Kulturë
Flasin, Kiço Fotiadhi, Kadri Metohu, Virgjil Kule, Tefta Radi, Silvana Braçe, Dhimitër Gjoka, Ahmet Shqarri
E diele, 02.05.2010, 04:13 PM
Nga Albert Zholi
Më 29 prill të vitit 1960 në orën 18.00, fatin e madh për të bërë prezantimin historik të këtijë televizioni e pati Stoli Beli. Ajo në këtë ditë historike të medias vizive shqiptare anonçoi programin e parë në televizionin eksperimental shqiptar. Emocionet e saj ishin krejt të natyrëshme, por jo vetëm për të, por edhe për ata pak teleshikues të pak televizorëve që ishin një thesar i vërtetë për ata që i kishin në shtëpi.
TVSH me ngjyra
Ishte pikërisht 8 nëntori i vitit 1981 që TVSH të fillonte transmetrimet me ngjyra. Transmetimi i parë me ngjyra u bë në kongresin e 8-të, të PPSH-së.
Drejtorët e RTSH
Petro Kito, Gjergj Bubani, Mentor Çoku, (zv/Drejtor), Thanas Nano,Todi Lubonja, Çajup Rusmajli, Marash Hajati, Sefedin Çela, Fatmir Kumbaro, Agron Cobani, Skënder Buçpapaj, Bardhyl Pollo, Albert Minga, Adrian Klosi, Eduart Mazi, Artur Zheji, Petrit Beci.
. Falënderoj gazetën “Telegraf” që nëpërmjet rubrikave të posaçme, më la hapësirat e veçanta, që të gjithë këta gazetarë që ishin ndër nismëtarët e krijimit të RTSH, të shpreheshin lirshëm dhe me sinqeritet.
Por lexuesi le ti gjejë mendimet e mia për ta, vetë jetën e tyre, apo historinë e krjimit të RTSH-së, në vetë fjalët dhe përgjigjet e tyre...
Kiço Fotiadhi
-Në vitin 1959 funksiononte Radio Difuzioni Shqiptar i cili transmetonte me orë të reduktuara nga ora 06-08 e mëngjesit dhe 12-18-00, dhe nga ora 20-22 e darkës. Kërkonin elementë, spikera dhe kishin shumë emisione, të gjalla, të dramatizuara dhe jo të dramatizuara, të gjitha ishin me krijimtari letrare. Bazën e spikerave ato e kërkonin tek shkollat artistike. Profesori ynë Prokop Mima punonte në mënyrë tepër serioze, për të mësuar se si të flasësh bukur, si të dublosh bukur, si të recitosh bukur etj. Ata erdhën një ditë në Lice dhe incizuan zërat më të bukur. Midis tyre konkurova edhe unë. Më dhanë një gazetë dhe lexova diçka. Atyre u pëlqeu zëri, tingulli, shqiptimi etj, dhe mbas 20 ditësh u kthyen përsëri në Lice. Ai që na incizoi më tha se mund të bashkëpunosh me ne në emisione të ndryshme në radio, kjo i përket vitit 1959.Unë e kisha zërin më të pjekur se sa të tjerët dhe më caktuan
-Në vitin 1960, filloi televizioni eksperimental Shqiptar. Stoli Beli ishte redaktore e emisioneve të fëmijëve dhe të rinisë.Ajo ka bërë prezantimin e parë duke u drejtuar nga studio “të dashur teleshikues televizioni eksperimental Shqiptar fillon emisionin e tijë të parë”.Në fillim ky televizion jepte emisione dy herë në javë nga një orë dhe pastaj 3 herë në javë nga një orë me një kapacitet të vogël dhe vetëm për Tiranën.Unë nuk kisha pikësynime për televizion dhe për radio. Po studioja për aktor. Mendoja se në cilin teatër profesionist do të emërohesha dhe çfarë roli do të bëja, por edhe televizioni bënte punën e vet.Ne kishim një drejtor shumë të nderuar, i cili ka hedhur themelet e televizionit, Petro Kito. Në vitin 1963, Stoli Beli më propozon mua për të dhënë lajmet në televizion.Unë shkova dhe fillova të punoja me kameran. Bëra një javë praktikë.
Studioja ishte një sallë e thjeshtë 5x6 m, një tavolinë e thjeshtë dhe një stol i vogël. U formua stafi parë teknik me inxhinier Saliun, Lulzim Tomçiun, Jani Mele, Gëzim Hoxha. Ishin djem të përkryer, atdhetar.Ata janë themelet e atijë televizioni që ne përjetojmë sot. Por tashmë ka shumë televizione privat që ja kanë zbehur madhështinë TVSH-së sonë të bukur…
Kadri Metohu
Transmetimet e para televizive
Transmetimet e para televizive filluan që në pranverën, ose më saktë në muajin Prill të vitit 1960, ku nuk dispononim asnjë studio të vogël për instalimin e një aparature të varfër. Kishim marrë me qira një dhomë të një shtëpie private dhe bënim transmetimin direkt të një programi shumë të kufizuar.Kishim vetem një operator një kamera pothuajse jashtë përdorimit të cilën e përdorte Beqir Derhemi. Në atë kohë transmetimet tona ishin shumë të ngushtuara në kohë dhe sinjali televiziv nuk mbulonte as çerekun e Tiranës. Transmetimi i programeve bëhej direkt dhe nën kujdesin e redaktores Stoli Beli e cila ishte njëkohësisht redaktore e emisionit të fëmijeve në redaksinë e radios. Athere deri në vitin 1998 TVSH ishte gjithçka për hapësirat mbarëshqiptare
Tefta Radi:
-Radio për ka mua ka qenë një shkollë e madhe. Të gjithë folëset që kanë kaluar nga radio kanë qenë shumë të mirë në shumë aspekte.Radio mbetet një nga studiot më të dashura ku vazhdoj ta dua, por ana televizive ishte diçka tjetër ku emocioni ishte më i madh sepse duhej të punosh paralelisht me lajmin, logjikën, transmetimin, paraqitjen vizive. Ku mendja të shkon në shumë gjëra si flokët, veshja, si dukem, është një kompleksitet gjërash, ndërsa në radio mund të rrish në çdo pozicion dhe mund të flasësh më lirshëm. Televizioni kërkon tjetër impenjim, tjetër prezencë.Të mendosh regjimin ku çdo gjë ishte strikte, ku lapsuset ndodheshin dhe tërhiqej vëmendja edhe për një të tillë.Është normale që kisha emocion.
Sot...Mënyra se si ikin shumë prej ikonave të TVSH është shumë e shëmtuar. Kurrë në televizion nuk organizohet një festë dhe t’i thuhet një faleminderit këtijë njeriu që po del në pension..Çdo kohë ka prurjet e veta.Nuk mohoj edhe të rinjtë që i kanë dhënë emër televizioneve. Erdhe sot ka emra gazetarësh të rinj që i vlerësoj dhe i respektoj, por ata që kanë hedhë themelet nuk po marrin vlerësimin e duhur dhe detyrohen të largohen nga TVSH.
Silvana Braçe:
Që në gjimnaz nisa të bëhem e njohur si spikere në Radio Tirana e më pas në TV, por kjo më bëri edhe më të ndrojtur në shkollë dhe të kompleksuar se isha ajo e bukura, artistja, që kishin parë nëmbrëmje, ndërsa në mëngjes e zakonshmja... e kjo linte rast për komente. Pra, që kur nisa kontaktet me RTV mbaroi jeta ime shkollore. U rrita para kohe,dhe ia nisa halleve të tjera. Kohën time, mendjen time e pushtuan tekstet e prezantimeve, që i mësoja faqe të tëra përmendësh, emocionet e tmerrshme para kamerave dhe problemet që më sillte ballafaqimi me gjithë të tjerët në ambjentin e kësaj pune që ishin më
të rritur se sa unë. Megjithatë, diçka di ta them menjëherë se s’ka qenë aspak e lehtë të mbijetoja në TV, por kam punuar shumë dhe kam qenë e pathyeshme në besimin tim, se e meritoja të isha aty. Ditët më të vështira kanë qenë ato të punës, relizimit të programeve e më të bukurat vinin të nesërmen kur më uronin dhe komplimentonin. Këtë më solli TVSH-ja, ky mozaik I bukur që e shoh gjithmonë me të nëjtën dashuri..
Virgjil Kule
-Në fillim televizioni m’u ofrua si një hobi. Isha vetëm 17 vjeç kur kam lexuar lajmin e parë dhe paradite shkoja në gjimnaz . S’kishte shumë televizorë në Shqipëri. Audienca qe shumë e pakët. Më dukej sikur më ishte shtuar edhe një version tjetër loje që quhej televizion. Vetë ky televizion ndodhej në ish bufenë e Radio Tiranës, me shumë pak aparatura dhe shumë pak njerëz. U bëra shpejt pjestar i një grupi entuziastësh që po fusnin diçka të re në Shqipëri. Kjo më jepte kënaqësi të madhe dhe më bënte të shkoja në atë cep godinë duke fluturuar 3 herë në javë, se aq transmetonte. Pastaj filluan investimet dhe televizioni pati bumin e tij. Unë u bëra dëshmitar dhe pjestar aktiv i të gjitha fazave të këtij bumi. Nga thjesht hobi, televizioni u shndërrua për mua në të vetmen pikë referimi për jetën. Aty fillonte dhe aty mbaronte bota ime, veçse ishte një botë shumë e gjerë për kohën sepse
ajo bashkëvepronte me ajkën e inteligjencies shqiptare dhe me përvojën e Rai-t që ishte shembulli ynë profesional.
Ofertës së këtij mjedisi interesant unë i’u përgjigja në mënyrë praktike. Mbarova studimet për gazetari, u përpoqa të përsos rolin si spiker dhe të realizoj vetë emisione të përjavëshme, të cilat, nga sa më thoshin teleshikuesit, pëlqeheshin shumë. Ndiqja rregullisht emisionet e televizionit italian dhe, ashtu si shumë kolegë të mi, mundohesha të aplikoja në emisionet e mia teknikat e tyre krijuese. Nuk hoqa kurrë dorë nga puna praktike e të gjitha fazave të krijimtarisë nëpër të cilat kalon një emision televiziv. Kështu mësuam unë dhe kolegët e mi. Mbaj mend p.sh. kur diskutonim teknikën e montazhit kryq që e kishim parë asokohe në Rai dhe ekperimentet që bënim në maviole me Ismailin, Nadian, Florën, Rezartën, Pranverën etj. Ishin ditë magjike…
Publiku përgjithësisht nuk e di që unë kam qenë për gati një dekadë drejtor i këtij institucioni. Të gjithë më mbajnë mend nga roli im si krijues në ekran prej të cilit nuk hoqa dorë asnjëherë.
Ahmet Shqarri
-Transmetimi i parë televiziv shqiptar i ndeshjeve jashtë shtetit ka qenë nga Barcelona në vitin 1986. Kjo ndeshje ka hyrë në histori, jo vetëm si transmetimi i parë, por edhe për lojën e bukur, e të jashtëzakonshme, ku futbolli shqiptar ka shpalosur vlerat e tij më të mira. Barcelona ishte kampione e Europës. Në Barcelonë luanin futbollistët më të mirë të botës, si Geri Lineker (shënuesi më i mirë i asaj kohe). Flamurtari i asaj kohe ishte dhe mbetet skuadra e vetme e Shqipërisë që ka kaluar deri tani dy ture në kupat e Europës. Besoj e kujtoni atë ndeshje të rrallë që u mbyll 0:0 në Kamp Nou. Dhe Barcelona u kualifikua vetëm prej barazimit 1-1 në Vlorë. Barcelona ishin një befasi. Në këtë jehonë mund të fus dhe rastin e të ndjerit Pjetër Arbnori, i cili pat thënë në Lidhjen e Shkrimtarëve ku u promovua libri im se “Ahmet Shqari” ishte dritarja që ne shihnim botën nga burgu nëpërmjet
transmetimeve, ku më i veçanti ngelet ai i Barcelonës”... Ndërkohë shkrimtari i shquar Vath Koreshi në parathënien e librit tim shprehet: Ahmet Shqarri atë natë që ka transmetuar nga Barcelona ka qenë për një natë Perandor i Shqipërisë, sepse të gjithë dëgjonin dhe veshët i mbanin tek ai në Barcelonë. Këtë e bëri TVSH-ja..
Dhimitër Gjoka
- Kam punuar shumë. I jam përkushtuar televizionit me shpirt, me pasion e me dëshirë dhe shumë gjëra të tjera i kam lënë mangut. Kam braktisur shoqërinë në kohë dhe situata të caktuara, kjo në kuptimin e mirë të fjalës. Në vend që të pija një gotë birrë me miqtë kam preferuar më shumë të merrem me punë. Kjo në fillim të karrierës kur kisha nevojë të isha sa më pranë kamerës, sa më pranë profesionistëve për të thithur gjithçka nga profesioni i idhujve. Një gjë që e kam bërë me shumë dashuri. Hapat e parë në magjinë e televizionit i hodha në TVSH… Të qënurit njeri televiziv ka të mirat dhe të këqijat e veta, së pari ana vizive duhet të jetë tepër e pranueshme, brenda një etike që të pëlqejë syrin e teleshikuesit.