E shtune, 27.04.2024, 01:38 PM (GMT+1)

Mendime

Ejup Ceraja: Kardinali i Kishës Katolike Romane, Walter Kasper, nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës për hir të Kishës Ortodokse Serbe

E shtune, 17.04.2010, 09:59 PM


Walter Kasper
Walter Kasper
KARDINALI I KISHËS KATOLIKE ROMANE, WALTER KASPER, NUK E NJEH PAVARËSINË E  KOSOVËS PËR HIR TË KISHËS ORTODOKSE SERBE

 

Nga Ejup CERAJA

 

Sipas mjeteve tona të informimit, Vatikani nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur për shkak të Kishës Ortodokse Serbe. Kështu Kardinali i Kishës Katolike Romane, Walter Kasper, ka dalë hapur në mbrojtje të Kishës ortodokse serbe në Kosovë. Sipas deklaratës së Kardinalit të Kishës Katolike Romake dhe anëtar i Këshillit Papnor, Walter Kasper, del se: “Ne e dimë që Kosova për kishën serbe është plagë e rëndë dhe e dimë që ajo është gjithashtu djep i ortodoksizmit serb. Ne e kuptojmë këtë gjë dhe duam ta respektojmë”, ka pohuar kardinali Kasper.1)  Pra, Vatikani nuk e paska njohur Kosovën si shtet për shkak të ndjeshmërisë ndaj Kishës ortodokse serbe. Është sa për të të ardhur keq, aq edhe për t'u çuditur se si një institucion aq i lartë fetar: Vatikani, tok me Këshillin Papnor të Kishës Katolike Romane, nëse hirësia e tij kardinali Walter Kasper ka folur në emër si të Vatikanit, ashtu edhe të Këshillit Papnor - ta mbrojnë një qëndrim të tillë... Ndërsa nëse hirësia e tij kardinali Walter Kasper ka deklaruar ashtu jo në emër të Vatikanit dhe të Këshillit Papnor, po në emër të vet personal, një deklaratë e tillë i varet atij kalavesh në ndërgjegjen e tij... Dhe, me këtë rast, hirësisë së tij kardinalit Walter Kasperit është e udhës t'i parashtrohen ca pyetje, si:

 

1. "Ne e dimë që Kosova për kishën serbe është plagë e rëndë..."

 

Nga e dini Ju këtë z. kardinal Kasper?... Kosova z. kardinal Kasper nuk është pronë e Kishës ortodokse serbe, por është pronë e banorëve që jetojnë në te, cilët do qofshin ata, po veçanërisht është pronë e 91% (më shumë a më pak statistiskisht nuk e di) të shqiptarëve autokton që e kanë banuar nga lashtësia mijëra e mijëra vjeçare dhe e banojnë edhe sot dhe do ta banojnë edhe më tutje, tok me të gjithë të tjerët, që janë banorë të saj dhe që e pranojnë Kosovën atdhe të tyre... Pra, pse të jetë Kosova plagë e rëndë për Kishën serbe?... Ç'hyn në këtë mes Kisha serbe?...

 

2. "... dhe e dimë që ajo është gjithashtu djep i ortodoksizmit serb..."

 

Kush ua ka mbushur mendjen z. kardinal Kasper se Kosova është djep i ortodoksizmit serb?... Kosova z. kardinal Kasper, po ua përkujtojmë edhe njëherë, se është djep, në radhë të parë, i ne shqiptarëve që, siç e theksuam më lart, e kemi banuar denbabaden dhe e të gjithë të tjerëve, që jetojnë në te, për aq sa u takon hisja e "djepit"... Pra, pse Kosova të jetë djep i ortodoksizmit serb?...

 

3. "Ne e kuptojmë këtë gjë dhe duam ta respektojmë.”

 

Me keqardhje mund të theksojmë z. kardinal  Kasper se nuk po e kuptuakët  drejt Kosovën se djep i kujt ka qenë, është dhe do të jetë...

 

Ju më tutje pohoni se Vatikani angazhohet për ruajtjen e përmendoreve ortodokse (pravosllave), të manastireve dhe kishave në Kosovë dhe është shumë i shqetësuar për shkak të “brutalitetit të caktuar kulturor”. - (marrë nga interneti). Këtu nuk ka asgjë të keqe, po të mos ishte: “brutalitetit të caktuar kulturor”. Ku, kur dhe si e keni hetuar Ju atë brutalitet kulturor?... Ku është kryer ai brutalitetit kulturor?... Si mund të pohoni gjëra të tilla nga distanca ose me të nime, siç thotë populli ynë, z. kardinal Kasper?...

 

4. "Në Kosovë po rrënohen përmendoret e rëndësishme historike, kulturore dhe fetare. Kjo nuk guxon të ndodhë. Nuk mundet në këtë mënyrë të zhduket historia”. - (marrë, po ashtu, nga interneti).

 

E drejtë. Po, për çfarë historie e keni fjalën, z. kardinal Kasper?... Zotëri kardinal Kasper, nëse keni pohuar se në Kosovë po u rrënuakan përmendoret e rëndësishme historike, kulturore dhe fetare... Dhe se në këso mënyrash nuk mund të zhduket historia, pa e theksuar se cilat përmendore historike, kulturore a fetare (të kuajt), sado që vetvetiu nënkuptohen, them se është e udhës, të tregohet se cilat përmendore historike, kulturore e fetare, në cilin vend dhe kur janë rrënuar..., (duke e përjashtuar 17 marsin e vitit 2004). Unë, si banor i Kosovës, një veprim të tillë këtu tek ne në Kosovë, për këtë kohë të tanishme, as nuk po e shoh, as nuk po e japin mediat tona qoftë elektronike, qoftë të shkruara. Nuk është mirë, them, që (sipas hamendjes) të pohohen gjëra të tilla kaq më peshë për bashkëjetesën në Kosovë në mes komunitetesh të ndryshme... 

 

Dhe, duke u nisur edhe nga librat e shenjtë si Bibla e Kurani ta  mbrosh krimin dhe të akuzosh viktimën është një mëkat, madje i rëndë..., i cili edhe mund  të jetë burim i ndonjë konflikti më të vogël apo më të madh në mes popujve të këtij rajoni në të ardhshmen e afërt apo të largët...

 

Ju mund të mos na e njihni pavarësinë të fituar me mundimin e shumë brezave dhe me sakrifica të shumta gjatë shekujve, e sidomos gjatë shekullit të njëzet, e veçanërisht gjatë dekadës së fundit të atij shekulli, e posaçërisht gjatë viteve kalendarike 1998 dhe 1999, kur u synua nga pushtuesi i këtyre trojeve të arrihen dy qëllime kryesore: një, të dëbohen sa më shumë shqiptarë autokton nga trojet e tyre etnike, duke ua marrë e shkatërruar dokumentet personale që kurrë më të mos mund të dëshmojnë se ishin shqiptarë autokton të Kosovës dhe, dy, pjesën tjetër të popullsisë shqiptare, të mbetur brenda Kosovës, t'i asimilonin..., për ta bërë spastrimin etnik të Kosovës të pa parë ndonjëherë... Dhe, duke i parë të gjitha këto Shtetet e Bashkuara të Amerikës u vunë edhe njëherë në ballë të ndalimit të një gjenocidi të tillë, për ta shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga zhbërja (zhdukja) e sigurt, së cilës, ShBA-ve, iu bashkua edhe bota përparimtare..., tok me aleancën më të fuqishme ushtarake të botës NATO-n, e cila u rreshtua krah për krah me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta shpëtuar dhe për ta çliruar si popullin shqiptar të Kosovës, ashtu edhe vetë Kosovën nga robëria koloniale  gati një shekullore..., se: "Kur erdhi Kushneri në Prekaz,  qëllova aty. Ulur këmbëkryq, përbri Rifat Jasharit, pos të tjerash, u shpreh: Dua ta them një të vërtetë të madhe. Prekazi lëvizi gjithë mekanizmat botërorë, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur çmim Nobel për liri, atëherë ai do t'i takonte familjes Jashari. Sa bukur. Këtë njeri e mbaja në mend edhe më herët. Ishte mjeku dhe humanisti i parë që botërisht pati pranuar se në Kosovë pati helmime."2) 

 

Dhe, prapë, ju mund të mos na e njihni pavarësinë, po ne si populli më i vjetër jo vetëm i Ballkanit i kemi dy figura historike, që edhe Ju i nderoni: e kemi kalorësinë e lirisë të Mesjetës së Mesme dhe mbrojtësin e krishterimit... të hershëm - Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, të shpallur si "Atlet të Krishterimit" nga vetë Kisha e Shenjtë e Vatikanit, i cili, si i tillë, i ka shtatoret në ndonjë qytet të Evropës dhe të ShBA-së...  Se, vetë Shën Pali, në vitet e pesëdhjeta pas Krishtit, ishte shprehur: "Nga Jerusalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit"3). Pra, kur sllavet zbritën në Kosovë, të themi kushtimisht, si nomadë ne kishim shekuj e shekuj krishterim. Ca kisha, manastire e... ortodokse serbe në Kosovë, sipas njohësve të kësaj lëmie, janë të ngritura mbi bazamentet e kishave katolike të hershme shqiptare, andaj ne vetë kujdesemi për to që të mos dëmtohen... Dhe, po ashtu e kemi një shenjtërore, e që është shqiptare, përpara së cilës përulet me nderim bota, duke e cilësuar me epitetin - Nënë. Pra, ajo është Nënë Tereza, e cila me punën, mundin, dashurinë dhe përkujdesjen ndaj të sëmurëve e skamnorëve, përpos që ka marrë Çmimin Nobel, ka marrë edhe njohjen më të madhe - Nënë e Botës...

 

***

 

Edhe njëherë ta përkujtojmë thënien e z. kardinal Kasper-it, (në një version ca më ndryshe), të cituar sipas zotëri Visar Bardhit në Zemra Shqiptare: "Zyrtari i lartë i Kishës Katolike, kardinali i Kishës Katolike dhe anëtar i  Këshillit Papnor, Walter Kasperm  këto ditë dha ketë deklaratë:

 

            “Ne e dimë se Kosova për Serbinë është plagë dhe dhimbje e rëndë. E dimë gjithashtu se ky vend është edhe djepi dhe qendra e ortodoksizmit serb. Ne këtë e kuptojmë dhe dëshirojmë ta respektojmë këtë”. (Prandaj nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës...)"

 

______________

 

1) Cituar sipas gazetës ditore Express, e mërkurë, 14 prill 2010, faqe 4

 

2) Cituar sipas Bedri Tahirit në fund të librit me tregime "Përtëritja", Shkrola, Prishtinë, 2002

 

3) Cituar sipas Nuri Plakut: në esenë "Një mbrëmje në Apoloni" - në librin me ese "Qyteti pa statuja"



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora