E premte, 02.05.2025, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Engjëll Serjani: Manastiret e harruara të Luginës së Drinos

E hene, 03.05.2010, 06:31 PM


Manastiret e harruara të Luginës së Drinos

 

Nga Engjëll Serjani

 

Manastiret e Luginës së Drinos, perla të qytetërimit dhe krishterimit ortodoks, mbeten të harruara. Me gjithë madhështinë që përçojnë, përtej vlerave historike, por edhe shpirtërore, sërish kujdesi për to është minimal diku e aspak diku tjetër. Me pak kujdes e interes nga të gjitha palët mund të kthehen në pika të rëndësishme turistike, vlera të vërteta, me të cilat absolutisht mund të krenohemi

Lugina e Drinos është një nga zonat më të pasura të Shqipërisë, me gjurmë vendbanimesh antike dhe mesjetare, të cilat përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme të trashëgimisë kulturore. Ende është e nevojshme që ajo të zbulohet, studiohet, ruajtur, mirëmbajtur dhe rijetëzuar për t’u shërbyer banorëve dhe brezave të ardhshëm. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’i ruajtur të paprekura këto monumente, ku vend kryesor zënë manastiret dhe kishat, një pjesë prej tyre, ato që ndodhen larg qendrave të banuara, mbeten krejtësisht të pambrojtura. Vështirësitë nisën sidomos pas reformës për shkurtimin e personelit të kujdestarëve të monumenteve nga organikat e personelit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, të ndërmarra nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në fillim të vitit 2007. Në Qarkun e Gjirokastrës janë në administrim gjithsej 170 monumente kulture të kategorisë së parë dhe rreth 500 të tjera të kategorisë së dytë. Në këtë numër të monumenteve të kulturës përfshihen edhe shumë nga objektet kult të fesë ortodokse, sikurse janë kishat dhe manastiret. Gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, autoriteti i Kishës Ortodokse Autoqefale ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të ringjallur besimin dhe ringritjen e institucioneve të dhunuara prej regjimit komunist. Atëkohë, shumë nga këto objekte u kthyen në stalla bagëtish, magazina drithi dhe reparte ushtarake, sikurse është rasti i Manastirit të Dragotit që shërbeu deri vonë si repart ushtrie policie e që aktualisht është kthyer në pikë grumbullimi të makinave të sekuestruara nga policia. Sot, krahas ngritjes së kishave të reja, u investua edhe për ringritjen e kishave ekzistuese, një pjesë e tyre e marrë në mbrojtje nga shteti si monumente të trashëgimisë kulturore. Megjithatë, në shumë nga këto objekte ikonostase, afreske, ikona, antikuarë, orendi e sende me vlerë të jashtëzakonshme, që kanë gëzuar këtë status edhe gjatë periudhës komuniste, janë ruajtur të paprekura si thesare të kulturës dhe trashëgimisë... Në këto 20 vite, ato që i shpëtuan periudhës së diktaturës, për shkak të ngërçeve të herëpashershme mes institucioneve të shtetit të specializuara për monumentet dhe institucioneve fetare, nuk u kanë shpëtuar dot grabitjeve dhe humbjeve. Grabitja e ikonave nga manastiret dhe kishat në rajonet e Shqipërisë jugore konsiderohen si një nga vjedhjet më të kushtueshme të veprave të artit dhe njëkohësisht edhe krimi më i pandëshkuar në dy dekadat e fundit. Sipas të dhënave, deri tani asnjë prej grabitësve dhe trafikantëve të këtyre vlerave të pallogaritshme të trashëgimisë kulturore nuk është kapur dhe dënuar nga drejtësia shqiptare. Pas një zinxhiri të gjatë grabitjesh të ikonostaseve dhe ikonave të vjetra nga manastiret dhe kishat më të rëndësishme të periudhës së Bizantit nuk ka më asnjë dyshim se ikonografia dhe vlerat e tjera të trashëgimisë kulturore, artistike dhe fetare janë vënë në shënjestër të trafikut të veprave të artit. Ato mbeten përherë të rrezikuara. Goditjen e parë dhe më të rëndë ikonografia dhe vlerat e trashëgimisë shpirtërore e fetare në Luginën e Drinos e mori në vitin 1990. Nga kisha e Labovës së Kryqit u zhduk Kryqi i Labovës së Kryqit, një objekt i rrallë që ishte ruajtur në shekuj nga banorët e zonës. Sipas legjendës që vazhdon të tregohet edhe sot, ky kryq ishte një dhuratë e Perandorit Justinian për Labovën dhe se brenda tij kishte një “shkel” druri prej Kryqit të Shenjtë ku u kryqëzua Jezus Krishti. Ishin tre persona që e grabitën në vitin 1990, të cilët u gjykuan dhe u dënuan nga drejtësia, por asnjëherë nuk treguan personin apo vendin ku u degdis kjo vepër me vlera të rralla. Një tjetër vjedhje që është bërë në këtë objekt që daton në shekullin X-XI, ishte në javën e parë të muajit janar 2008, kur nga kjo kishë për herë të katërt janë grabitur 18 ikonat e pjesës së sipërme të ikonostasit të kishës. Më pas ka nisur një varg i gjatë dhunimesh. Manastiret dhe kishat vazhdojnë të jenë ende nga më të rrezikuarat. Për këtë flet jo vetëm grabitja e 14 ikonave në kishën bizantine të Labovës së Kryqit dhe 20 ikonave dy vjet më parë në kishën e Jorgucatit, por krejt zinxhiri i gjatë dhe i pandëshkuar vjedhjesh në këto 20 vitet e fundit. Në qershor të vitit 2007, procesi i katalogimit ka mundur të zbulojë grabitjen e ikonave nga Manastiri i Ravenës afër Goranxisë, në shtator 2007 janë grabitur njëra pas tjetrës kishat e Varrosht në Gjirokastër, Goranxisë dhe Zervatit në Dropull, në tetor të vitit 2007, për të katërtën herë që nga viti 1991, është grabitur kisha e Shën Thanasit në Bularat, herën e fundit po në këtë kishë u grabitën 18 ikonat, rreth 200 vjeccar të ikonostasit të vjetër. Kështu, gjendja aktuale në disa prej manastiret e Luginës së Drinos paraqitet jashtëzakonisht e rënduar edhe nga pikëpamja arkitekturore. Koha bën punën e saj dhe rrënimi në disa prej tyre është gjithmonë e më i pranishëm. Për të parandaluar shkatërrimin nuk nevojiten vetëm fonde, por edhe studime, analiza dhe projekte për restaurimin, konservimin dhe rijetëzimin e tyre për t’i bërë këto vende të vizitueshme. E tillë është gjendja e Manastirit 700-vjeçar të Pepelit në Dropull të Sipërm, një vend i njohur pelegrinazhi për besimtarët ortodoksë. Me gjithë ndërhyrjet, gjendja e tij është përherë e rrezikuar. Pepeli mbahet mend si vendi i shërimit dhe përtëritjes i të sëmurëve mendorë, si vendi i organizimit të panairit të Shëntriadhës, si streha e vetme ku mbaheshin dhe rriteshin fëmijët jetimë, të braktisur, handikapatë dhe fëmijë të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore. Gjendja teknike e afreskeve që mbulojnë pothuajse krejt muret dhe tavanet e këtij monumenti të rrallë vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. “Nuk janë kujtuar për kryerjen e restaurimit as Drejtoria Rajonale e Monumenteve, që e ka në listën e objekteve monumentale në ruajtje, por as Mitropolia e Kishës Ortodokse Autoqefale e Gjirokastrës, që e ka në varësi e kujdestari si objekt fetar”, shpjegon 78-vjeçari Vasil Gjoni, banor i Pepelit dhe njëkohësisht njeriu që mban çelësin e kishës së manastirit 700-vjeçar. Jetim, ai është rritur nën kujdestarinë e murgjve të këtij manastiri. E njëjta gjendje dhe situatë edhe në rrënojat e Manastirit 1000-vjeçar të Dhuvjanit, një tjetër perlë e harruar e qytetërimit dhe krishterimit ortodoks. Tabela në të hyrë të tij shkruan vërtet “Monument kulture, mbrohet nga shteti”, por në fakt ço gjë është duke u shkatërruar plotësisht dhe mjedisi i tij, dikur përrallor, sot duket tepër mjeran. Në Dhuvjan ndodhen edhe 6 kisha të tjera të lashta, midis të cilave ajo e Shën Nikollës, por natyrisht më e veçanta prej tyre është ajo që gjendet brenda oborrit të Manastirit të Dhuvjanit, e quajtur kisha Shën Julitës.

Sipas një banori të këtij fshati, 70-vjeçarit Spiro Panajoti që kujdeset vullnetarisht për këtë “manastir-monument” në kohën e lulëzimit të plotë të tij, ai gjendet në një pozicion të favorshëm gjeografik, si një ballkon sipër fushës së Dropullit dhe në rrugëkalimin që lidhte në shekujt e kaluar dy qendra të rëndësishme administrative të rajonit, Gjirokastrën dhe Delvinën, udhëtarët dhe karvanët qëndronin në mjediset e brendshme dhe në hijet e rënda të pemëve të manastirit, çlodheshin dhe ushqeheshin falas në mjedise të posaçme që quheshin “trapezari”. Banorët vendas thonë gjithashtu se ky manastir përmendet edhe si një institucion arsimor, pasi aty nga viti 1858 deri në vitin 1885 ka funksionuar shkolla femërore, ku përveç shkrimit e këndimit ato kanë mësuar edhe qëndisje e gatim. Tjetër problematikë ka Manastiri i “Fjetjes së Shën Mërisë” së Tranashishtës, i njohur ndryshe si Manastiri i Spilesë. Në shkrimet e vjetra thuhet se kisha e Shën Mërisë në Spile të Saraqinishtit është e ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1634. Kjo është e vërtetuar në mbishkrimin, i cili ndodhet mbi derën në faqen perëndimore të Naosit (salla qendrore). Është një kishë mrekullisht e bukur, me një kompleks shpellash dhe një kishë në faqen shkëmbore të malit të Lunxhërisë, por që edhe pse ndodhet vetëm 2-3 km larg Parkut Arkeologjik të Antigonesë fatkeqësisht nuk është e mundur të vizitohet, për shkak se mungon rruga dhe vendi është kthyer në vathë për bagëtitë. Edhe Manastiri 335-vjeçar i Shën Sotirit në Mingul të Lunxhërisë nuk mbetet pas sa i takon problematikës. Edhe pse ngrihet në një vend të bukur e piktoresk, ky manastir, që ende mbledh besimtarët pranë vetes, ka nevojë për një projekt për t’u rijetëzuar. Edhe pse i harruar, ai mbart vlera të pazëvendësueshme në trashëgiminë tonë kulturore jo vetëm në Lunxhëri, por edhe më gjerë. E njëjta situatë vazhdon të jetë po kaq e mjerë edhe në manastiret dhe kishat e tjera, siç është ai i Hundkuqit, manastiri i Cepos, kisha e Peshkëpisë së Poshtme etj. Këto vende me pak kujdes e interes nga ana e të gjitha palëve mund të kthehen në pika të rëndësishme turistike, vlera të vërteta me të cilat absolutisht mund të krenohemi.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx