E shtune, 03.05.2025, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Ismail Mal’Osmani: Dalin letërkëmbimet me Nolin e Migjenin gjatë viteve ‘40

E premte, 23.04.2010, 09:24 PM


Nga Fatmira Nikolli

 

Ismail Mal’Osmani ishte një botues i viteve 1940. Në kohën kur ai ushtroi aktivitetin e tij, bëri një punë të madhe e fisnike për librin, madje ndihmoi edhe lëvizjen çlirimtare, e megjithatë, kur regjimi komunist erdhi në pushtet, ai jo vetëm që nuk u shpërblye, por u përndoq dhe persekutua si qindra intelektualë të tjerë. Me rastin e Ditës Botërore të Librit, Biblioteka Kombëtare ka organizuar një veprimtari në nderim të botuesit të spikatur të viteve ‘30-’40, Ismail Mal’Osmanit, në kujtim të 100-vjetorit të lindjes. Është hera e parë që zgjidhet një botues për t’u përkujtuar në Ditën e Librit. Sa i takon kësaj, drejtori i bibliotekës, prof. Aurel Plasari thotë se “një nga prirjet dhe detyrimet e bibliotekës si institucion kulturor kombëtar është të kujdeset për figura që quhen ‘të harruara’ nga koha. Në këtë rast çpluhurosim Ismail Mal’Osmanin. Meqenëse libri nuk është produkt vetëm i autorëve, vendosëm që këtë vit me rastin e Ditës Botërore të Librit në datë 23 prill të përkujtojmë këtë botues. Sepse pa botuesit, dorëshkrimet do të mbeteshin të tilla e nuk do shkonin në duart e lexuesit”. Sipas Plasarit, ai ka qenë një botues që duhet marrë shembull, meqenëse botuesit nuk vlerësohen vetëm për atë që botojnë por edhe për atë që kthejnë mbrapsht. Mal’Osmani, i lindur më 3 janar të vitit 1910, u rrit në një familje me dashuri për artin dhe kulturën dhe fillimisht punoi në shtypshkronjën “Mbrothësija” të Kristo Luarasit, si tipograf. Në vitin 1931 ngriti në rrugën “Xhemal Pashë Zogu”, tani Rruga e Dibrës, një shtypshkronjë të vogël me makineri të përdorura. Në kohën e luftës ai i ndihmoi komunistët me letër dhe shaptilografë. Tek ai punuan njerëz të lidhur me lëvizjen. Njëri prej tyre ishte Beqir Balluku, që pas çlirimit u bë ministër i mbrojtjes. Në vitin 1943 i shiti gjysmën e shtypshkronjës Ali Ndroqit dhe hapi shtëpi botuese. Pas një aktiviteti botues me një sërë emrash e titujsh, në vitin 1946 atij i shtetëzojnë shtëpinë botuese e në vitin 1951, edhe shtëpinë ku banonte vetë. Filluan vitet e gjata të persekutimit për të. Në këtë kohë e heqin edhe nga puna dhe botuesi i nderuar për të mbijetuar, filloi të merrej me blegtori duke rritur lopë e viça. “Ç’paradoks qesharak i diktaturës komuniste! Intelektualin e urtë e mirëbërës e kthen në një lopçar”, - shkruante Pali Xharo në vitin 1992 për të.

 

Botuesi

 

Botuesi Mal’Osmani ia doli të ngrejë një ent botues të modelit perëndimor, rreth të cilit arriti të mbledhë si bashkëpunëtorë intelektualë të shquar të kohës, shkrimtarë, publicistë etj. Falë këtij rrethi bashkëpunëtorësh, ai bëri zgjedhje cilësore të veprave që iu ofroi për lexim lexuesve shqiptarë të kohës. Nga literatura e huaj ai zgjodhi dhe botoi vepra letrare, filozofike, juridike etj, që përcillnin jo vetëm vlera artistike, botëkuptimore etj, por që në të njëjtën kohë trajtonin probleme që ishin në rezonancë me shqetësimet dhe hallet e shoqërisë shqiptare të kohës. Për sa u përket dorëshkrimeve të autorëve shqiptarë, Mal’Osmani, duke zbatuar kritere të larta vlerësimi për kohën, përzgjodhi vepra që synonin edukimin e shijeve estetike dhe formimin e gjithanshëm të shqiptarëve të kohës së vet. Në të dy planet kriteret përzgjedhëse të dorëshkrimeve që paraqiteshin për botim ishin të larta dhe të sakta për kohën. Veprimtaria botuese e Ismail Mal’Osmanit u shqua edhe për korrektësinë në marrëdhëniet me autorët dhe përkthyesit në planin moral, por edhe atë financiar. Veprimtaria e tij ishte transparente dhe respektonte në maksimum të drejtën e autorit të veprave që botonte. Në ceremoninë e kujtimit të 100-vjetorit të botuesit do të paraqitet botimi “Ismail Mal’Osmani - Njeriu i Librit” dhe në mjediset e Bibliotekës Kombëtare do të përurohet Ekspozita Retrospektive e Botuesit. Në ekspozitë, krahas botimeve të tij do të paraqiten në riprodhim edhe pamje nga qyteti i Tiranës së asaj kohe, ilustrime nga librat (reklama, procesverbale), sigla e botuesit, shkrime të tij në shtypin e kohës etj.

 

Aktiviteti

 

“Ai ka qenë një botues që duhet marrë shembull edhe sot për cilësinë e veprave që nxirrte nga shtypi. Ishin jo vetëm titujt, por edhe cilësia me të cilën ata botoheshin, që e bënin të veçantë jo vetëm për kohën kur ai jetoi, por edhe për kohën tonë”, - thonë dy bibliografët që po merren me organizimin e këtij aktiviteti në Bibliotekën Kombëtare, Maksim Gjinaj dhe Ramazan Vozga. Sipas tyre, ai veproi në këtë linjë deri në vitin 1946, kohë kur u shtetëzua shtëpia e tij botuese. Ka botuar letërsinë e autorëve të njohur botërorë por edhe shqiptarë. Ai i ribotoi “Vargjet e lira” të Migjenit në një kohë kur botimi i parë i tyre nuk qarkulloi, por ka botuar dhe përkthimet e Fan Nolit, “Nëna” e Gorkit, librin “Atje nën hijen e Rozafës...” të Injaz Zamputit, “Racën Shqiptare” të Jakov Milaj, “I funtmi i Kastriotëvet” nga Andon Frashëri, “Ligjëron Fan Noli” nga Lefter Dilos, “Kasollja” e Vicente Blasco Ibanez etj, etj.

 

Letrat

 

Siç u tha edhe më lart, Ismail Mal’Osmani qenë tepër korrekt jo vetëm më autorët dhe përkthyesit, por edhe me rregullat. Kjo vërehet edhe në një nga librat që ai botoi, ku gjendet edhe kontrata e lidhur. Kështu në kohën kur u botua libri “Kasollja” e Blasco Ibanez, Mal’Osmani, në mungesë të përkthyesit Fan Noli, në faqen e dytë të librit boton edhe një procesverbal ku thotë se “për këtë ribotim, si të drejtë të përkthenjësit, botonjësi Z.Mal’Osmani vë menjëherë në dispozicion të Z.Fan S. Noli, gjysmën e fitimit neto, që kap shumën prej LEKË 7500. Këjo shumë do të derdhet në Bankën Kombëtare n’emër të Fan S. Nolit. Ky vendim u muar për të qenë në rregull Editori kundrejt përkëthenjësit në mungesë të tij nga Atdheu”. Më poshtë, pasi jep disa detaje të shumës së parave, ka edhe emrat e anëtarëve të komisionit që morën pjesë në hartimin e procesverbalit. Veç kësaj, ai jepte për lexuesin librat që kishte botuar dhe ato që do botonte, duke dhënë kohën kur do dilnin nga shtypi. Në librin e botuar nga Spiro Mëhilli, është publikuar një letër që ai ia dërgon Migjenit. Ajo mban datën 5 maj 1936, dhe në të e siguron se cilësia e botimit do të ishte siç ata të dy kishin rënë dakord. Më tej ai i sqaron se sa kushtojnë letrat sipas cilësisë, pasi i ka thënë më lart se po i dërgon për një korrektim të dytë 16 faqe. Më tej ka edhe një letër që motra e Migjenit, Ollga Nikolla (Luarasi) i dërgon atij, ku thotë se “unë deklaroj dhe vërtetoj se sot në 28 korrik 1947, kemi mbyll llogarinë e botimit të librit ‘Vargjet e lira’, edicioni i parë në sasi 3000 copë, të cilën ish botonjësi Mal’Osmani pati mirësinë ta bëj në vitin 1944 krejtësisht për dobinë time”. Një tjetër letërkëmbim është ai mes tij dhe bashkëshortes së Foqion Postolit, Elenit. Kështu në letrën që i shkruan asaj, i kërkon të rishtypë në mënyrë të denjë romanin “Lulja e Kujtimit”. Pasi i kërkon autorizim për këtë, i thotë se për rishtypjen “ju përkasin 1500 franga shqiptare”. Në përgjigjen e saj, Eleni Postoli, pasi e falënderon i jep autorizimin. Ajo në datën 2 mars 1944, i shkruan se “oferta e zotëris s’uaj është një gjest fisnik për familjen e Foqion Postolit”. E letrat në librin “Ismail Mal’Osmani - Njeriu i librit”, nuk përfundojnë këtu.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx