Kulturë
Luan Çipi: Dashuri e ndërprerë
E merkure, 28.04.2010, 09:21 PM
Plagë e keqe është lakmia, nuk e tret as toka
Populli
DASHURI E NDËRPRERË
Nga Luan Çipi
Një nga repartet më të vegjël të punës në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme në Vlorën e viteve pesëdhjetë ishte ai i Poçerisë së Trashë: një sallë pune me katër “tezgjahë “. Mbi bango hidhej argjila e përpunuar, rrihej dhe përzihej fort, si të ishte brumë buke. Volanti i drurit rrotullohej me këmbën e zbathur, teksa me anën e duarve të lira, mollëzave të gishtrinjëve, balta ngrihej me delikatesë midis të dy duarve për t’i dhënë formën e dëshiruar.
Në një dhomë depozitohej, paraprakisht, argjila, gatuhej dhe përpunohej, spërkatur dhe regjur me ujë. Në dhomën për karshi, të ajrosur mirë, në rafte, vendoseshin dhe liheshin, disa ditë për t’u tharë, gjysmëprodhimet e përgatitura në dhomën e tezgjahëve. Një pjesë e tyre, para se të futeshin në furin e pjekjes, lyheshin me zmalt poçerie, ose me bojëra me ngjyra të ndryshme. Pjekja bëhej në një furrë të posaçme, me qemer, dhe si lëndë djegëse përdorej dru zjarri dhe shkarpa të çfarëdoshme.
Në rrethin e Vlorës prodhimi i poçerisësë trashë prej balte është shumë i hershëm. Kjo duket jo vetëm nga shumë zbulimet arkeologjike të bëra në Ploçë, Velçë, Aulonë, Orik e gjetkë, por edhe nga enë e poçeri gjithfarësh që gjenden në bahçet dhe në shtëpitë e vjetra të qytetit ku kishte vazo e saksi lulesh, qypa, shtamba e katruve, bragaçe e poçe të formave e madhësive e ngjyrave nga më të ndryshmet. Në oborrin e shtëpisë sonë në lagjen Muradie, në qendër të Vlorës, atje ku tani është vendosur një hotel turistik, ruheshin deri vonë dy qypa të stërmëdhenj dy dhe tre kuintalësh, të smaltuar nga brenda dhe nga jashtë, tregues këta të gjallërimit të hershëmtë artizanatit dhe të një tregtie të mirëfilltë të kësaj treve.
Në Repartin e Poçerisë sëTrashë të qytetit të Vlorës punohej qysh prej shumë vitesh dhe aty nxirreshin prodhime cilësore, duke rivalizuar prodhimet analoge të trevës së Kavajës, që ishin më në zë në gjithë vendin.
Një nga poçarët e rinj të talentuar ishte dhe Kolë Qari. Unë, që punoja në të njëjtën ndërmarrje, veja dendur ta vëzhgoja duke punuar atë, apo mjeshtrin tjetër të talentuar, mikun tim të vjetër, Bejon.
Kola nuk më tërhiqte thjesht për virtuozitetin në punë, për ato lëvizje instiktive të sakta e delikate, por, ngaqë kisha dëshirë të bisedoja me të se, nëtë vërtetë, dukej një tip i veçantë, fort interesant, që ishte gati tëshfrente një brengë të madhe që përjetonte, duke e ndjerë veten të braktisur dhe fatkeq. Mua, një të riu të ndjeshëm dhe romantik, që s’kisha lënë libër të ish Bibliotekës së Madhe të Eqrem Bej Vlorës pa e lexuar, më vinte shumë keq kur e shihja në këtë gjendje dhe ndjeja shumë kënaqësi, e kisha një tërheqje tëpashpjeguar ta dëgjoja dhe, ndofta, po të kisha mundësi, ta ndihmoja.
E soditja nga larg me minuta të tëra, pa ia ndarë sytë, tek punonte kokulur në tezgjahun e tij primitiv. I përkulur mbi një copë balte të paformë, në fillim, e përkëdhelte atë me duart e ç’veshura, teksa me këmbën e zbathur lëvizte me shpejtësi volantin me bangon rrotulluese, i ulur mbi një postiqe të bardhë leshi, vendosur mbi një stol të ulët druri. Gishtërinjtë dhe patoma e këmbës me lëkurë të trashur, kallo tëargasur nga goditjet sistematike mbi dërrasën e volantit e të lëmuar prej viteve, lëviznin me shkathtësi dhe me shpejtësinë e nevojshme bangon e tezgjahut dhe mbi të, atë copë brumi balte. Gishtërinjtë e ndjeshëm i jepnin baltës forma artistike. Brumi, si i komanduar në mënyrëautomatike, ngrihet e ngrihet, si me magji, shkon te forma e kërkuar standarde në trashësi e lartësi, identik me produktin e me peshën e radhës. Ca prekje delikate me mollëzat e gishtave dhe balta merr forma
precize të valëzuara.. Dy copa si litarë balte, të parapërgatitur shtypen në dy anët lehtazi. Kështu dorezat e enës rrinë si të ngjitura vetvetiu.
-Gati katruvja! Flet Kola, drejtuar ndihmësit dhe pas pesë minutash:
-Gati vazua! Dëgjohej urdhërues, si i mekur, sërish, zëri i Kolës.
Bajrami një punëtor jevg i ardhur, kushedi pse nga Mirdita, më i madh se Kola në moshë, e merr prodhimin nga duart e Kolës dhe e çon në raftet e dhomës së tharjes.
Në këto raste Kola hidhte mbi ballin e gjerë flokët e tij të zinj e të dendur dhe ngrinte sytë për të shoqëruar objektin dhe për të marrë kënaqësinë, përfundimet e punës së vetë cilësore. Dhe ti, atëherë ndesheshe me vështrimin, fytyrën e vërejtur dhe sytë e tij të pikëlluar. Kundron pamjen delikate të një të riu me tipare të theksuara myzeqari, me ato pikëza si të kuqe nden mollëzat e faqeve. Pak ezmer, me gojë të vogël, hundë të drejtë, vetull të zezë gjysmëharku dhe sy gështenjë. Veç balli i lart, i spërkatur me cikla balte, ngjyra e verdhë e fytyrës dhe rrethi i zi te sytë, tregojnë se një kapitje e një brengë e madhe fshihej pas këtyre lëvizjeve të përsosura dhe energjike.
Unë i flas. Sytë kryqëzohen. Vihet re gëzimi, por pa e larguar brengën.
-O, erdhe, i dashur Luan? Më rrofsh. Ja, rehatohu aty, tek ai stoli për karshi. Unë po vazhdoj punën se më duhet të plotësoj normën ditore. Edhe muhabet do të bëjmë, aq sa të mundemi.
E kuptova që nuk ishte çasti i përshtatshëm, ndaj u përshëndetëm dhe u ndamë shpejt.
Kur bisedonte, Kola e kish zakon dhe desh të të shikonte drejt e në sy. Po të ish duke punuar, sa herë që hiqte sytë nga balta, objekti cenohej në cilësi e në formë. Në këto raste, ai e prishte fare atë në proces, e kthente në fazën fillestare, e ringjishte baltën dhe puna niste nga e para. Ishte e kotë të rrekeshe për bashkëbisedim,kur Kola punonte.
-Po iki, i thashë.
-Ke të drejtë, bën mirë. Po, prit një minutë, se të kam përgatitur një vazo të bukur për lule. të lutem mos ma refuzo. Merre atë, i dashur Luan. Aty të mbjellësh një lule të bukur. Të zgjedhësh më të bukurën e luleve. Po do kesh kujdes që ta ujitësh shpesh, sipas nevojës që ka bima, për ta mbajtur gjithnjë të freskët, që mos të thahet dhe tëharre e pastroje me kujdes nga barërat e këqija dhe nga parazitët vdekjeprurës.
S’kishe pse të thelloheshe në mendime. Një kuptim të dyzuar, alegorik kishin këto porosi të thëna kaq seriozisht… Duke pasur kujdes që mos ta fyeja, pasi e falënderova për dhuratën dhe këshillat, i thashë Kolës :
-Mendoj të takohemi pas dite, si të lësh punën dhe të pimë bashkë njëgotë birrë buzë detit te “Don Marku”. Aty dhe do të kemi kohë të bisedojmë të qetë.
-Jo, kundërshtoi Kola. Mbas dite më duhet të shplodhem e të fle, se nesër do punoj në turnin e tretë, me orë të zgjatura. Do ndez furrën e poçerisë, se pjekësit janë me leje të zakonshme dhe do pjek gjysmëprodhimet e shumtë që na janë grumbulluar. E di çfarë më shkoi ndër mëndje. Ti nuk ke qenë ndonjëherë në këtë proçes pune për pjekjen e poçerisë së trashë. E di që je kureshtar, si për çdo gjë interesante. Hajde, madje, po deshe, në vend të ndihmësit. Kështu edhe mua më ndihmon edhe ti mëson sekretet e procesit të pjekjes. Do kemi kohë edhe të hamë bukë misri të thekur në prush pa edhe të bisedojmë lirshëm e të qetë. Do vish patjetër, se kam nevojë të bisedoj me ty, të shprehem gjatë, të lirohem e të shfrehem.
Të nesërmen, në mbasdite rreth orës 18.00, siç e kishim lënë me Kolën, u takuam te Furra e Pjekjes së Poçeve. Ndërkohë furin e gjetëm gati, të mbushur brenda me gjithfarë poçesh të thara mirë dhe pjesërisht të smaltuara. I hodha një sy shpejt e shpejt : Furra e Poçeve nga brenda ishte si një sferë e madhe me diametër rreth tre metër, me një ndarje në planin horizontal me tulla me bira, pikërisht si dy gjysmasfere të barabarta me bazë të përbashkët. Në të dy pjesët, lart e poshtë, kishte nga një derë të hapur. Në gjysmë sferën e sipërme nga baza deri te qemeri ishin radhitur poçet e papjekura. Dera e sipërme, që ishte rreth një metër e lartë dhe po kaq e gjerë, u bllokua krejt me tulla e baltë, duke lënë vetëm një oxhak të ngushtë, sa për kalimin e tymit,si dhe për të kontrolluar temperaturën.
Zjarrin e ndezëm me shkarpa dhe mbeturina dërrasash. Herë pas here, sipas nevojës, shtonim dru zjarri. Pasi kryem këto punë na ngelej vetëm kontrolli dhe sigurimi i temperaturës së përshtatshme, çka arrihej nëpërmjet shtimit apo pakësimit të intensitetit të zjarrit
-Tani, punën e vumë në terezi, tha Kola. Është koha të pushojmë pak, të lajmë duart, të hamë darkë dhe të bisedojmë. Pamë orën dhe u çuditem kur kishte shkuar mesnatë. Ishte një errësirë e plotë. Natë dimri e ftohtë. Qielli pa hënë ishte mbushur me yje që rrezatonin shkëlqim. Ne u ulëm afër grykës së furrës dhe në të ftohtin që na pllakosi, po ndjenim lezetin e ngrohtësisë së zjarrit bubulak. Afruam dy stola druri dhe një si tavolinë të vogël, te sajuar me ca arka.
Kola nga trasta e vetë nxori një bukë misri, e çau në mes me thikë, e ndau në katër pjesë dhe e vendosi në këmbë, afër prushit që të thekej. Nxorëm djathë, vezë të ziera, një rrotë sallami, prodhuar me cilësi të lartë nga i famshmi Koço Lloci, ca ullinj Narte, që sa i kish zënë kripa, një shishe raki rrushi ballë kazani dhe dy gota të vogla, që i kishim marrë me vete.
Duke ngrënë e nisëm bisedën për problemet e punës e më pas u futëm në hallet shoqërore e familjare.
Ashtu, krejt natyrshëm, Kola nisi të tregojë për jetën e tij: Poçar, brez pas brezi... Origjinën e hershme e kishin nga Myzeqeja e Vlorës. Ajo zonë, tregonte Kola, sidomos fshati Poro ka argjilë fort të përshtatshme për qeramikë. Kola mburrej për gjyshin e vetë që, siç thoshte ai, ishte poçari më i dëgjuar në krahinë. Plaku arriti, në moshën e tij, të bënte qypa balte të stërmëdha për agallarët dhe bejlerët e Vlorës dhe të Beratit. Ato ishin hambarë të vërtetë për nga madhësia, të fortë si guri dhe të sigurt për të kripur ullinj dhe për të depozituar mushtin dhe verën “Vlosh”, që parapëlqehej në të gjithë Ballkanet e deri në Raguzë e Veneti.
-Ne, tha Kola, tradicionalisht kemi qenë profesionistë të mirë, por ishim dhe ortodoksë tepër fanatikë në rregullat dhe dogmat fetare. E them këtë, se këtu gjendet edhe zanafilla e fatkeqësisë dhe brengës sime.
Kështu, ca e nga ca, duke ngrënë e duke pirë, Kola, si pa dashur, doli shpejt te tema e tij e parapëlqyer, te shqetësimi i vetëm dhe i vazhdueshëm, që i ziente orë e çast përbrenda dhe që po gjente rastin e volitshëm ta nxirrte, sadopak, jashtë vetes e ta ndante me një shok qe e vlerësonte, e ndihmonte në punë e në jetë dhe, me këtë rast e nderonte me praninë e tij, në atë natë dimri të mërzitshme e të pafund.
-Më duket se pikërisht ky fanatizëm dhe paragjykim i vjetër fetar, përsëriti Kola, ishte shkaku fillestar që unë e humba të dashurën time të zemrës… Ajo ishte myslimane dhe nëna ime, bijë prifti ortodoks, nuk e honepste fare atë dhe asnjëherë nuk ngeli dakord me zgjedhjen e zemrës sime… Ajo kundërshtoi ta fuste në shtëpinë e prindërve tanë dhe unë, siç do të ta shpjegoj, u detyrova të strehohem gjetiu, larg familjes, të afërmve të mi, që i kisha rreth e rrotull, njerëzve dashamirës,miq të vjetër të lagjes dhe të njohurve. Si të thuash, e lashë atë të vetme, në gojën e ujkut… Ajo, ç’është e vërteta, meqë kish mbaruar me nota të mira shkollën e mesme teknike, u punësua menjëherë në Ofiçinën Mekanike të Fabrikës së Çimentos.
Unë e dëgjoja me vëmendje Kolën, teksa hanim dhe pinim të qetë, ndaj e pyeta Kolën:
-Po, kush ishte kjo vajzë. E kujt është, si e quajnë? A e njoh unë?
-Nuk e besoj, se janë beratas. Unë u njoha me të në “ Rrugën e Dritës”. Edhe ajo sapo kishte marrë maturën dhe në pushimet e verës, si ne të tjerët, maturantë nga shumë shkolla të mesme të vendit, kishte dalë vullnetare në aksionet e rinisë. Fati na bashkoi në të njëjtin sektor pune dhe në të njëjtën brigadë. Atje u njohëm. Më nga afër u miqësuam në mbrëmjet e vallëzimit, që bënim çdo darkë dhe në grupin artistik të sektorit. Edhe ajo këndonte bukur, me një zë melodioz e të ngrohtë altoje. Na caktuan të këndonim bashkë një duet. Më kujtohet si tani. Ishte një këngë e bukur ruse: “Akacia e dashurisë”. Një nga ato këngë që duket se dalin nga shpirti, nga vorbullat e valëve të lumit Vollga e Dniepër, nga tajgat, nga thellësia e zemrës së popullit të madh rus. Ne na puqeshin aq ëmbël zërat!? Pikërisht ajo këngë e lindur aq larg nesh, në brigjet e Dnieprit qe fati ynë, që na
bashkoi buzë lumit Fan, aty, në atë breg lumi, ku po ndërtonim rrugën e Dritës, në atë sektor pune gjithë gjallëri me emrin Shkopet. Ishte koha kur ky emër, deri atëherë i padëgjuar u lidh me heroizmin e “Luanit të Tuneleve”, Sali Vatës...Është e çuditshme po, vetë Saliu i famshëm për kohën, sikur të qe vëllai ynë i madh, e bekoi dhe e nxiti dashurinë tonë të sinqertë e të pafajshme… Nuk kaluan veçse pak ditë kur s’ngeli vullnetar pa e marrë vesh lidhjen tonë. Të gjithë na përkrahën dhe na përgëzuan. Na uronin se ishim të dy të rinj, të bukur dhe gazmorë. Fakti që e dashura ime, me atë emër të lasht turk Resmije, ishte myslimane dhe unë me një emër të njohur mirë edhe në atë zonë, Kolë, apo Nikoll, në të vërtet ortodoks, po që mund të ish dhe katolik. Edhe këta emra, kaq të ndryshëm, nxitnin për një solidaritet njeridashës. Pastaj mos harrojmë: Ne ishim të pëlqyer edhe në
skenë. Të gjithë aksionistët ndihmuan për organizimin dhe zyrtarizmin e një ceremonie kolektive në ditën që ne kishim vendosur ta shpallnim fejesën.
Në një kapanon të madh të Sektorit të Shkopetit, që përdorej si mensë për aksionistët, u mblodhën të gjithë vullnetarët. U ftuan dhe grupet artistike të sektorëve të afërt që nga Ulza, Skuraj dhe Fershkopeti. Ceremonia ishte madhështore, e denjë për një martesë mbretërore.
-Hajde, gëzuar, Kolë! E ndërpres unë, duke rimbushur, gotën e zbrazur e duke e bërë toka. Gëzuar, vazhdova. Zëre se më ke dhe mua atje në Shkopet, si në oborrin mbretëror.
-Gëzuar, Vëlla, gëzuar! Një gëzim i madh ishte, që më lumturoi për pesë vjet rresht, se Resmija ishte e denjë për të qenë e gëzuar dhe e lumtur .
Ne u kthyem në Vlorë, vazhdoi rrëfimin Kola, që të dy me gjokset të mbushur me shkronjat :”S“, sulmues, të dalluar për tejkalimin e normave e për sjellje shembullore dhe plot dëshirë dhe shpresë për një jetë familjare të qetë e të lumtur. Ndërkohë kishim njoftuar edhe familjet tona. Ata, të Resmijes, në të vërtetë, deshën që këto punë të kryheshin me lezet dhe hap pas hapi, por, në parim ishin dakord me vullnetin tonë. Një vëlla i Resmijes erdhi nga Berati dhe ne me të u takuam në Rrëshen, ku bëmë dhe celebrimin dhe lidhjen zyrtare të martesës. Prindërit e mi, veçanërisht nëna, jo vetëm kundërshtoi, por dërgoi mallkimin “mos iu shkeltë më këmba në shtëpinë time”
Në ato kushte ne, me ndihmën e Komitetit të Rinisë së Vlorës, që drejtohej nga njeriu i mirë Duro Mustafaj, që ishte, njëherazi miku im dhe me përkrahjen e Këshillit të Lagjes, u strehuam në një garsonierë, që u gjet në atë kohë e lirë, larg familjes sime, në një lagje fare tëpanjohur. Punën e filluam menjëherë. Unë në poçeri, ku më prisnin me padurim, nga që ma dinin vlerën profesionale, ku dhe unë kisha interes. se paguhesha mirë, ndërsa Resmija, mekanike, në Ofiçinën e Fabrikës së Çimentos. Pavarësisht nga largësia dhe ndihma e papërfillshme e njerëzve të fisit tim, ne ndjenim mjaft kënaqësi dhe gëzonim, në harmoni të plotë,jetën e re bashkëshortore, duke e ndihmuar njëri tjetrin, deri në punët e rëndomta shtëpiake. Këtu, në Vlorë, u aktivizuam menjëherë edhe në grupet artistike të rinisë. Resmija me sjelljen, bukurinë dhe ëmbëlsinë e sajë, shpejt, bëri shoqe dhe shokë e miq
të shumtë.. .Ne nuk linim raste gëzimi pa i shfrytëzuar. Shikonim çdo premierë të teatrit, estradës dhe kinemasë; frekuentonim lokalet me pistë vallëzimi në barlulishten e qytetit, bar Sazani, lokalet e tjerë si Don Marku e më vonë Adriatikun dhe Hotelin Ushtarak. Shumë kohë na merrnin banjat në det. Jeta kalonte normalisht, si e shumë çifteve të tjerë të rinj pa shqetësime, aq më tepër se punët na ecnin mbarë dhe paguheshim deri diku mirë.
Kaloi viti i dytë dhe u bëmë me një vajzë të bukur që, duket se, na lidhi edhe më shumë.
-Hajde, gëzuar, për vajzën tënde të bukur!
Pasi rrëkëllyem edhe nga një gotë, biseda vazhdoi edhe më me ndjenjë:
Lindja e vajzës, vazhdoi tregimin Kola, sikur e zbukuroi edhe më shumë Resmijen. Më kujtohet, në ato ditë, si tani: Ajo ishte me flokë të verdha, një bionde natyrale. Ato flokë të arta i lëshonte të gjata mbi supe, pasi i bënte me onde. Sytë i kishte të kaltër, si deti dhe të shndritshëm, sikur shkreptinin tek përpëliteshin. Fytyrën e kishte borë të bardhë, pak të hequr e të zgjatur me tipare të rregullta. Dallohej për trupin e gjatë dhe të hollë. Me që ia dinte vlerën vetes, bënte një tualet të lehtë dhe vishej thjesht, po me shije... Me kalimin e kohës filloi t’i pëlqente më shumë vetja, të ndiqte modën dhe të përpiqej për t’u dukur sa më shumë ndërmjet shoqërisë. Kishte qejf ta vlerësonin dhe t’i bënin lajka. Ato i priste me dashamirësi, pa reaguar te asnjë, në mënyrë të diferencuar. Unë nuk bëhesha xheloz dhe e desha verbërisht, gjithnjë e më shumë.
-Hajde, gëzuar, Kola, bram! Për kujtimin e atyre viteve të bukur.
-Vërtet të bukur, po ç’e do që ishin të paktë. Tani që i kujtoj, jo vetëm që nuk gëzohem, po sepse hidhërohem dhe më shumë, aq sa ndonjëherë, po mos të kisha vajzën e vogël, me siguri do ta kisha vrarë veten.
-Po, pse,o vëlla, në të mirë e sipër, si erdhi prishja?
-Më duket se e keqja nisi nga Furra e Allçisë që po ndërtohej pranë Fabrikës së Çimentos.
Mua, si specialist për ndërtimin e qemerëve të furrave, më kishin thërritur për të konstruktuar dhe ndërtuar një furrë pjekjeje për gips, për prodhim allçie, sipas këtij modeli furi të poçerisë, që ne kemi këtu, para nesh.
Aty, te Furra e Allçisë në ndërtim, vinin dendur për konsultë inxhinierë e specialistë të Fabrikës së Çimentos. Me këtë grup erdhi dhe një bregas, një i quajtur Thoma Gjorgji. Si për çudi, ai tregoi interes të veçantë për mua, sa mësoi që isha burri i Resmijes. Duket se kishte paramenduar një kurth të rrezikshëm dhe rasti për ta realizuar atë i kishte mbirë në derë. Resmija, siç të thashë, kish nisur punë në Ofiçinën e Fabrikës së Çimentos, ku drejtues teknik ishte Gjorgji. Atij i kishte rënë në sy si bukuria dhe naiviteti i Resmijes dhe lakmonte ta bënte për vete. Thomai, siç mora vesh më vonë dhe e vërtetova në kurrizin tim, ishte me shumë përvojë dhe i rrahur mirë nga jeta si aventurier. Me sa u kuptua, ishte dhe një dhelpër dhe një feminist i pa skrupull. M’u afrua mua dhe kërkoi miqësi, sepse lakmonte hiret e Resmijes, për të plotësuar zbrazëtitë dhe largësinë që i krijonte
gruaja e tij, tani me shenja vjetrimi në rënie fizike. Pulë bote, ma.
Me kohë Thomai te ne u bë si i shtëpisë. Filloi të më tregonte, në konfidencë, për veprimtarinë e tij të shquar si pushtetar me përvojë në bregdet dhe për bëmat e tij, si komunist i vjetër, pa lënë mënjanë dështimet dhe pakënaqësitë e veta. Me sa duket ishte një taktikë e studiuar me kujdes për të fituar besimin tim te ai, çka duket se, për natyrën time, gjithashtu naive, e arriti shpejt...
Duhet të kalonin gati dy vjet që unë, larg familjes prindërore dhe njerëzve të afërt, të merrja sinjalet e para për tradhtinë e madhe. Po prapë dashuria ime e parë, e thellë dhe shumë e sinqertë e mposhti reagimin e menjëhershëm. U bëra si shurdh dhe i verbër dhe asnjë nuk besoja, duket as veten time, veç fjalëve të bukura të sajë. Vazhdoja ta justifikoja dhe ta quaja si engjëllin tim të pafajshëm... Nga Resmija për Thomain vazhdoja të dëgjoja të kundërtën. Ajo e quante atë një njeri të mirë, familjar, që kujdesej si asnjë tjetër për gruan dhe fëmijët e tij dhe që e ndihmonte dhe e lehtësonte për çdo gjë. Madje ajo filloi ta lavdërojë gjithnjë e më shumë për zgjuarsinë, aftësitë tekniko organizative dhe militantizmin e patriotizmin e tij.
Probleme të tjera nxorri jeta. Vajza po rritej dhe duket se kishte një sëmundje në sytë, që më mori shumë kohë dhe shumë para. Edhe Thomaj dukej i preokupuar dhe më rekomandonte me insistim ta çoja për vizitë te specialistët “e shquar” të Tiranës.
Ashtu bëra. Shkova në Tiranë dhe me ditë të tëra u sorollata pafundësisht, sa në një mjek te tjetri… Kur u ktheva, pas një jave, Resmijen nuk e gjeta në shtëpi. Ajo, pasi kish bashkëjetuar gjithë atë javë me Thomain, kishte shkuar, siç më thanë, po me ndihmën e Thomait, në Berat te vëllezërit e saj, për të ndenjur deri sa të krijoheshin kushtet për të jetuar për gjithnjë me Thomain. Kështu ishin bërë planet. Kaq ishte. Ajo nuk u kthye më tek unë. Siç morra vesh, Thomai kish tentuar ta merrte dhe ta izolonte në bregdet, por vëllezërit e Resmijes e kishin pikasur, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij kishin ndërhyrë energjikisht dhe, që të gjithë, kishin marrë masa për ta ndaluar këtë aventurë.
Ja, kjo është brenga dhe fatkeqësia ime. Kështu u tha Lulja ime. Me sa duket edhe nga që unë nuk i shërbeva aq mirë sa duhej dhe e lashë, pa kujdes, ta mbysnin barërat e këqij dhe rrënjët e fletët t’ia thanin insektet dhe parazitët. Dhe lulja që thahet në rrënjë nuk çel më, ndërpret jetën, siç ndodhi me dashurinë time.