E shtune, 27.04.2024, 12:51 PM (GMT+1)

Mendime

Albin Kurti: Zallqi

E premte, 16.04.2010, 09:47 PM


Zallqi

 

Përveç historisë së serbëve që duan të kthehen, duhet shikuar edhe historia e pronës së tyre.

 

Nga Albin Kurti

 

Po t’i pyesësh privatisht shqiptarët e Kosovës pothuajse që të gjithë janë kundër kthimit të serbëve të ikur nga Kosova. Thjesht, shqiptarët nuk duan që serbët të kthehen në Kosovë. Nëse e fiton besimin e tyre para se t‘i pyesësh, kudo në Kosovë, ta thonë troç: nuk dua që serbët të kthehen. Por, nëse i shkon në fshatin apo lagjen e qytetit të tij me një kamerë a diktafon si gazetar, apo me pyetësor në emër të ndonjë organizate, atëherë përgjigja e tij ndryshon. Nis e belbëzon, i merret goja dhe hutohet teksa përpiqet ta jep përgjigjen që tashmë e ka dëgjuar në televizor. Nuk arrin ta thotë tamam si në televizor, nuk ia del të shprehet spontanisht e pa sforcime ashtu siç kishte besuar se mundet dhe, natyrisht, skuqet ca. I vjen turp që disi dështoi dhe me sedër të lënduar ia mbath prapa me hap të shpejtuar drejt portës së shtëpisë së tij duke thënë sa vetë me vete aq edhe drejt një dyzine banorësh të grumbulluar aty: s’jam vlla unë politikan!

 

I intervistuari e përjeton veten si politikan në tentativë. Një mendim e ka për vete, një tjetër e thotë publikisht. Këtë të dytin e shqipton me aq lehtësi dhe natyrshmëri siç nuk do të mund ta shprehte kurrë të parin. Rruga për te politikani kalon nëpër aktorin. Por, këtu ngec njeriu i thjeshtë – te pjesa e aktorit. Ai është mësuar të jetë ashtu siç i është imponuar të jetë: spektator. Dhe, ndoshta sa më shumë që shikon shfaqje teatri, aq më pak mund të bëhesh aktor i mirë. Nuk është se njerëzit tanë nuk dinë të shprehen. Ata nuk dinë të shprehen publikisht. Sepse, ata besojnë që nuk duhet të shprehen ashtu sikurse që janë. Televizori nuk merret si transmetues i realitetit por si model që duhet ndjekur. Model për çka, model për realitetin? Jo bash. Model për vetveten. Turbullimi që përjetojnë njerëzit e thjeshtë para pyetjeve zyrtare a publike është turbullimi i atyre që tashmë janë fajtorë para inspektorëve e agjentëve hetues të një regjimi diktatorial. Ata duan ta mbajnë të ndarë realitetin prej virtualitetit duke konfirmuar koherencat e brendshme të këtyre dyjave. Privatisht e shprehin mendimin për realitetin publik, ndërsa publikisht e thonë atë që pritet të jetë qëndrim i tyre privat e personal. Për televizione deklarojnë si në televizor, e konfirmojnë televizionin ani se larg të vërtetës. Kurse me të afërmit e thotë ashtu siç është, gjithnjë pranë të vërtetës.

 

Por, le të kthehemi te kthimi i serbëve. Shqiptarët më shpesh sesa të thonë ‘nuk dua që serbët të kthehen’, në fakt, thonë ‘nuk dua që serbët të na kthehen’. Kjo pjesëza ‘na’ e ndërron cilësisht kuptimin e fjalisë. Kthimi i serbëve nga shqiptarët përjetohet si kthim i serbëve të viteve të ’80-ta e ’90-ta, e jo si kthim i serbëve që janë në shekullin XXI. Kthimi i serbëve nuk diferencohet nga kthimi i Serbisë dhe përjetohet si kthim në të kaluarën ose, së paku, si rritje e mundësive për kthim në të kaluarën. Kjo është arsyeja pse tash së fundi kishim protestën e banorëve shqiptarë në Zallq të Istogut kundër kthimit të serbëve atje. Qindra banorë protestonin kundër kthimit të serbëve. Por, në asnjërën prej parullave që protestuesit mbanin në duar nuk thuhej vetëm thjesht ‘nuk dua që serbët të (na) kthehen‘. Çdo herë ky qëndrim pasohej me argumentet për krimet e kryera gjatë luftës e ku kishin marrur pjesë edhe serbë lokalë. Madje shumë sosh identifikoheshin me emër e mbiemër. Pra, nuk kundërshtohej kthimi për atë çfarë ishin të kthyerit por për atë çfarë ata kishin bërë para se të iknin; jo pse të kthyerit ishin serbë por për atë çfarë kishin bërë jo pak serbë.

 

Protesta e nxori publikisht atë që individualisht e mendonin gjithmonë protestuesit dhe jo vetëm ata. Mendimi i përbashkët që e kishte secili erdhi në shprehje kur u bashkuan ata që e kishin mendimin të përbashkët. E përbashkëta vetëm si e kolektivizuar arrin të shprehet. Individi s’është e vërteta dhe as burimi i së vërtetës. Individi sigurisht që nuk e bën historinë ashtu si na rrëfejnë filmat e Hollywood-it. Në Kosovën që u shpall e pavarur që prej dy vjetësh ende ka shumë frikë, shumë ndrydhje të brendshme, shumë vetëcensurë. Protesta gjithsesi i trimëron e i çliron njerëzit. Regjimet e pushtetet jodemokratike përpiqen që t‘i frikësojnë qytetarët në rast të protestave sepse vetë ato iu frikësohen protestave.

 

Protestuesit në Zallq pa dyshim se kishin të drejtë. Është e padrejtë të kthehen në Kosovë serbët e ikur pa u plotësuar tri kushte. Së pari, duhet të shqyrtohet se kush janë serbët e kthyer veç e veç, se çka kanë punuar e bërë ata në të kaluarën e sidomos gjatë luftës meqë dihet se nuk ishin as në UÇK e as në LDK. Së dyti, përveç historisë së serbëve që duan të kthehen, duhet shikuar edhe historia e pronës së tyre. Pra, të shihet nëse pronën e kanë që prej 200 vjetësh apo ndoshta e fituan në kohën e reformës agrare ndërmjet dy luftërave botërore, në kohën e Rankoviqit kur shqiptarët dëboheshin për Turqi, apo ndoshta edhe në kohën e vetë Milosheviqit. Dhe, së treti, është absurde të kthehen serbët nëse ata nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, nëse e konsiderojnë UÇK-në terroriste e Kosovën pjesë të Serbisë, dhe nëse vihen në shërbim të strukturave të Serbisë në Kosovë. Pa u plotësuar këto tri kushte nuk bëhet fjalë për kthim të serbëve, por për kthim të Serbisë. Nuk bëhet fjalë për të drejtë njerëzore që duhet respektuar, por për projekt politik që duhet kundërshtuar.

 

Pasi që i legalizuan komunat me shumicë serbe në Anamoravë, pra në lindje të Kosovës, nëpërmjet zgjedhjeve të fundit lokale, tash Serbia ia ka mësy veriperëndimit ashtu siç e kemi paraqitur ne të VETËVENDOSJE!-s këtu e katër vjet më parë në hartën e mirënjohur që tregon se çka i bën decentralizimi etnik Kosovës. Plani i Ahtisaarit parasheh që aty ku bëhen 5.000 banorë me 75% minoritarë, aty mund të themelohet një komunë e re. Pikërisht kjo është arsyeja pse Serbia i kthen serbët refugjatë në atë zonë – për të sajuar komuna të reja. Duke shtuar numrin e serbëve në veriperëndim të Kosovës, Serbia synon t’i realizojë komunat e reja serbe të Osojanit, Binçës dhe Gorazhdevcit të cilat do të siguronin vazhdimësi territoriale me komunën e Zubin Potokut, duke u shtrirë deri në periferi të qytetit të Pejës.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Teki Dervishi: Serbët në Shqipëri, shqiptarët në karantinë Everest Haxhi: Perfaqesuesit e Vlores ne Kuvendin e Shqiperise 1912-2009 Abas Fejzullahi: Letër e hapur për z. Qemajl Kurtishin, Kryesues për Komunitete pranë KK, Prizren Visar Bardhi: Zoti Kardinal Walter Kasperm, edhe unë po i lutem zotit që t’i falë këto mëkate! Bardhyl Mahmuti: Minaret me kryq! Lawrence Marzouk, Petrit Çollaku: Miqtë e ministrit të Kosovës përfitojnë nga “miniera” e rrugëve Maks Velo tregon gëzimin e të burgosurve, historianët e huaj analizojnë ndarjen e vështirë të Shqipërisë nga diktatura Gani Qarri: Luftëtari i Vërtet, mbetet gjithmonë luftëtar Kalosh Çeliku: Gomari e ka mendjen te kashta dhe samari… Hysen Ibrahimi: Pas një dekade, Rifat Jashari e Fadil Geci u përqafuan nip e dajë Ramiz Dërmaku: Puna e pavarur e nxënësve është një emperativ për arritjen e suksesit Bardhyl Mahmuti: Apel për Amnisti të Përgjithshme! Fatmir Sulejmani: E vërteta e spekulimeve kundër kompanisë ECOLOG Refik Hasani: z.Tadiq zhgënjeu shqiptarët e Medvegjës Blerim Rrecaj: “Studim, kritikë, veprim” dhe “Java e bibliotekës në Kosovë” me financim Çlirim Daçi & Arbëresha Rozi: “Zullum-kracia” Maqedone Dritan Ylli: Kuti-opozita Blerim Kastrati: Edhe një biznes i ri politiko-mediatik i Bardhyl Sejdiut, djalit të Presidentit të Kosovës Adnan Abrashi: Heqi dorë nga profesioni dhe titulli im Akademik - Jurist i diplomuar!? Bardhyl Mahmuti: Guximi qytetar dhe liria politike!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora