Kulturë
Naser Aliu: Dashuri dhe jetë
E enjte, 29.04.2010, 09:58 PM
Naser Aliu
Dashuri dhe jetë
Në fillim flisnin shumë ose fare
Aty ndërmjet vështronin njëri tjetrin në sy të ndritur
Dhe, lexonin shpirtin me kërshëri
Vit pas viti flasin herë më shumë
Herë më pak
Aty ndërmjet
Merren vesh edhe me dialektin vetjak të dashurisë
Që s´e kupton njeri
Por, kuptohen tepër
Madje, edhe kur nuk merren vesh!
Mendimet ia lexojnë njëri tjetrit me vështrim:
Pakënaqësinë në tri a katër rrudha të ballit
Dyshimin me ngritjen e vetullave të thinjura
Habinë në sytë e picërruar
Fajësinë në përpëlitjen e qerpikëve të rralluar
Drojën në dridhjen e buzëve të harxhuara nga puthjet
Kundërshtimin në oktavat dallgëzuese
Dhe, këna?qësinë e gjejnë, atje lart, ndërmjet vargjeve të mësipërm
Dashuri dhe jetë është kjo!
Arbëri
Të dua
Dhe dua të të përkëdhel
Mirëpo
Unë të dua ndryshe
Kështu dhe ashtu... jo!
Narcizmi
»Sot ia shpëtova njërit jetën... «,
Tha ai në kafene me birrë në dorë
Më ndjeni për sedijen
Dija vetëm se jeta zgajtet
Për shpëtimin
Nuk kisha dëgjuar në Tokë
E paskeni dënuar sot pacientin, doktor
Nuk vdes kurrë apo jo?
Ai belbëzoi gjatë dhe mori një raki!
Perceptimi
“ Gruaja për disa sekonda kupton
Çka dëshiron burri prej saj!”
Thonë psikologët
Disa burra tërë jetën
Nuk marrin vesh
Çka dëshiron gruaja prej tyre
Them unë!
Sedra
»Shtëpia jote është e Zotit dhe e Mikut!«
Shqiptari
Mbeti me shekuj në oborr
Zotërat dhe Armiqtë u shtrinë në divanin tonë!
Dhe, për çudi
Shqiptari mburrej
Me shtëpinë hotel!