E merkure, 30.04.2025, 10:05 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Islami: Edhe një herë rreth ''Standardit të Megj(xh)uanit dhe disa megj(xh)uanëve të tjerë

E shtune, 10.04.2010, 09:59 PM


EDHE NJË HERË RRETH  „STANDARDIT“ TË MEGJ(XH)UANIT DHE DISA MEGJ(XH)UANËVE  TË TJERË

 

Nga Sami ISLAMI

 

Debati për standardin, në disa qarqe dhe nga disa njerëz , çuditërisht është bërë  temë tabu. Disa po thonë: Nuk bën të preket standardi 1972! Është vendosur një herë  standardi! Standardi 1972 është i pacenueshëm! Standardin 1972 e bëri Enver  Hoxha. Këta „disa“, fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve, as nuk e dinë saktë se ç’është standardi gjuhësor por marrin guximin të flasin për të.

 

Kjo temë tabu ka shkuar deri atje sa, siç thamë,  sapo ta zësh në gojë standardin nga këta njerëz menjëherë do të trajtohesh si „antikombëtar“, si njeri me qëllime të dyshmita, me synime për të krijuar  ndonjë „identitet“ tjetër e ku di unë se  çfarë. 

Një palo “gjuhëtar” i tillë, i cili, fatkeqësisht, as emrin e vet nuk di ta shkruajë si duhet,  dmth. sipas rregullave të vitit 1972, ngaqë në vend se ta shkruajë Mexhuan, pra me “xh”, ai e shkruan Megjuan, me  “gj” del dhe mban  leksione! Ai në shkrimin e tij kundër meje i dha vetes të drejtë të më tregonte   se kush ishte, madje,  edhe Enver Hoxha, sikur unë s’paskam dëgjuar kurrë për të,  që sipas tij, ai e paska bërë,  mrekullisht, edhe  vetë gjuhën standarde 1972! Dhe e dyta, ky zotëri, del në rolin e “gjuhëtarit” dhe merr guximin  që të flasë  për gjuhën. Dhe ja ku e kemi  „gjuhëtarin“ R. Mexhuani, i cili i paska botuar shkrimet e tij në tri gazeta të Shqipërisë! Pra, edhe njëherë, lexoni o popull, në TRI GAZETA! Aferim ju qoftë  z. Mexhuani, se për të botuar shkrime  në tri gazeta të Shqipërisë, vërtetë është punë shumë e madhe! Namin të madh  paske bërë! Unë megjithëse i kam thënë një herë se çfarë mendoj për të, në reagimin tim të parë,  duke marrë parasysh se  ky zotëri e ka marrë me yrysh këtë punë,  më duhet  t’ia them disa fjalë edhe kësaj here.

 

Përsa i takon Enver  Hoxhës, më duhet t’ ju them zotëri  se ju qenkeni duke jetuar në Mars apo në ndonjë planet tjetër! Prek pak përtokë zotëri! Nëse do që të bindesh se kush ishte E. Hoxha shko në Tiranë ose gjetiu nëpër Shqipëri dhe bisedo me njerëz dhe ata, sigurisht, do t’ju  tregojnë. Ose, në daç,  kërko në arkivat e shtetit dhe do të shohësh se kush ishte ai. Nga bindja e juaj që keni për  Enverin sigurisht del se, ju zotëri, s’paskeni lëvizur kurrë prej Prishtinës, si duket,  dhe se  t’u paskan ndalur akrepat e orës suaj nja 30-40 vjet prapa!  Ju thoni se ai (E. Hoxha) qenka shpallur „personalitet i vitit 1999!“ Mirë! Po ju nuk e thatë se kush e shpalli “personalitet të vitit 1999?“ A e shpallën bashkëpunëtorët e tij apo populli? Nëse e paskësh shpallur populli, ashtu siç thoni ju, atëherë kush ia rrëzoi përmendoren 10 metra të gjatë  Enverit? Bashkëpunëtorët e tij apo ata miliona shqiptarë, të cilëve Enveri iu paska bërë vetëm të  „mira“?! Përse pas rrëzimit të komunizmit ata shqiptarë që i „ngritën“ përmendore, pra ia shkatërruan atë dhe shkatërruan krejt çfarë ishte komuniste? Këndellu zotëri se po me duket që ende qenke në gjumë të thellë dhe të paska dehur propaganda enveriste dhe, fatkeqësisht, kjo dehje – për dallim prej shumicës - qenka duke të mbajtur me dekada! Kisha pasur shumë dëshirë që ju t‘ju kisha parë në Shqipëri në kohën e tij!  Dhe kur të kishte ngopur mirë  me burg mirë ai,  Enveri yt i math, atëherë, sigurisht, do të kishe folur ndyshe për të. Megjithëse, nëse do të haje burg, prapë do të kishe qenë më me fat se 920 të ekzekutuarit nga Kosova nga regjimi i Enverit të madh.

 

Megjithatë, unë pajtohem me ju, se shumëkund diktatorët shpallen “personalitete” , por jo nga populli. Ata shpallen personalitete nga ithtarë të klikës së tyre, ose shpallen vetë!  E  populli i ngratë, nga frika,  s’di çfarë të bëjë më me ta! T’i rrëzojë nuk mundet sepse ata paraprakisht krijojnë pushtet të hekurt, si Enveri yt  dhe çfarë të bëjë  atëherë, pos t’i “përkrahë” këto “personalite“! Populli i  ngre ata lart nga frika, siç thamë, deri atje sa më në fund (kur regjimi i tyre bie), nga ajo lartësi që i ngre,  i hedh përtokë dhe i bën copë-copë, siç e hodhën idolin tënd.

 

Edhe dhënia e çmimeve “të larta” diktatorëve është e njëjta gjë zotëri. Enveri çmimet e larta i ka “merituar”, në mos për asgjë tjetër, atëherë për krimet e tij që i ka bërë mbi popullin e vet,  duke marrë mësim prej mësuesit të tij të devotshëm, Stalinit. Bile ju, z. Mexhuani, duhet ta mbani në mend edhe diktatorin tjetër “të moderuar”, Titon e ish Jugosllavisë! Edhe atë, “populli”  e shpalli një herë hero, dy herë hero, tri herë hero… Populli i shkretë do ta shpallte edhe shumë herë të tjera hero, pafundësisht hero, por ai ‚fatkeqësisht‘ vdiq. Kjo është, pak a shumë, njësoj si me shpalljen “personalitet të vitit” të diktatorit Hoxha apo jo? Bile disa ithtarë të tij  që e shpallën “personalitet”, fatkeqësisht  i ke edhe sot në funksione partiake e shtetërore atje. Ata që kanë gëzuar privilegje në kohën e tij. I ke edhe sot gjykatës e prokurorë, të cilët nën regjimin e E. Hoxhës kanë prerë  dhe kanë grirë  si dorë e zgjatur të tij! Disa nga këta qenë që firmosën (dy vjet para se të binte komunizmi) të ekzekutohej me varje edhe poeti i madh demokrat  Havzi Nela  në Kukës, vetëm pse mendonte ndryshe! Poeti i ekzekutuar nga politika enveriste qëndroi tri ditë i varur në mes të qytetit! Dhe kjo nuk ndodhi në kohën e Ali Pashë Tepelenës, as në kohë të sulltanëve, por në fund të shekullit XX, para se të jepte shpirt regjimi komunist. Nëse nuk e di kush ishin ata intetresohu se ndoshta edhe i gjen.

 

Unë po ju them z. Mexhuani se ju po reagoni për diçka që nuk ekziston. Sigurisht, duke dashur që të shpifni! Ju po thoni: “Reagim ndaj gegërishtës së Sami  Islamit dhe disave”! (prapë gabim z. Mexhuani,  nuk thuhet  “gegërishtës”, por “gegërishtes”). U lodha duke ju treguar si shkruhet (se këtë vërejtje ua kam bërë edhe në shkrimin tim të parë) po ju paskeni probleme me të mbajturit mend, si duket. Nëse e keni lexuar dhe nëse e keni kuptuar mirë shkrimin tim të parë, do të kishit vërejtur se unë nuk jam kundër i një standardi gjuhësor për shqipen. Unë jam për një hapje të debatit për rishikimin e tij dhe kodifikimin e një standardi edhe më të mirë, edhe më të përshtatshëm për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ashtu sikur që janë të angazhuar edhe të gjithë të intervistuarit në librin e  z. Gashi. Që të gjithë ata janë gjuhëtarë me profesion. Gjysma janë nga Kosova e gjysma nga Shqipëria e 1913-s! Pra, një debat i një Shqipërie Natyrale! Dhe ata flasin për nevojë e domosdoshme të rishikimit të standardit 1972! Nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për shkak të këtyre ‚mexhuanëve‘ që e shkruajnë shqipen si mos më keq. 

 

Ju pastaj shpreheni se „gegërishtja qenka e Sami  Islamit“! Ju nuk qenkeni në tokë të bukës, zotëri! Ju duhet ta dini se gegërishtja është një dialekt i gjuhës shqipe që flitet nga rreth 65% - 70% e shqiptarëve. Gegërishtja është e jona! Ashtu sikur që është edhe toskërishtja! Edhe ju, sipas asaj si shkruani  pa dyshim e flisni gegërishten më mirë se gjuhën standarde 1972? Pra siç po e shihni nuk është gegërishtja vetëm imja dhe e nja 10 të tjerëve, siç po thoni ju, po është e më shumë se gjysmës së kombit shqiptar! Po ne nuk po flasim për gegërishte, as për toskërishte. Ne po flasim për një gjuhë standarde gjithëkombëtare, pra për një standard, i cili deshët apo s’deshët ju (dhe disa fanatikë të sojit tuaj) një ditë do të bëhet. Sepse standardi i të gjithëve, për të gjithë, është nevojë dhe jo luks.

 

Ju pastaj më akuzoni mua, se unë dhe nja 10 të tjerë qenkemi “kundër” standardit 1972! Ju duhet ta kuptoni një gjë zotëri (edhe këtë jua kam thënë edhe në shkrimin tim të parë) se as unë e as ata që qenë të intervistuar nga  Shkëlzen Gashi, nuk janë kundër një standardi të shqipes. As unë e as ata  nuk janë të asaj ideje çfarë thotë Migjen kelmendi e disa të tjerë. Dhe  ju kot  më përzieni mua me të,  sa herë po e hapni  gojën, zotëri!  Asnjë nga të intervistuarit, e as unë, nuk kemi thënë se ne po kërkojmë një „gjuhë kosovare“, e as  “identitet kosovar”. Unë dhe të gjithë të intervistuarit jemi për një standard gjithëkombëtar. Por  të gjithë të intervistuarit, pra edhe unë, jemi për një rishikim të standardit 1972. Jemi për një debat, për ta shikuar se çfarë mund dhe duhet të ndryshohet. Por ju, zotëri, dhe disa si ju (përfshirë edhe ata nga lista që nuk deshën të intervistohen ndoshta) po përpiqeni ta bllokoni këtë proces për arsye të ndryshme. Për mua kjo është krejt e pakuptimtë!

 

Nga mënyra se si shkruani ju më jepni të kuptoj se ju problemin e gjuhës standarde  e shtroni në raportin pronar dhe shegërt. Për ju “pronarë” të gjuhës, pra edhe të standardit 1972, janë ata që nuk paskan “pranuar” të intervistohen, profesorët e universitetit, akademikët, apo ndonjë intelektual tjetër, pra njerëz me poste akademike! Kurse këta që po kërkojnë të rishikohet standardi janë të një katagorie të „dytë“. Janë „antikombëtarë“. Kjo qasje është gabim zotëri. I njoh të gjithë ata zotërinj, ndoshta më mirë se ju! Po ky nuk është argument që “nëse këta zotërinj  nuk kanë dashur, apo nuk duan të flasin për standardin 1972”, askush tjetër nuk bën të inicojë një gjë të tillë! Pse ata nuk kanë dashur të intervistohen është punë e tyre. Po gjuha standarde nuk është pronë as e profesorëve që ju i citoni e as e atyre që ju i kundërshtoni. Gjuha është e të gjithëve! A po e shihni pra, ajo është  edhe e juaja, përderisa  ju ka dalë rendi edhe juve të flisni për të dhe të hyni në debat pa pasur as  idenë më elementare për këto probleme! Por kjo është krejt normale për një enverist tipik. Sepse të tillët si ju dinë gjithçka dhe janë kompetentë për gjithçka.  Vetë fakti që në listën e atyre që mohuan të intervistohen hyjnë edhe shegërtët‘ e standardit 1972 edhe vetë M. Kelmendi a nuk tregon se kemi të bëjmë me dy skaje të të njëjtit ekstremizëm? Mendoni e gjykoni vetë!  

 

Unë ju thashë zotëri se  Selman Riza ishte i pranishëm në sallë ku mbahej  Kongresi i Drejtshkrimit. Po ju nuk po besoni! Nejse.  Kjo është puna juaj. Po një gjuhëtar i përmasave evropiane, i cili tërë jetën ia ka kushtuar standardizimit të shqipes, të rrijë ulur në sallë dhe  mos ta ketë të drejtën e fjalës (për arsye politike) në kohën kur  kanë folur  komisarë koperativash dhe disa mësues katundesh, të  nivelive të mjera   është njësoj sikur në një spital,  specialisti më i përatitur për operacione të mos ketë të drejtë të bëjë operacionin por të mbajë peshqirin, sigurisht ngase nuk pajtohet politikisht me sistemin, dhe punën e specialistit ta bëjnë infermierët! Kjo është ajo që ndodhi, në njëfarë mënyre edhe    Kongresin e Drejtshkrimit. Dhe jo vetëm S. Riza. Edhe Eqrem Çabej u ekskomunikua në mënyrë më të ndytë duke shkruar kundër tij fletërrufe, në stilin idiotik kinez, më 1968. Pra, terreni u pastrua dhe u përgatit për bukuri. (lexo artikullin e së bijës së Prof. Çabejtë në: http://www.facebook.com/notes/eqrem-cabej/fleterrufete-mbi-eqrem-cabejn/204061430532 dhe mbi përndjekjet dhe pogromin komunist të intelektualëve lexo edhe http://vargmal.org/dan4963). Rrjedhimisht edhe pasojat erdhën mu nga ky kongres, sespe më shumë se gjuhësor ky Kongres ishte politik. Ndërsa tani, kur disa të rinj, të cilët janë gjuhëtarë, flasin për problemet e gjuhës hapur, ju mbështeteni te kompetentët dhe profesorët!

Një punë shumë të madhe keni „bërë“ zotëri që m’i keni kujtuar se kush mori pjesë në kongres! Po ç’janë këto budallallëqe! Unë e di kush ka marrë pjesë në kongres, po unë e shtova pyetjen, zotërote, pse nuk morën pjesë Camaj, Repishti dhe Pipa? A është argument të thoni se „ata kanë qenë të burgosur“ (por nuk e thoni nga kush ishin të burgosur dhe pse ishin të burgosur?) dhe se „nuk kanë jetuar në Shqipëri?“ Sipas jush  Camaj paska qenë në Romë (Itali), Repishti e Pipa në Amerikë ... prandaj nuk paskan të drejtë të flasin për shqipen e të marrin pjesë në kongres!  Mirë, ishit po ju që thatë se Josif Ferrari ishte nga Bari, pra ishte arbëresh i Italisë dhe ai u ftua nga Italia! As ky nuk ka jetuar në Shqipëri! Plot gjuhëtarë u ftuan nga Kosova dhe shkuan. Disa gjuhëtarë që u ftuan qenë nga Maqedonia. Edhe ata shkuan. A s’paska pasur mundësi të ftohej edhe Camaj? A nuk u ftua Camaj në kongres për arsye se kishte studiuar në Beograd apo ngaqë kishte shkuar në Romë, apo për arsye se ai ishte kundër politikës enveriste? A paska qenë pra kongresi politik apo jo dhe jo gjuhësor. A janë këto argumente të mjaftueshme për ju që rishqyrtimi gjuhësor është i domosdoshëm?

Ju thoni se  A. Pipa ka qenë në burgjet dhe kampet e Shqipërisë. Pse? A paska vrarë njerëz ai? A ishte kriminel? Po nëse është gjuhëtar, edhe kundërshtar politik qoftë, ai duhet të ftohet, të dëgjohet se është ekspert i gjuhës, e jo i politikës, i cili sigurisht do t’i kishte kontribuar këtij standardi 1972 apo jo? Këtë nuk e thoni. Pra, harroni të thoni të vërtetën lakuriqe: aty nuk u ftua asnjë studiues për të cilin dihej paraprakisht që do të mund të dilte kundër vendimeve tashmë të përgatitura të Kongresit 1972, kundër përjashtimit gati të plotë të gegërishtes dhe varrimin e saj. Rishqyrtimi i standardit 1972 duhet të ndodhë, nëse për asgjë tjetër, për zhveshjen nga petku diktatorial e politik dhe veshjen me rregulla gjuhësore sa më gjithëpërfshirëse të cilat do ta bënin shqipen më të fuqishme, më të pasur e më të pranueshmë për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

 

Ajo që është më e papranueshme në këtë debat, gjithsesi, është fakti që z. Mexhuani nuk mund të japë, qoftë edhe një citat që në atë libër të jetë zënë në gojë, të jetë shkruar termi ‚komb kosovar‘. Pra, pse atëherë z. Mexhuani nuk e heq nga goja këtë? Sepse dëshiron të shpifë! Asnjë nga intervistuesit nuk thotë që të hiqet të hiqet standardi 1972 dhe të krijohet një gjuhë standarde për Kosovën. Apo, që gegërishtja t’i imponohet toskëve, sikurse toskërishtja që iu imponua gegëve. Jo! Nuk jemi duke jetuar më në diktatura. Mund të flasim lirisht për të gjitha opsionet, dhe në tregun e ideve dhe projekteve, le të fitojë ajo që është më e mira. Por ky është një koncept i pakuptueshëm për z. Mexhuani dhe për bashkëmendimtarë të tij sepse ata janë mësuar të ushqehen me ‚mësimet‘ e nënës Parti dhe jo të mendojnë edhe me kokën e tyre. 

 

Dhe margaritari i fundit, që tregon nivelin dhe qëllimin e vërtetë të z. Mexhuani është pjesa ku ai citon Selman Rizën.

 

Mexhuani shkruan: ‚S.Riza më 1936 shkruan; ...të ngrehim njërin dialekt në lartësinë e një gjuhe shkrimi të përbashkët dhe të lëmë tjetrin jashtë përdorimit zyrtar, shkollor dhe letrar, kështu që të prapset dita ditës, të zhduket dalngadal, ...teza gjuhësore e S.Rizës më 1944 ishte siç e quan ai vetë një gegënishte e re pan (gegnishtja e themelueme prej meje). Në Shkodër ekzistonin dy ''shkolla'' ortografike; ajo e botimeve franqeskane dhe ajo e botimeve jezuite. Këtyre drejtshkrimeve erdhi e iu shtua edhe ajo e ashtuquajtura orthografi e pan/gegnishtës letrare (shpikur nga S.Riza.’

 

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kjo është një gënjeshtër e kulluar, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm soji i Mexhuanëve.

 

Ky shkrim, është e saktë, është shkruar më 1936 por e vërteta është krejt ndryshe. Më 1936 disa gegë të verbër, (ashtu sikurse më 1972, disa toskë të verbër), pasi elbasanishtja tashmë ishte bërë gjuhë standarde e shtetit të atëhershëm shqiptar filluan të shihnin përdorimin e toskërishtes si veprimtari ‚antikombëtare‘, pikërisht ashtu si e shohin sot disa toskë (e edhe disa gegë) përdorimin e gegërishtes në shkrim nga disa intelektualë si ‚antikombëtar‘. Dhe Selman Riza duke qenë vetë gegë, me këtë artikull të shkruar në toskërishte të kulluar, ngriti zërin dhe MBROJTI me zjarr toskërishten, jo për ta bërë standard për të gjithë shqipen por për ta mbrojtur nga ndalimi që donin t’i bënin disa gegë ‚superpatriotë‘. Dhe citati i pashtrembëruar dhe i pafalsifikuar (në stilin e retushimeve enveriste) nga Mexhuani është një listë ku Riza dëshiron ta bëjë të qartë pasyrën e problemeve të gjuhës shqipe dhe MUNDËSITË e zgjidhjes i përmbledh në tri mënyra.  Pra, për të mbënjanuar dualismën t’onë dialektale, kemi vetëm tri mënyra thotë ai:

 

1. Të ngrehim njërin dialekt në lartësinë e një gjuhe shkrimi të përbashktë dhe ta lëmë tjatrin jashtë përdorimit zyrtar, shkollor dhe letrar, kështu që të prapset dita ditës, të zhduket dalngadalë, në saje të përhapjes s’arsimit botor dhe të letrësisë kombëtare.

 

2. Të gatuajmë bashk një idiomë eklektike nga brumi i dy kryedialektevet.

 

3. Të privilegjojmë një nëndialekt, për hir të një shituate gjeografikisht të mesëme, së cilës besojmë që ay t’i detyrojë një analogji bipolare me dy kryedialketet fëqinj.‘

 

S. Riza, Vepra 1, AShAK, fq. 221.  

 

Pra, ai jep LISTËN dhe jo PAJTIMIN me pikën e parë si dëshiron të manipulojë z. Mexhuani. Me cilën pikë pajtohet S. Riza, pra?

 

Le ta citojmë prapë vetë S. Rizën, sepse ai e thotë këtë më së miri:

 

‚Për hatër të një begatie idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografie më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem – për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomie të njëllojshëme dhe të një homogjeniteti në cipët – nuk munt veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëve dhe të mbrothësisë së publikut tosk, toskërishteja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do t’a kemi me dy kryedialekte.‘ S. Riza, Vepra 1, AShAK, fq. 222

 

Pra, Selman Riza mbron toskërishten si askush që të mos zhduket dhe ‚të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor‘. As dje, as sot, fatkeqësisht, nuk doli një Selman Rizë toskë që të mbronte gegërishten me po kaq zjarr e vendosmëri sikurse që bëri S. Riza.

 

Dhe një tjetër margaritar nga mbrojtja që S. Riza i bën toskërishtes, si dialekt,  dhe idesë se kush e sheh si rrezik praninë e dy kryedialekteve:

 

‚Lipset të jetë njeriu një pus paditurije ase një pellg paragjykimesh për të pretenduar se ka një gjuhë toskërisht dhe një gjuhë gegërisht. Vetëm në imagjinatën e alarmuar të disa superpatriotëve, dualisma ynë dialektale ka qënë ngritur në lartësinë e një rreziku kombëtar, ka marrë thuajse surratin kërcënonjës të një gogoli separatist.Kurse mëndja e shëndoshë t‘a thot, edhe m’i përcipti shqyrtim t’a provon, albanologët e huaj, për të cilët njësia politike e atdheut t’ënë ka më se të ngjarë të jetë më e vogla e gajleravet, t’a vërtetojnë se ka një të vetëme gjuhë shqipe në botë me toskërishten dhe gegërishten si kryedialekte.‘ S. Riza, Vepra 1, AShAK, fq. 218.



(Vota: 6 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx