Mendime
Fatmir Sulejmani: E vërteta e spekulimeve kundër kompanisë ECOLOG
E marte, 13.04.2010, 09:51 PM
E VËRTETA E SPEKULIMEVE KUNDËR KOMPANISË ECOLOG
Nga Fatmir Sulejmani
(publicist)
Satanizimet mediale nisin si pa të keq nën petkun e shkencës së madhe akademike, prapa së cilës qëndrojnë politikat e mendësive totalitare, që permes mashave mediale shpallin popuj të tërë si apatridë, të egër dhe të rrezikshëm… Betejat për zhveshjen e popujve të tërë në këste akoma më shpesh bëhen nën petkun e gazetarisë së ashtuquajtur hulumtuese, që vjedh, përvetëson e tëhuajson personalitetet historike të të tjerëve, që përbëjnë shtyllat e një etnie, duke mohuar kësisoj hapësirat jetësore dhe vlerat e civilizimeve të caktuara, për të kaluar pastaj tek përbaltjet e figurave eminente aktuele me qëllim të justifikimit të sharrimit të tyre në ujëra misionesh të pista…
Fuqia e pakontestueshme e mediave
Mediat, që nga zanafilla, ishin dhe janë forcë me hise të madhe në jetën e gjithmbarshme të globit. Ato shtrijnë ndikimin e tyre të pakontestueshëm që nga propagandimi i arritjeve më pozitive njerëzore e gjer tek vendimet më të kobshme të politikave satrape. Këtë e dinë më së miri ballkanasit dhe veçmas ne shqiptarët, që dekadave të fundit ishim viktimë e satanizimeve të përgatitura në kuzhinat mediale millosheviqiane, të cilat përfunduan me luftëra anakronike e gjenocidiste të papara në historinë e kohëve moderne. Kush tjetër pos mediave të shndërruara në masha faqeverdha politike mund të mobilizonte energjitë vrasëse të njerëzve të gatshëm për të qëruar hesapet e për të fshirë nga faqja e dheut më të dobtit se vetvetja? Mjerisht, këtë rol mediat e luajnë në disa raste edhe sot, duke diabolizuar etni të tëra e duke i zhveshur ata nga të gjitha vlerat e mundshme civilizuese, për ta pasur pastaj më kollaj reprizimin e kobeve akoma të freskëta në siujdhesën ballkanike, të konceptuar nga pjesa tjetër e botës për vilajet njerëzish që nuk kanë arritur të kapërcejnë disa sëmundje foshnjarake që nxisin orekset për tërritoret dhe hapësirat jetësore të të tjerëve.
Satanizimet mediale nisin si pa të keq nën petkun e shkencës së madhe akademike, prapa së cilës qëndrojnë politikat e mendësive totalitare, që permes mashave mediale shpallin popuj të tërë si apatridë, të egër dhe të rrezikshëm… Betejat për zhveshjen e popujve të tërë në këste akoma më shpesh bëhen nën petkun e gazetarisë së ashtuquajtur hulumtuese, që vjedh, përvetëson e tëhuajson personalitetet historike të të tjerëve, që përbëjnë shtyllat e një etnie…
Ne shqiptarët i kemi përjetuar dhe i përjetojmë akoma këto marifetllëqe me tendenca përvetësimesh të kuotave identitare të kategorisë së Skëndërbeut apo Nënës Tereze, të cilët kombi ynë pati fatin t’ia falë botës, duke ruajtur të drejtën e identifikimit me bëmat e tyre të paharueshme… Aktet në fjalë mund të duken të padjallëzuara, po punët qëndrojnë ndryshe. Këtë e ka dëshmuar sa e sa herë historia njerëzore, ndaj, jo rastësisht secili ruan si relike të shenjta kuotat e dikurshme apo të tanishme identitare të kombit që u përkasin sferave të ndryshme, si: kultura, arti, shkenca, sporti dhe biznesi.
Kur këto zhveshje etnishë ndodhin në Ballkan auditori i përjeton si diçka normale me të cilën është mësuar midja kahmot, po kur ndodhin gjëra të tilla në mediat prestigjioze të vendeve evropiane me demokraci te zhvilluar, befasia është me përmasa oqeanike dhe gjërat duken krejtësisht të pabesueshme. Kështu të paktën e përjetuam sihariqin e kësaj pranvere që shpërtheu aq vrullshëm në njërën prej mediave më prestigjioze gjermane - NDR, që ia lejoi vetes të bjerë pre e shpifjeve të gazetarit Christoph Heinzle, i cili kush e di për çfarë arsye, mori mbi vete misionin e njollosjes së imazhit të ECOLOG-ut - kompanisë më gjigante që drejtohet nga biznesmenët e shkathtë dhe fisnikë të familjes Destani nga Tetova.
Në shikim të parë duket sikur nuk ndodhi kurgjë e jashtëzakonshme, duke pasur parasyshë të dhënën se mediat e ruajnë të drejtën e tyre të hulumtojnë e investigojnë bëmat e gjithkujt, qofshin ato të mira apo të liga, po kur e tërë energjia negative rezultoi e shpifur dhe u hodh si leckë përtokë nga gjyqësia e një shteti me demokraci serioze, siç është Gjermania moderne, atëherë lindën natyrshëm pyetjet dhe dyshimet e panumërta:
- Ç’e nxiti këtë shpifje përmasash kaq të mëdha të “gazetarit” Christoph Heinzle?
- Përse ai zgjodhi ta njollosë kompaninë më të madhe shqiptare me renome të padiskutueshëm ndërkombëtar?
- Kush qëndron pas “hulumtimeve” policeske të “gazetarit” Christoph Heinzle?
- Si është e mundur që shpifjet e tij për gjoja veprimtaritë e paligjshme të kompanisë ECOLOG…, të publikohen nga një shtëpi prestigjioze mediale siç është NDR-ja?
- Kush e trimëroi “gazetarin” të njollosë madje dhe moralin e familjes së dëshmuar filantrope Destani tash e 3 dekada të plota?
- Mos vallë përmes kësaj përbaljteje deshi të hedhë dyshime në misionin e forcës më të madhe mbrojtëse të globit – NATO-s, me të cilën lidhet biznesi i pastër i ECOLOG-ut?
- Vërtet nuk e di Christoph Heinzle dhe punëdhënësit e tij se të sulmosh pa të drejtë (ashtu siç e dëshmoi gjyqi gjerman) dinjitetin e një familje të nderuar shqiptare, duke e ndërlidhur atë me kontrabanda të imagjinuara drogash e pisllëqesh që paskan ndihmuar (sipas tij) luftërat e padrejta që bënë shqiptarët në Kosovë, me ndihmën e aleancës veriatlantike – NATO-s, do të thotë të sulmosh në fakt dinjitetin dhe vlerat morale e civilizuese të një kombi të tërë?
Natyrisht që Christoph Heinzle dhe veçmas NDR-ja është dashur t’i mendojnë me kohë përgjigjet që dalin nga pyetjet e mësipërme, që nuk do t’i sillnin sot në situata tragjikomike përballë gjyqeve që po ua rrëzon kalatë e mashtrimeve, duke i bërë shembuj klasikë të një antigazetarie nga e cila duhet hjekur dorë një ditë e më parë.
Po kush është në të vërtetë NDR-ja?
Është njëra prej mediave më të mëdha elektronike në Republikën Federale të Gjermanisë, që ka statusin e servisit publik dhe që funksionon në sajë të parave të taksapaguesve gjermanë. Për paradoks, NDR-ja aktualisht përballet me shumë afera korruptive dhe po kalon një stinë të ankthshme noti ujërave të zeza në të cilat ka lejuar ta fusin “gazetarët” e kategorisë së Christoph Heinzle-it, për çka flasin mediat serioze gjermane, të cilat në mënyrë të pakontestueshme vënë në dyshim besueshmërinë e opinionit në një televizion gjigant publik, i cili detyrohet të paguajë tagret e të punësuarve diletantë që njeriun normal e bën të pyetet: përse duhet të ndajë mjete të detyrueshme për një medium i cili në vend se të informojë në mënyrë të drejtë e të paanshme, dezinformon dhe sjell huti të mëdha ne mësin e dëgjuesve, shikuesve dhe lexuesve të tij?
Parë nga ky prizëm nuk është fare për t’u befasuar me akuzat e NDR-së ndaj kompanisë ECOLOG, ndaj familjes Destani dhe tërthorazi ndaj gjithë kombit shqiptar... dhe aleatit të tij më të madh NATO-s që ndihmoi shqiptarët pas masakrave dhe deportimeve të përmasave biblike nga vatrat e tyre shekullore. A thua e tëra mund të jetë e rastësishme apo prapa “gazetarit” të NDR-së qëndron një punëdhënës i padukshëm që synon të diskreditojë shumë më tepër se një kompani të suksesshme që udhëhiqet nga një familje humane dhe e pastër në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Për hir të së vërtetës duhet ta njoftojmë publikun lexues me disa nga raportet e mediave gjermane më në zë, si DER SPIEGEL, STERN, FOCUS, DIE WELT..., të cilat katërcipërisht shpërfaqin seriozitetin e munguar të NDR-së dhe mbërthimin e saj në një seri të tërë aferash, nga të cilat sigurisht do të dalë humbëse shumë e madhe.
DER SPIEGEL, bie fjala, shkruan për hetimet e prokurorisë së Kieli-it të hapura kundër bashkëpunëtorëve të NDR-së, përkatësisht kundër skandaleve të lidhura me marrje parashë nga më shumë firma për futje të paligjshme në program dhe blerje/sigurim antiligjor të kohës emetuese. I dyshuar për korrupsion është dhe një person përgjegjës i grupit dhe dy të fajësuar të tjerë nga rrethi i bashkëpunëtorëve të NDR-së, për çka janë bastisur shumë hapësira private dhe zyra pune...
STERN, nga ana tjetër, raporton për suspendimin nga puna të shefes së filmit televiziv - Doris J. Heinze, për shkak të shumë skenarëve të porositur nga NDR-ja, të punuar jashtëligjshëm nga bashkëshorti i saj dhe të nënshkruar me pseudonimin Nikolas Becker. “Ky fakt është i pakontestueshëm në katër raste”, ka deklaruar avokati nga Hamburgu Gerd Benoit, duke qenë se nga 2001 deri në vitin 2009 burri i saj kishte dorëzuar pesë porosi për skenarë diskutabilë filmash televizivë.
Po për këtë “sjellje të pandershme” raporton dhe gazeta e njohur SZ, duke cituar avokatin Benoit, i cili veprimin kundërligjor e quan “besëshkelje”.
FOCUS gjithashtu flet për nepotizëm brenda NDR-së, duke akuzuar paudhësitë dhe matrapazllëqet e udhëheqëses/përgjegjëses për sektorin e filmit televiziv - zonjën Heinze.
Skandali në fjalë inicoi një “kontroll intensiv” edhe nga “Süddeutsche Zeitung”, kurse DIE WELT raporton për „zhgënjimin e madh njerëzor“ të kryetarit të ARD-së Peter Boudgoust, i cili e dënoi ashpër sjelljen e shefes së suspenduar të filmave televizivë, duke shprehur befasinë për metoda të tilla sfrutimesh nga një bashkëpunëtore shumëvjeçare e NDR-së, për „gjendjet e paqarta faktike“ dhe “energjitë e larta kriminale”...
Ec e besoji tani një mediumi si NDR-ja që për bashkëpunëtorë dhe shefa dikasteresh të rëndësishëm ka një armatë të tërë njerëzish të ndjekur këmba-këmbës nga ligji, element ky i bollshëm që njeriun normal e bën të dyshojë se janë në pyetje “profesionistë” që në vend të informimit të drejtë e të paanshëm, kanë vënë prioritetin e firmave konkurente të ECOLOG-ut dhe parave të pista me prejardhje të ngatëruar si udhët e dreqit...
Epilogu i shpifjeve të Christoph Heinzle ndaj kompanisë ECOLOG
Fatmirësisht, pas serisë së furishme të shpifjeve qëllimkëqia të “gazetarit” Christoph Heinzle ndaj kompanisë ECOLOG – të njohur si ofruese shërbimesh për forcat luftarake të NATO-s në regjione krizash, NDR-së i kërcënohet një dëmshpërblim prej disa milionë eurosh, sepse Gjykata e Landit të Hamburgut tani më e ka lëshuar vendimin e përkohshëm kundër saj. Shkak për këtë vendim natyrisht janë njollosjet krejtësisht të pabaza dhe tendencioze të kësaj shtëpie të madhe mediale, sipas së cilës kompania ECOLOG i paska keqpërdorur punët për ISAF-in në Afganistan me veprime ilegale dhe me kontrabanda drogash... Gjithnjë duke i besuar “gazetarisë hulumtuese” dhe rrenave të Christoph Heinzle, NDR-ja ka raportuar madje për gjurmë bëmash kriminogjene të familjes së themeluesit të Ecologut.
Për epilogun gjyqësor të Hamburgut, Thomas Wachowitz, njëri prej udhëheqësve afaristë të ECOLOG-ut, deklaron: “Akuzat janë të gjitha të pa baza dhe pa asnjë substancë. Ne edhe njëherë i kemi dhënë sërish mundësi NDR-së, të ketë qasje gjithpërfshirëse në aktivitetet dhe strukturat tona, për të pasur një pasqyrë të plotë për rrjedhat e brendshme dhe të jashtme të ndërmarrjes. Kjo nuk është shfrytëzuar. Në vend të kësaj NDR-ja ka shpërndarë akuza të pabaza dhe i ka bërë dëm autoritetit të ndërmarrjes sonë.”
Natyrisht, për shkak të mundësisë së një dënimi shumë të lartë dhe një diskreditimi afatgjatë, NDR-ja tenton ta minimizojë vendimin e Gjyqit të Landit të Hamburgut, por duke qenë se nuk bëhet fjalë për një gjyq mesjete, po për gjyqësinë serioze të shtetit gjerman, shtëpia mediale rrezikon ta ngatërrojë veten në rrjete shumë më të kushtueshme dëmshpërblimesh nga të cilat kompania ECOLOG nuk e ka ndërmend të heqë dorë, sepse i është cënuar imazhi në shumë dimensione.
Këto janë gjëra epilogu i të cilave do të kuptohet së shpejti dhe do të jetë sigurisht në favor të kompanisë së mirënjohur shqiptare. Me rëndësi është së Gjykata e Landit të Hamburgut ia ndalon NDR-së raportimin kritikues dhe e detyron të tërheqë urgjentisht akuzat e pabaza mediale në dëm të ECOLOG-ut. Me aktin e saj nr. 234 O 94 10, vendimi i 5 marsit 2010, ajo ia ndaloi NDR-së të përsërisë shpifjet e “gazetarit” të saj për dyshimet lidhur me përzierjen e imagjinuar të familjes së themeluesit të kompanisë ECOLOG në “krim të organizuar”, në gjoja marrjen e punëve pa tendere të rregullta nga Ushtria Gjermane dhe shumë shpifje të tjera që gjyqi ia dogji një për një.
Vendimi gjyqësor është i një rënedësie të madhe jo vetëm për ECOLOG-un, po edhe për ne shqiptarët, sepse përmes dëmtimit të imazhit të kësaj kompanie grandioze që ushqen me bukën e gojës mijëra shqiptarë dhe mijëra të punësuar të tjerë anembanë globit dhe që i sjell fitime të mëdha shtetit gjerman dhe jo vetëm atij..., dëmtohet djallëzisht dhe qenia jonë kolektive. Ç’domethënie tjetër mund t’i japë një kokë normale tendencave për gjoja punët e papastra të ECOLOG-ut gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, të cilën e përkrahu gjithë bota përparimtare gati pa asnjë përjashtim të vetëm, hiq shtetet satrape që akoma udhëhiqen nga diktatorë njëmendësishë? A mund ta gëlltisim këtë me kollajllëkun e ngrënies së një sheqerke? Natyrisht: JO! Prandaj na gëzon pa masë drejtësia e gjyqësisë gjermane e cila ka aftësinë të disiplinojë vërshimet e energjive negative, që çuditërisht janë në vijën e tendencave denigruese, mohuese e poshtëruese të gjithë etnisë sonë dhe në unison me korrin e orientuar anti vlerave civilizuese perëndimore, të cilave pa asnjë dyshim u takojmë dhe ne shqiptarët, si pinjollë të njërit prej kombeve më të veçantë indoevropianë.