Kulturë
Skënder R. Hoxha: Në robëri edhe lulet qajnë
E merkure, 28.04.2010, 09:50 PM
NË ROBËRI EDHE LULET QAJNË
(Muharrem Kurti: “Lotët e luleve”, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2009)
SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA
Nuk janë të paktë poetët në vargjet e të cilëve dominojnë tematika që dalin nga vuajtjet shekullore të atdheut dhe të popullit të tyre, sidomos të atyre që kanë qenë të okupuar dhe nën sundim të të tjerëve.
Të po kësaj tematike, të po kësaj dhembjeje të madhe që përshkohet me robërinë kolektive dhe burgun individual që reflekton edhe burgun kolektiv, janë edhe vjershat e përmbledhjes poetike “Lotët e luleve” të autorit Muharrem Kurti, libër ky i treti me radhë i tij, pas “Gjelbërimi natën” (Poezi, 1998) dhe “Lutja e kthimit” (Poezi, 2000).
Në librin më të ri të tij, që kemi në shqyrtim, Kurti gërsheton përpjekjet për të avancuar vargun dhe mënyrën e vargëzimit, gjë që ia
Vjersha “Futinë” (f. 9) dhe vargjet e saj paralajmërojnë motive të frymëzuara nga një kohë e egër, e largët dhe e afërt, kohë robërie me të gjitha shëmtitë e saj, me të gjithë argatët e këqinj të saj, ku viktimë ishin shqiptarët dhe fisi i moçëm i tij, derisa edhe “Tehu i sharrës hasi në gjak ilir/ Tehu i thikës ndeshi në asht pellazg.” (Po aty). Që nga andej, poeti kapërcen në kohëra më të vona, gjithashtu të mbushura me zezona, kohëra që dogjën e përvëluan: “Na u dogj rinia/ Nëpër postblloqe/ Dhe burgje”, e që i përcillte shqiptarët që nga rinia deri në pleqëri, deri në varr, për çka poeti thotë: “Tani shi rigojnë/ Thinjat/ Rrudhat” (vj. “Na u dogj rinia”, f. 10) Jetë ajo që kishte për referencë ikjen dhe pritjen: “Një jetë/ Duke ikur/ Duke pritur”, të cilat poeti Kurti i sublimon në vjershën “Ikje dhe pritje”, (f. 11). Meqë poeti kishte përjetuar edhe vetë burgun serbosllav, vargjet e vjershës “Në qeli” janë pjellë e përjetimeve të tij, por që u dedikohen vuajtjeve dhe përjetimeve të tilla të hidhura të çdo liridashësi shqiptar që kanë pasur fatin e zi të vuajnë nëpër qelitë e kazamateve serbe: “Në qeli/ (…)/ Lidhur me pranga/ Si Prometheu/ Qëndron liridashësi” (f.12). Ndërsa, në kohën kur të mungon liria, “nata të vret, qyqja kukon, burgjet mbushen me liridashës, e diktatorët mprehin thikat” (vj. “Pa liri”, f.13). E po këtij motivi është edhe vjersha “Burgu”, që bëhet pjesë e autobiografisë së potit, të cilin, sipas aktakuzës, e quan: “Burg i zi i nenit 133 alineja
Janë këto vargje për ato përjetime të rënda të popullit shqiptar, ku as ëndrrat nuk mund të shiheshin të qeta, e poeti pyet: “Më thuaj’ Jeta ime/ Kur do të shoh/ Ëndrra të qeta”, (f.24). Popull që gjatë historisë u tradhtua nëpër shekujt e përgjakur duke u ballafaquar me: “Perandori pas Perandorie/ Robëri pas çdo lirie/ Liri pas çdo robërie”, (f.25), dhe brenga e mërgimit e ther poetin, e ai thotë: “Fëmijët po rriten në mërgim”, (f.28), prej nga edhe mallkimi poetik: “Robëria/ Na futoi jetën/ (…)/ Të mallkuara qofshin”. Për vitin e ri, në liri, poeti shpreh uratën që: “Viti i ri/ Të mos ketë/ Errësitë/ Gënjeshtra politike”, (f. 34). Siç shihet nga këto vargje të mësipërme, por edhe nga të tjerat në vijim, ligjërimi poetik është i qartë dhe i kuptueshëm. Çdo gjë të asaj kohe, në të cilën kishte kapluar ai tisi i futinës, e kujton poeti me vargjet metafora: “Netët që bëheshin varre/ Ditët që shndërroheshin në ferr”, (f. 37), ndaj edhe për të ardhmen shpreh dëshirën dhe porosinë që: “E nesërmja/ Të mos ketë/ Luftë dhe viktima”, (f.51). Këto vargje shprehin zë karakteristik poetik të frymëzuar dhe të emocionuar nga motivet prej nga vargjet e kanë amën.
Dashurinë dhe respektin ndaj nënës poeti Kurti e thotë në vjershat e qerthulli “Elegji për nënën”, ku me vargje përkushtuese shprehet, në thellësi, dhimbja për vdekjen e nënës, duke e krahasuar atë vdekje edhe me terrin a natës: “Si terri i natës/ Vdekja e nënës”, (vj. “Vdekja e nënës”, f.57). Gjithashtu, Heshtja në vendin e nënës, Shoqja e nënës, Mungesa e nënës, Te varri i nënës, janë tituj vjershash që shprehin kujtimet dhe dhembjen për mungesën e nënës, natyrisht, pas vdekjes së saj.
Në qerthullin fundit “Kur dashurohen thinjat”, të kësaj përmbledhjeje, gjejmë vargje lirike që përkojnë me dashurinë e poetit të mbetur për Tiranën, atë dashurinë që i mungon e për të cilën gërmon për ta gjetur… Bile, për poetin, dashuria që ka bërë moshë, dashuria në një moshë të pjekur, kur dashurojnë thinjat, edhe vdekjen e mposht: “Kur dashurojnë thinjat/ Vdekja struket në vrimë të miut”, (f. 68). Ai, sikur e ruan në kujtesë edhe premtimin e saj dhe përkujton: “Premtimin tënd/ E ka dëgjuar brehu”, (f.70), kohë ajo kur i kujtohet poetit se: “Në errësirën e brehut/ Isha pranë teje”, (f.71), për të përfunduar me porosinë e tij: “Mos harro”!, (po aty).
Në përfundim se në poezitë e përmbledhjes poetike “Lotët e luleve” të Muharrem Kurtit, trajtat e prezentimit, pasqyrimit dhe ekskomunikimit poetik – si procedim, mandej klithmat poetike, metaforat, gjuha ligjërimore, përbëjnë bazën e ndjenjës dhe përjetimit. Në anë tjetër, tematika, përmbajtja, format stilistikore, ia shtojnë vlerat librit dhe e bëjnë më të preferuar për lexuesin dhe për raftet e bibliotekave tona.