E diele, 28.04.2024, 06:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Sokol Zekaj: Frederik Rreshpja poeti që nuk u thye

E shtune, 24.04.2010, 07:50 PM


Frederik Rreshpja poeti që nuk u thye

 

Nga SOKOL ZEKAJ

 

Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes / Poeti la pak poezi, gjithsej një libër prej më pak se dyqind faqesh.

 

Gjithsesi, kjo racë artistësh nuk është shquar ndonjëherë për sasi. Shtoji këtij fakti, faktin tjetër se për Fredin, drita jeshile u hap vonë, kur qe bërë mospërfillës ndaj disa gjërave si suksesi.

 

Sot kam shfletuar librat e Frederik Rreshpjes, një poet shkodran të cilin e lexoj herë pas here dhe asnjëherë nuk e mbyll me ndjesinë se e lexova. Kam shtatë libra të Frederikut. Libri i parë titullohet Rapsodi shqiptare dhe është botuar më 1968. Atëherë poeti ishte njëzetetetë vjeç. Më pas vjen romani Zëri i largët i kasolles botuar më 1972 ndërsa një vit më pas, më 1973 del në qarkullim vëllimi i dytë poetik i tij Në këtë qytet.

 

Në vazhdim një heshtje e gjatë derisa më 1994 shfaqet me Erdhi ora të vdes përsëri. Dy vjet më pas boton përmbledhjen Lirika të zgjedhura, ndërsa më 2004 dalin njëra pas tjetrës dy botime të poezive, Vetmi dhe Në vetmi. Më 17 shkurt 2006 vdes.

 

Miqtë që e kanë dashur dhe i kanë ndenjur pranë, e paraqesin si njeri fisnik veçse të vështirë. Dhe, është e besueshme.

Ai bënte pjesë te ata që quhen poetë të lindur. Nuk ka një poet të gjuhës shqipe që t'i qaset më bindshëm këtij përcaktimi. Ai ishte poet i gjinisë së William Blak-ut, Arthur Rimbaud-së, Sergej Eseninit etj, një racë që tek ne është disi në mungesë.

 

Jam lemerisur njëherë kur kam dëgjuar një shkrimtar por edhe poet (pretendimi i tij) shqiptar me gradë akademik të thoshte: unë mund të shkruaja si simbolistët francezë (Rimbaud, Verlain, Mallarme) por s'do më kuptonte lexuesi ynë!

 

Në fakt libri i parë i Frederikut, është i kopsitur mirë sipas kërkesave të asaj kohe. Ishte mesi i viteve '60. Shteti komunist përpunon ambiciet e veta për të kontrolluar dhe shtypur mendimin e lirë dhe ndërgjegjen e njerëzve, madje edhe vetë natyrën e lirisë, për ta kthyer individin në masë.

 

Në këto kushte që e rrethojnë nga jashtë, dhe kur energjia e brendshme krijuese kërkon terren, poeti bën lëshime në temat e tij. Nga ana artistike, ai është në kërkim të vetvetes, të zërit të vet të brendshëm, brenda atij pylli të vështirësive që ekzistonin, teksa ndihet i prirur kah tonet e larta, kah epika e gjërave.

 

Libri i dytë me poezi Në këtë qytet, është një kapërcim i ndjeshëm drejt cilësisë. Zëri është zbutur dhe ka marrë ngjyrime interesante, ndonjëherë uitmaniane. Dihet se arti në atë kohë duhej të pohonte lumturinë, një ndjenjë që siç thotë Valery-a "nuk është e prirur me u kthye në fjalë për shkak se është qëllim në vetvete".

 

Por poeti ia ka dalë të zotërojë një alkimi përmes së cilës përpunon lëndën e vet. Dhe megjithëse kjo lëndë është përgjithësisht e imponuar, ai arrin të japë efekte të vërteta artistike. Për të nuk është i rëndësishëm sinqeriteti por krijimi. "Anila, zog i lumtur që ikën mbi çatitë e ditëve / Rinia jote erdhi si një lajm i madh që i bie portës." shkruan poeti te poezia Letër Anilës.

 

Vetëm në një gjë kishte besim dhe bindje: poezia. Ai nuk ishte i varur as te një krah i politikës, as te një shkollë e artit, as te një mik i bardhë as te një mik i zi. Ai ishte një shpirt i pakufizuar dhe, si i tillë çmonte lirinë. Kaq. Unë me njerëzit rri për edukatë - do të shprehej në një intervistë. Njëherë, kishte udhëtuar nga Shkodra në Tiranë, dhe aty në Lidhjen e Shkrimtarëve, pritësit e pyesin për një shkrimtar, mik të tij: ç'thotë X-i? Përgjigja qe: mirë, i shkreti, por nuk ka talent.

 

Libri i dytë u shkrua dhe u botua në fillim të viteve '70 në kohën e shkurtër të liberalizmit. Pak kohë më pas, ai do mund të cilësohej si i papërshtatshëm për shkak të ekuivokeve dhe ambiguiteteve, por edhe të risive të cilat ishin të mistershme për sistemin, dhe nuk do të botohej. Ja një shenjë moderniteti, mbivendosje metaforash, nga ky libër: dëgjoj erën si fryn nëpër fjalët e mia të cilat befas u bënë të gjelbëra/.

 

Ky libër ka shumë dritë, ngjyra dhe shpresë, të gjitha në lëvizje të përhershme. Këtu bën pjesë edhe balada e bukur Kata. Atëherë autori sapo i kishte kaluar të tridhjetat.

 

Nëse krejt jetën e poetit do ta qasnim me një ditë astronomike, atëherë kjo periudhë do të ishte dita, ndërsa vitet e pas nëntëdhjetës, mbrëmja, e mbase edhe nata e tij. Poezitë që i përkasin kësaj të fundit, kanë shumë hije dhe trishtim, dhe pak dritë e optimizëm.

 

Duket sikur as edhe dhimbje nuk ka mbetur më, por vetëm hi. Në fakt kjo mund të thuhet vetëm në kuptimin fizik të gjërave, sepse në poezi tashmë, alkimia e poetit është bërë vetë magjia, ndërsa ajo çka ka humbur me kalimin e viteve është artificialiteti pasi edhe vetë artificet letrare janë bërë lëndë.

 

Kemi vetëm poezi: emocione intensive estetike, imazhe që transpozohen nga një varg te tjetri, ironi, paradokse. Shfaqja e kësaj poezie determinuese në jetën letrare shqiptare, menjëherë sapo ra diktatura, mbetet edhe sot një mister.

 

Dikur poezia e tij jo rrallë kishte trajtë ditari, takime dhe përvoja me njerëz dhe vende. Kishte kronikë dhe gjeografi. Kjo lloj poezie ka shumë pika komunikimi me publikun. Tani temat pothuajse janë zhdukur. Ka mbetur veçse lënda e pandërrueshme e brendësisë së shpirtit, një lëndë thelbësore që merr trajtë në lëvizjet dhe fiksimet dhe përsëri lëvizjet e një imagjinate të pakushtëzuar.

 

E gjithë hapësira astronomike është transpozuar në hapësirë shpirtërore. Perceptimi i botës nuk bëhet më përmes përvojave empirike por përmes shkrepjeve intuitive.

 

Nëqoftëse në vitet shtatëdhjetë, shkruante një poezi për Anilën për të bërë diçka të bukur dhe të pranueshme, në periudhën e dytë gjërat kanë ndryshuar. Tash, edhe kur shkruan për dhimbjen e vet, nuk e bën këtë për t'ua bërë të ditur të tjerëve. Ai në fakt shtiret, siç thotë Pessoa, sikur ndien dhimbje nga dhimbja që ka.

 

Shkruan poezi jo për të realizuar vetveten sepse kjo do t'i mbetet përgjithmonë e parealizuar siç ka dashur dikur, por veç për të kujtuar një pasion të vjetër. Veçse ky kujdes për kujtesë, është vetë qenia e tij ekzistenciale. Tashmë kur i ka kaluar të pesëdhjetat, sjell ndër mend se dikur nuk trembej nga gjinitë e gjata të letërsisë: romane, poema. Tani në një intervistë kujton Eluarin të ketë thënë: "por le të pyesim nëse ai luftoi më parë se bota ta mundte atë".

 

Dhe, në të vërtetë poeti ynë luftoi duke ndjekur natyrën e tij.

Imagjinata e tij e njësuar me vetë qenien, funksionon përbukuri ndër skaje të fshehta dhe të pazbuluara. Gjërat nuk kanë më një kuptim, një tingull, një ngjyrë. Sipas William Blake-ut, këto janë punë të arsyes, jo të poezisë. Poezia e tij bëhet polifonike dhe multikolore. Ajo është tashmë ekzistenca e gjërave që nuk ekzistojnë.

 

Vetë leximi i saj bëhet pjesë e të krijuarit. Askush nuk i ka ditur këto gjëra kaq mirë sa Frederiku. Mirëpo kjo e bën poezinë të jetë elitare d.m.th ia pakëson asaj pikat e komunikimit me publikun e gjërë i cili, duhet thënë, e ka më të lehtë t'i qaset logjikës së thjeshtë të përvojave se lojës valavitëse të imagjinatës. E megjithatë, "talenti mendon, artisti sheh" thoshte përsëri William Blake-u. Frederiku është poet i përfytyrimeve dhe vegimeve.

 

Poeti la pak poezi, gjithsej një libër prej më pak se dyqind faqesh. Gjithsesi, kjo racë artistësh nuk është shquar ndonjëherë për sasi. Shtoji këtij fakti, faktin tjetër se për Fredin, drita jeshile u hap vonë, kur qe bërë mospërfillës ndaj disa gjërave si suksesi. Në Francë, që për ne është një yll, Jean Cocteau qe autodidakt por e kurorëzuan akademik, ndonëse edhe ky, jo se qe shumë i përshtatur me shoqërinë ku jetoi.

 

Për të një grua e njohur pati shkruar: ai ecte me krenarinë e një shpendi të egër që rastësisht ka rënë në një oborr me shpendë. Për ata që e kanë njohur, kjo është si e thënë për poetin tonë.

 

Rreshpja nuk qe nga ata artistë që përmes pasaportës së artit bëjnë karrierë diku tjetër, dhe as nga ata që japin "gjeninë në jetë, talentin në vepra". Në socializëm - i persekutuar, në demokraci - i shpërfillur jo domosdoshmërisht për faj të të tjerëve, i paaftë për tu sistemuar në jetë, veprën e vet e krijoi në kushtet e mjerimit dhe dhimbjes, plot plagë shpirtërore, ndonëse fakti që adhuronte De Radën na thotë se do të kishte preferuar klimën e butë, të qetë, me prirje orfeike.

 

Poezi brilante, të kursyera në fjalë, që rrallë i kalojnë njëzet vargjet, gjithmonë të mbyllura në një unitet të pacënueshëm, ato nuk janë të vështira për tu kuptuar por janë elitare për shkak të rafinimit të thellë artistik, të mbivendosjes së imazheve e të metaforave, mendimit obskur dhe shkrepëtitjes së largët, prandaj nuk është popullore, ndonëse kjo është shenjë e vërtetë e modernitetit, vlera të cilat ne jo se i kemi me tepri, përkundrazi.

 

Ajo nuk synon të artikulojë jetën njerëzore në gjerësi por është një zë i mahnitshëm i ndijimeve si shprehje shpirti universal. Po jap si shembull njërën, Rekuiem, nga libri Erdhi ora të vdes përsëri, botuar më 1994:

 

Noton në përrua me gjethe mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë

Me sytë e verdhë në heshtje.

 

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës

Lugina me hënë e lyer

Dhe drerët e erës venë kujën me dhembje

Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi si kjo ditë

Qefinin me gjethe të tharë

O dimri i drerëve me brirët në erë

 

Kë vjeshtë të qajmë më parë?

 

Mëkati i kësaj poezie është se, duke qenë universale, lënda që mbart nuk na çon te ndonjë gjeografi e njohur as te ndonjë kohë e njohur, ku ne të lidhim sentimentet tona empirike, e megjithatë është e rrallë përnga cilësia e realizimit, përmes një gjuhe që këndon si muzikë, gjithmonë e shkruar saktë dhe pastër. Siç e ka vënë në dukje studiuesi gjerman Hans Joachim-Lanksch, ndryshe nga ç'bën me jetën, kaosin e poezisë së vet, ai e organizon në mënyrë të përkryer.

 

Ai bënte pjesë në elitën artistike mbarëshqiptare. Në fakt ai jetoi gjithnjë në skaj të shoqërisë ndonëse nuk kishte asgjë nga veset për të cilat shoqëria e pastër e mallkon njeriun. Por gjendja e tij shpirtërore ishte gjithmonë në mungesë pasi ai jetonte në hijen e perëndisë së Humbjes. Këtej vijnë ngjyrimet e forta të poezisë së tij e cila duhet thënë nuk bie në dekadentizëm por ka natyrë të lartë dhe fisnike.

 

Sidoqoftë, nuk ka shenja të mjaftueshme se Frederiku lexohet nga nxënësit apo studentët, pra se kërkohet konsiderueshëm në programet e shkollave. Këtë e ndiej sepse punoj në një bibliotekë.

 

Tashmë është orë e vonë e natës. Nga Dajti ku prapë këto ditë ka rënë borë, vjen një erë e ftohtë që fërshëllen përmbi ndriçimin e krejt Tiranës, e më tej kodrave. O dimri i drerëve me brirët në erë! pëshpëris këtë varg të Frederikut. Mbi tavolinë kam shtatë librat e tij, të gjithë të botuar sa ishte gjallë, atëherë kur ai ishte poeti më brilant i gjallë i gjuhës shqipe (mendimi im).

Por sot nuk kemi në dorë një botim integral dhe dinjitoz të veprës që la. Po, edhe nëse dëshiron një libër të tij çfarëdo, nuk e gjen dot.

 

Mandej, duhen hulumtime dhe studime për këtë vlerë kombëtare të cilat them se nuk do të mungojnë pasi zëri i tij nuk mund të ketë përgjigje tjetër nga njerëzit e letërsisë dhe artit përveç pohimit.

 

Mes lexuesve që ka, numri i adhuruesve të tij është ndoshta nga më të lartët. Ka fituar Çmimin Kombëtar të Poezisë dhe është përfshirë në disa antologji serioze të poezisë shqipe. Ka qenë në vëmendjen e studiuesve dhe poetëve, qysh në gjallje dhe më pas. Sot e kujtojmë në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes. Poezia e tij Rozafa e flijuar mbyllet me këto vargje:

 

O Medaur! Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua

Tani që ra hëna e syve të mi!

 

Gjërat e rëndësishme kërkojnë sakrifica sublime. Këto e ushqejnë pandërprerë vetëdijen tonë historike, shpirtin tonë të pandërrueshëm. Frederik Rreshpja pati një mision për të përmbushur për të cilin luftoi dhe sakrifikoi por nuk u thye, duke lënë pas, në radhën e krijuesve të mëdhenj bashkëqytetas, një vepër cilësisht dinjitoze, të bekuar.

 

Autori është poet, fitues i Çmimit Penda e Argjendtë 2004



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora