E shtune, 03.05.2025, 09:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Timoni filozofik i Etit

E marte, 27.04.2010, 09:56 PM


Në Prishtinë u hap ekspozita personale e artistit Jetullah Haliti

 

Timoni filozofik i Etit

 

Nga Ilir Muharremi

 

Është vështirë të shkruash për thellësinë dhe krijimtarinë e Jetullah Halitit – Etit. Sa herë që përpiqesh të hedhësh ndonjë fjalë në letër, ngjyrat etiane dhe konceptet e freskëta me plot kuptim, të fusin në një rrugë plot filozofi, plotë jetë, nga e cila kur kthehesh, mbush një thes përplot ngjyra domethënëse. E veçanërisht nëse zhytesh në ngjyrën e kuqe, ajo ka magji ta ndajë rolin dhe madje të bëjë protagonist të ngjarjes, e pikërisht këtë gravitet e vërejmë tek cikli “Ngrohja globale” dhe “Shkrirja e akullnajave”.

Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri, dhe këtë frymë mistike, Eti dukshëm na e shfaq, nëpërmjet potezave të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pa ngjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq, tek “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Friedrih Nietzche, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti, në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.

Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë. Ndërsa, tek skulptura tredimensionale “Timoni artistik”, artisti e ngre zërin dhe artin e tij, duke e shkrirë botën në një dru të lashtë, që rrotullohet prej artistit. Ai i jep kuptim, shije, estetikë dhe e rrotullon kah vetja e saj e drejtë, duke rrezatuar në çdo mendje të njeriut, duke e shndërruar njeriun në artist, me qëllime pozitive, me një vizion të pastër për botën. Edhe grafikët, fotografitë dhe skulpturat kanë një koncept të pastër dhe të fuqishëm në vete, një kozmos me planete të formave të ndryshme dhe plot jetë. Fotografitë na vijnë si diçka e rastit, momente që rrokullisën sikur lumenjtë e shpejtë, dhe lëvizjet më zigzage më të rastësishme, të regjistruara nga instinkti i artistit etian.

Ndërkaq, skulpturat, përveç se kanë koncept, janë të ringjallura nga gurët e lashtë antikë, që na kthejnë te tragjikja e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit. Ato na dhurojnë zjarrin e vjedhur nga Prometeu, dhe na ndriçojnë të fjeturën tonë.

E tërë artin e tij, krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “Përfundizmi”. Mesazhi i përfundizmit është i thellë, i pa skajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë, ende nuk dihet pikënisja, që të vendoset finalja.



(Vota: 2 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx