E premte, 02.05.2025, 07:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Kolec Çefa: Pater Justini dhe Çabej Një miqësi në letra

E hene, 03.05.2010, 09:33 PM


Karl Prennushi, Fishta, Justin Rrota e Shtjefën Gjeçovi
Karl Prennushi, Fishta, Justin Rrota e Shtjefën Gjeçovi
Pater Justini dhe Çabej Një miqësi në letra

 

Nga Kolec Çefa

 

Në një lagje të vjetër të Shkodrës, me emërtimin bizantin, (sipas Valentinit)”Arra e madhe”, në një cep të saj, disi të veçuem, por jo larg, ishte Kuvendi i vjetër i françeskanëve, me një kopsht përpara plot bar të njomë e lulevile të kandshme, tërë aromë lulesh e erë lule blini. Aty, në një dhomë të vetmueme, jetonte Pader Justin Rrota, gjuhëtari ynë i madh, i Shkodrës e i Shqipnisë. Sëmundja e paralizës e kishte veçue nga marrëdhaniet me njerëzit, por nuk e kishte shkëputë nga puna e tij shkencore, sistematike, kambëngulëse, e pandërpreme. Ndonëse kishte mbi 35 vjet që jetonte i veçuem, prapëseprapë, nuk merzitej. “Me u merzitë? Jo, jo; nuk merzitëm. Vetmín e qetsín ma ka anda. Çuditem, kur më pyesin gjindja, a po merzitesh”?, shkruente në kujtimet e veta, 3 muej e gjysmë para vdekjes.

Tashma, vizitat te Pader Justini ishin rrallue, nuk kishin mbetë ma freten në kuvend e Justini, si i paralizuem, ma shumë se si gjuhëtar e si njeri që s’donte me dijtë çka asht politika (sadoqë të zezën e saj nuk e kapërdinte), nuk shikohej me atë synin penetrues, dinak e shpirtlig të Sigurimit të shtetit, ndonëse vizitorët regjistroheshin. Çdo ditë e vizitonte kolegu i tij i moshuem që rrinte tri dhoma përpara, Pader Marini. Rrinte në kambë në mes të dhomës e bisedonte me të 10 minuta e mandej të dy vazhdojshin punën e tyne.

Vizita e Çabejt e kënaqte në mënyrë të veçantë. Unë ishe i porositun, kur të vinte Profesori në Shkodër, në Institutin a në universitetin e Shkodrës, ta përshëndetshe e ta ftojshe në emën të Pader Justinit. Kaq sa, kur më shihte Profesori që ishe përzie midis studentash, m’u afronte e më thonte: “Po, sot mbasdreke, do të vi te Justini. Përshëndete!”. (ose: “sot nuk mund të vij, do të nisem për Tiranë”). Vinte gjithmonë i shoqnuem prej Profesor Jup Kastratit. Zakonisht, unë nuk asistojshe në këto takime, megjithëse Justini ma kërkonte.

Eqrem Çabej e Justin Rrota janë dy emna të gdhenun, kryesisht, në historinë e gjuhësisë shqiptare, janë dy fytyra elitare të kulturës sonë, por edhe dy shfaqje të gjalla të karakterit burrnor. Të dy këta personalitete shkrinë energjitë e veta jetësore, pa kursye as lodhje, as mund, as djersë, por me perkushtim e vetmohim, me zell e vullnet, na dhanë vlera të çmueshme në disa fusha të dijes, na edukuen ne si duhet të punojmë në fushat e dijes. Edhe në kohën e diktaturës së egër, që u përpoq ta zhveshë njeriun nga personaliteti, ta kthejë në vegël diktature, pa individualitet; këto të dy e ruejtën dinjitetin e vet të papërlyem, nuk shkruen gja për diktaturën nuk i sherbyen. Justini, madje, shkruente edhe kundër. Çabej, vetëm shkencë!

Të dy e njihnin veprimtarinë shkencore të njeni-tjetrit, e çmonin dhe e donin njëni-tjetrin. Sidomos Buzuku i lidhte. “Shih, shih, më thonte sa herë, shih sa bukur e ka shkrue”. Por të flasim me dokumenta. Sot, fjalët nuk i beson ma kush!

Me rastin e pesëdhjetëvjetorit, më 1958, Justini i dërgon këtë urim:

 

“Në ditën e 5 korrikut

në të cilën

Doktori i nderuem i letrave tona

Zoti Ekrem Çabej

Lumnisht mbush vitin e pesëdhjetë

Miqtë, kolegët, bashkëqytetarët

Të mrekulluem me mprehtësinë e mendjes së tij

I urojnë me hare gjithë të mirat

Ty Perenditë e qiellit

Të të ruejnë për dashuninë e njerëzve të tu

Për shkelqimin e gjuhës sonë

Për vjet shumë e të lumtun

Që të vijosh të punosh

E të rrnosh gjatë e ma gjatë

Si shkrimet tueja do të mbetën përjetë

Përmendore të gjuhës shqipe!”

 

Urimi botohet për herë të parë, asht i shkruem latinisht e i përkthyem nga leksikologu, poligloti e përkthyesi i mirënjohun Zef Simoni.

Pader Justini si shkroi veprën “Gjuha e shkrueme shqipe…”, dorëshkrimin ia dorëzoi Prof. Kostallarit për botim, dhe ishte i bindun se do të botohej. Në një letër dërgue Kostallarit, (botohet për herë të parë) ndër tjera i shkruen: “këtij shkencëtari, Zotni Çabejt i lutemi ta marrë përpara nëpër dorë këtë pjesën e parë tonën (Leksikologjín) tue pasë lirí të plotë prej nesh që ta rishikojë, sikur ma kompetenti që ne kemi në tokë të Shqipnís dhe të hjekë e të shtojë e të ndrojë gjithçka t’i duket. Kështu, që mos të shohë dritën e diellit ndonjë lajthim, që ka mujtë të na rrëshasi. Ia dimë për nderë”.

Tue e mendue të sigurtë botimin e veprës së vet “Gjuha e shkrueme shqipe...”, pader Justini pati përgatitë edhe disa kushtesa eventuale, kushtue personaliteteve të ndryshme. Justini ka qenë mjeshtër për hartimin e këtyne kushtesave, epigrameve etj. Po botoj për të parën herë kushtesën për prof. Ekrem Çabejt, Tiranë:

 

“Albanistit ma të madhit kombëtar

Profesor Doktor Ekrem Çabejt

Këto hulumtime linguistike nxanësish

Gjithë motin e jetës mirnjohtës

Për kontributin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun

Në favor të këtyne fletëve”

Autori

 

Justini kishte aftësi të çuditshme për të zbulue fenomenin gjuhësor nga goja e popullit, folklori i tij e nga letërsia reflekse. “Fenomeni gjuhësor, më thonte, gjindet në krijimtarinë e popullit a të bijve të tij, duhet piskërra e gjuhëtarit me e kapë, mandej me formulue rregullën a përjashtimin”. E, për piskërr, nuk ia kalonte kush! “Morfologjia” e tij e vërteton ma së miri këtë që shkrova: e pasur, e larmishme, thjeshtë shqipe. Kur binte fjala për etimologji, më thonte: “Asht fusha e Çabejt. Ai asht mjeshtri”. Po botojmë këtë fragment letre, drejtue Çabejt:

 

Letër e hapun Zotni Prof. Dr. E. Çabejt

Tiranë

“Mjaft kam frikë se, mbasi ta keni krye së lexuemit këtê shkresë, keni për të ma bâ edhe Ju mue si ai fshatari nevrik i cili, të hetuemen se i ka hý bagtia e huaj me kullotë në livadh të vet, merr e e gjuen me pesha, tue e true plot gojën.

As unë, sigurisht, nuk do të ishem shtý me u endë ndër lamije që nuk më përkasin, po mos të më ishte paraqitun rasa?… Tëndimi një ditë m’u shfaq kaqë i fortë e i nxitshëm, sa unë nuk mund i qëndrova.

E parashihshe mirë se, bashkë me Ju, edhe ndokush tjetër do të ma kishte përplasë atë frazën fort me vend të Fedrit: “Ne sutor ultra crepidam”!

Po, pra, por qe. Tue mos kjenë i zoti t’i bâj ball tëndimit, si Ju thashë, për ma të parën herë sod në jetën teme, kalova të dëfrehem mbë lamën e etimologjís.

Falma fajin dhe guximin! Shpresoj të jetë kjo e para dhe e mbramja herë!E tash për në dueni ta dijni fillin e çashtjes në fjalë, qe këtu si kje puna. Qysh ato ditt e para të rinís, kur më ra në dorë Meshari i veteranit të shkrimtarëvet të shqipes, më bani një përshtypje mjaft të fortë ajo trajta e pasthirmës Buzukjane “Hinje” për tânen të soçmen: lt. Eçe”...

 

Post scriptum

E tash, Ju lutem, të ma falni fajin e panjerzís, për në kjoftë se po shtoj këtu me këtê fill si një korolar, një vrejtje të voglë rreth kushtesës, që më drejtoshi, ka do dit.

Në faqën e parë të njëj studjimi, pa dyshim fort të vlershëm linguistik Tuejin shkruejshi tekstualisht: “”Njohtësit të thellë të Buzukut...”.

Tashti, tue lanë më anesh diskutibilitetin e atributit, tue kjenë se këtê adjektiv (i, e thellë,-”i kthellë... e vazhdon analiza e fjalës i këthellë-i thellë).”

Por shprehjet e miqësisë, të dashamirësisë e të vlerësimit ishin të ndërsjellta. Për ilustrim, po xjerri disa fragmente nga letërkëmbimi i profesor Jupit me Pader Justinin, tue përjashtue këtu thaniet e vlerësimet gojore që sillte nga Tirana prof. Jupi. “Dr. Eqrem Çabej dhe Z. Xhuvani Ju falen me shëndet. I pari Ju ka dhurue edhe një kopje të dispensave të albanologjisë, të cilën ia kam pasë dhanë Kolecit” (autorit të këtyne kujtimeve, k.ç.).(letër e Prof. Jupit e vitit 1954).

Xhuvani e Domi Ju nderojnë së tepërmi; Çabej thotë me të drejtë “Rrota asht shkencëtar”. Prof. Dr, Çabej: “… me një rradhë punimesh… ky studiues i gramatikës e i letërsisë së vjetër shqiptare ka ndihmuar shumë ndër ne”.

“... Zotni Çabej më pyeti për Ju dhe për Pater Benediktin. I tregova se po përfundoni gramatikën e gjuhës shqipe (morfologjinë). Iu ba qejfi shumë. Më ngarkoi t’Ju transmetoj përshëndetjet e tij”, letër e datës 22.III.1057.

Nga një letër e datës 5.XII.1961: “Sa dëshir kishte me ardhë në Shkodër A.Xhuvani së bashku me profesor Eqrem Çabejn dhe me u tokue me Ju. Sa nderim kishte për Ju.” Me këtë rasë po tregoj se kam lexue dy letra të Aleksander Xhuvanit, dërgue Pader Justinit, ku Xhuvani paraqet mendimet e tij lidhur me drejtshkrimin e gjuhën e përbashkët, mendime këto që bien ndesh me çfarë thohet për Xhuvanin lidhur me drejtshkrimin e gjuhën e njësuar. Në këtë kohë Xhuvani ishte për gegnishtën. Madje fton Justinin të punojë për këtë. Letrat as kopjet, për fat të keq, nuk i kam. I kam kërkue ndër arkiva e biblioteka, por nuk i kam gjetë, sikurse nuk kam gjetë as materiale tjera, si letërkëmbime etj., që unë vetë i kam rregullue në komohin e tij.

Edhe në veprën “Historia e Shqipërisë”, 1957, shkruhet: “Në fushën e studimeve, pak a shumë të thella shkencore të gjuhës shqipe u dalluan në mënyrë të veçantë N. Mjeda, A.Xhuvani, J. Rrota dhe E. Çabej”..

Tue u vlerësue këto figura me vlera shkencore, pa dije spekuluese, kontributi i të cilave mbetët dokument për zhvillimet tona shkencore e letrare, japim një shembull të mirë për t’u ndjekë për përkushtimin e vetmohimin e tyne.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx