E merkure, 30.04.2025, 06:51 PM (GMT+1)

Mendime

Atdhe Pllana: Letër e hapur Qerim Pllanës

E marte, 06.04.2010, 07:12 PM


Arkivore

 

Letër e hapur Qerim Pllanës,   përmes mjeteve të informimit

 

Shkruan: Atdhe PLLANA

   

Zoti Qerim Pllana,

 

Ka kaq kohë që lexoj shkrimet tuaja në mediat, të ngarkuara me mburrjet për punën që,   ju si veprimtar, keni bërë në luftën për çlirim e bashkim kombëtar. Nga shkrimet tuaja, personaliteti yt, na plasohet në majën e veprimtarëve më të devotshëm që i paska Shqipëria sepse, ju paskëshit punuar që nga shkurt-marsi i vitit 1972 në mënyrë legale dhe ilegale, dhe se tashti, “me asgjë nuk duhet të veprohet dhe të punohet në fshehtësi, në ilegalitet të thellë, si dikur». Pra, tani, ju angazhimin tuaj e bëni në luftën demokratike për bashkimin e kombit shqiptar dhe krijimin e Shqipërisë Natyrale. Ju shkruani se, për këtë bashkëpunoni edhe me zotin Koço Danaj, ku thoni « Në takim më z. Koço Danaj, Drejtor i Institutit të Prognozave Rajonale, njëherit hartues i Platformës për Shqipërinë Natyrale në Tiranë, këtyre ditëve, këmbyem, ide, mendime dhe shkëmbyem shqetësimet rreth çështjes, veprimit dhe idesë imanente të veprimit të mëtejmë të aktivitetit, të cilin z. Danaj, tashmë e ka të shtrirë në veprim konkret me hartimin e Platformës për bashkim. …. Platforma në fjalë (një pjesë e saj), ka disa javë që gjendet nëpër agjencitë elektronike shqiptare; “Nëna-Shqipëri”, “Albaniapress”, “Dervina komerc”, Org. “Pashtriku”, “Shqipëria e Bashkuar” etj., etj., dhe kah fundi  tregoni se «Takimin me z. Koço Danaj e përgëzuan dhe e përshëndetën në veçanti, z. Dr. Ibrahim Rr. Gashi, prof dr. Agron Duro, mr. Gani Pllana dhe personalitete tjera, duke uruar që kjo çështje madhore kombëtare dhe atdhetare, të kurorëzohet më shpejt dhe me sukses të plotë, në favor të bashkimit të Shqipërisë etnike Natyrale. » etj. (Qerim Pllana: Bashkimi kombëtar rruga e vetme e zhvillimit shqiptare, Më 10 dhe 11 qershor, Tiranë 2009, “Albaniapress”)

-Ide e mrekullueshme, zoti   Qerim Pllana, dhe nuk mund të kundërshtohet nga ata që janë me mish e me shpirt shqiptarë, nga ata që janë të përkushtuar e të dëshmuar, në teori e në praktikë, për këtë kauzë të atdheut. E them këtë, sepse, ju në një shkrim tjetër bëni diferencime të pajustifikueshme për ata që duan dhe që kanë qenë të dëshmuar, si p.sh. ish të dënuarit politikë që janë në Parlament, kur thoni se «Në rrugën e bashkimit të kombit dhe trojeve etnike s`mund të jenë ata njerëz të cilët kanë pretendime karrieriste, synime partikulariste, ide dhe mendime klanore a fisnore, s`mund të jenë ata njerëz të cilët në karrierën e tyre kanë kaluar të paktën dy mandate parlamentarësh (këshilltarë kuvendesh) dhe asnjëherë nuk iu është dëgjuar zëri rreth çështjes së bashkimit. Kjo vlen sidomos për një pjesë të parlamentarëve të të dy kuvendeve, Shqipëri e Kosovë, e sidomos të një pjese të kuvendarëve në Kosovë, por edhe të atyre në Maqedoni. », etj. etj.( Bashkimi është e drejtë natyrore dhe eksplicite e çdo populli të ndarë!, 08, www.levizjaperbashkim.com)

 

Zoti Qerim Pllana,

 

Duke e poseduar të njëjtin llagap me ju, u bëra kureshtar dhe vendosa që t’i lexoj gati të gjitha shkrimet tuaja që kanë të bëjnë për çështjen madhore të kombit tonë – atë të çlirimit dhe bashkimit të të gjitha trojeve ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Kam pyetur moshatarët dhe kushërinj tuaj nga Mitrovica, ku kam lindur, dhe nga Vushtrria dhe, beso, nuk më doli asnjë që të njohu për veprimtar e personalitet të dalluar të fisit Pllana për të cilin ju, me të padrejtë flisni në emër të tij. Mu për këtë, e lexova dhe e rilexova shkrimin tuaj me titull «Bashkimi kombëtar, si parakusht i zhvillimit«   i publikuar   në fund   të prillit të vitit 2009 në disa agjenci informative. Prandaj, duke lexuar me kureshtje, nga analizimi  i këtij artikulli, me një epitet të bukur, nuk gjeta përkushtimin dhe bindjen e një pionieri për bashkim kombëtar, siç reklamoheni, sepse në të gjejë plot konstatime e kundërthënie që nuk përkojnë aspak me bashkimin e kombit shqiptar. Këtë pohim e konstatoj me këtë “fakt”, kur flisni për fisin Pllana, aty ku thoni « Unë, p.sh., kam menduar se para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, nuk ka elemente të shumta të tipit Basri Pllana, me të cilin sot e kësaj dite, edhe për kundër distancimit publik ndaj tij, jo më pak se 80-90.000 shqiptarë të këtij llagapi (mbiemri) vazhdojnë të jenë të nënçmuar!

 

Tani, fare mirë është kuptuar se, në Kosovë ka të tillë apo tipa të Basriut, me qindra, në çdo fis, çdo llagap, madje në detyra të niveleve mjaft të larta shtetërore e institucionale etj., dhe më poshtë, «Shikoni, asnjë (pllanë) nuk gjendet në Kuvend, asnjë, (pllanë), nuk gjendet në qeveri, asnjë nga ky llagap nuk gjendet në Presidencë! Këtij mbiemri me një numër mjaft të madh banorësh, pavarësisht vuajtjeve, sakrificave, madje sakrificave historike, pavarësisht ngritjes intelektuale, bashkë me llagapet e tjera të një emërtimi të huaj, por të ndodhur e të quajtur muhaxhirë, kurrë më shumë nuk janë lënë anash, sesa në këta dhjetë vjetët e kësaj lirie. Sidomos nga zgjedhjet e fundit dhe shpalljes së shtetit të Kosovës »… etj.

 

Unë, nuk pajtohem me këtë që thoni, përkundër mburrem që i takoj fisit Pllana; aspak i nënçmuar në mesin popullor e kombëtar, kurse kuislingët janë njësoj. Gjatë përpjekjeve tona për liri e Pavarësi, kishte Murat Toptana, atdhetarë, e Esat Pashë Toptana, tradhtarë, Bajram Currë- Krasniqe, atdhetar, e Krasniqe, tradhtarë, etj., … Pra, kishte Pllanë atdhetarë, bashkëpunëtorët e Hasan Prishtinës, e Basri Pllana tradhtarë, bashkë me suitën e vet, çfarëdo që të ketë qenë mbiemri i tyre….

 

Mos i shti të gjithë Pllanajtë në një thes, ju lutem!...

 

-         Me këtë konstatim ju tregoheni injorant, cinik, lokalist e fisnor që nuk ka të bëjë me realitetin; sepse, fisi Pllana, në kuptimin historik, është një pjesë e popullit tonë që, historinë, kulturën, zakonet e jetën e vet e ka të përbashkët me popullin, llagapi nuk e ka dalluar, si fis klanor, nga historia e kultura e përgjithshme e kombit tonë.

-         Pllanajt, kanë dëshmuar se janë atdhetarë si fiset tjera në Kosovë e gjetiu. Ata, i kanë pishtarët, luftëtarët dhe dëshmorët e vet në të gjitha periudhat e historisë shqiptare. Për ata, historia është dëshmitare! Mjerisht edhe Pllanajt i kanë kuislingët e vet, si Basri Pllanën etj., por, t’i paraqitësh ata si të nënçmuar e të lënë anash, nuk është e drejtë e as e sinqertë, aq më tepër jo e meritueshme nga ju që thirreni në emër të Shqipërisë Natyrale.

Para se t’ju bëj disa pyetje direkte, dua që të konstatoj se ju nuk keni qenë i lënë anash, ashtu siç thoni, sepse, nga  

 

Informatori ditor nr.2003-C; Prishtinë, e premte, 20 mars 1998 , del se ju keni qenë kandidat në zgjedhjet parlamentare, kur UÇK –ja heroike përballej me bajlozët milloshebviqianë. Njësia zgjedh.-VUSHTRRI - Zona nr.2 1. Qerim Pllana PPSHK, poashtu keni qenë kandidat i LPK-së, pas lufte, për kryetar të Prishtinës, tjetër gjë është se nuk keni fituar, emërimet që pretendoni ju, eventualisht për ndonjë Pllanë, nuk janë demokratike e të sinqerta. Pra, mos flitni në emër të një fisi, Pllanajve, sepse Pllanajt kanë vendet e veta, në bazë të meritave, aty ku punojnë, sidomos në institucione arsimore e shkencore dhe kanë respekt e prestigj në shkallë kombëtare. Nuk është rasti që të bëj një listë me qindra të Pllanajve me merita shkencore e kombëtare.

 

Zoti Qerim Pllana,

 

      -Meqenëse,  ju e përmendët kuislingun Basri Pllana si dhe në disa shkrime të tjera, dilni se qenkeni një familje e persekutuar nga koha titiste, kur kërkoni hapjen e dosjeve, ju lutem që, për hir të publikut, t’më përgjigjeni në pyetjet e mëposhtme:

 

1. Si mund të bëhet bashkimi kombëtar me një kushëri të parë, të Basri Pllanës, të një bashkëpunëtori të Millosheviqit, kur dihet se ky gjendet në Serbi?! Pohimi juaj nga bisedat që keni pasur me Koço Danajn, kur cekni edhe Mr. Gani Pllanën (i komprometuar ngase, është djalë i axhës së Basriut). A është distancuar edhe ky nga Basriu?

 

    2. Kur dhe ku jeni diferencuar publikisht, nga kuislingu, Basri Pllana?

 

    3. Ju keni një kushëri, bashkëpunëtor i njohur i UDB-ës, që njihet edhe nga mjetet e informimit, quhet, Isuf Pllana, fshati Shtitaricë ish-arsimtar i historisë në Obiliq (“Zëri i Kosovës” numër 7/1983, faqe 14). Më thuani pse nuk u distancuat edhe nga ky, sikur pohoni për Basriun, po keni mbajtur marrëdhënie shumë të mira me të?!

 

  4. Nuk dëshiroj që të flas për vëllezërit tuaj, sidomos për të madhin, që kanë qenë vegla qorre të Sigurimit shtetëror titist e millosheviqian, sepse nuk kishin një post administrativ, por është mirë që të tregoni pse e sulmuan në demonstratat e Vushtrrisë, vëllain tuaj të vogël mu Pllanajt e fshatit tuaj, sepse ky, vëllai juaj, dyshohej se i helmonte nxënësit shqiptarë në vitet ‘90-ta. Këtë më mirë ta thoni ju, sepse para se ta formosh oborrin gjithëkombëtar, duhet ta spastrosh tëndin, atë familjar!...

 

  5. Rrahim Selim Pllana, vëllai juaj, i dënuar për çështje të shpërndarjeve të propagandës ustashe (kroate), i martuar me një kroate, nuk ka të bëjë aspak me çështjen shqiptare?! Pse mundoheni të paraqitni familjen e persekutuar për liri e atdhe, pa qenë kjo, aspak e vërtetë?!

 

Zoti Qerim Pllana,

 

Qëllimi im që të shkruaj këtë letër të hapur është; që të informohemi, sa më detajisht, për personalitetin tuaj, sikur që lypsen vetitë moralo-politike në SHBA, Evropë e gjetiu, për një kandidat a pretendues që të jetë në majat e elitës kombëtare e shtetërore. Nëse mendoni se, kam ambicie për një denigrim të personalitetit tuaj, gaboheni.

Në qoftë se me përgjigjet tuaja do të më bindni, për vetitë tuaja, të veprimtarisë së përgjithshme, me argumente, jo me teori të thatë, njëkohësisht për demaskimin e pllanajve kolaboracionistë e faqezinj, me vepra kundër interesave shqiptare, atëherë do të më keni përkrahës, si një shqiptar që e do Bashkimin kombëtar në një Shqipëri Natyrale.

Të jemi të hapur e të sinqertë në përpjekje të pretendime për vepra madhore, sepse historia do të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që luajnë me fatin e popullit!

Bashkimi i shëndoshë bëhet me atdhetarët të dëshmuar!

 

Mitrovicë, 12 korrik 2009

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx