E merkure, 30.04.2025, 12:59 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Vuniqi: Më 10 Shkurt 2007 u përgjak toka shqiptare e Kosovës dhe u ngulfat demokracia..

E enjte, 08.04.2010, 08:38 PM


Më 10 Shkurt 2007 u përgjak toka shqiptare e Kosovës dhe u ngulfat demokracia, ndodhi krimi, ndërsa sot thuhet se nuk duhet të pengohet drejtësia; kush pësoi ata që vranë apo ata që u vranë, a duhet të gjykohen vrasësit apo viktimat, kjo është mëdyshja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës...!?

 

Ju "ruajtës" të objekteve të betonit, le t'ju merr mordja dhe mallkimi i rinisë shqiptare

 

Dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini, 1972, nga Prishtina dhe Man Balaj, 1976, i lindur në Besianë, u qoftë hallal tambli i të gjitha nënave shqiptare, e ju prindër e familjarë pranoni ngushllimet më njerëzore e më të sinqerta për humbjen e më të afërmve tuaj, që nga sot janë të gjithë neve, të çdo shqiptari që e ndjen dhimbjen me ju

 

Nga Agim Vuniqi, SHBA

 

Radio Kosova që nga mëngjesi emtitonte programin e saj të larmishëm, përmbushej skema programore, e përcaktuar si çdo ditë të zakonshme. Si zakonisht këngë, muzikë, tallava e gjithëfarë. Në skemën programore edhe emisioni përshëndetje dhe urime i shoqëruar me këngë dhe muzkë shqipe, e pabesueshme, dhe shumë jo njerëzore. Në Kosovë nuk kishte ndodhur gjë..?! Plumbat e gomës por edhe dhuna shtazarake e policëve kishte shkurtuar jetën e dy personave shqiptarë, dy "prishës" të rendit e qetësisë sipas Grupit të Unitetit, se po të ishin serbë-të zgjedhurit e tyre (kështu ndërtoni karierën) do të plaste hataja, bota do të alarmohej, mbledhje të shumta do të mbaheshin, udhëheqja serbe do të reagonte në kor më atë të Rusisë, por edhe shumë vende perëndimore do t'i qortonin shqiptarët, shumëherë të rrahur nga ndërkombëtarët dhe nga vendorët, të vrarë më heret nga policia komuniste tash nga kjo "demokratike" ! Rikthehen ngjarjet me një shpejtësi marramendëse, demonstratat e vitit 1968, shumë të rinjë të grumbulluar para teatrit, atëherë, tash i emëruar sheshi i Skënderbeut. Turmë e madhe njerëzish, shkollarë të shumtë, punëtorë, pensionist, protestonin për më shumë të drejta, protestonin për drejtësi dhe për liri. Kronika e kohës shënonte se kishte rënë dëshmorë Murat Mehmeti, dëshmori i lirisë (nëna e tij ruante të byllura në sandëk rrobet e tij gjakosura), në atë gjuajtën nga ballkoni i një ndërtese. Demonstratë disa ditëshe, përleshje e policisë dhe demonstruesve, Kosova ishte hijerëndë dhe e zymtë, që nga ajo kohë u regjistruan shumë persona të vrarë, të masakruar, e shumë sish edhe sot të pagjetur! Më 10 shkurt ndodhi diçka shumë më e rëndë dhe më tronditëse, ndodhi krimi institucional i plumbit "demokratik", ndodhi krimi, u vranë dy shqiptarë, shumë të tjerë u plagosën, u burgos edhe lideri i pranverës studentore Albin Kurti, i cili para një dekade së bashku me ish ektorin e Univerzitetit të Kosovës të ndjerin Prof.dr. Ejup Statovcin marshonin duerthatë kundër policisë serbe. Ajo demonstratë tuboi shumë njerëz, të të gjitha shtresave, dhe mu ajo demonstratë masovizoi radhët e luftarëve të rinisë, pjesa dërmuese e studentëve ngjeshën radhët e UÇK-së, duke shembur murin e heshtjes dhe vetëmashtrimit. Lideri i demonstratës Albin Kurti, përbuzi gjykatën dhe sfidoi tërë pushtetin kriminel të Millosheviqit duke i emëruar vetëm me një emër fashistë, dhe Albini flokëgjatë deklaroi demonstrativisht se nuk pranon atë gjykatë. Po i njëjti Albin sot është burgosur, atë e burgosën policët e GU-së, ata që sot u pajtuan me krimin duke shkelur me të dy këmbët në rininë shqiptare. Si nuk reagoi kështu GU kur u vra polici shqiptar, në afërsi të Vushtrrisë. Dhe si ndodhi që i dyshuari kryesor shkoi në Beograd dhe u pritë nga kryetari dhe kryeministri i Serbisë. I tërë aparati institucional ishte në gjunjë para një personi që u mor në pyetje si i dyshuar. U mbyllë kaptina e zbardhjes së krimit, mbërtheu pullat e uniformës policore koloneli Sheremet Ahmeti, i cili kishte hequr të zitë e ullirit të aranzhonte një bisedë telefonike me Oliver Ivanoqin. E ministri i gjorë i punëve të brendshme ishte në hall si ta shtërngoi kraatën e lidhur nyje rreth qafes të dukej se është në nivel të detyrës. Po këta mjeranë të gjorë "korbë të zi" të "demokracisë", mbajnë pozitat edhe sot, edhe nesër..., por ata janë personat përgjegjës sipas zingjirit institucional që urdhëruan krimin e 10 shkurtit. Ku është morali njerëzor, ku është dinjiteti, dhe kujt i shërbeni ju korbëzi? Ju nuk keni zemër, jeni shumë të pamoralshëm, ngase veprimi i parë që është dashur ta bëni do të ishte dorëheqja e menjëhershme, për asgjë tjetër, për faktin se u vranë dy shqiptarë. Nuk e keni të qartë se Albini sonte duhet të ishte në ngushllime në familjet e personave të vrarë nga fishekët tuaj të "gomës", jo kryeministri që ngushllon në emër të GU-së, në emër të cilit unitet? Zotëri duhet të kuptoni më 10 shkurt ndodhi krimi, dhe përgjegjës jeni ju, nëse jo tash, do të përgjigjeni gjithësesi, atëherë kur në Kosovë do të vendosen institucionet e njëmendëta demokratike, do të përgjigjeni për mashtrimin, krimin, korrupcionin, do të përgjigjeni për gjakun e derdhur në Pishtinë më 10 shkurt. Dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini, 1972, nga Prishtina dhe Man Balaj, 1976, i lindur në Besianë, u qoftë hallal tambli i të gjitha nënave shqiptare, e ju prindër e famijarë pranoni ngushllimet më njerëzore e më të sinqerta për humbjen e më të afërmve tuaj, që nga sot janë të gjithë neve, të çdo shqiptari që e ndjen dhimbjen, e ju "ruajtës" të objekteve të betonit, le t'ju merr mordja dhe mallkimi i rinisë shqiptare.

 

_______________

 

Rikujtim për ngjarjen e 10 shkurtit 2007 që ia falën Kosovës dy dëshmorë të demokracisë popullore Arben Xheladini e Mon Balaj

Kur në shoqëri mungon dialogu..!

 

Shkruan: Agim Vuniqi, Farmington Hills

“Na e vran` e na e shanë” ( Elegji për Luigj Gurakuqin 1925, Noli)

 

Zotërinjë, ju që bëni hesape, sa u kushtuan tagërpaguesëve këto demonstrata? Keni përgatitur raportin financiar të debatohet në parlament? Fatkeqësisht qytetarëve që ju paguajnë u kushtojë shumë shtrenjtë, dy jetëra të humbura, shumë plagosje dhe gjëma e të rinjëve shqiptarë

 

Dhembja ka pllakosur Prishtinën, Kosovën, diasporën, të gjithë shqiptarët, dy jetëra u ndan nga ne. E si të mos e bashkëndiejmë këtë dhimbje, shumë thjeshtë dhe njerëzisht. Shtypi, analistët merren me profecitë e tyre, si zakonisht, duke kërkuar fajtorin, demonstruesit e pa armatosur apo policinë e armatosur deri në dhëmbë. Të parët u shtynë fizikisht me policinë, dhe “atakuan” institucionet e “shenjta”, të dytët përdorën rekuizita luftarake, plumba gome dhe plastike, të mos përmendim shufrat e gomës dhe gazin lotësjellës, dhe të dy palët janë në shënjestër të publikut. Të parët quhen “revolucionarë” që pretendonin të “rrënonin” ndëtesat e “institucionalistëve” që çdo ditë e mashtrojnë dhe “rjepin” qytetarin, duke keqpërdorur miliona euro, dhe ata gërryejnë dhe rrënojnë demokracinë e brishtë në Kosovë. Të parëve, pa të drejtë, u mvishet ofiqi ideologjik, se janë revolucionarë-jo qytetarë të zakonshëm, që shprehin paknaqësinë në rrugët e Prishtinës për të kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga “institucionalistët” pa bazë konstitucionale që veten e quajnë “Grup i Unitetit”. Ata me përbuzje po këtë ditë, edhepse të paralajmëruar shumë më heret për protestën qytetare përcillnin ngjarjen e përgjakshme të Prishtinës, të “revolucionarëve” që kërkonin përgjegjësi qytetare dhe që rriheshin dhe vraheshin pa të drejtë në tokën e përgjakur të Prishtinës. Qytetarët e rinjë të Prishtinës goditeshin mizorisht nga policët rumunë, të trajnuar dhe ushtruar në vendin e tyre, me përvojën e demonstratës milionëshe, ku u ndërrua pushteti nga presioni i rugës..., e ç'ndodhi në Kosovë(?) qytetarët goditeshin edhe nga policët e SHPK-së, detyrë primare e të cilëve ishte mbrojtja e jetës së qytetarëve. Po atë ditë, argëtoheshin “unionistët” me bukuritë e Kosovës të soditura nga ajri, ata gëzoheshin si fëmijtë “e lazdruar” që po fluturonin me helikopterë mbi qiellin e Kosovës së përgjakur, që jipte provën e “demokracisë” së plumbave “demokratik”, parodistët vështronin nga lartësia kufijtë e Kosovës, mu në ditën kur kishin informacione se po rrënohet “rendi i kornizës kushtetuese”, kënaqeshin duke vështruar tokën nga ajri, dhe u takuan në kufi me.., ata e dijnë më së miri me kend u takuan. Ndërsa në tokë luftonin protestuesit duerthatë dhe policia e armatosur, dhe asnjëra palë nuk ishin fajtorë! E vërtetë ironike por fajtorët ishin mbi tokë, ishin në qiellin e Kosovës, ata gjetën momentin të vizitojnë karaullat e KFOR-it, po këtë ditë kur në tokë, mu pranë zyreve të tyre derdhej gaku i freskët shqiptarë. Dhe askush nga institucionalistët nuk e pa të arsyeshme të zbriste në tokën e bekuar të Kosovës dhe të fliste shqip me protestuesit, të dialogonte. Mirë, po këto institucione “demokratike” të kujt janë, a janë ato “ofiset” e buroktatëve apo janë institucione që duhet të mbrojnë jetërat e qytetarëve. Pse ky jaz i ndarjes i përfaqësuesëve të popullit që fluturonin mbi qiellin e Kosovës dhe “armiqëve” të brendshëm, rinisë shqiptare, që atakonin objektet e përfaqësuesëve të tyre. Aq larg janë njëri nga tjetri, dhe dialogu i domosdoshëm në shoqëri mungon, dhe mediumet vizuele të pavarura, dhe publike që hargjojnë mjetet publike edhe më tëpër thellojnë ndarjen…!

 

Le të këthehemi pak te rekuizitet që u përdorën, të parët, rinia e “Vetëvendosjes” me maica të bardha, të dytët të maskuar, të armatosur deri në dhëmbë. Të parët atakonin GU-në, pa kurrëfarë baze konstitucionale, një prodhim hibrid i “institucionalizmit”, me vlerë banknotash të shprehura në euro, tetë milonëshe, ndërsa kundërshtarët e tyre studentë dhe të papunë, me disa euro në xhep, apo edhe pa to. Dhe kudo në botë nëse atakohet duerthati, dhe kundërpërgjigja është arma, dhe në atë humben jetërat, më thoni ju lutem kush është përgjegjës? Ai që u vesh me uniformën që ia blejti tagërpaguesi, apo ai që vran tagërpaguesin. Dhe pasi që jemi te rekuizitet, nuk ka rekuizite të tjera kundër demonstruesve? Ku janë topat me ujë, ku janë kuajt..? Nëse vrahet dikush, përgjigjet ai që sulmoi duerthatë, apo ai që ia tërhjeku gishtin këmbzës së armës së nxehtë? Nuk kemi të bëjmë pra me një politizim të tepruar ideologjik, për atë është parlamenti, bëhet fjalë për një vepër kriminale të vrasjes ordinare, dhe pasojë e vdekjes së qytetarit duerthatë dhe të pambrojtur është plumbi në kokën e personit që nuk ishte i armatosur. Prova materiale pra është në vendin e ngjarjes, është në kokën e personave që kanë pësuar nga plagët e marra. Nëse nuk konkretizohet me emër, vrastarë është urdhëdhënësi, dhe ai duhet të përgjigjet penalisht, institucioni i dorëheqjes nuk është i mjaftueshëm. Patjetër duhet të zhvillohet procedura gjyqësore, dhe kriminelët duhet të dalin para gjyqit, atëherë funksionon demokracia. Demokraci nuk është vetëm faza e zgjedhjes, demokraci është mbrojtja e jetërave të qytetarëve. Zotërinjë, ju që bëni hesape, sa u kushtuan tagërpaguesëve këto demonstrata? Keni përgatitur raportin financiar të debatohet në parlament? Fatkeqësisht qytetarëve që ju paguajnë u kushtojë shumë shtrenjtë, dy jetëra të humbura, shumë plagosje dhe gjëma e të rinjëve. Prindërit dhe motrat e tyre ia falën Kosovës dy dëshmorë të demokracisë popullore, ata dëshmuan se e duan shumë-shumë Kosovën, më tepër se e meritojmë ne të gjallët!

2007 02.14       

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx