Kulturë
Kujtim Dashi: Lenini - udhëheqës i madh i proletariatit botëror
E merkure, 28.04.2010, 09:58 PM
Kujtim Dashi
Lenini - udhëheqës i madh i proletariatit botëror
Tregim
Një nga bixhozxhinjtë më me nam në shekullin e kaluar të Shkodrës, Fritz P., qëndroi i kyçur për katër vjet në Universitetin e Zejmenit. Si shenjë pendimi e zëmendje, pasi i dha lamtumirën në atë fund tetori, kështu ia kishte ënda t’i thoshte burgut. Ai kompleks ndërtesash prej nga doli me një strajcë në kurriz, dukej sikur kishte pasë ngecur në mes të asaj zallishteje të Bregut të Matit gjatë ndonjë rrugëtimi biblik, për t’u derdhur në det. Rruga që lidhte kampin me rrugën nacionale, të cilën e përshkoi ngeshëm Raxh Kapuri* ynë, dukej si një rremë gjigande, që qe thyer diku gjatë këtij rrugëtimi. Jo vetëm se kishte kaluar aq vite, sa lipseshin për një cikël të plotë studimesh të larta. E dinte, që shumë nga paraardhësit e tij ndër shekuj anekënd botës, kështu i cilësonin vitet që kalonin në këso farë universitetesh, po tjetër gjë ishte të zije mend vërtet për të mos i provuar më. Stazhe më të shkurtëra kishte pasë bërë edhe herë të tjera në burgje, ose si i thothnin ndryshe, si me i zbutë gjërat, kampe riedukimi, po këta katër vjet një copet kishin lënë gjurmë, e kishin lodhur e telendisur. Mosha bënte të veten. Hallet e shumta që kish lënë jashtë. Diabeti dhe nja dhjetë sëmundje të tjera. Për to kishte pasë vakt boll me iu mësue mirë simptomat e terapinë secilës prej tyre. Përfitimi kryesor prej tyre ishte me mujt mos me dalë në punë si bashkëvuajtësit e tjerë, po me u marrë, kur t’i tekej, me lulet e kampit e pastrimin e territorit. Rritja e fëmijëve jetima me baba gjallë e pa të në shtëpi. Përfitimet më të mëdha sikur të kishte qenë në liri, qoftë dhe në hobin e tij. Rizgjimi i një ndjenje turpi që e kaplonte, kur e mendonte veten pesëdhjetë vjeç burrë, tek rikthehej sërish në ato mjedise familjare e publike, me shkollë të lartë të kryeme, prej të cilave drejtësia e kishte privuar aq gjatë, e kishin bërë punën e tyre. Lirimi i erdhi nga një amnisti e papritur. Më vonë, ca thoshnin me shejtanllëk, se e kishte pa ndij shumë vdekjen e Kryezotit tonë të katër dekadave e ca, e kishte pa bërë namin duke qarë për të, në pauzat nga njëra lojë e bixhozit te tjetra. Ai ishte udhëheqësi ynë! vinte medemek kujën, ndërsa shokët e tij më të ngushtë e dinin mirëfilli se përse e kishte fjalën, kur përdorte fjalën udhëheqës; për pasionin e hershëm të Kryezotit, kur kishte qenë në Francë, student e më vonë. Po nuk ishin të paktë ata që e lidhnin nxjerrjen e tij nga Universiteti, pa e krye atë ditë më ditë, me nevojën urgjente që ndjenë për të do shokë të Fritz P. në Sigurimin e Shtetit, ngaqë asokohe po lulëzonin grupet e vjetra të bixhozxhinjve e po buisnin të rejat dhe nuk ziheshin më me lehtësinë e mëparshme; ndaj u duhej Fritz P., u duhej jashtë karremi i tyre... Rrugës për t’u kthyer në Shkodër, me një strajcë teshash hedhur në kurriz si muhaxhir, e mblodhi mendjen të rrinte një natë te kushërijtë e vet në Lezhë. Në krye të herës, strajcën e la në lulishte. Vetëm kur vuri re se të vetët nuk e patën bezdi dhe e begenisën universitarin, - derisa vetë shteti e kishte fut brenda dhe vetë po ai e kishte lëshue, thanë ata të paqederosur se dikush ua kishte parë mikun me kleçka dhe do ta shpinin fjalën atje, ku e dinin ata, - u kthye dhe e mori strajcën si të ndonjë lypsari. - Veç due me të vu një kusht, - përsësyti kushëriri më i madh, pasi kishin nisë me pi ndopak raki për shyqyr, që e kishte krye shkollën e lartë dhe miku bënte ritualin, ngrihu në këmbë e thuaj “siurdhëron”, kur e pyesnin për ndonjë gjë a donin miratim prej tij. - Të mos më thuash tasheparë “siurdhëron” e të mos më ngrihesh në këmbë kështu mua, sa herë që e thua këtë të shkretë fjalë. Po ç’është kjo “siurdhëron” në shtëpinë tënde!? Ku e paske zënë këtë zakon? - Eh, mos ma vini re. Na e kanë mësue mirë atje në Universitet, mor burrë, se unë s’e kam ditë kurrë se çfarë është “urdhëroni” e “sirudhëroni”. Sikur s’e dini ju! A kaq shpejt më paskeni harrue?! Edhe mund të vazhdonte rrugën për në Shkodër, për t’i bërë ato afro pesëdhjetë km, po nuk pëlqeu të trokiste natën në shtëpinë e tij në një çast të shënuar për të, kur sapo kishte mbaruar atë Universitet. Qe riedukuar, aq sa qoftë dhe një ditë të vetme nuk e kishte lënë pa luajtur bixhoz. Fitoren më të fundit e kishte arritur vetëm një orë para se të plotësonte formalitetet e rastit, për të dalë prej portës së madhe të burgut, në muzg, me bastin “A i ka apo jo komisari i burgut të gjithë pullat e xhaketës në vend?”. Fritz P. s’do ta vinte atë bast, po të mos e kishte fitoren në xhep. E dinte se komisari vinte nga klasa punëtore. Në përdorim kishte rreth tridhjetë-dyzet fjalë gjithsejt dhe, fjalia më e përdorur, ishte “E di partia atë punë!”. E pamundur t’i ketë ky hallvaxhi të gjithë pullat e xhaketës në vend, mendoi kur iu qas afër dhe u përshëndet me të gjoja përmallshëm e me një mirënjohje të shtirur, medemek për ndihmesën që kishte pasë dhënë komisari për riedukimin e tij. Ato sekonda, nën ndriçimin e një llambe të madhe në oborr, i vlejtën për të gjetur vendin e pullës që i mungonte komisarit, po edhe për t’ia treguar ndërkohë këtë bashkëvuajtësit të vet humbës, që priste matanë tërë ankth. Kurorëzim më mjeshtëror të efektit të burgut s’mund të gjëndej gjëkundi. Kësisoj fitoi lekët e rrugës, një paradarkë zengjinësh te klubi Uji i Ftohtë në Zejmen dhe tri kg rrush me iu çue kushërijve të vet.
Ata u matën gjatë për të mos e nxjerrë mbi gjuhë dyshimin e tyre: a kishte qenë vërtet në burg Fritz P., apo ishte një nga ato marifetet e zakonshme të tij, që bëheshin të njohura tërë gaz e përhapeshin shpejt nëpër qytet po prej tij. Para se të niste Universitetin, kur të gjithë e kërkonin poshtë e përpjetë sa në Shkodër, në Lezhë e gjetkë, ai qe ndryer me ca të ortës së vet në një shtëpi në kryeqytet dhe, për një javë rresht as e pa dhe as e takoi kush. Kishin luajtur bixhoz non stop. Sigurisht, në një ilegalitet të thellë, se ta zinin me gjithë shokë, do ta çonin fill e në Universitet. Ndërmarrja kishte patur nevojë të madhe për ca kuzhineta të vogla që mezi gjendeshin. I gjej unë, - u kish rrahur gjoksin drejtuesve Fritz P., - po, ju lutem më jepni një javë kohë sa t’i gjej vrimave e skutave nëpër magazinat e vendit. Tamam aq ditë e netë, plot shtatë, i duheshin edhe shoferit francez që transportonte bretkoca me makinën frigorifer, të shkonte e të kthehej nga Parisi. U llafos me të. Fritz P. i futi një arkë me bretkoca bakshish nga të ndërmarrjes, ku punonte, dhe i tregoi për çfarë kuzhinetash kishte nevojë. Shoferit i ndritën sytë. Pazar i mbaruar.
“Për ideal qeshë tuj dekë ûnit në ditët e para të burgut, - zuri t’u rrëfejë Fritz P. kushërijve të vet si t’u tregonte për bëmat në luftë ndonjë veteran pasaradhësve të tij. Kushërijtë e shihnin për serì shëndetin e tij, barkun e kërcyer, faqet kuq si molla, humorin e ripërtërirë të njeriut, jeta e të cilit kishte qenë “kudo rafsha mos u vrafsha”, si të ishte kthyer nga ndonjë konvaleshencë e gjatë. - Erdhi, pra gruaja me më pa në burg herën e parë dhe më solli, e shkreta, pak gja, një strajcë të vogël sa me mbajtë frymën gjallë, sa mos me thanë, se s’i solla gja burrit njëqind e tetëdhjetëekatër metra të gjatë e njëqind e dymbëdhjetë kg në bisht të kandarit. Për nder, u bëra merak e më zuri frika. Pse kështu kam me i kalue unë këto vite të Universitetit? Hëëë, po unë i kisha marrë me kohë masat për këto katër vjet të zeza. Me rregullore të burgut vetëm dy herë në muaj mund të takoheshe me të tutë, rreth pesëmbëdhjetë minuta. Po unë s’do ta lija me kaq. Për takime të tjera jashtë radhe, duhej të bëje kërkesë me shkrim. E çfarë do të humbisja po ta bëja? Apo s’di me i qëndis letrat! Mister Mikober* i gjallë jam! Disave nga kolegët e mi familjarët u vinin një herë në dy-tre muaj, ca të tjerëve një herë në vit ose hiç fare. Kishte nga ata që të vetët s’e dinin që kishin vdekur, të shkretët, po dhe kolegë që s’e dinin në i kishin gjallë të vetët.
Vjen gruaja herën tjetër për me më pa. Gjatë takimit po ai polici i parë. S’luante vendit, dreqi, si pilaf mbi kokë. Për çfarë s’e pyeta gruan. Për fëmijët, për nanëshkretën, kushërirën tuej, që ia kisha nxi prapë faqen në pleqni, për gjithçka. Bile e pyeta edhe për shiun. A ka pushue hala shiu në Shkodër? A i kishte marrë malli shokët për mua? A e kishte sistemuar mirë bibliotekën pas kontrollit të hetuesisë? Hetuesit kishin marrë nëpër duar libër për libër, apo vetëm ato, për të cilët kishin dyshuar më shumë? Polici na i kishte ngulë sytë si dac dhe i kishte ngritë veshët pipëz. I vinte çudi që e pyesja për librat. Për të gjallë s’mujsha me i thanë gruas një fjalë të vetme, me i dhanë një shenjë e me i tregue se ku e tek i kisha pasë fshehë do lekë për këto ditë të zeza. Kur qe, për ideal, m’u kujtua. Papritur, i them gruas: ”A e din, moj, se Lenini ka kenë udhëheqës i madh i proletariatit botëror?” Polici m’i nguli sytë si me dashtë me më hangër gjallë. Lenini në qeli?! E prej kujt? Prej meje! Gruaja më pa frikshëm dhe si një e hutuar fatkeqe. Vetëm se s’tha, e shkreta: “Më paska ikur burri nga fiqiri! Çfarë do t’i kenë ba kështu?” Unë prapë pas pak, thuajse s’kisha hall tjetër në Universitetin tim: ”A e din, moj, se Lenini ka kenë udhëheqës i madh i proletariatit botëror?” “Fol, mor hut, për hallet tuaja e lene Leninin në punë të vet! - më qortoi me të egër polici dhe ma vuri para syve dorën si kapanxhë, për të më treguar edhe sa minuta më kishin mbetë nga takimi. - E shikon, hajt, shpejt se po të mbaron ora e takimit.” E mbante mend mirë ai, se me të kisha fituar në bixhoz që në ditët e para atje, kur më futën brenda. Nëse e kishte apo jo këmbën fiks nr. 47. E kishte pa marrë si ofendim të randë që ia kisha nxjerrë sekretin e numrit të këmbës. Qysh atëherë, kur u tellallis nëpër burg, më kishte marrë inat e donte veç me gjetë rastin, për të më dhënë ndonjë shkop të mirë kurrizit. S’desha me ba gjyq me të. Po unë doja me i hap horizontin sime shoqeje. “E di, mor burrë, si nuk e di. A është njaj tullaci që na ka terrue dhomën e pritjes, sepse kanë vënë portretin e tij sa gazepi në dritaret tona e s’po di me e hekë prej aty kurrë komunalja?” E pashë që s’mori eshkë fare dhe s’po i jepte dum se çfarë kisha ndërmend t’i kumtoja. Ia përsërita konkluzionin tim, kësaj here në një formë tjetër. Bëra gjoja se e urdhërova: “Dëgjo këtu, herën tjetër, kur të vish, në daç më bjer ushqime, në daç jo, se po na mban qeveria për bukuri, por një gja due me ditë patjetër prej teje: cili është mendimi yt për Leninin, dakort? Atje në bibliotekë të shtëpisë e ke librin e hazretit Lenin. Kqyre mirë, lexoje e studioje faqe për faqe, dakort? Ti rusishten e di apo jo? Të dua një mendim të saktë e shkencor për të, jo kështu kotsëkoti. E si të thashë, lexoje mirë, faqe për faqe. Materializmi dhe empiriokriticizmi, i thonë në shqip, zoti polic. Ti besoj duhet ta dish, apo jo? Je me shkollë? Kryevepër është!” “E di, more, e di mirë e s’ke mbetë ti me ma kallxue mue. E kam lexue me laps në dorë, dikur në kursin tremujor të policisë, - ia futi kot polici e u mat dy-tre herë me ma përsëritë titullin, po s’qe që s’qe e mundun me e thanë. Pastaj e la krejt si njeriu që ka preokupime më të mëdha se për atë libër. Eh, kur e pashë gruan në takimin tjetër të radhës, që në oborr, ku po ujisja lulet, me dy trasta plot me ushqime, e mora vesh se e kishte gjetë librin dhe se ishte thellue tepër në veprat e Leninit. I ndriste fytyra kësaj radhe. Në takim, po ai polic e me të njëjtin qëndrim. “Hë, moj, e lexove Leninin e madh, si të thashë, apo jo?” - e pyeta gruan që në fillim, pa kalue hala te fëmijët e nana dhe mezi po e mbaja të qeshurën, se s’më binte ndërmend a e kishte pasë krye apo jo ime shoqe filloren. Ç’pata hequr me ia gjetë atë vend pune në Ushqimore! Tanë lekët që fitova atë natë, kur më vdiq baba e ju e ruajtët atë deri në mëngjez, siç është zakon, - ma bani hallall, te ju po e diftoj këtë për herë të parë e të fundit -, ndërsa unë luaja me shokët bixhoz, njëri prej tyre tha “S’kam lekë ma!”. “S’ke lekë e futesh në lojë? e kërcënova. “O lekët, o thuej tët vëllai, atij drejtorit, të ma marrë në punë gruan.” Qe fati i saj. Një ditë, pasi nisi punë, më erdh në shtëpi krejt e përlotur. “Çfarë ke, moj, - i thashë i merakosur. - Kaq shumë të paska marrë malli për mue?” “Jo, mor dreq, kena bâ konserva qepujkash sot, prandaj.” “Unë, besa, faqe për faqe e ta kam lexue krejt librin, mor burrë, dhe s’e kam hequr doret për pa i shkue deri në faqen e fundit. I jam kthyer edhe dy herë të tjera se mos më kishte mbetë ndonjë gjâ pa lexue...Paske pasë të drejtë vërtet, mor burrë, ti bëfsh hajr, t’u bëftë shëndet, ishalla. Lenini kishte pas qenë vërtet udhëheqës i madh i proletariatit botëror, ai kishte pasë qenë për ne... Po ty gjynah që të lënë në këtë vend se je për më lart, besa!... - ia bëri gruaja me një kënaqësi që s’di me iu tregue me fjalë dhe i qeshnin sytë. Që ta merrni vesh tani ju, në çdo faqe të veprës së Leninit kisha pasë futë nga një mijë lekë të vjetra. Bankë më të sigurtë me i ruejt s’kisha me gjetë kund. Më thoni ju, si s’kishte me i thur lavde gruaja Leninit të madh?!”
_________
Protagonisti i filmit indian “Zotnia 420”
Personazh i romanit “David Koperfild” i Çarls Dikensit.