Mendime
Preç Zogaj: Pashkët, një festë praktikisht jozyrtare
E hene, 05.04.2010, 12:36 PM
Pashkët, një festë praktikisht jozyrtare
Nga Preç Zogaj
Sot në ditën e Pashkëve, besimtarët kristianë dhe gjithë shqiptarët myslimanë apo ateistë, që bashkohen me vëllezërit e tyre të gjuhës dhe gjakut në këtë festë fetare, kujtojnë sërish historinë e jashtëzakonshme, por edhe misterioze të kryqëzimit dhe Ringjalljes se Jezu Krishtit.
Në këtë përjetim përherë të ri, që vishet tradicionalisht me petkat dhe ndjesitë më të mira njerëzore, ma merr mendja se shqiptarët bëhen më të menduar për jetën dhe fatin e tyre, ndërsa Shqipëria pulson me gëzim në identitetin dhe ëndrrën e saj të natyrshme europianoperëndimore.
Duket se nuk ka vend për mendime të tjera, së paku këtë ditë.
Por, nuk do të ishte e ndershme të mos e themi apo të bëjmë sikur harrojmë faktin se këtë vit, nga pikëpamja qeveritare, me festën e Pashkëve ka ndodhur diçka e re, që nuk ka ekzistuar në vitet e mëparshme.
Fjala është për ndryshimin apo shtesën që i ka bërë qeveria aktuale në shkurt të këtij viti vendimit për kohëzgjatjen e punës dhe pushimeve në institucionet zyrtare shtetërore. Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi, thotë qeveria.
E drejtë. Kur festat zyrtare bien në ditët e pushimit javor, pra të shtunën ose të dielën, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25 për qind. Ky është ndryshimi. Pra, në qoftë se Krishtlindjet, Bajrami i Madh, apo festa e Novruzit bien të dielën, nuk do të jetë ditë pushimi edhe të hënën, siç ka ndodhur deri tani.
Në parim edhe ky është një vendim i drejtë. Shqipëria, për shkak të natyrës së saj, ka shumë festa zyrtare, mesatarisht një në muaj, madje edhe me shumë kur Pashkët e katolikëve dhe ortodoksëve nuk bien në një ditë. Prej kohësh, ndërgjegjja qytetare aktive i ka parë të tepërta tërë ato ditë pushimi që jepeshin për të kompensuar festat në fundjavë. Ky vend nuk është ndërtuar akoma; duke njohur vlerat dhe nevojën e pushimit me masë, vokacioni i vërtetë i vendit tonë është e duhet të jetë pikësëpari puna.
Dembelizmi i vjetër i tipit oriental ka rrënjë të thella. Po kalben njerëzia duke ndenjur. Një pjesë e madhe nuk kanë faj se nuk kanë ku të punojnë. Një pjesë tjetër i bëjnë bisht punës.
Por, padëshirueshëm, nga ky ndryshim pozitiv në tërësi, pashkët kanë dalë më "të humburat" dhe ata që i festojnë pashkët "me të humburit". Kuptohet pse...
Ndër dymbëdhjetë apo trembëdhjetë festat zyrtare të Shqipërisë, vetëm Pashkët festohen vetëm të dielën. Festat e Vitit të ri, festa e Pavarësisë, dita e Çlirimit, dita e Rinisë, Dita ndërkombëtare e Punës, Dita e lumturimit të Nënë Terezës, Festa e Kurban Bajramit, e tjerë, pra të gjitha këto festa zyrtare rastësisht mund të bien të dielën. Kurse për Pashkët nuk ka rastësi.
Duke qenë të shkrira në një me një ditë të përhershme pushimi, siç është e diela, pashkët praktikisht rezultojnë "për forca" të eliminuara si festë zyrtare në kuptimin e një dite pushimi për punonjësit. Me zgjidhjen që është dhënë del qartë se ata që nuk i festojnë Pashkët në Shqipëri nuk i "prekin" dhe s'kanë si t'i prekin ato si festë zyrtare, edhe pse kalendari i shënon me të kuqe. Kjo më duket pasoja më e pakëndshme e kësaj që ka ndodhur.
Nuk ka dyshim se në raport me çfarë ka pësuar në histori tradita kristiane e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ky episod është një gjë e vogël. Dua ta sjell në vëmendjen e lexuesve me rëndësinë që ka. As me shumë, as më pak.
Unë nuk e di si mund të ishte zgjidhur dhe as nuk pretendoj të kem një zgjidhje të gatshme për t'u dhënë më shumë respekt pashkëve. Në pamje të parë, qeveria është nisur nga parimi i drejtë i mosdiferencimit të festave dhe e ka mbyllur aty shqyrtimin e çështjes.
Fakti, që askush pastaj nuk ka parë në anën tjetër të medaljes, tradhton injorancën apo komplekset e atyre ministrave, këshilltarëve apo ndihmësve që duhet të dinë me shumë e të artikulojnë më mirë se kryeministri për festat fetare. Vetë Jezusi, si figura qendrore e pashkëve kristiane, do të thoshte për ta me gjerësinë universale "fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë".
Kurse shkrimtari rus, Bulgakov, në referim të fjalëve të fundit të Jezusit, sipas veprës së tij, "Mjeshtri dhe Margarita", do të thoshte "ndër gjithë veset njerëzore, më i keqi është burracakëria".
Pashkët në të vërtetë janë diferencuar vetvetiu nga festat e tjera, sepse janë të vetmet që bien taksativisht të dielën. Kjo rrethanë mund të mjaftojë për të bërë në të ardhmen një përjashtim, që me shumë se sa përjashtim për të shtuar një ditë pushimi për disa zyrtarë, do të ishte një përjashtim respekti për festën më të vjetër dhe më të festuar të popullit shqiptar pas erës së re.