Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (I)
E hene, 03.05.2010, 03:09 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
Pjesa e parë
SHUMËSI DHE NYJË-MBARESAT E SHQUARSISË
TË EMRAVE TË GJINISË FEMËRORE
NË SHQIPEN E SOTME
Konstatime paraprake
Gjatë analizës rreth shumësit dhe nyjë-mbaresave të shquarsisë të emrave femërorë në shqipen e sotme, ne, përveç fundorit të njëjësit të pashquar, morëm në konsideratë mbaresën zero dhe mbaresën përkatëse në shumësin e pashquar -A ose –RA, madje edhe ndonjë rast mbaresën -E. Gjithashtu si kriter dallimi morëm në konsideratë edhe nyjë-mbaresat shquese që marrin emrat e tillë, qoftë në njëjësin e shquar -a ose –ja, qoftë në shumësin e shquar –t a –të, madje edhe -ët.
Në këtë kontekst, si çështje e veçantë dhe e ndërlikuar doli dukuria se pikërisht emrat femërorë që në njëjësin e pashquar kanë fundoren përkatëse -Ë, dalin dy tipash si b.f. punë-a punët ndaj nënë-a nënat, d.m.th. shembulli i parë merr mbaresë zero, ndërsa shembulli i dytë merr mbaresën –a të shumësit. Siç do të shohim, te ky raport brendagjinisor, aty ku ka mungesë motivimi paraqiten ndërlikime e paqartësi edhe në anën teorike e sidomos në atë praktike, prandaj ne mendojmë se zgjidhje më e lehtëpranueshme për këtë dhe për shembuj të tjerë të kësaj natyre do të ofrohen vetëm atëherë, kur problemi i caktuar paraprakisht të jetë zbërthyer dhe trajtuar më në hollësi dhe në raport, jo vetëm brenda strukturës me emrat femërorë, por, shikuar pragmatikisht edhe në kuadër të tërë sistemit emëror të shqipes, ngase në këtë mënyrë nga përzgjedhja e materialit të tërësishëm do të na jepej mundësia për përcaktime e gjykime më të sakta, më kuptimplota, më pragmatike dhe më të drejta. Këtu kemi parasysh përcaktimin e nënfushave semantike që mbulojnë ose priren të mbulojnë tipat e emrave të caktuar, që shumësin e bëjnë, qoftë me mbaresë zero, qoftë me mbaresën -a ose -ra, prandaj ne u përpoqëm ta zbërthejmë ose të bëjmë më transparent një problem të tillë në këtë pjesë të punimit, temë kjo që në pjesën tjetër do të. trajtohet edhe më në hollësi.
Nga burimet përkatëse të gjuhës sonë letrare kuptojmë të vërtetën e pamohueshme se në gjuhën shqipe shumica e emrave të gjinisë femërore në njëjësin e pashquar mbarojnë me –ë të patheksuar, pastaj po kësaj gjinie i përket edhe një numër i përfillshëm emrash jofrymorë që mbarojnë edhe më –o dhe e të patheksuar si dhe, një numër jo aq i përfillshëm që mbarojnë me formantet: –ër, -ël, -ur, dhe –ull etj. Janë edhe një mori emrash prejfoljorë e prejmbiemërorë abstraktë të paranyjëzuar të tipit si e qeshur-a, e mirë-a si dhe tipi prejpjesorëve pandajshtesorë, tipi pritë-a, lojë-a. por edhe një sasi emrash me zanore (fundore) –o, -e, -i, -u, a dhe- ë - të theksuar në temë, që imponojnë trajtim të duhur. Mirëpo, siç do të shohim në vazhdim, jo për të gjithë emrat e gjinisë femërore vlejnë formulimet e mësipërme lidhur me trajtëformimin e tyre. Madje fundore të njëjta kanë edhe disa emra të gjinisë asnjanëse, por edhe të asaj mashkullore, çka e bën çështjen edhe më të ndërlikueshme.
Sido që të jetë, ne, problemet e caktuara i kemi vënë në pah, duke e trajtuar lëndën në dy krerë, të formuluar kështu::
Kreu I, Shumësi i emrave femërorë me mbaresë zero dhe
Kreu II, Shumësi i emrave femërorë me mbaresat përkatëse: -A, -RA, -E.
Nga trajtimi i kësaj pjese, besojmë se lexuesi, ndoshta më mirë se nga çdo burim tjetër, do ta ketë të qartë gjendjen reale ose tërë ndërlikueshmërinë e emrave të gjinisë femërore në shqipen e sotme, sidomos në shqipen letrare, ngase nga analiza dalin edhe konstatime me interes të gjerë, të shoqëruara edhe me ndonjë risi a riinterpretim me interes të veçantë, që, me sa dimë, sipas burimeve normative të deritashme të gjuhës sonë, nuk dalin të theksuara ose të shpjeguara në mënyrë të kënaqshme.
I. Shumësi i emrave femërorë
me mbaresë zero
Me termin mbaresë zero ose formim prapashtesor-formëformues zero ose thjesht e qartë me shprehjen shumësi me mbaresë zero i emrit, siç e shpjeguam më përpara, kuptohet se shumësi i tillë i emrit përftohet po në trajtën e njëjtë ose me fundoren e njëjtë që e ka emri në njëjësin e pashquar.
Sipas kësaj mënyre, duke e pasur si kriter zanoren përkatëse fundore në njëjësin e pashquar, dalin të ndërtuar disa tipa e nëntipa të emrave të gjinisë femërore, të cilët sipas përkapjes së deritashme studimore dhe ndërlikueshmërisë që paraqesin për lehtësi qasjeje i ndamë në dy grupime:
së pari, emrat femërorë mbi temë në zanoren përkatëse fundore në njëjësin e pashquar, që në parim, edhe pse jo plotësisht, konsiderohet si lëndë, sadokudo e trajtuar mirë në burimet e derisotme normative, dhe
së dyti, emrat femërorë me zanore-fundoren –Ë në njëjësin e pashquar, lëndë kjo, sipas nesh, e cila del jo mjaft e njohur e së këtejmi edhe jo e ndriçuar sa duhet në gjuhën tonë, sidomos në rrafshin sinkronik në kuadër të letrarishtes së sotme, prandaj ne, veç verifikimit të konstatimeve të mëparshme të njohura sollëm edhe të dhëna të reja si risime të pavërejtura më përpara..
Sidoqoftë, lëndën e këtij nëntitulli e cilësojmë jo vetëm si çështje të diskutueshme, por edhe të trajtuar jokënaqshëm në burimet e deritashme të gjuhësisë sonë.
A. SHUMËSI I femërorëVE mbi temë në zanore
(PA Ë fundore)
Si emra femërorë të grupimit të parë, pra, bëjnë pjesë të gjithë ata emra që në njëjësin e pashquar marrin zanore-fundoren përkatëse pa zanoren –Ë, grup ky të cilin, sipas kriterit të theksimit të zanore-fundores përkatëse e ndajmë në dy nëngrupe: nëngrupi i parë përfshin emrat që kanë në temë zanore-fundoren e patheksuar dhe nëngrupi i dytë, që emri ka në temë zanore-fundore të theksuar.
1. Emrat femërorë me fundoret e patheksuara
-e, - j/e , -je dhe –o
Në grupin e emrave me zanore-fundore të patheksuar bëjnë pjesë disa nga emrat që mbarojnë me, -e, - j/e dhe –o, të cilët në shumësin e shquar marrin nyjën –t.
Më poshtë, sa për ilustrim, për secilin nëngrup po i shënojmë nga disa shembuj, si p.sh:
1) Femërorët me fundoren –E
Të gjithë shembujt me -e fundore të patheksuar në njëjësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -JA, me ç’rast E -ja fundore del e zhdukshme, por shfaqet në shumësin e pashquar, ndërsa në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -t.
Shembujt e tillë i ndeshim në shtatë variante alomorfe:
1. lagje-ja lagje-t, faqe-ja faqe-t, lule –ja, lule-t, etj.;
2.gaz-hedhës/e-ja gaz-hedhëse-t, gurshkrepëse-ja gurshkrepëse-t; dinake-t, idhnake-t, binjake-t, bukuroshe-t sahanlëpirëse-t etj. etj.;
3. sende konkrete: akullore –ja akullore/t, rreze/t, dritare/t, aguliçe/t, manushaqe/t etj.;
4. trajta mbi bazë të gegërishtes: e ardhme-ja të ardhme-t, e pame-ja të pame-t, e vyem/e-ja të vyemet, e rryeme-ja, të rryeme-t, e tashme -ja të tashme-t, e ardhshme -ja të ardhshmet, e dalme-ja të dalmet; e shkueme të shkueme-t, (bijë e shkueme, d.m.th vajzë e martuar), e harrueme të harrueme-t (krahaso shprehjen Për disa çështje thuhet të kalueme të harrueme e për disa të kalueme të mos-harrueme.ose të kaluene të harruene..., siç ndeshet në disa të folme të Kosovës);
5. sende konkrete, fjalë të huazuara, sipas shqiptimit mbi bazë të gegërishtes, përkatësisht të letrarishtes së sotme: teneqe-ja teneqe/t, tenxhere/t, kafe/t, pare/t, peqe/t, qeramidhe/t etj.;
6. emra të përveçëm e të përgjithshëm (frymorë e jofrymorë): lulemine–ia lulemine-t; Emine-ia Eminet, Nermine-ia Nermine-t, Gjyltene-ia Gjyltene-t; dibrane-ia dibrane-t, italiane–ia italiane-t, indiane-ia indiane-t, koreane-ia koreane-t, partizane-ia partizane-t, shkodrane-ia shkodrane-t etj etj.,
7. kryesisht frymorë:
a) emra njerëzish: bege–ia bege-t, biologe-ia /biologe-t, pedagoge–ia pedagoge-t, gjeologe-ia gjeologe-t, filologe-ia filologe-t, stomatologe-a stomatologe-t, radiologe-ia radiologe-t etj.,
b) emra të përgjithshëm frymorësh (kafshësh e njerëzish): del/e-ja -e/t. deve-ja -e/t, teze -ja, -e/t, infermiere-ja infermiere-t, fermere -ja fermere-t, e ndonjë tjetër.
Siç po shihet secili variant karakterizohet me ndonjë veçori të caktuar që ne po i vëmë në pah me pak fjalë në tri pikat vijuese.
a) Për shembujt nga pika e mësipërme nën a) po i theksojmë këto veçori:
së pari, të vihet re se të njëjtën skemë zhvillimi me nyjë-mbaresën –ja në njëjësin e shquar e kanë shembujt e pesë varianteve të para,
së dyti, nëngrupi i parë shpjegohet i përftuar historikisht zakonisht nga shumësi i singularizuar, por mund të ketë shembuj të përftuar edhe analogjikisht. Krahaso shembujt: gjedhe -ja, lule-ja, dele -ja etj.,
së treti, edhe nëngrupet e tjera karakterizohen, po ashtu, me rënien e –E-së fundore në trajtën e njëjësit të shquar me –JA, por janë formime të mirëfillta me –E fundore,
së katërti, shembujt me prapashtesat (-ë/m dhe –shëm), të cilat janë përftuar mbi bazë të fjalë-formës së gegërishtes me –m/e ose -shm/e: nëntipi e ardhm/e-ja /e ardhshm/e-ja:, e pam/e –ja/ e pashm/e –ja, karakterizohen me paranyjëzim të prejmbiemërorëve të femërorëzuar nga gjinia mashkullore
Sidoqoftë dukuria e rënies së e-së fundore të njëjësit të pashquar, është rregull-model që vlen për të gjitha variantet alomorfe të sipërpërmendura.
Përveç këtyre dallojmë edhe disa veçori të tjera që po i shënojmë në pikat b) e c) në vazhdim
b) Të vihet re, gjithashtu, se edhe te dy variantet e tjera, pikat 6 e 7 që edhe këto janë femërorëzime të gjinisë mashkullore, nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar pëson ndryshime. Kështu, kur është fjala tek emrat femërorë të nëntipit bege begia, pedagoge pedagogia, teologe teologia etj., ashtu si edhe lulemine luleminia, shkodrane shkodrania, dibrane dibrania etj. në trajtën e shquar të njëjësit zhduket E-ja dhe nyjë-mbaresa në vend –JA shënohet –IA, d.m.th. në vend të –j-së shënohet -i për arsye ortografike (për me u dallue nga digrafi respektiv, dyshkronjëshi: gj, nj), ndërsa shumësin e shquar e bëjnë si shembujt e tjerë, me nyjë-mbaresën –t, si p.sh.: bege-t, pedagoge-t; shkodrane-t, lulemine-t, e kështu me radhë.
c) Te rastet teneq/e –ja, pare-parja etj. (pika 5) që janë fjalë të huazuara nga turqishtja, del karakteristik fakti se herë – herë nga folësit e disa trevave –E-ja fundore del e patheksuar e herë-herë e theksuar. Kur del e theksuar E-ja fundore nuk elidohet para nyjë-mbaresës –ja, tipi: teneqe teneqeja teneqe-të, e në të kundërtën po. Zakonisht norma e ka pranuar ose priret ta përgjithësojë shqiptimin e parë paroksiton: teneqe teneqja teneqe-t.
Ndonëse në praktikë numri i emrave të tillë femërorë nuk duket se është aq i madh, mund të thuhet se një mundësi të tillë zhvillimi në numër të pakufizuar e lejon vetë modeli ekzistues i përftimit të emrave të tillë dhe kjo që u tha vlen për të gjithë shembujt e pikave të mësipërme.
2) Femërorët me fundoren –J/E
Një mori emrash femërorë dalin me fundoren –j/e (me e të zhdukshme në njëjësin e shquar), si p..sh.:
a) ëndje ëndja ëndje-t, shije shija shije-t (kuptimësi me elemente abstrakte);
b) anije anija anije-t; batanije batanija batanije-t, fije fija fije-t, hije hija hije-t, korije korija korije-t, familje familja familje-t etj.(kuptimësi këto me elemente semantike konkrete);
c) janë edhe disa emra të përgjithshëm të huazuar nga arabo-turqishtja që i ndeshim të përdorur edhe në gjuhën tonë, qoftë si historizma, qoftë si fjalë aktive, të cilat përdoren në stilet përkatëse, si: ruzhdije (shkollë), hedije (dhuratë), bakallije (cikërrimurina), devrije (patrullë), hafije (veprim i fshehtë policie e në raste edhe si emër vetjak femre), mahmudije (vlerë monetare, e në raste konvertohet edhe si emër femëror vetjak), terbije (edukim), e ndonjë tjetër.
Ndonjëri prej tyre, si: ruzhdije, hafije, devrije mund të jetë përdorur po në këtë trajtë edhe si emër i gjinisë mashkullore, por ne rastet e tilla i quajmë të diskutueshme, siç do të përmendet edhe ky fakt në kuadër të emrave mashkullorë në pjesën pasuese të këtij punimi.
Të vihet re se asnjë emër i përgjithshëm me -I fundoren në gjuhën shqipe nuk passhoqërohet vetëm me zanoren -E, por me togun –JE si fundore e mirëfilltë, siç janë shembujt e të tri pikave të sapocekura, ngase karakteristikë e këtij nëntipi del se formanti –J/E në gjendjen e sotme është pjesë përbërëse e pandashme e temës së fjalës së parme ose të gjymtyrës temëprodhuese.
3) Femërorët me prapashtesën -JE
Me prapashtesën –JE ndeshim tre nëntipa të femërorëve, si. p.sh.:
a) mbi temë të foljeve me zanore:
1) dije-a (dijë-a) dije dije-t (*di(t)je-t), edhe vetëdije, ndërdije, nënvetëdije dije/ni, pastaj: pije-a pije-t (me pi, pirë pijë-a), dhije dhija (me dhi dhjerë), shpije -a ose shpijë-a ! (me u shpi) - numër i vogël;
2) marrëdhënie –a marrëdhënie-t, qenie–a qenie-t, rënie–a, rënie-t, kundërthënie-a kundërthënie-t, kundërvënie-a kundërvënie-t, pasthënie-ia pasthënie-t, parathënie-ia parathënie-t, lënie-ia lënie-t, thënie-ia thënie-t; etj.
3) emra prejpjesorë nga apofoniket me -Ë fundore në temë: dalë dalje, marrë marrje, vjelë vjelje etj., numër i kufizuar;
b) mbi temë të foljeve me temë në bashkëtingëllore
1) hapje–a hapje-t, folje-a folje-t, ndajfolje-a ndajfolje-t, pritje –a pritje-t, marrje-a marrje-t dalje, pasje, qitje, pritje, mburrje etj
2) shtrirje, dhjerje, pirje, prerje, hyrje etj,
3) gatuarje, bluarje, shkruarje, shtruarje,
4) pamje, bamje, shkuemje, shtruemje, prumje, shfrymje, vramje (!) etj.
c) mbi temë emërore: barkje, bishtje, gishtje, këmbje, bukje, dorje -numër i konsiderueshëm.
Te shembujt e mësipërm vihen re këto veçori që ndërlidhen me formantin –JE si prapashtesë e mirëfilltë:
1. Te nëntipi i parë -je del si prapashtesë që u është vënë foljeve, përkatësisht pjesoreve të shkurta mbi temë në zanoren –i si p.sh. nga di, pi, dhi etj. + je, prej nga ka dalë:prejfoljori: dije, pije, dhije etj., shembuj këta që në burime të caktuara i ndeshim edhe me –JË fundore si shijë-a, dhijë-a, pijë-a, shpijë-a. Në të vërtetë, këto janë raste që na i kujtojnë prejpjesorët pandajshtesorë me -JË, po në letrarishten e sotme për rastet e tilla është parapëlqyer trajta me –JE.
2. Te shembujt e dy varianteve të tjera formanti –JE del si prapashtesë e qartë emërformuese, por shembujt e nëntipit 2): hapje, hyrje, folje, janë formuar mbi temë të pjesores së foljeve më bashkëtingëllore, sikurse shembujt e nëntipit 1).
3. Shembujt: dhënie, lënie - kanë temë prodhuese pjesoren e foljeve të parregullta me –në fundore, tipi dhënë, qenë, thënë, lënë etj., prandaj elementi J i temës para –E-së fundore te ky nëntip është shënuar me –I, vetëm për t’u shmangur keqleximi i N-së me J, në mënyrë që mos të shqiptohet si diagrami NJ, përndryshe, siç u tha, edhe te këta shembuj kemi të bëjmë faktikisht me prapashtesën -JE.
4) Shembujt nën b)4) përveç pamje e bamje, janë shënuar mbi bazë dialektore të gegërishtes.
Siç po shihet për të gjitha variantet vlen fakti se në njëjësin e shquar vetëm E-ja fundore elidohet para nyje-mbaresës –A të emërores, por e njëjta kthehet normalisht në rasat e tjera si edhe në shumës. Të gjitha rastet në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -T, si p.sh. lagje-t, të ardhme-t, të lumnueshme/t, bege-t, lulemine-t, dibrane-t, ëndjet-t, pije-t, hapje-t, marrëdhënie-t, pare-t, pamjet, e kështu me radhë.
Te shembujt nën b) në Gramatikën e Akademisë thuhet se emrat e tillë mbi temë emërore janë në numër të vogël, mirëpo numri i regjistruar tregon se nuk është edhe numër aq i vogël, sepse emrat e tillë të gjë-sendeve konkrete mbi temë emri, në krahasim me sa ishin të regjistruar në FGJSH 1954 ndaj atyre në FSHS 1984, d.m.th., në shqipen e sotme letrare, dalin 6 herë më shumë. Sigurisht formimet e tilla mbi bazë pjesoreje dalin edhe më shumë, sipas gjedhes del numër i pakufizuar. (Shih: N. Veselaj, Çështje të shqipes standarde...I, Prishtinë
4) Femërorët me fundore-zanoren -0
Në FShS (2002) me fundore-zanoren O të patheksuar ndeshim një numër të konsiderueshëm shembujsh, kryesisht fjalë të huazuara, si: ballo -ja ballo-t, euro- ja- euro-t, dado-ja dado-t, depo-ja depo, pako –ja pako-t, radio-ja radio-t, kallo-ja kallo-t, loço-ja loço-t, moto-ja moto-t, studio-ja studio-t, kosto-ja kosto-t, pallto-ja pallto-t, teto-ja teto-t, tifo-ja tifo-t, torno-ja torno-t triko-ja triko-t etj. –numri i tërësishëm i shembujve të tillë në FSHS i afrohet 20-shit. (Në Gjuha letrare shqipe për të gjithë del i shënuar edhe emri bordero borderoja bordero-t).
Sidoqoftë lidhur me analizën e ndërtimit të fjalëve të këtyre nëngrupeve mund të thuhet se për nga tema fjalëformuese shembujt më -E dalin disi më të thjeshtë nga ata më –j/e, por edhe më të thjeshtë se këta dalin shembuj me zanoren –o, të cilët nuk pësojnë ndryshime as elidime në fundore të temës me rastin e shquarsisë, si në njëjës ashtu edhe në shumës, pasi O-ja fundore nuk elidohet në asnjë rast, rishiko shembullin: ballo balloja ballo-t etj.
2. Emrat femërorë me zanore -fundoret e theksuara:
-i, -e, a, u, o
Ndonëse, siç u pa, në nënkreun e mësipërm të gjithë emrat femërorë me zanore fundore të patheksuar në njëjësin e shquar e elidonin –e-në fundore, ndërsa në shumësin e shquar merrnin nyjë-mbaresën –t, ndërsa, siç do të shohim tani, tek të gjithë emrat femërore që mbarojnë me një zanore të theksuar në temë, si -i, -e, -a, -u, -o, ngjan e kundërta: në asnjë rast nuk elidohet asnjëra nga zanoret fundore, si me rastin e shquarsisë, ashtu edhe në shumësin e shquar, kur marrin nyjë-mbaresën – të.
Në vijim rastet po i trajtojmë sipas radhës së zanoreve fundore të sapocekura:
a) Shembuj me fundoren -i
Po fillojmë me shembujt me - I fundore:
çudi-a, çudi-të, dhi-a dhi-të, kusi-a kusi-të, qeveri-a qeveri–të; trysni-a trysni-të, hyjni-a hyjni-të, dashuri-a dashuri-të, dijeni-a dijeni-të begeni-a begeni-të, ushtri-a ushtri-të, ihihi-a ihihi-të! etj., pastaj shkurtesat si BDI a BDI- BDI-ja(!) a BDI-të ose bëdëi-të, e kështu me radhë:
b) Shembuj me fundoren -e
epope-ja epope-të, nëne-ja nëne-të, akre-ja akre-të, OE-ja (oda ekonomike) OE-të, si dhe onomatopetë: bre -bre brebre-të , de-de dedetë! etj.,
c) Shembuj me fundoren -a
hata –ja hata-të, kala-ja kala-të, shaka-ja shaka-të, SHBA-ja SHBA-të, si dhe onomatopetë: blla- blla bllablla-të, krrakrra-ja krrakrra-të! etj.
ç) Shembuj me fundoren -u
dru-ja dru-të, bambu-ja bambu-të; CDU-ja CDU-të; si dhe (onomatopetë) bllu-bllu! bllu-ja bllu-të, ku –ku ! kuku-ja kuku-të ose ku-ja –ku-të, bu-bu! bubu-ja bubu-të! etj.
d) Shembuj me fundoren -o
byro–byro-ja byro-të, komo-ja komo-të, metro-ja metro-të, gliko-ja gliko-të, monto-ja monto-t, iso-ja iso-t, ILO-ja ILO-të(!), ohoho-ja ohoho-të!, e kështu me radhë.
dh) Shembuj me fundoren –Y
tyty –ja tyty-të, qyqy qyqy-ja qyqy-të e ndonjë tjetër.
Konstatime përmbyllëse rreth nënkreut nën A.
Këta ishin vetëm disa shembuj, por sidoqoftë, në përmbyllje të këtij nëntitulli, ndër të tjera, mund të nxjerrim këto konstatime:
1) Siç mund të vihet re, nën pikën b) tek emrat me fundore të theksuar nuk del asnjë shembull me fundoren –je as me –e të zhdukshme.
2) Sipas pikave përkatëse dalin shembuj me –i, -a, u, fundore që nuk i ndeshim te shembuj të tillë të patheksuar.
3) Madje tek të gjithë shembujt dallohet qartë nyja e shumësit të shquar –t për nëntitullin e emrave mbi fundore të patheksuar dhe –të për nëntitullin e emrave me zanoren fundore të theksuar.
4) Të vihet re s tyre bëhet me -J-në epentetike: flijoj flijon, fijoj fijon etj.
6) Edhe shkurtesat, varësisht nga zanorja fundore radhiten në nëntipin përkatës të fjalëve të mirëfillta, por varësisht nga konteksti herë përdoren vetëm në numrin njëjës e herë-herë vetëm në numrin shumës ose edhe në njëjës edhe në shumës, por kanë të njëjtin zhvillim sa u përket nyjë-mbaresave, ashtu si edhe femërorët e tjerë të grupit të caktuar.
7) Siç po shihet nga shembujt në gjuhën tonë nuk ndeshim asnjë emër të përgjithshëm mbi temë në -E që të marrë mbaresën -A, por vetëm -JA.
8) Të vihet re se nga të gjitha zanoret fundore mund të krijohet onomatope, të cilat edhe mund të emërzohen (por edhe të foljezohen) mjaft natyrshëm: bllabllaja bllabllatë (me bllabllatë ose me bllablla), dedeja dedetë, ihihi-a ihihitë, ohohoja ohohotë, kuku-ja kuku-të, tyty-ja tyty-të - model i hapur me mundësi të pakufizuar shumimi, por të regjistruar ndeshim një numër të kufizuar shembujsh.
temë në zanore-fundoren –Ë
Edhe emrat femërorë me fundoren -Ë, i ndamë në dy grupe, grupi i parë ka të bëjë me emrat me Ë fundore të theksuar dhe grupi i dytë me Ë fundore të patheksuar. Siç do të shohim, me qëllim grupit me Ë fundore të theksuar i dhamë përparësi në radhë.
1. Femërorë me–Ë të theksuar në temë
Pasi në Gramatikën e Akademisë dhe përgjithësisht tipi i emrave femërorë me temë në –ë të theksuar, nuk del i cekur fare, atëherë kuptohet se nuk del as i trajtuar as në raste, edhe pse në praktikë emrat e tillë për nga numri, jo vetëm janë të pranishëm, por në nëntipa të caktuar varësisht nga konteksti, dalin me mundësi të pakufizuar ose të konsiderueshme shumimi e përdorimi. Ky është shkaku që, ne e quajtëm këtë temë jo mjaft të trajtuar ose fare të patrajtuar.
Prandaj, kjo është arsyeja që pikërisht këtë fakt, d.m.th. praninë e enrave me -Ë fundore të theksuar sidomos në realitetin tonë gjuhësor pothuajse të pavërejtur nga gjuhëtarët e derisotëm, jo vetëm i dhamë përparësi në r5adhuitje, por edhe po vëmë në pah, duke e trajtuart si sinënkrye më vete.
Për të argumentuar pohimin tonë rreth pranisë së emrave të tillë në numër të konsiderueshëm, madje vetëm në të folme po pikërisht në shqipen e sotme standarde, po i shënojmë më poshtë disa shembuj konkretë, të cilët sipas karakteristikave të veçanta ose sipas motivimit burimor që kanë, i ndamë në shtatë nëngrupe:
a) Shembuj të ndryshëm emrash mbi temë të qartë kuptimplota, si:
abëcë –ja abëcë-të, një-ja një-të, asgjë-ja asgjë-të, njënjë-ja njënjë-të, motërmë motërmëja -ja motërmë-të, hiçgjë-ja hiçgjë-të, gjë-ja gjë-të (bagëti-a, në gegërishte gja-ja: gjaja e gjallë, gjatë e gjalla), mosgjë-ja mosgjë-të, kurrgjë-ja kurrgjë-të, kryegjë-ja kryegjë-të, hëpërhë-ja hëpërhë-të, e ndonjë tjetër;
b) Emërtimet (shqiptimet) e shkronjave, kujto 29 bashkëtingëlloret e shqipes + zanoren -Ë dhe dubël W-në, gjithsej 31 emërtime. P.sh:
B-ja e madhe (bë-ja e vogël) bë-të (të shtypit, të dorës), e kështu me radhë, deri te emërzimi bashkëtingëllores së fundit të alfabetit tonë, i zhë-së: zh-ja / zhë-të.
Po kështu emërtohen edhe bashkëtingëlloret e huaja që nuk i ka shqipja.
c) Emërzimet e shkurtesave të ndryshme (numër i pakufizuar), si:
njëjësi PPT-ja (pëpëtë-ja) shumësi PTT-të (pëtëtë-të), pd-ja (pëdë-ja, shumësi: pd-të (pëdë-të), OKB-ja OKB-të, SMT-ja ose SMT-të (sëmëtë-të) LD-ja lëdë-të etj.
ç) onomatopetë e emërzuara, si:
zëzë-ja zëzë-të!, llëllë-ja llëllë -të!, shëshë-ja shëshë-të!, zhëzhë-ja zhëzhë-të! etj – numëri konsiderueshëm me mundësi shumimi
pakufizim,.
d) emërzimet e fjalëzave përkatëse me -Ë fundore, si b.f. leksema TË, e cila paraqitet në gjashtë-shtatë funksione të ndryshme alomorfe, si.p.sh:
-në funksion të nyjës së përparme, të emrit a të mbiemrit të paranyjëzuar,
- si nyjë e rasës gjinore (shumës),
- si nyjë e mbrapme,
- si trajtë e shkurtër e përemrit (vetor, dëftor, pronor),
- si pjesëz e mënyrës lidhore,
- si pjesë përbërëse e paskajores së dytë, madje edhe
-si parashtesë fjalëformuese në disa fjalë, si: tëbanat, tëharrës-it etj.
Po mjaftohem vetëm me një shembull sa për ilustrim: Të gjitha TË-të (T-të) le shënohen të plota, përveç rasteve të puqjeve me përemrat e shkurtër –i ose -u: t’i, t’u, ndërsa te rasti të+e, siç po shihet TË-+ A del TA, sepse Ë-ja e TË-se asimilohet me -e dhe jep -A: ë+e=a, dukuri fonetike kjo që quhet katarsis. .
dh) Prapashtesa zvogëluese ose përkëdhelëse -ZË, e cila ka përdorim mjaft të gjerë në formimin e emrave femërorë në stile të caktuara P.sh.
Të dallohet fundorja -ZË si mimozë, dozë, bazë etj. nga prapashtesa e fjalëve me -ZË zvogëluese, si: diellzë, mollzë, folezë; motrëzë, nënëzë, mamëzë etj., shembuj këta në numër jo të madh, por që kanë mundësi shumimi.
e) Të dallohen rastet e përdorimit të -MË-së proklitike e enklitike.
Më merr dhe Merrmë, edhe pse siç dihet kemi të bëjmë me të njëjtën trajtë nga përemri UNË (mua MË). Kështu këtë realitet po e kthejmë në shumës: Të dyja MË-të vijnë nga trajta e njëjtë e shkurtër përsëritëse e përemrit mua (unë).
Vërtet, nuk dimë si mund të arsyetohet fakti pse kjo dukuri e gjallë (fjalët me -Ë të theksuar, d.m.th. me –Ë fundore në temë) nuk është vërejtur, jo vetëm nga hartuesit e gramatikave, po as nga të tjerët, si me thënë, nga një armatë e tërë mësuesish të gjuhës, profesorësh e të tjerë që manipulojnë me mësimin e gramatikës?
Në të vërtetë, në burimet përkatëse që konsultuam (gramatikat, doracakët drejtshkrimorë etj.) zakonisht ceket si shembull i vetëm rasti: gjë gjëja gjëra-t, që i përgjigjet barasvlerësit të ish gegërishtes letrare: gja gjaja gja-na-t, rast ky që është aktiv edhe sot e kësaj dite, por me të tregohen gjë-sende konkrete etj. dhe zë vend në grupin e emrave me –ë të patheksuar dhe mbase është ndër të vetmet që në shumës merr mbaresën –ra, e cila, thuajse, si rast e vetmuar, nuk përfaqëson kurrfarë modeli fjalëformues apo ndonjë lloj grupimi emrash të ngjashëm me me –Ë fundore në temë.
Që kjo çështje duhet të gjejë patjetër zgjidhje të shpejtë (urgjente) imponon fakti se rastet me Ë fundore të theksuar janë në rritje e sipër, madje konstatojmë të vërtetën, siç u cek më sipër, se për ndonjë nënfushë semantike emërtimet e tilla paraqesin numër të pakufizuar shumimi, jo aq në dialekte, por pikërisht në shqipen standarde.
Sidoqoftë, po përsërisim habinë, pse ky fakt, emrat femërorë me -Ë të theksuar në temë, deri tashti nuk është vërejtur si mungesë në kuadër të strukturës së emrave femërorë, andaj ngulmojmë në kërkesën që kjo çështje patjetër dhe sa më parë të gjejë vendin që i përket në burimet tona normative.
2. Femërorët më –Ë të patheksuar në temë
Numri i emrave femërorë që mbarojnë me –ë të patheksuar në temë dhe shumësin e bëjnë me mbaresë zero, zënë vend mjaft të dukshëm në shqipen standarde. Shumësi i këtij tipi meriton trajtim të posaçëm dhe më të hollësishëm dhe më pragmatik, seç i është bërë deri tani. Për mendimin tonë pikërisht pika 5/a e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) ka të bëjë me tipin e emrave të tillë, kur aty (nën II/5a) shprehimisht porositet që të trajtohet: “përcaktimi i mbaresës së shumësit (Ë, A, ZERO) të emrave femërorë, tek të cilët vihen re luhatje”. (Shih: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Prishtinë 1974, f. 24.)
Siç mund të vërehet, nga çdo lexues i vëmendshëm, në krahasim me punimin tonë, vetë formulimi i atij burimi del i diskutueshëm, ngase, ne, emrat e tillë i konsiderojnë ashtu si po i trajtojmë këtu, me mbaresë ZERO dhe jo me mbaresën –Ë. Sipas kriterit të përcaktuar ligjërisht, të cilin e ndoqëm ne, del se emrat femërorë të shqipes nuk kanë fare mbaresë të mirëfilltë të shumësit –Ë, sepse siç do ta shohim të gjithë shembujt që volëm në njëjësin e pashquar marrin –Ë fundore dhe po kjo formë e njëjtë kalon edhe në shumësin e pashquar të tyre, prandaj u konstatua me të drejtë se shumësi i tyre merr mbaresën zero.
Në të vërtetë, pikërisht kjo çështje me mbaresë zero ose me –Ë fundore të shumësit të pashquar edhe sipas nesh del e diskutueshme, jo vetëm për shkak të formulimit të paqartë nga teksti i Rezolutës së sipërcekur, por edhe për tri arsye të tjera:
e para, sepse mbaresë-fundorja -Ë e patheksuar vjen nga trashëgimia si formant i pamotivuar te emrat e gjinisë femërore,
e dyta, shihet se numri i shembujve të tillë në letrarishten e sotme del i shtanguar, ngase sa i përket shumësisë së numrit të tyre në strukturën e sotme brenda gjinisore të emrave të gjinisë femërore, numri i tyre tash sa kohë është joprodhues, d.m.th., muntgojnë shembuj të rinj dhe
e treta, shihet një prirje e gjallë që emrat e tillë, ndonëse të regjistruar ende në fjalorët normativë të sotëm me -Ë në shumës, anojnë me kalue në grupimin e emrave me mbaresën –A të shumësit, sidomos ata emra që emërtojnë nocione të gjë-sendeve konkrete, por edhe të tjerë.
Ç’është e drejta, ne me qëllim që trajtimi ynë të jetë sa më i niveluar ose për t’u kuptuar më mirë e vërteta për atë që u tha në tri pikat më sipër, e pamë të arsyeshme që më poshtë t’i paraqitim të gjithë emrat e këtij tipi, ashtu siç i ndeshëm të regjistruar në FShS (2002) e që janë:
algë-a algë-t, anë-a anë-t, armë-a armë-t, barrë-a barrë-t, bashkë-a bashkë-t, bathë-a bathë-t, brimë-a brimë-t, bimë-a bimë-t, bjeshkë-a bjeshkë-t, bletë-a bletë-t, botë-a botë-t, brinjë-a brinjë-t, bukë-a bukë-t, buzë-a buzë-t, bythë-a bythë-t, copë-a copë-t, dardhë-a dardhë-t, degë-a degë-t, ditë-a ditë-t, djersë-a djersë-t, dhëmballë-a dhëmballë-t, enë-a enë-t, farë-a farë-t, fjalë-a fjalë-t, flakë-a flakë-t, fletë-a fletë-t (1,2), gërshërë-a gërshërë-t, gojë-a gojë-t, gozhdë-a gozhdë-t, gradë-a gradë-t, groshë-a groshë-t, grykë-a grykë-t, gjuhë-a gjuhë-t (1,2), gjurmë-a gjurmë-t, gjymtyrë-a gjymtyrë-t, herë-a herë-t, hundë-a hundë-t, ijë-a ijë-t, jargë-a jargë-t, javë-a javë-t, jetë-t, kafshë-a kafshë-t, këmbë-a këmbë-t, këmishë-a këmishë-t, këpucë-a këpucë-t, këngë-a këngë-t, klasë-a klasë-t, kofshë-t, kohë-a kohë-t, kokë-a kokë-t, lëkurë-a lëkurë-t, lëpjetë-t, llërë-a llërë-t (geg. llanë-a llanë-t!), lopë-a lopë-t, lugë-a lugë-t, mollë-a mollë-t, palë-a palë-t, pakë-a pakë-t, pemë-a pemë-t, pendë-a pendë-t (1,2,3), petë-a petë-t, pëllëmbë-a pëllëmbë-t, pjesë-a pjesë-t, pjeshkë-t, punë-a punë-t, pushkë-a pushkë-t, qepë-a qepë-t, çorapë-a çorapë-t, radhë-a radhë-t, rrugë-a rrugë-t, sërë-a sërë-t, stromë-a stromë-t, suvalë-a suvalë-t, shegë-t, shkallë-a shkallë-t, shtazë-a shtazë-t, trazë-a trazë-t , udhë-a udhë-t...,
e ndonjë tjetër që mund të na ketë shpëtuar pa e vënë re gjatë numërimit, po sidoqoftë, numri i regjistruar në Fjalorin në shqyrtim, më pak a më shumë, sillet aty rreth numrit 70 gjithsej.
Pra nuk është numër aq i pa peshë, por në krahasim me shembujt me mbaresën e mirëfilltë –a, siç do të shohim në kreun tjetër, dhe me goditjet e ndryshme në rritje që po merr e priret të marrë Ë-ja fundore e shumësit të emrave të këtij tipi, qoftë nga mbaresa –a, e cila si e tillë del e specializuar, sepse motivon dhe motivohet, ose nga ajo –ra, mund të thuhet se shembujt e tillë me mbaresën -Ë të patheksuar dalin në numër të kufizuar dhe pa prirje shumimi.
Po ia rikujtojmë lexuesit të nderuar se në drejtshkrimet e para të Tiranës dhe të Prishtinës, që ne po e quajmë tashti si pikë jo të padiskutueshme ose lëshim silajthitës, emrat femërorë dilnin të regjistruar kryesisht a vetëm nga ky grup i emrave femërorë dhe jo nga ai me mbaresën –A të shumësit, që është grupi më stabil dhe më i madh e më me prirje të hapur shumimi Për të parën herë grupi i emrave të tillë, me mbaresën -Ë, del në vendin e dytë pas grupit të emrave me mbaresën e shumësit -A në Projektin e rregullave të drejtshkrimit (1967) dhe si rrjedhojë edhe në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (1973)
Në vijim po e ritheksojmë, në mënyrë të veçantë, si pikë më vete pikërisht faktin që u tha pak më sipër, që një mori emrash me fundoren-Ë ose me mbaresë zero të këtij grupi priren me kalue në grupin që e bëjnë shumësin me mbaresën e mirëfilltë -A, tipi, mollë-a mollat, dardhë dardhat (jo mollë-t, dardhët) si dhe afro 30 shembujt e tjerë. Kështu, nuk është dhe nuk do të jetë aspak befasi që jo vetëm në përdorim të përditshëm, që ne, hë për hë, nuk i quajmë shkelje të normës, por edhe në shkrime të rëndomta, të ndeshim të përdorura normalisht në shumës fjalë-trajtat si më poshtë, d.m.th., me mbaresën -A të shumësit:
algat, bashkat, brinjat, bukat, bythat, copat, çorapat, dardhat dhëmballat, farat, fletat, gozhdat, gradat, grykat e (çorapave), gjurmat, herat, këmishat, këpucat, kofshat, kokat, lëkurat, lëpjetat, llërat(llanat), mollat, pjeshkat, serat, stromat, suvalat, shegat etj.
Siç po shihet nga shembujt, semantikisht ata janë emra që tregojnë gjë-sende a nocione të gjë-sendeve konkrete, por më në hollësi kjo çështje do të trajtohet edhe te emrat femërorë me mbaresën e mirëfilltë -A si dhe në raport me emrat e gjinisë mashkullore, te pjesa e dytë e këtij punimi, duke e vënë në sprovë kriterin jokorrekt të përzgjedhjes së mbaresës –Ë, si p.sh. gjokë-a gjokë-t ose gjokë gjoka gjokat, bagllamë-a bagllame-t ose bagllamat, çorapë-a çorape, çorapët ose çorapat. Për mendimin tonë zgjidhja e fundit me mbaresën –A: gjokat, bagllamat, çorapat, është zgjidhje e vetme dhe më e drejta, kur është fjala për emërtimin e nocioneve të gjë-sendeve a të mjeteve konkrete, po për këtë, siç u tha, më në hollësi në pjesën e dytë, por edhe në kreun e parë të pjesës së tretë të këtij punimi.
Siç do të shohim në analizat përkatëse në krerët përkatës të pjesëve të tjera për mendimin tonë mbaresa Ë e shumësit del e padiskutueshme vetëm për emrat e frymorëve: bletë bletët, kafshë kafshët, lopë lopët dhe shtazë shtazët, ndërsa emrat e nocioneve të gjësendeve konkrete, siç u tha priren me marrë në shumës mbaresën –A kurse emrat që mbulojnë nocione abstrakte mbaresën –E, edhe pse te shembujt e mësipërm ende nuk del e gjallë, por nuk është pa gjurmë një prirje e tillë.
Sidoqoftë ky konstatim le të jetë si paralajmërim përgaditës për të përkapur më lehtë analizat që do të pasojnë.
Konstatime përmbyllëse rreth nënkreut nën B.
Sidoqoftë, duke e lënë këtë çështje, hë për hë, të diskutueshme, pasi do të vazhdohet me hetimin e prirjes që sapo u cek prej nesh, d.m.th. shumësin e emrave të tillë me mbaresën –A, po përsërisin dy pika si risime të kësaj teme që dolën si rezultat i analizës sonë në këtë nënkrye:
1) shembujt me mbaresën Ë fundore të theksuar patjetër duhet ta zënë vendin e merituar në burimet tona normative dhe
2) të favorizohet prirja që emrat me -ë të patheksuar në njëjësin e pashquar, përkatësisht që e bëjnë shumësin e pashquar me mbaresë zero, sidomos ata me kuptimësi të gjë-sendeve konkrete, me kalue në grupin e foljeve që shumësin e bëjnë me mbaresën e mirëfilltë –A.
Si përfundim, del se standardologët tanë të tashëm dhe hartuesit e gramatikave në të ardhmen duhet me i pasë parasysh rezultatet që dolën nga analiza e mësipërme në të dy nënkrerët e këtij kreu.