E shtune, 03.05.2025, 10:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Afërdita Sokoli: Si u arrestova 2 herë nga policia serbe dhe maqedonase

E merkure, 28.04.2010, 07:27 PM


Intervistë me Afërdita Sokolin, ish-gazetare e RTSH dhe aktualisht pedagoge në fakultet

 

Si u arrestova 2 herë nga policia serbe dhe maqedonase

 

Nga Albert Zholi

 

Kam punuar 25 vjet në TVSH dhe ruaj mbresat e mia pozitive për profesionalizmin që reflektohej”. Kështu u shpreh dje, për gazetën “Telegraf”, gazetarja e njohur Afërdita Sokoli, e cila ka pranuar të rrëfejë disa prej përjetimeve të saj profesionale duke i ndarë ato me lexuesit tanë.

 

-Zj.Afërdita kur keni filluar për herë të parë profesionin e gazetares në RTSH?

 

Unë shkela në TVSH për herë të parë në 1 Nëntor 1978 dhe u largova në 16 shkurt 2003, pra gati 25 vjet punova në këtë institucion, i vetmi për disa dekada në vend dhe shumë i afërt për publikun shqiptar. Nuk jam diplomuar për gazetari; studiova për filozofi, u diplomova me titullin “Specialist i shkencave politike”. Pas tre vitesh pune si mësuese në shkollën e mesme në Gramsh, televizioni m’u paraqit si mundësi, që ofronte më shumë lehtësi për t’u rikthyer pranë familjes në Tiranë. 

 

-Cilat kanë qenë vështirësitë e para në RTSH?

 

Nuk ka qenë e lehtë. Nuk kisha asnjë përvojë në këtë fushë, me përjashtim të besimit në vete se, do të mësoja dhe mbështetjes që gjeta nëTV. Ishte një punë shumë e ndryshme e shumë komplekse nga arsimi, që kërkonte informacion, përpunim të tij, njohjen me teknikën e teknologjinë, raporte të tjera më të shtrira, etj.. Në fillimet e mia në TV nuk ishte teknologjia e sotme, e cila lehtëson shumë punën e reporterëve, kronistëve, redaktorëve etj.. Kur fillova të punoj, struktura programore realizohej me shirita manjetikë (ampeks) dhe me film optik 16 mm, ku sekuencat filmike të regjistruara apo të xhiruara me shumë art nga kolegët e mi operatorë montoheshin kuadër me kuadër nga mjeshtret e talentuara të montazhit filmik apo elektronik. Gazetari televiziv e ka detyrë funksionale të përfshihet në të gjitha hallkat e zinxhirit të punës për prodhimin e produktit, edhe kur ai kalon në transmetim; madje, kjo

hallkë që duket sikur e shkëput atë nga produkti është shumë e rëndësishme për vetë gazetarin. Çdo përbërës i programit ka rëndësinë e tij dhe mosfunksionimi i njërit nuk realizon produktin. Në përpjekje për të bërë më të mirën e  mundshme u krijua dhe një marrëdhënie, mund të them e rrallë mes kolegësh, që ndanin shqetësimet, dëshirat, pasionin dhe përgjegjësinë para publikut. E përfytyroni sesa e vështirë është të ndërtosh një emision 30 minuta me një tekst deri në 18 faqe, që e hartoja çdo javë dhe që më duhej ta sinkronizoja me regjistrime të huaja, që dhe ato  i nënshtroheshin kritereve strikte ideologjike e politike të kohës; e njëjta metodë dhe për lajmet e jashtme apo vëzhgimet, komentet e ndryshme.

 

- Cilët nga udhëheqësit apo personalitetet botërore keni intervistuar dhe në çfarë rrethanash?

 

Ndryshimet demokratike të vendit tonë i ofruan opinionit publik mundësinë  alternative të kryetarëve, eurodeputetëve, raporterëve, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, (p.sh të ndjeri Lord Russel Johnstoun, La Pergola etj.), të cilët i intervistoja gjatë sesioneve të Asamblesë Parlamentare të KE-së ( ku me përpjekje arrita të realizoj për disa vite statusin e të atashuarit të institucionit tonë). Po kështu me OKB-në.  Për zhvillimet në Ballkan, veçanërisht për luftën në Kroaci, Bosnje e Maqedoni në emisione u përpoqa të shfrytëzoja vizita në vendin tonë të zyrtarëve të lartë të këtyre shteteve Mesiç, Izetbegoviç, si dhe negociatorët Vens – Ouen  dhe specialistë të tjerë të huaj. Zhvillimet në Kosovë shtruan para TVSH detyra specifike. Ndryshe nga kanalet private ne u përfshimë në projekte programesh madhorë, që synonin të plotësonin objektivat e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën. Dhe kësaj kohe i përkasin intervistat dhe bisedat intensive që pata me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, (Albright, Cohen, Doull, Hoolbrouk etj.) NATO –s, (Solana, Vvesley Clarc, Vershbovv etj), drejtues institutesh strategjike prestigjioze, (Bugajski, Nelson, etj.) etj.. Pikë kulmore në këtë kohë ish-  Nevvs Conference Live me Presidentin amerikan Klinton, organizuar nga zyra e marrëdhënieve me publikun e Shtëpisë së Bardhë me pjesëmarrjen e gjashtë gazetarëve evropianë, ku unë pata rastin të marrë pjesë. Ishte një bisedë 90’ me shumë mesazhe domethënëse nga ana e presidentit amerikan, e organizuar në mënyrë shumë simbolike në një çadër, në pistën e një baze ushtarake ajrore në Gjermani, e transmetuar nga të gjithë rrjetet televizive botërore. Ky fakt ishte me rëndësi për TVSH-në. Pak ditë më vonë në vendin tonë erdhi ish -Kryeministri britanik Tonny Blair dhe intervista me të ishte shumë interesante. Duke qenë se me vite kisha trajtuar marrëdhëniet izraelite - palestineze ish- ambasadori palestinez në Tiranë, i ndjeri z.Kurdi, na krijoi mundësinë që unë së bashku me kameramanin Ylli Agovi, të intervistonim presidentin e autoritetit palestinez Arafat në rezidencën e tij në Tunizi.

 

-A keni qenë ndonjëherë me shërbim në Kosovë?

 

Kam shkuar në Kosovë disa herë pas lufte. Së bashku me operatorin Bujar Kore shkuam për zgjedhjet e para lokale në vitin 2000. Megjithëse nuk ishte kohë e luftës vështirësi kishte ende pas saj. Ne shkuam me objektiv për të parë situatën parapërgatitore për këtë proces në Mitrovicën e Veriut, ku për grupet tv kish qenë e vështirë të operonin. Firmosëm një deklaratë në zyrën e UNMIK – ut në Prishtinë se  OKB nuk kishte asnjë detyrim zhdëmtimi ndaj nesh për çdo pasojë. Kjo zyrë na mbështeti me makinën e blinduar me të cilën lëvizte kreu i UNMIK – ut dhe një shofer serb. Me këtë rast me ne erdhi dhe zëdhënësi i UNMIK –ut për Mitrovicën (hungarez) dhe një punonjëse serbe. Shkuam së pari në lagjen shqiptare, gjendja e së cilës na solli në kujtesë pamjet e getove. Ajo që më ka mbetur në kujtesë është ankthi i zëdhënësit, që ishte ulur me ne në sediljen e pasme (në të parën ishte ulur serbja). Kur Bujari, i ulur në mes përpiqej të filmonte, ai si me komandë thoshte: “Ule kamerën, çoje kamerën”. (E kemi ende këtë kasetë). Atë ditë në fakt ishte planifikuar një protestë e serbëve në qendër të qytetit. Ne shkuam dhe në zyrën e Oliver Ivanoviçit, kryetar i komunitetit serb për këtë pjesë të qytetit dhe e intervistuam. Natyrisht, ai ishte në dijeni dhe ne ndaj u shoqëruam edhe nga zëdhënësi. Ky shërbim më kujtoi një tjetër, dhjetë vjet më parë në 1 Korrik ‘90, në kohën kur ish- Jugosllavia nuk ishte shpërbërë. Në kuadër të Mbledhjes II të MJ të vendeve të Ballkanit, unë së bashku me dy kolegë të mi, Gazmir Shtinon dhe Bardhyl Xhanin u caktuam të realizonim një dokumentar për ish- Jugosllavinë. Leja për të hyrë në  Kosovë u refuzua. Gjatë xhirimit në urën e Bjello Poles policia pa shkak na mori dokumentet dhe na shoqëroi në milici, ku u procedua dhe përfunduam të arrestuar për 12 orë, pavarësisht se në Ministrinë e Informacionit në Beograd na ishte thënë se nuk do të kishim asnjë pengesë. Kushtet ishin të ndryshme dhjetë vjet më pas, por paragjykimi na shoqëronte. Jo të gjitha intervistat kanë luksin e kolltukut e zyrës. Në regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, në vitin ‘94 mua, operatorit Naum Lasku dhe gazetarit Qani Mehmeti na u desh të provojmë përsëri policinë në Shkup, me statusin e arrestit e me paralajmërimin për paraqitje në Ministrinë e Brendshme, sa herë të vinim në këtë vend dhe kjo sepse morëm opinione të popullsisë shqiptare atje për procesin e regjistrimit. Një përvojë të tillë kishte patur dhe kolegu ynë i ATSH –së. I përmenda këto ngjarje jo të këndshme shkurt për të treguar se jo çdo gjë ka qenë e lehtë.

 

-Pse u larguat nga TVSH?

 

Çdo fillim e ka dhe një fund. 25 vjet pa asnjë shkëputje apo ndryshim nuk janë pak. Janë një çerek shekulli.

 

- Me një CV të tillë, a i është kërkuar Afërditës të rreshtohet në ndonjë nga formacionet politike shqiptare?

 

Jo. Nga asnjë. Asnjëherë nuk kam qenë anëtare e   ndonjë partie. As para ‘90-ës. Përjetimi i hidhur personal e familjar i rrethanave në vitet ‘74-‘78 dhe ‘82-‘83 më tkurrën për ndërmarrje të tilla. Me ndryshimet demokratike punonjësit e RTVSH kishin detyrimin të respektonin vendimin parlamentar për depolitizimin dhe departizimin e institucionit. Personalisht respektova rregulloren e institucionit.

 

-Çfarë është familja për ju?

 

“Gjithçka”, “ e shenjtë”

 

-Çfarë pengu keni në jetë?

 

-Kam përshtypje se pengu të mban peng prandaj nuk duhet menduar për të.

 

-Në kohën e lirë çfarë lexoni kryesisht gazetat apo libra?

 

Libra. Preferoj ato të karakterit historiko- politik, ato të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

 

-Ç’është dashuria për Afërditën?

 

Është ndjenja njerëzore më e thellë e më e gjerë. Kam parasysh kuptimin gjithëpërfshirës, si dashuria e prindërve për fëmijët dhe e fëmijëve për prindërit, dashuria bashkëshortore, familjare, shoqërore.

 

-Mendimi juaj për bashkëjetesën?

 

Personalisht kundër.

 

-Femra shqiptare a e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?

 

Jo. Duhet ende kohë.

 

-Çfarë vlerësoni zakonisht tek njerëzit?

 

Qëndrueshmërinë, koherencën dhe mirënjohjen.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx