Kulturë
At Justin Rrota, Dorëshkrimi i rrallë që na zbulon një korife
E marte, 27.04.2010, 09:28 PM
Át Donat Kurti ÁT JUSTIN RROTA O.F.M. (Biografi)
Nji gjysë oret mbas mjesnatet të ditës 21 Dhetuer 1964, ne e hâne, u dá këso jete P. Justin Rrota, tuj pasë te kryet shoqin e vet, P. David Pepën. Diq në Kuvend t’Arrës së Madhe. P. Justini (Ndoci) kje i treti fëmijë nder gjashtë, (katër vëllazen e dý motra) që leu me 17 Fruer 1889 në Shkoder prej Gjushit të Gjon Qerraxhis (Rrota) e prej Shaqes së Ják Vjerdhës. - Kje pagzue me 18 Fruer prej don Ndoc Nikaj e i kje ngjitë êmni Ndoc.
Fill mbas azilit, qi pat bâ te Tina e Nikës në Serreq, u shkrue në Shkollen Françeskane, kû kreu pesë klasë fillore e nje klasë qytetze. Mundit e kujdesit të mësuesve të vet u përgjegji me nji sjellje t’urtë e me zéll nder mësime. I butë per natyrë, nuk përzihej aq fort me shokë per lojë e per argtime. Rruga e tij e perditshme ishte shpí e shkollë. Tuj i pasë prindët fetarë e të ndershem, e i drejtuem shpirtnisht prej katekistit t’atëhershem të shkollës, P. Pál Çiurçis, diftohej mjaft i terhjekun kah jeta françeskane, e tuj vijue me ket dishir, u vû jashta orve të mësimit me xânë gëjuhen latinishte po prej P. Palit. - Me 28 Gusht 1902 hini në Kolegjen Françeskane të Gëjuhadolit e aty u dha me gjith shpirt per me e kuptue e me e ndiekë idealin e Sh. Françeskut, tuj pas per mjeshter P. Françesk Melchiori-n, aq në zâ aso kohe në Shkoder per zéll fejet, e per zotsi nder veprime të ndryshme. - Me 28 Gusht 1904 veshi zhgunin në Rrubig porsi rishtár neper duer të Komisarit të Misjonit, P. Anastaz Vincenzoni, tuj pasë per mejshter P. Augustin Kolen. - Me 29 Gusht 1905 i u kushtue Zotit me kushte të thjeshta, tuj pasë marrë êmnin Justin; mandej kje çue në Troshan, kû kreu kursin e filozofis, tuj pasë per profesor P. Pál Dodaj. - Me 13 Marc 1909 bâni kushtet e perheshme nder duerë të P. Bernardin Shllakut në Kishën e Gëjûhadolit.
Në Gusht të vj. 1907 kje çue n’Austri në Vilak të Karincjes per këndime të theologjis, por [f. 2] për mungesë shëndetjet, kje ngushtue me kthye në Shqypni nji vjetë mbrapa (1908), e kështû kursin e theologís e kreu në Shkoder e në Rrubig, tuj pasë prosi profesor P. Gjergj Fishten e P. Zef Lochmann-in, e P. Ambroz Marlaskaj. - I pregatitun me dituni e me shtrëngesë rregulltare, kje shugurue meshtár, e meshen e parë e tha në Kishën e Gëjûhadolit me 11 gusht 1911; predkun e rasës e pat mbajtë P. Gjergj Fishta.
Dihet mirë, se çfarë ndrrimesh me randsi kjén bâ në Shkollën Françeskane porsá e muer drejtimin P. Gjergj Fishta. Perveç se të gjitha landët kjen bâ në gëjuhën shqype, i kje dhane shkollës edhe fryma e nacionalizmit, megjithse në kohë robnijet, tuj shti e tuj rrájosë nder zêmra të xânsave dashtnín per liri, per gëjuhë e per bashkim. Shkrimeve të posaçme në gëjuhën shqype, poezive të P. Gjergjit, si atyne të “Lahutjës” si atyne të “Pika voeset” u kjen shtue ato qi ishin botue nder rrivista të ndryshme mbrenda e jashta Atdheut. Të gjitha këto kjén pá dyshim fara, qi rá në zemren e Ndocit të vogel e mandej të Justinit frat, e bijti e u xhvillue. Prandej Justini, porsa kreu këndimet e nalta, u gjet i gatshem per me dhanë mësimin e Gëjuhës amtare e kje shënjue pá tjeter porsi profesor nder klasët qytetze të Shkollës Françeskane.
Se sá me kujdes e me zotsi e kreu ket detyrë, e diftojn xansat e tij t’atëhershem, si edhe programi i zhvilluem n’at kohë, kúr gëjuha shqype nuk ishte ende e zhvillueme, as nuk kishte teksta per gramatikë e per sintaks. Kje P. Justini, qi me durimin e nji dhënsi u vû me i rrahë me shkrim çashtjet e ndryshme gramatikore e me i zhvillue me sistem. Kjo punë vijoi deri ne vj. 1917, kúr, tuj kenë kohë luftet, tuj mos mujtë me vijue shkolla në mënyrë të rregullt, kje çue në Plan porsi famullitár e ndêi dý vjet aty, pá e ndalë vrullin në punë [f. 3]. N’aq pak kohë hapi shkollen e parë per fëmijë të katundit, e u híni në shpirt per dashtni e per dije e urtí të mëdhajve e të vogjelve.
Në Shtauer të vj. 1919 kje çue në Troshan prosi profesor i gëjuhës shqype e i latinishtes në Kolegjen Françeskane. - Në të përpjekun me Vëllazent tjerë të Provinçes u diftue i gatshem per me hapë nji gimnaz publik në Shkodër. E njëmend, kùr në vj. 1921 në mjes të nji entuzjazmi të madh u hap Gimnazi Françeskan në Shkoder, P. Justini mbajti per vjet e vjet me nderë e me xotsi orët e gëjuhës shqype e të latinishtes nder këlasët e nalta e i dha me veprimtarín e vet gëjuhsore Shkollës auktoritet e nderë.
E përkohshmja “Hylli i Dritës” paraqet kjartë veprimtarín e tij në pikëpamje gëjuhsore, e e përkohshmja “Zâni i Shna Ndout” veprimtarín e tij në pikëpamje fetare.
Dalë-kadalë duel në shesh të dhanunt e tij per gëjuhë shqype e zotsija e tij në zhvillimin e çashtjeve gramatikore, tuj u pështetë ndër shkrimtarët e vjetër gegë e toskë e italo-shqyptarë.
Lavruesat e gëjuhës shqype si ata të vendit si edhe të huejët nisen me e çmue punen e tij të shkoqitun e të studjueme, e bân çëmos me ndêjë në të perpjekun me të si me bisedime, tuj rrahë çashtje gojarisht, si edhe me korrespodencë. Kështû Luigj Gurakuqi, don Ndré Mjeda, Sotir Peci, Karl Gurakuqi etj. Prof. Jockel, Lambertz, Gjergj Pekmezi, Petrotta etj.
Megjithëse në tanë jeten e vet kje marrë me të dhanun me çashtje gramatiket e sintaksit të gëjuhës shqype, nuk pat guxim me perpilue per shtyp njí gramatikë të veten per gëjuhen shqype; ai perdorote në shkollë gjithmonë dorëshkrime. Vetem “Sintaksi i gëjuhës shqype” kje botue dy herë per shkollë në vj. 1942. Ai përpiloi mâ i pari ehde tekstin e Literaturës shqype, qi kje botue dý heresh. Nder botime të tija në pikëpamje gëjuhsore kemi: Per historin e alfabetit shqyp; Analizimi i rasave t’êmnit; Don Gjon Buzuku; Don Lukë Matranga.
Se sa randsi kishte per gëjuhen shqype Meshari i Don Gjon Buzukut, P. Justini kje ai, qi e [f. 4] theksoi këtë në vendin t’onë e bâni çë mos me i gjetë mjetet e nevojshme per me e xierrë prej Bibljotekës së Vatikanit në fotokopje. Qysh atëherë e sot Meshari âsht bâ tekst me randsi per studjuesa të gëjuhës shqype.
Âsht e teperme me thanë, se P. Justini prej vullndetit të fortë e prej dashtnís per gëjuhen shqype mbërrijti me grumbullue veprat mâ me randsi t’albanologve të huej, si edhe shkrimet e studimet rreth gëjuhes së punueme prej studjuesave të vendit. Të gjitha i kishte kqyrë e studjue aq shepsh, sa me i pasë, si thohet, në maja të gishtave mendimet e shtjellimet e ndryshme si mbas raset. Kështû leteratyra gëjuhsore erdh tuj u zgjat përherë e mâ teper në mende të P. Justinit, e, me punë të padame u të kujdesshme, ai u bâ auktoritet nder çashtje gëjuhsore të shqipes.
Vëllazent e Provinçes e çmojshin të gjith P. Justinin, megjithse P. Gjergj Fishta, qi e dote fort e ngucte në dashtní, tuj kerkue me i a qitë poshtë pikëpamjet e reja gramatikore e ortografike, qi P. Justini çpallte nji-ka nji nder artikuj, qi botote.
Qysh në vj. 1925, prá 36 vjetësh, kur ishte në vrullin e veprimit kje prekë prej nji pralize progresive, qi, megjith mjekime e kura të posaçme, nuk u ndal, deriqi i muer edhe kamben e doren e djathtë, e e kufizoi mbrenda odës, pá i dhanë mundsí me u permisue. Nji tjeter sigurisht me at gjendje do t’ishte demoralizue e do t’i kishte lânë në njênen anë e librat e çashtjet gëjuhsore e të përpjekunt me shkencatarë të huej; por P. Justini jo. Ai, tuj u mbajt per shtrat kapej deri te tryeza e punës e me dorë të majtë kapte librat, i shfletsote e njiheri po me njat dorë shkruete rrap-çap me nji makinë shkrimi. Mija faqesh ká shkrue gëjatë smundjes per tridhetë e sa vjet; e ato faqe, me gjithse nuk janë shkrue me dorë; per me u thirrë “dorëshkrime”, permbajn çashtje të randsishme [f. 5] per gëjuhen shqype e per léteratyrë. Nder tjera po përmendim:
1. Brumi i shqipes (Leksikologjija)
2. Tingujt e shqipes (Fonetika)
3. Trajtat e shqipes (Morfologjija)
4. Fjala e shqipes (Sintaksa)
5. Të përmbâmt e fjalëvet (Etimologjija)
6. Lavruesët e Shqipes (Albanologjija)
Përvreç se per çashtje gëjuhsore P. Justini ká shkrue shum edhe per leteratyrë të gëjuhës, edhe per me edukue, edhe per me mësue; ai ká nji stil të thjeshtë, por të rrjedhshëm e të kandshem, megjithse do trajta të reja, qi nuk përdoreshin në përgjithësi, i a prishin pak shijen stilit të tij. Ai prej këtyne ká lânë si dorëshkrime:
1. Epizode burrnijet
2. Rreth votret - Pjese I, II, III.
3. Ditët e mbrame të Turqís në Shkodër
4. Epigrammata, Epitaphia etc.
5. Sintaksa e Gëjuhës latine
6. Per historin e alfabetit shqyp
Sigurisht mundi i tij nuk ká me kênë i bierrun. Kurrgja mos me pasë bâ, mjaft qi ká nzitë e u ká dhanë të shtýmen shumkùj per me e dashtë gëjuhen ma pernjimend, e per me e shkrue mbas rregullave; ai ka bâ me pá, se gëjuha ka visare të mshehta fort të randsishme. Me kohë veprimi i P. Justinit ká me u çmue edhe mâ teper, pse ká xânë fíll me pamvarsin e vendit t’onë e âsht zhvillue së bashkut me zhvillimin përherë e mâ të madh të popullit t’onë. Ai âsht nder mâ të parit, qi e ká rrahë çashtjen gëjuhsore të shqypes në mënyrë shkencore.
Por P. Justini nuk mund të mendohet vetem gramatolog e shkrimtár i shkëpudun prej idealit, qi ndoq e per te cilin u flijue. [f. 6] Idelai i tij kje ideali françeskan: ideal punet, misjonit e shejtnijet per vedi e per tjerë. Atij nuk i vijte marre me u mbajtë frat i rregullt e i dishiplinës. Njeri me karakter e i dretjë, idealin françeskan e idealin e meshtarísë i kishte me te mbushun mendje; prandej ishte i shterngueshem me vetvedi e lypte, qi edhe tjerët t’ù pergjegjshin rregulls e dishiplinës e ndigëjesës. Me nji kuptim të kthellë të detyrve të veta e të parimeve fetare me këdo me të cillin kishte të perpjekun, kerkote me lânë gjurmë të së vërtetës, tuj i a qitë nder mend detyrët fetare e shoqnore. I shkueshem me të gjith, i kandte me bisedue me të rij e nuk u mërzitke kurr me ta. Të Parët, e tuj e vû oroe në të ket cillti, e shênjuen në vj. 1921 porsi edukator i rinis françeskane nder klerikë; e edhe pasi kje ngushtue prej smundjes me e lanë ket detyrë ai interesohej per të rij e i pritke me buzë në gaz e nuk i kishte merzi as te shtrati i dekës. Ai punon per te rij e per popull, tuj shkrue padá në të përkohshmen “Zani i Shna Ndout” të cillen edhe e drejtoi per disá vjet, e përpiloi per ta librin e lutjeve “Vjollca Parrizit” si edhe “Prej Visarit të ndjesve” si edhe shum dorëshkrime të perkthyeme e të perpunueme. Këto janë:
1. Kempis mbas gjurmëve të J. Krishtit. Pj. I, II, III, IV.
2. Mueji i Zojës nder familje. Pj. I, II.
3. Hylli i Tagastës (Sh. Augustini Tp. e Dr.)
4. Pasqyra e të smûndevet (Sh. Ladovina)
5. Rreth votret kristjane.
6. Lulishta françeskane (I fioretti di S. Francesco)
7. Taumaturgu i Padovës
8. Si e merrte jeten Sh. Gjon Bosku.
9. Lajmtarët e asáj jete.
10. Apologjija popullore.
11. Çelsi i Parrizit (ase 9 të Prendet e para të muejit)
12. Martirët e Stublës.
13. Pika balçmit (sic!) mbi zêmrat e varrueme.
Sikurse kje i pasun nder shkrime të veta [f. 7] fetare e morale, njashtù edhe kje i papritueshem nder konferenca e nder predke. Populli e ndiete me ande. Fjala e tij e rrjedhshme tërhiqte vemenden e të gjithve e dobija mund t’ishte e madhe.
P. Justini qi, per të pám, dukej si i pím e frikacak, ishte plot ndiesi per hart.
Tuj pasë xánë prej muziktarit shkodranë, Frano Ndojës me i rá harmonit; ai mbërrijti me u kthellue aq, sá me u marrë edhe me klasikë të muzikës e me ekzekutue copa të zgëjedhuna si në kishë, si ndër çfaqje dramatike. Ai në vj. 1911 perbâni nji kor me fëmijë të shkollës e e mbajti Kishen e Gëjuhadolit me kangë të bukura deri në vj. 1917; mâ vonë mandej mësoi kangë e muzikë në Kolegjen françeskane e deri vjolinin.
Provincija françeskane shqiptare pat uzdajë të madhe në ket puntuer të palodhshem e e zgodh per nadë vjet sekretár të Provinçes si edhe definituer. Ai ka kenë shembull punet e dijte me e shfrytzue kohen mâ së mirit.
Megjithse i smútë e me moshë të shtýme, ai punoi deri nji javë përpara se me dekë. Nder ditët e mbrame njëni prej Véllazenve per me i dhanë zémer i tha: “Ke arsye me e bekue makinen daktilografike, qi të shoqnoi në jetë e të siguroi Shelbimin”. Ai u pergjegji thjeshtë: “Ajo më ka bâ me e perdorue kohen mirë”.
Porsá pushoi shkrimtari, pushoi edhe makina.
Durimi i P. Justinit nder vuajtje e nder dhimba e neshtrimi i tij në nji smundje aq të gëjatë, janë provë e kjartë e virtyteve të tija të nalta. I u lut Zotit, t’i epte durim, e Ai ia dha; prandej me arsye i u falte nderës, tuj i u nenshtrue plotësisht vullndesës së tij e tuj e lutë me gjith zémer, qi mos t’a lëshote doret. “Rruga, qi po bâj – thote – âsht e gëjatë; por së bashkut me Krishtin bâhet e shkurtë. Lutemi, qi të më shkurtohen këto ditë vuajtjesh!”– E kur ndokush tjetër i thote, se: “E din [f. 8] Zoti se, sá kohë kemi afat; prandej nuk mund t’i përzihemi”. Pergjegjte: “U bâftë vullndesa e tij!”. Nder orët e mbrame ai vetë i pat lypë sakramendet e pat lypë thoheshin uratët. E Zoti ia bâni të lehtë deken, pse erdh e u shkri, e, pá u përplasë e pá bertitë, dha shpirt nder duerë të shoqit të vet P. David Pepës.
Sot e kján Provinçja e do t’a kjaj edhe atdheu. Provinçjali i’a dha lajmin popullit të Shkoders keshtu: P. Justin Rrota O.F. Françeskan e shkrimtár në nji jetë veprimi të palodhshem nder vuajtje, vdiq në moshen 76 vjeçare. - Neser n’oren 7.30 paradite trupi i tij ká me u bartë nga Kuvendi i Françeskan i Arrës së Madhe në Kishën e Sh. Françeskut në Gëjuhadol, kû n’oren 8 ká me u këndue Mesha e Dritës, e mandej bâhet përcjellja nder varreza.
Shkoder, 21/XII/1964. Provincjalati Françeskan.
Mbramë kanë kênë mjaft burra, per me e ruejtë per se dekunit trupin e P. Justinit, pse kje vendue në nje pjesë të dame të Kuvendit per infermieri kû mund të hijshin edhe grát.
Në nade, me 22, n’oren 7.30 kje bartë prej Kuvendit t’Arrës së Madhe te Kisha e Gjuhadolit në karrocë i prim prej Provinçjalit, prej Ipeshkvit të Shkodrës Emz. Ernest Çobës, e prej zëvendës famullitarit don Mark Hasit e prej 40-50 burrave.
Në Kishë u këndue Mesha Pontifikale prej Emz. E. Çobës me djakon P. Ferdinand Pali e subdjakon P. Aleks Baçli. Mbas Meshet Ipeshkvi mbajti nji bisedë të shkurte, por mjaft të bukur, përmbi P. Justinin si rregulltár i perpikët, si meshtár i zellshëm e si shkrimtár i zoti. Nder tjera tha se në takimin e mbram me P. Justinin, ai i kishte thánë: “Nuk jam mâ per ket tokë; due me shkue te Krishti”.
Në Kishë kjén burra e gra kund 600-700 vetë.
Mbas Meshet kje përcjellë nder Rëmaj prej Emz. Çobës, prej nja 14 meshtarve, prej nji grupi murgeshash fill mbas kryqit, e prej nji numri të kufizuem burrash me moshë të kalueme. - Varrimi u bâ kùr populli gjindej në punë e të rijt neper shkolla. [f. 9]. Rrugës u kënduan psallmë e uratë.
Kje shti në vorr ngjat të vëllash Simonit, nder vorret e Ndrekë Minit, per arsye, se mendohej, me i ndreqë vorret e fretenve sá mâ parë në formë Kapela!
Të gjith e kishin në gojë êmin e P. Justinit e flistshin mirë per të, tuj e mbajtë porsi nji puntuer shêjt.
Dy ditë përparase me dekë, ndersá e thirrte Krishtin, qi të vijte me e marrë, tuj thanë nder sý të motrave të veta: “Eja o krisht e merre Justinin sa mâ parë!” Së motrës, qi i tha: “Mos u mërzit!” i pergjegji: “A më shifni, se jam ligshtue? A âsht ligshti me e thirrë Krishtin? Unë gjithë jetën kam punue e kam jetue per Krishtin, e mos t’a thërras tash qi kam mâ nevojë?”
Ndo’i orë përparase me dekë i tha nji shoqit të vetë: “Mos vononi me m’a thanë: “Proficescere.” - Per at punë” - i pergjegji shoqi: - Ká kohë e mos u bân marak; pse na e dijm, se kur âsht çasi i mbram. Atë e din Zoti. - Jo – i tha P. Justini – atë e dij edhe vetë me ndimen e Zotit; prandej sá mâ parë! sá ma parë”!
Luta, qi ai persritke shpesh me mend e me gojë, ishte kjo: “Domine Jesu, suscipe spiritum meum! Jube me venire at te! Cupio dissolvi et esse cum Christo secum. In manus tuas commendo spiritum meum...” Setcillen prej këtyre shprehjeve e persritke tri herë rresht.
Në kujtim.
P. Donat Kurti
Shkoder – Dhetuer 1964.
Përgatiti: Musa Ahmeti
Nekrologun për Át Justin Rrotën, të shkruar nga Át Donat
Kurti, më 22 dhjetor 1964, pati mirësinë të na e japë për botim z. Kolec Çefa, njeri i afërt, ose thënë ndryshe mik dhe njëri ndër personat më të afërt të át Justinit. Këtë nekrolog e përgatiti për botim dr. Musa Ahmeti, duke ruajtur ortografinë origjinale, pa bërë asnjë ndërhyrje në tekst, e duke ruajtur sa ka qenë e mundur të gjitha thekset e përdorura nga autori. Në të gjitha fjalët është ruajtur zanorja y e gegnishtes dhe apostrofi si në origjinal. Shkrimi i j në fjalët: albanologjija, leksikologjija, morfologjija etj. është ruajtur si në orgjinal. Grupet e bashkëtingëlloreve janë ruajtur të plota, ndërsa emrat e mbiemrat e tipit i gëjatë, Gëjuhadol, gëjuhë janë dhënë në formën origjinale. Në sistemin foljor nuk janë prekur dialektizmat gegnishte si diftote, mendote. Në pikësim dhe në renditjen e paragrafëve nuk është bërë asnjë ndërhyrje, por i është qëndruar besnik origjinalit. Mendojmë se këto elemente besnikërie ndaj origjinalit nuk do t’i krijojnë ndonjë vështirësi lexuesit për ta lexuar dhe kuptuar tekstin.
Nga leximi i këtij nekrologu, të shkruar të nesërmen e ditës së vdekjes së át Justinit, ndjejmë respekt, dhe përulje para këtij njeriu, që me aq dashuri dhe durim punoi për gjuhën shqipe duke na lënë në dorëshkrim “me mijëra faqe të daktiloshkruara”, me dorën e majtë në makinën e tij të shkrimit, një pjesë e mirë e të cilave as sot e kësaj dite nuk e kanë parë dritën e botimit. (Post mortum janë botuar këto vepra të Át Justin Rrotës, nga: Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta” Kolana e shkrimtarve Françeskan: “Sintaksi i Ghuhes Shqipe” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Rreth Votres” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Per historin e alfabetit shqip” Botime Françeskane, Shkoder 2005; “Leteratyra shqype, I-II” Botime Françeskane, Shkoder 2006; “Gjuha e shkrueme ase verejtje gramatikore” Botime Françeskane, Shkoder 2006).
Nekrologu në vetvete përmban informacione të dorës së parë, herë-herë deri në imtësi, por të cilat sot nuk njihen ose njihen, nga fare pak persona. I thurur me mjeshtri, me një stil të veçantë dhe tepër përmbajtësor, fitohet përshtypja sikur ke përpara át Justinin, madhështor, të papërkulur, stoik dhe të pamposhtur nga asgjë, as edhe nga sëmundja e rëndë e cila për shumë vite e ngërtheu për krevati.
Duke botuar këtë nekrolog të shkruar nga Át Donat Kurti, ne ndihemi, sikur shlyejmë një obligim moral ndaj të madhit Át Justin Rrotës, për punën dhe veprën e të cilit as sot e kësaj dite nuk dihet shumë. Mbetet që në të ardhmen, të botohen dorëshkrimet, të hulumtohet jeta e tij dhe pastaj, mund të flasim pa brengë për këtë korife të albanologjisë dhe gjuhës shqipe në përgjithësi.
Në albanologji kontributi i át Justin Rrotës është i shtrirë në shumë fusha. Ky kontribut vërehet posaçërisht në fushën e studimit për gramatikën shqipe, për sintaksën, morfologjinë, po ashtu edhe për historinë e letërsisë shqipe. Vend të veçantë át Justini ka për njohjen dhe studimin e autorëve tonë të vjetër, posaçërisht për Gjon Buzukun, Lekë Matrangën e ndonjë tjetër.
Át Justin Rrota është i pari që në vitin 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga e ksombla e vetme e njohur deri me sot që ruhet në sektorin e librit antikuar në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në Vatikan. Át Justini gjatë tërë jetës së tij u mor me gjurmimin e gjuhës dhe literaturës shqiptare duke bashkëpunuar ndër të tjerë edhe me Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn e të tjerë.