vetëm të vdekurit, por edhe të gjallët. Po mënjanohet brezi i dytë që ende ka fuqi, përvojë e luk artistik si Albert Verria, Beb Shiroka, Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj. Njeriu plaket kur plaket pasioni. Kuin vdiq 84 vjeç duke interpretuar. Të gjithë kanë në majë të gjuhës fjalën Tranzicion.Tranzicion i thua këtij? Unë i them luftë, pasi ata që e morën në dorë pushtetin më ‘91 u hodhën në sulm. Vetë kryetari i PD-së në Fier i tha drejtorit të teatrit: “Të hiqen nga puna Luftar Pajo e Todi
Llupi.” Drejtori e kundërshtoi. “Po qe kështu, urdhëro çelësat. Teatri nuk është parti!” U përgjigj ai. Në atë mbledhje shumë pjesëmarrës kërkuan që ky vendim të mos zbatohej, mirëpo kryetari i partisë dha urdhër të prerë. “Menjëherë!” Të nesërmen unë i paraqita drejtorit të teatrit dorëheqjen e parevokueshme. Sa të bëhesha pengesë për të tjerët, dhashë dorëheqjen, jo se isha mërzitur nga kolektivi im artistik, por nga mënyra si politika po mbyste artin.
Ç’mund të bëjë unë në këtë moshë? Mund të bëjë shumë. Mund të interpretoj pafundësisht dhe në mënyrë të papërsëritshme figurën e babait, të myzeqarit e të malësorit. Prej tyre nuk ndahem dot. Këto role i kam për zemër. Këtu jam në pjatën time. Nga dramaturgjia shqiptare do të luaja me kënaqësi komeditë e Çajupit. Ato janë të freskëta në çdo kohë. Le më pastaj ndonjë pjesë të re, ndonjë komedi që sot nuk po e shkruan askush. Më parë thoshin: Kemi censurë, s’mund të shkruajmë dot atë që duam! Kemi kufizime, s’dalim dot nga kornizat etj., etj. Po tani që është liberta, pse nuk shkruan qerrata? Shkruaj të kam rixha! Dje, vërtetë kishte censurë, po tani të themi atë që është, s’ke censurë. Ndoshta kanë të drejtë që nuk shkruajnë. Është më mirë të interesohesh se nga hyn më lehtë maunja, nga Kapshtica ose nga Kakavija, në të gdhirë ose në të ngrysur, sa të shkruash.
“Shkrimtarët”, sot merren me biznes. Ata janë bërë presidentë, firmash, tenderësh, vizash, sepse siç duket, këto punë janë më të lehta e kanë fitim më të madh. Nga letërsia e huaj do të kisha dëshirë të luaja “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut. Këtë rol e kam ëndërruar prej kohësh dhe përsëri e kam merak të madh. Jam shumë i sigurt se e luaj mirë dhe me kripë. Pas kësaj përvoje të gjatë që kam në skenë e ndiej veten në formën më të mirë për të interpretuar.
Artisti është më pak pensionist nga kushdo tjetër sepse shpirti i tij mbetet po njëlloj ndërkohë që vitet shtohen. Por mosha bën të vetën, sado që me shpirt e me zemër ne përpiqemi të jemi në formë. Por më shumë se vitet që rriten e rrudhat që shtohen bëhet problematike lufta për rritjen e pensionit që shpesh është mjeti i vetëm me të cilët rrojnë artistët, të çdo lloj kalibri qofshin. Mërzitë e pensionit që marrim ne artistet mundohemi t’i kalojmë me ndonjë histori ose barsoletë. Kujtojmë kohën tonë që ka qenë e mbushur me ngjarje dhe histori. Unë personalisht kam bërë shumë marrëzira. Më kujtohet njëherë që jam hedhur nga maja e rrapit në Vjosë. Atëherë i kam thënë vetes: “Po dole gjallë, mos e përsërit më”. Dhe kështu ndodhi. Nuk e përsërita më kurrë. Shyqyr Zotit nuk na harrojnë gazetarët. Më pyeti para pak ditësh njëri: “Çfarë do bëje për herë të parë?” Dhe si
të gjithë meshkujt e këtij vendi për t’u treguar paksa maçoist i thashë se do doja të bëhesha elektricist dhe t’i prishja dritat ndonjërës. Se jam elektricist me kategori, madje! Shprehje humoristike sepse i përkas një brezi që atje ku hidhej grepi atje ngecte përgjithmonë. Nuk lejohen më këto marrëzira në moshën time! Edhe pse Shqipëria po ndryshon. Edhe veset, gjithashtu! A e keni vënë re që një nga kinematë e njohura të kryeqytetit është kthyer në bingo. Venë njerëzia e lënë lekë aty e dalin trutharë. Personalisht e urrej bixhozin dhe për fat nuk kam ndonjëri në familjen time që ta ketë për zemër atë. Mendoj se do shkoj ndonjë ditë për kuriozitet. Për të dalluar ato karakteret që nuk kanë këmbë në kokë. Për të dalluar dhe se kush janë ata që vjedhin lopët e fukarenjve. Duhet të jenë fshehur pas ndonjë xhami të zi. Njëlloj si politikanët tanë kur bredhin nëpër bulevard...