E diele, 28.04.2024, 11:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me Kujtim Morinën – poet dhe studiues nga Shqipëria

E premte, 23.04.2010, 09:58 PM


Intervistë  me Kujtim Morinën – poet dhe studiues nga Shqipëria

Nga Arsim Halili

 z. Kujtim, ju  mbase keni studiuar diçka tjetër që lidhet me vargun poetik, por na thuani  çka ju shtyri juve të futeni në këtë botë të artit? 

E kam pasur pasion që i vogel letërsinë. Kam trashëguar një biblotekë të mirë nga babai,  më shumë me libra ta autorëve të huaj nga ata që botoheshin në Shqipëri para 90-së por edhe të atyre shqiptarë. Ai lexonte shumë dhe mbante ditare të rregullta ditore por nuk shkruante letërsi të mirëfilltë. Nuk kam pasur ndonjë shtytje të shkruaj letërsi, ajo erdhi vetvetiu nga leximet e shumta. Dua të them se e kam pasur ëndërr që fëmijë të bëhem shkrimtar, e përfytyroja që nëse e arrija këtë atëhere bëhesha i famshëm pa e menduar dallimin mes një shkrimtari të mirë dhë atij mediokër. Normalisht, kur shihen ëndrrat, imagjinohet më e bukura që mund të ndodhë në realitet.

  Ju erdhët para lexuesve me hapa të sigurt poetik tek në vitin 2007, gjykoni se jeni vonuar apo jeni paraqitur  në kohën e duhur?

Po librin e parë e kam botuar relativisht vonë, pra në moshën 35 vjecare. Nga viti i fundit i universitetit në vitin 1994 kisha përgatitur më shumë se gjysmën e një libri me poezi por pastaj ishin provimet, mbarimi i shkollës, punësimi dhe një shkëputje mbi 10 vjecare kur nuk shkrova letërsi. Nga viti 2005, një miku im shkrimtar më kërkoi të lexonte poezitë e mia dhe pastaj më nxiti të shkruaj. Sidoqoftë, këtë periudhë shkëputje, unë nuk e quaj kohë të humbur sepse është eksperiencë nga jeta, mendoj se edhe po të kisha shkruaar vazhdimisht do të mbeteshin më shumë krunde se miell dhe prapë nga seleksionimi do të dilte dicka e përafërt. Edhe kur nuk kam shkruar poezi nuk jam shkëputur asnjëherë nga të lexuarit.  

Libri  i juaj “Dehja e mjegullës”një metaforë  e cila jep të kuptoj, çfarë më tepër?

Pra rreth gjysma e poezive të këtij libri duke përfshirë edhe këtë që i është vënë titulli janë shkruar në moshën 21-22 vjecare. Me këtë nuk dua të krenohem për moshën kur i kam shkruar dhe as për kohën. Nëse një poezi është e mirë, nuk ka rëndësi, nëse është shkruar gjatë regjimit komunist apo në kohën e demokracisë, kur je i ri apo në moshë të pjekur. Nëse është poezi, ajo mbetet, nëse nuk është, atëhere gjërat anësore dhe historiografia nuk e bëjnë dot poezinë as tekstin letrar. Prozatori i njohur Mitrush Kuteli i ka shkruar në moshën 22 vjeçare tregimin “Vjeshta e Xheladin beut” dhe disa tregime të tjera të cilat konsiderohen ndër më të mirat. Tani nuk është shumë e këshillueshme që autorët të shpjegojnë krijimet e tyre, meqë ra fjala për titullin e librit që i përket edhe një poezie, atëhere është konceptuar që megjithëse gjatë viteve të tranzicionit në Shqipëri, ne mendonim se kemi qenë të dehur nga era e demokraciisë, ne realisht kemi qenë nën mjegull, nën efektin e dehjes që nuk del menjëherë por do shumë vite të kalojë. Ndoshta bëra një konceptim politik të titullit që nuk është menduar si i tillë sepse shoqëria dhe njerëzimi në kohë të pakohë mund të gjenden shpesh në situata të tilla.

Ndërtimi i vargut tuaj  herë hermetik, e herë gjysmë hermetik, një varg i lirë. Mendoni se bota e juaj e brendshme, përcillet te lexuesit përmes filozofisë suaj poetike?

Përgjithësisht shkruaj në varg të lirë, nuk e di nëse tingëllon hermetik. Përpiqem të lexoj sa më shumë poezi të autorëve shqiptarë dhe të huaj që s’i kemi njohur deri tani, kohët e fundit kam filluar të shkruaj edhe prozë. Pasi kalon njëfarë kohe sheh se je ndikuar në mënyrë spontane nga një rrymë apo nga një tjetër dhe kjo për mua s’ka ndonjë gjë të keqe. Sepse sado stil origjinal të ketë një autor, prapëseprapë ai tregon kulturën e tij letrare, kulturën e tij jetësore që ka marrë në një mënyrë apo në një tjetër nga autorë të tjerë dhe pastaj ka ndërtuar stilin e tij të veçantë. Ndryshon puna nëse ke shkruar plagjiaturë pra copy and paste nga autorë të tjerë dhe ke bërë ca retushime e ndryshime. Atëhere duhet të mendosh seriozisht që je në fushë të gabuar, se po kënaq thjesht veten por jo lexuesin dhe zgjidhja më e mirë është të mos merresh me letërsi. Shumë shkrimtarë të njohur e kanë pranuar që të merresh me letërsi, është një vuajtje dhe një mundim i përjetshëm dhe nuk ua këshillojnë fëmijëve të tyre. Poeti i madh rus Josif Brodski ka një poezi ku thotë se “vetëm hiri e di se çdo të thotë të shkrumbohesh prej zjarrit”.

Vini nga Veriu dhe jetoni në Tiranë, mund të na thoni  se  cili vend është për ju , nektar imagjinativ i artit tuaj poetik?

Për mua, nuk ka rëndësi vendi ku shkruani, ka rëndësi frymëzimi dhe trilli që ke në mendje. Mund të jesh afër një liqeni të vogël dhe nëse bën një poezi të mirë, atëhere lexuesi e mendon se e ke shkruar pranë një liqeni që ai e ka afër dhe e përjeton me ndijimet e tij. Kur lexojmë romanin “Plaku dhe deti” të Heminguejt, ne e mendojmë ngjarjen të ndodhë kudo, ajo që na intrigon dhe na befason është esenca e romanit, lufta e plakut me peshkaqenin dhe forcat e natyrës. Dhe në fund atij i mbeti veç mundimi dhe asgje materiale dhe prapë ia vlente ajo jetë e jetuar sepse kishte një qëllim dhe një përpjekje mbinjerëzore për ta arritur atë. Pra është më shumë ajo që ndjen brenda vetes sesa ajo që sheh jashtë. Shumë nga poetët që kanë krijuar poezi të ndjera për dashurinë, kur janë parë të dashurat e tyre nuk është se kanë qenë më të bukurat por fantazia e poetit i ka bërë të tilla.

Keni edhe një karrierë diplomatike në Ministrinë e jashtme të Shqipërisë,sa arrin z Kujtim ti harmonizoj punët diplomatike dh ato krijuese?

Puna në shërbimin diplomatik mund të ketë lidhje apo harmonizim me letërsinë aq sa kanë edhe profesionet e tjera për të. Duhet të them që krijuesit që janë të angazhuar në diplomaci kanë më pak paragjykime për njerëzit e kombeve të tjera, më pak stereotipe, më pak nacionalizëm ndoshta. Nuk po heq këtu patriotizmin apo atdhedashuria, sepse kur e do atdheun tënd kjo s’do të thotë të urresh popujt apo kombet e tjera. Është thënë shumë herë që letërsia pasqyron shpirtin dhe fatin e njeriut e kombinuar apo e zbukuruar thuaj si të duash me fiksionin, pra me krahët e ëndrrës të një realiteti letrar që herë i afrohet por më shumë i largohet realitetit të zakonshëm jetësor.

Shpesh herë është konstatuar si një enigmë, se poete shkruajnë, por për opinionin nuk thonë se çfarë shkruajnë, ju megjithatë do të na zbuloni këtë enigmë?

Po shpresoj që brenda këtij viti të botoj një libër tjetër me poezi për t’iu përkushtuar pastaj më shumë prozës dhe kryesisht tregimeve të shkurta. Titullin e librit me poezi nuk e kam vendosur akoma sepse ai mbetet në diskutim deri në fund. Besoj që do të sjellë diçka të re krahasuar me poezinë time të mëparshme, i bashkohem edhe unë mendimit se kur libri i ri nuk e ka tejkaluar të mëparshmin atëherë më mirë mos e boto, por prit edhe nja shtatë vjet të tjera. Edhe autorët që kanë botuar dhjetra libra me poezi edhe të tjerët që kanë botuar vetëm disa kur vjen puna tek poezitë e zgjedhura atëhere nuk e kalojnë më shumë se një libër 200-250 faqe.

Te ne mbase flitet  për flitet, po nga krijuesit se libri është në krizë për ta lexuar, sepse për të botuar,  ka botime të mjaftueshme e ndani edhe këtë mendimi ju për Shqipërinë?

Nganjëhere mendoj se më vështirë është me gjetë lexues të mirë sesa krijues. Shijet e lexuesit kanë evoluar shumë, Shqipëria ka qenë një vend i izoluar para 90-s dhe lexuesi kishte shijet e leximit të shkrimtarëve më të njohur këtu. Unë ushqej mendimin që ne krijuesit të bëjmë sa më shumë letërsi të mirë se do të lexohemi, herët ose vonë. Nëse nuk arrijmë të shkruajmë letërsi cilësore atëhere mos t’ia vëmë fajin lexuesit. Do të shtoja edhe që masivizimi i internetit nuk e zëvendëson leximin aq më tepër të letërsisë artistike. Në internet mund të gjenden pjesë të shkurta letrare, letërsi e dobët, literaturë e fushave të ndryshmë shumë herë pa autor që mund të dyshohet seriozisht për vërtetësinë e saj. Edhe shtëpitë e njohura botuese në perëndim, librat që duan të reklamojnë në internet, u japin vetëm kopertiën apo ndonjë pjesë të shkurtër, dhe lexuesi duhet të porosisë librin online apo hard copy dhe të mos gënjehet se ka lexuar dy faqe të librit dhe e ka kuptuar të tërën.

Libri sot a vlerësohet vetëm nga prizmi marketingut të saj, apo vlerësohet në bazë të vlerave dhe pseudo-vlerave që gjenden brenda saj ?

Janë të dyja edhe vlera edhe marketingu, reklamacioni, publiciteti si të duash quaje. Jemi në kapitalizëm dhe nëse vlera nuk shkon në treg apo nuk reklamohet mjaftueshmërisht atëhere ajo harrohet. Ndoshta mund të zbulohet dikur nga arkivat por atëhere mendohet se autori mund të mos jetë gjallë më. Normalisht nuk duhet të ketë raporte të njëjta të librit njëlloj si të mallrave të tjerë me tregun por prapëseprapë edhe libri i nënshtrohet rregullave të tregut. Shteti mund të ndihmojë këtu me subvencionimin e një numri librash që të ballancojë atë që quhet ushqimi shpirtëror te njerëzit me ushqimin material që e ka më imediat, mendoj se të dyja janë njëlloj të domosdoshme për njeriun.  

Fillimi juaj krijues është arti poetik, a do të vazhdoj edhe më tutje ky rrugëtim apo ndoshta do të trajtoni ehe ndonjë zhanër tjetër?

E thashë edhe më sipër që kam filluar të shkruaj edhe prozë, merrem edhe me studime për integrimin evropian. Kam në kokë shumë projekt ide që dhëntë zoti të realizoj një pjesë të mirë të tyre. Edhe studimet letrare apo jashtë letrare duan shumë punë kërkimore tani sepse duhet të qëmtosh dhe të lexosh me vëmendje shumë literature dhe të hapësh arkiva, të bësh analizën e tekstit për të arritur në përgjithësime dhe sintezë gjithashtu. Unë nuk e kam natyrën që paraljamëroj shumë, preferoj të flas për diçka pasi ka ndodhur.

Për fund të kësaj interviste kemi lexues gjithandej trojeve shqiptare, çka do t’i porosite ata për një rrugëtim të mbarë në jetë?

Jam akoma i ri në krijimtari për të dhënë porosi. Siç është në Perëndim për politikanin që duhet t’i afrohet 45-50 vjec për t’u konsideruar i pjekur në atë fushë, edhe për krijuesit letrarë duhet një eksperiencë e gjatë dhe mundim i madh në letra që pastaj ata mund të japin sugjerimet e tyre për të shkruarit. Di të them që poezia e poetëve të Kosovës tek e cila unë përfshij edhe krijuesit e Luginës së Preshevës në vitet 70 kishte arritur një kulm krijimtarie që ishte më i lartë se i poetëve të Shqipërisë së asaj kohe. Zaten ndikimi dhe presioni ideologjik tek letërsia në trojet shqiptare jashtë atdheut ka qenë më i paktë se në Shqipëri, sunduesit e asaj kohe të pushtetit në trojet shqiptare janë ruajtur shumë nga nacionalizmi dhe i kanë lënë të kalojnë të tjerat. Krijues si Anton Pashku, Azem Shkreli, po përmend vetëm këto që nuk janë gjallë fizikisht hyjnë në panteonin e letërsisë shqiptare. Dëshiroj t’ju falënderoj ju për intervistën si koleg i letrave dhe të përshëndes të gjithë lexuesit e revistës “Perspektiva”, një revistë që e lexova me ëndje kur më ra në dorë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora