E premte, 03.05.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Edmond Shallvari: Rilindjet dhe lindjet poetike të poetes Brunilda Boçova

E merkure, 28.04.2010, 09:58 PM


Promovim libri dhe ekspoze e krijimtarisë së poetes Brunilda Boçova, në 23 prill 2010 në Selanik.

 

Ishte kënaqësi, nder, shtim gjallërie në jetën letrare të Lidhjes së Krijuesve "Dega e Blertë" në Selanik, që nga çasti njoftues e ndodhës i aktivitetit promovues të librit të 13-të "Psherëtima të gjunjëzuara" dhe ekspozeja e krijimtarisë së begatë, të poetes tashmë të afirmuar fierake, Brunilda Boçova. Për të mos rënë në përsëritje të asaj çka do pasqyrohet pak më vonë këtu nga aktiviteti nëpërmjet shkrimeve të gazetave në gjuhen shqipe në Greqi, po paraqes Çertifikatën e dhënë poetes nga "Dega e Blertë"(anëtare e së cilës ajo është), që përbën evenimentin e parë të këtij vlerësimi për Lidhjen tonë e që do vazhdojë më tej për krijuesit e tjerë të saj në fushat e ndryshme të krijimtarisë. Gjithashtu, po vendos diskutimin tim të plotë, i cili më shumë se analizë konkrete të krijimtarisë(gjë që u bë nga diskutantët e tjerë), pati një udhëtim simbolik, nëpërmjet titujve

të 13 librave, të arshivuar në botimet e Brunildas.

 

Rilindjet dhe lindjet poetike të poetes Brunilda Boçova

 

Nga Edmond Shallvari

 

Krijimtaria e poetit, e sanksionuar në librin e botuar, i shton ligjshmërisë natyrore të lindjes së jetës njerëzore, rilindje dhe lindje të tjera shpirtërore, që kanë të datuar vetëm fillesën, kurse fundin nuk mund ta profetizojë askush. Jetëgjatësia e tyre nuk njeh dhe s'ka të bëjë aspak me procesin moshues të plakjes, përkundrazi, ky proces mund ta rinojë e freskojë në paafatshmërinë kohore, në vartësi të vlerave dhe shijeve të lexuesve të ardhshëm.

Poetes Brunilda Boçova, i lexoj biografinë rilindëse dhe lindëse, me fillesën e parë në vitin 1998.

Pse them rilindëse dhe lindëse?

Për mendimin tim, poeti rilind nëpërmjet krijimtarisë dhe njëkohësisht lind vazhdimësinë e shpirtit të tij me krijesat e veta më të veçanta, më të dashura, më të prekshme e të ndjeshme, librat. Ndërsa rilindja ndodh dhe ndjehet brenda vetqenies së poetit në çastet magjike të krijimit, lindja del jashtë vetqenies e materializuar me librin e botuar.

Më lejoni, që pa hyrë në hollësira analizash letrare të krijimtarisë së begatë të Brunildas, të bëj një udhëtim simbolizmash, pikërisht kohës rilindëse dhe lindëse të krijimtarisë së saj.

Lindja e parë është dhe vetë dilema e parë, mendimi, shqetësimi dhe meraku i parë, sikurse gëzimi, emocioni dhe lumturia e parë.

Tek Brunilda, kjo shumësi ndjenjash e mendimesh, koncentrohet në vetë titullin pagëzues, titull që përbën sanksionimin e krijimtarisë në librin e parë të saj.

Fillon kështu udhëtimi i parë lindës i poetes, që na pyet e vetpyetet, e bindur, që më shumë se ne, është vetë ajo çkoduesja e kodit zgjidhës të pyetjes, "Si ta shkruaj psherëtimën".

Brunilda paralajmëron lexuesin për pozicionimin e saj në këndvështrimin e botës, pozicionim i qëndrueshëm, i pandryshueshëm, por i pasuruar nëpërmjet këndvështrimeve të ndryshme e të larmishme.

Mua, ky pozicionim, më ngjan me boshtin, me qendrën valore, që sipas intensitetit goditës shumohet në rrethvalëzimet.

Pasi kërkon e kërkon se si ta shkruajë psherëtimën, poetja kapërcen gjendjen në vitin 1998, duke preferuar tjetër rrugëtim lindës në, "Ujvara e ëndërrës", gjë që e arrin pas pesë vitesh ta prekë e jetësojë(2003).

E plotësuar në prekje realitetesh brenda e përtej reales, poetja shton pretendimet e saj në hapësirën e pakufishme të universit, aq sa po atë vit(2003), edhe "Disqet nisin të flasin" përmes penës kozmike.

Tashmë, rezonanca valore e Brunildas përmasohet sa horizontalisht, aq dhe vertikalisht në udhëtimin lindës kohor një vjeçar, ku veç fajeve tokësore, zbulon dhe "Fajet e reve" (2004). Mos e bën këtë ngjitje lartësish për të parë mbase më qartë dallgët e shpupurisura? Besoj se po, se ja tek zbret pastaj, për të bashkuar penën me "Penët që i krehin dallgët" (2005).

Vënia në zap e tyre, e bën të rikthejë po atë vit sytë drejt qiellit dhe me shpejtësinë e mendjes arrin të realizojë, "Simbiozën e yjeve" (2005).

Kjo është Brunilda, një eksploratore hapësirash të dukshme e të padukshme, duke na bërë dhe ne bashkudhëtarë të varur e relativisht të pavarur prej saj.

Kështu dhe ne, veç perëndimit magjepës që shijojmë pragmuzgjeve, dallojmë, falë këtij bashkëudhëtimi, edhe një "Perëndim të cfilitur", në vitin 2006. Atë, nuk mund ta dallojë kurrë shikimi i lirë njerëzor, as sy meteorologu, apo astronomi. Eshtë jashtë aftësisë e fuqisë shqisore e perceptuese të tyre, por jo të poetes, që po në vitin 2006, duke mos dashur të na lerë vetëm me cfilosjen e perëndimit, na zgjon magjishëm me një "Fjalëz të vesuar".

Cili laborator shkencor, veç atij letrar, mund të arrijë magjinë krijuese e konvertuese të idesë me materien, të frymës me trupin?

E ky laborator letrar, ku eksperimenton e krijon suksesshëm Brunilda Boçova, nuk ndalet vetëm në tjetërsime realitetesh në funksion të mesazheve të forta ndaj shoqërisë, por edhe në depërtime shpirtrash njerëzorë të trazuar.

2007-a e Brunildas na le "Në gjunjë të mallit" e jo vetëm ai vit. Malli kthehet në mundimin e madh e gërryes të shpirtrave njerëzorë, të ndarë e degdisur gjithandej kësaj bote.

Tipik me të këqijat e tij përsëritëse në kohë, marsi nuk i shpëton dhimbjes e revoltës së poetes. Simbioza e tij me 7-tën, sjell "Shtatëdhjet e shtatë tufane marsi".Një kataklizmo e tërë, një apokalips pa fund, edhe pse pas një viti, laboratori letrar i poetes do krijojë një "Mars të zbutur nga vetëtimat".

Brenda fuqishmërisë tërbuese marsiane, një tjetër fuqishmëri kundërvënëse, jo asgjësuese, por zbutëse, gjë që vetëm forca e fjalës, kodi i saj, mund të arrijë ta realizojë.

Pas një marsi të zbutur, s'ka si mos dëshirosh përsëri detin dhe të udhëtosh me anijen "Metaforë mbi valë" në vitin 2009.

Brunilda është Poseidoni i ujrave në poezi.

Pas një udhëtimi gati 12 vjeçar, me koencidencë 12 herë rilindjesh të vetvetes dhe lindjesh librash, Brunilda Boçova duket sikur bën epilogun e brendshëm logjik të tyre me lindjen e re të librit të 13-të në fundvitin 2009.

Po miq!

Po, Brunilda!

Prologu pyetës, "Si ta shkruaj psherëtimën", tashmë ka epilogun e vet zgjidhës. Laboratori tënd letrar, ja arriti vërtet jo vetëm të shkruajë psherëtimat, por t'i kthejë ato magjishëm në "Psherëtima të gjunjëzuara".

Urime, poete!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora