Mendime
Xhavit R. Kastrati: Derisa të ketë gjak shqiptari, Kosova kurrë nuk do të mbetet nën robërinë e shkaut
E merkure, 31.03.2010, 09:35 PM
Arkivore
Xhavit R. Kastrati
Xhavit R. KASTRATI, pjesëtar i UÇK-ës
Derisa të ketë gjak shqiptari, Kosova kurrë nuk do të mbetet nën robërinë e shkaut
Bisedoi: Emin Z. EMINI, Drenicë
Xhavit Kastrati (1954) është figurë interesante politike e kombëtare. Është komandantit të Luftës së Drenicës dhe heroit kombëtar, Shaban Polluzhës. Për herë të parë, për shkak të veprimtarisë së tij politike e atdhetare, u burgos në vitin 1978 dhe pastaj u dënua disa herë gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit. Në këtë bisedë që e bëmë afër vijës së parë të luftimeve, enkas për “KOMBIN”, Xhavit Kastrati nga Polluzha flet për luftën e popullit shqiptar, për UÇK-ën, për njohjen e tij me Shaban Jasharin dhe të bijtë e tij, Hamzën dhe Ademin, flet për agjensionet e huaja të spiunimit që veprojnë përgjatë kufirit Kosovë- Shqipëri. Për tradhëtinë që ndodhi në kufi para dy
muajve, për njohjen e tij me Abenë dhe Bedri Shalën për formimin e një ushtrie shqiptare me emrin Ushtria Kombëtare Shqiptare (UKSH) etj.
Xhavit Kastrati është i pari që e shënoi pesëdhjetëvjetorin e Luftës së Drenicës, është ai që e bëri rivarrimin e eshtrave të poetit dhe atdhetarit Fazli Grajçevci. Xhaviti këtyre ditëve me pushkë në dorë lufton për Lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.
KOMBI: Zoti Xhavit, nëse pajtoheni, propozoj që bisedën ta nisim pikërisht nga viti 1978, atëherë kur edhe e nisët aktivitetin Tuaj politik kombëtar?
XHAVIT KASTRATI: Pajtohem. Mirëpo, para se të nisim bisedën tonë për gazetën “KOMBI”, më duhet ta rrëfej një tregim i cili është ligj i natyrës: “Në folenë e shqiponjës kurrë nuk mund të jetë korbi. Në folenë e shqiponjës mund të jenë vetëm vezët e shqiponjës. Vezët e shqiponjës mund t’i çelë, t’i rrisë dhe t’i edukojë vetëm shqiponja dhe t’i bëjë shqiponja të vërteta. Kjo është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
KOMBI: S’do end se këto fjalë të urta kanë të bëjnë edhe me trashëgiminë patriotike kombëtare të familjes Suaj, prandaj Ju, si nip i heroit Shaban Polluzha, u rritët në atë frymë dhe që në moshë të re e filluat aktivitetin tuaj. A mund të kthehemi në një retrospektivë për njëzet vjet dhe të na i thoni disa fjalë, siç u pajtuam në fillim?
XHAVIT KASTRATI: Patjetër. Si gjithë shqiptarët në Kosovë dhe si të gjitha familjet në Kosovë, të cilat janë të ndjekura nga pushteti serb, pasi që ishin cilësuar dhe trajtuar si familje armike që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe familja ime përherë ishte në shënjestër të pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij. Kështu që, pasi që e kreva shërbimin ushtarak pata një konflikt me policinë dhe menjëherë, kuptohet, më arrestuan dhe në gjyq më akuzuan edhe për shkak të bindjeve të mia politike. Kjo ishte atëbotë një praktikë që shqiptarët që nxirreshin para gjyqeve serbe të ngarkoheshin me sa më shumë vepra. Atëherë, me dekret federativ më qenë mohuar shumë të drejta qytetare siç ishte ajo për punësim pastaj për posedim të dokumenteve të ndryshme, siç ishte pasaporta etj. Por, sidoqoftë, unë gjithmonë kam bërë përpjeke që t’i mbes besnik rrugës së familjes dhe të popullit tim Liridashës, edhe pas vuajtjes së dënimit me burg.
Gjeneratat në parakalimin e historisë: Sherif Terstena, kaçaku i tmerrshëm i maleve të Bajgorës, dhe nipi i Shaban Polluzhës, Xhavit Kastrati, luftëtar i UÇK-së
KOMBI: Lëvizja politike e shqiptarëve vazhdonte në kontinuitet. Kështu në vitin 1981 ndodhën ngjarjet e pranverës studentore në Pristhinë, të cilat e përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës. A ishit asaj kohe të agazhuar politikisht, ku gjendeshit dhe çfarë aktiviteti zhvillonit?
XHAVIT KASTRATI: Si tërë populli, edhe unë me shokët e mi me të cilët bashkëveproja atëbotë iu bashkangjitëm demonstratave për Republikën e Kosovës, si fazë nëpër të cilën duhej të kalonte Kosova për hapin më të madh drejt bashkimit me Shqipërinë. Kjo ishte kështu, ngase proceset politike në botë ishin disi të disfavorshme, ngase aq shumë trumpetohej për Helsinkin, mosndryshimin e kufinjëve, me një fjalë për mosprishjen e rendit të atëhershëm botëror, i cili ishte instaluar vite më parë, si pasojë e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ne shqiptarër u rindëshkuam nga fuqitë e mëdha duke mbetur të ndarë në shumë shtete. Disa nga shokët dhe bashkëveprimtarët e mi, por edhe disa pjesëtarë të familjes dhe të farefisit tim u ndoqën nga pushteti i atëhershëm jugosllav i ndihmuar nga kuislingët shqiptarë, dhe u burgosën. Meqë edhe unë isha i ndjekur, në ato rrethana u detyrova t’i shmangem ndëshkimit me burg, e, për ta realizuar kisha vetëm dy mundësi, dy rrugë: e para tërheqja në ilegalitet dhe e dyta, mërgimi jashtë Kosovës. Unë u përcaktova për variantin e dytë ngase ashtu kisha mundësi më të mëdha të veprimit politik. Atje vazhdova aktivitetin tim dhe herë pas here ktheja ilegalisht në Kosovë te familja ime, por, kuptohet, që të kryeja ndonjë detyrë të caktuar. Për të qëndruar këtu një kohë më të gjatë jam kthyer në vitin 1990, mbase me shpresë se proceset demokratike që kishin marrë hov kudo nëpër Evropë do të hapnin shtigje të reja të veprimit, edhe pse isha i vetëdijshëm se shkau nuk njeh ideologji tjetër përpos asaj çetnike. Pra, pasi u ktheva në Kosovë, u anëtarësova në LDK dhe në kuadër të asaj partie vazhdova aktivitetin.
KOMBI: Mirë, para se të vazhdojmë bisedën tutje që të flasim lidhur me aktivitetin tuaj në LDK, ju lutem që të tregoni se cili ishte mendimi dhe vija Juaj politike për Çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare?
XHAVIT KASTRATI: E thash edhe pak më parë se armiku ynë, armiku me të cilin kemi të bëjmë ne shqiptarët nuk i njeh ligjet e një politike paqësore, në bazë të së cilës veprojnë dhe vendosin popujt e qytetëruar. Me një armik siç është shkaku, duhet të “bisedosh” vetëm përmes gjuhës në të cilën edhe ai vepron. Që në vitin 1978 kam pasur bindjen se e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është formimi i një force të armatosur, ide kjo e cila prore është diktuar dhe elaboruar me bashkëveprimtarët e mi. Prandaj, idetë e para për formimin e një ushtrie me emrin Ushtria Kombëtare Shqiptare datojnë që para dy dekadash.
USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DUHET TË GRADOHET ME EMRIN
USHTRIA KOMBËTARE SHQIPTARE PËR DY ARSYE
KOMBI: Përse Ushtria Kombëtare Shqiptare?
XHAVIT KASTRATI: Për dy arsye të vetme: e para është se në një ushtri me një emër të tillë do të kishin të drejtë të inkuadroheshin të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh se a janë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Çamëria, nga çdo vend i botës kudo që ata jetojnë dhe veprojnë; dhe e dyta është se kjo ushtri do të kishte mandatin te luftojë për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha tokave shqiptare. Kjo ushtri do të luftonte për lirinë e të gjithë shqiptarëve të robëruar, prandaj unë, si njëri ndër iniciatorët me bashkëveprimtarët e mi, kemi punuar në këtë drejtim. Më së shumti kanë kontribuar ata që kanë vepruar brenda në Kosovë, posaçërisht Drenica. Kështu që, në vitin 1991, lindi forca e armatosur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
KOMBI: Po mirë atëherë, si lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës?
XHAVIT KASTRATI: UÇK nuk lindi, sikur diku që kam lexuar nëpër disa gazeta, si fryt i Sllobodan Millosheviqit, si fryt i të huajit, thjesht si fryt i dikujt tjetër. bërthamën e parë të UÇK-ës e formuan bijtë e heronjve kombëtar, e formuan bijtë e patriotëve që me pushkë e pendë kanë luftuar deri në vdekje, e formuan bijtë e kësaj toke. Heronjtë nuk vdesin. Ata lindin përmes bijve të tyre. Kështu që vetëm heronjtë kanë mundësi rilindjeje. Pra, ata kanë rilindur prandaj dhe u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës si force çlirimtare. Andaj edhe diplomacia ngeli në plan të dytë.
KOMBI: Me sa jam i njoftuar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka lindur në kullën e Shaban Jasharit. Dua të them se bijtë e tij, Hamza dhe Ademi me disa atdhetarë të tjerë janë burim i këtij formacioni ushtarak. A i keni njohur dhe a keni pasur kontakte me këto fytyra të ndritura kombëtare?
XHAVIT KASTRATI: Kulla e Shaban Jasharit ka qenë gjithmonë vatër e patriotizmit dhe shqiptarizmës. Dihet mirëfilli se edhe vetë bacë Shabani ishte në mënyrë të vazhdueshme në thumb të policisë së pushtuesit dhe i ndjekur, mirëpo ai kurrën e kurrës nuk hoqi dorë nga idealet e shenjta të kombit tonë. Ashtu siç i kishte hije. Dhe, në atë frymë i rriti dhe i edukoi luanët e tij. Këtë familje e kanë njohur mirë sepse të bijtë e Shabanit, janë nipërit e mbesës së Kastratëve. Prandaj Hamzën dhe Ademin i kam njohur që nga fëmijëria. Ata gjithmonë kanë punuar për sendërtimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve: për çLirimin nga pushtuesi dhe për bashkimin kombëtar. Ajo familje ka bërë sakrifice tepër të madhe për Lirinë e Kosovës. Ata e kanë ditur se shkau djeg e vret edhe fëmijë, edhe gra, por megjithëkëtë nuk e lëshuan kullën e frëngjinë. Vetëm e vetëm që sakrifica e tyre të trokas rendë në ndërgjegjen e Evropës dhe të tërë botës. Por, fatkeqësisht, edhe në ndërgjegjen e disa shqiptarëve.
KOMBI: Ndonjë çast që u ka lënë mbresë gjatë kontakteve me këta heronjë e që s’mund ta harroni?
XHAVIT KASTRATI: Ata që kanë pasur fatin dhe nderin t’i njohin dhe të bashkëveprojnë me këta trima, kanë çka të flasin dhe çka të thonë. Mirëpo, unë nuk dua të flas për jetën dhe veprën e tyre. Historia e ka fjalën.
KOMBI: Pas vdekjes së tyre UÇK me shpejtësi të rrufeshme i shtoi rradhët e saj përkundër planifikimeve që bënë shkijet dhe ndihmëtarët e tyre se kjo ushtri, respektivisht kjo forcë do të shpartallohej shumë shpejt. Cili është potenciali real i UÇK-ës sot?
XHAVIT KASTRATI: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, apo thënë më mirë, populli ynë ka nisur ta jetësojë idealin e Lirisë. Ky popull me vite të tëra ka pritur këtë ditë: tëi ngjesh armët për Çlirim nga thundra e okupatorit. Andaj, vetëm për disa muaj UÇK-ja ka krijuar formacione me numër të konsiderueshëm të ushtarëve, por edhe të ekspertëve ushtarak. Ndërsa sa i përket armatimit, kësaj ushtrie mbase i mungojnë mjete më bashkëkohore luftarake, mirëpo ideali dhe morali luftarak, të mos harrojmë, qëndrojnë mbi të gjitha për ta mundur armikun. Lufta e këtij populli nuk do të ndalet kurrë, kurrë deri në Çlirimin definitiv pa marrë parasysh çmimin. Sepse, çdo popull Lirinë e tij e paguan me gjak. Derisa të ketë gjak shqiptari, Kosova kurrë nuk do të mbetet nën robërinë e shkaut.
KOMBI: Zoti Xhavit, të kthehemi edhe njëherë tek veprimtaria Juaj në fillim të viteve 90-të. Një rast tjetër më keni thënë se në vitin 1993 jeni burgosur nga policia sekrete serbe. Pse?
XHAVIT KASTRATI: E thash edhe më lartë, që në fillim të bisedës sonë, se shumë familje shqiptare në Kosovë kanë qenë në përcjellje të policisë dhe shërbimeve sekrete të pushtuesit. Për fatin e keq, edhe të elementeve të shitura bastard e nder shqiptarët. Kështu, sikundër e thatë, në vitin 1993 jam burgosur, por në vitin 1991 kam qenë i grabitur nga policia serbe në mes të qytetit të Gjakovës, për shkak të veprimtarisë sime. Kur më grabitën në Gjakovë patën menduar se më kapën në flagrancë dhe atëbotë gjyqi dhe pushteti policor kërkonin nga unë që të pranoja se kisha futur një sasi të madhe armësh përmes kufirit Kosovë- Shqipëri. Këtë gjë atëbotë e mohova kategorikisht dhe, në mungesë të provave materiale, u lirova me të drejtë mbrojtjeje në “Liri”. Pastaj, sikundër thash, në vitin 1993 më burgosën. Pasi që tri herë radhazi më kërkoi policia në shtëpinë time në Polluzhë, herën e katërt me tanke e autoblinda u rrethua i tërë fshati. Preteksti ishte i njëjtë: veprimtaria ime politike, futja ilegale e armëve dhe posedimi i tyre, patjetër. Këtë herë së bashku me mua, policët serb e arrestuan edhe djalin e axhës tim, Xhevatin. Ndoshta është interesant të përkujtoj një truk që pati përdorur pushteti policor pasi që na mori në burg. Ata vetë patën lansuar lajmin e rremë se unë, pasi që jam kapur nga ta, kam ikur nga arresti që në ditën e parë. Pastaj, të nesërmen, lansuan rrenën e dytë se unë jam parë në arrati afër kufirit me Shqipërinë, ndërsa, në ditën e tretë, policia shkoi në Polluzhë te familja ime dhe nga babai, Ramadani, kërkoi sqarim se ku gjendem unë. Këtë marifetllëk të shpifur nga laboratorët serb babai im e kupton menjëherë dhe flakë për flake ua kthen policëve: “Djalin tim, Xhavitin, e keni marrë ju para tri ditësh e sot keni ardhur këtu ta kërkoni nga unë. Xhavitin kërkojeni në burg, atje ku e keni future. Apo, ndoshta edhe e keni vrarë dhe kështu po mundoheni që ta fshehin krimin...” Pra, edhe babai e kishte lexuar këtë trill të makinerisë policore serbe si formë adekuate për të më likuiduar mua: pa zhurmë dhe pa gjurmë.
Pasi u lirova nga burgu, prapë më kërkuan që të më kthenin atje. Edhe njëherë u rrethua Polluzja. Mirëpo mua nuk mundën të më kapnin dot ngase, tashmë veproja thellësisht nga ilegaliteti. Por, kësaj radhe, në vendin tim, e morën peng tim vëlla, Samiun, i cili me këtë rast iu nënshtrua torturave më çnjerëzore. Fatmirësisht nuk e mbajtën gjatë dhe e liruan. Me të liruar të tij, meqë ishte e pamundshme të veprohej si deri atëherë, së bashku vendosëm të kalojmë nga Kosova në Shqipëri dhe atje të vazhdojmë aktivitetin e filluar. Në Shqipëri qëndrova jo edhe aq gjatë dhe atje përfitova nga rasti që, për herë të parë, të bëja shënimin e 50 vjetorit të Luftës së Drenicës. Pastaj mërguam në Gjermani.
KOMBI: Meqë thoni se e keni organizuar shënimin e parë të 50 vjetorit të Luftës heroike të popullit të Drenicës kundër njësive komunisto-çetnike serbe, e di edhe një fakt se pikërisht Ju kishit idenë dhe njëkohësisht keni bërë kazmën e parë për zhvarrimin e poetit dhe atdhetarit të zjarrtë, Fazli Grajçevcit, dhe rivarrimin e tij në gjitin e vendlindjes, në Sankoc të Drenicës?
XHAVIT KASTRATI: Heronjëve gjithmonë u mbesim borxh. Andaj, duke e ndier këtë borxh ndaj eshtrave të Fazli Grajçevcit, i cili e dha jetën për Lirinë e Flamur, unë me disa shokë e veprimtarë bëmë rivarrimin e Tij. Dhe, as kësaj here policia serbe nuk e hodhi në harresë që të më linte rehat, por ndërmori aktivitet që të më arrestonte. Dhe kjo dëshmon se me çfarë pushtuesi primitive kemi të bëjmë. Edhe eshtrat e shqiptarëve u bëhen pengesë. Natyrisht, ngase edhe ata u mbjellin frikën për hakmarrje që do t’i godasë këtu apo kudoqoftë mbi këtë tokë të shenjtë shqiptare.
ERDHA TË LUFTOJ PËR ÇLIRIMIN E KËSAJ PJESE TË OKUPUAR TË
SHQIPËRISË
KOMBI: E thatë se pas Shqipërisë keni mërguar në Gjermani.
XHAVIT KASTRATI: Po. Edhe atje, gjatë tërë kohës sa kam qëndruar, jam angazhuar që të krijoj kontakte me fytyra politike që kanë influence në qeveritë e shteteve të tyre, por edhe tek organizatat joqeveritare, për zgjedhjen e çështjes së Kosovës. Kam vepruar nëpër klube dhe shoqata të ndryshme, jo vetëm në Gjermani, si dhe jam angazhuar edhe në mbledhjen e mjeteve financiare për Kosovën. Shqiptarët në mërgim janë treguar solidarë me vëllezërit e tyre në Kosovë e sidomos ç’prej se ka nisur kjo luftë ata pa kursim janë duke e dhënë kontributin e tyre. Disa edhe janë kthyer që t’i marrin armët në dorë për lirinë e Atdheut.
KOMBI: Njëri syresh jeni edhe Ju...
XHAVIT KASTRATI: Unë, edhe pse kam qenë në dijeni që në fillim, për formimin e UÇK-ës, por edhe pasi që nisi lufta në Kosovë, e kam pasur të pamundur të kthehem më parë këtu për shkak të aktivitetit që zhvilloja në mërgim. Dhe, pasi u krijuan kushtet objektive që të kthehem në Kosovë, këtu erdha përmes kufirit shqiptaro-shqiptar që të luftoj për Kosovën. Dhe, kur them se “erdha të luftoj për Kosovën” dua të them se erdha të luftoj për Atdheun tim, erdha të luftoj për çlirimin e kësaj pjese të okupuar të Shqipërisë, prandaj, unë këtu kam një vërejtje për të gjitë ata që thonë se “erdhën vullnetarë të luftojnë për Kosovën”, apo edhe “erdhën vullnetarë në luftë”. Shqiptari prej kahdo që të vijë të luftojë për çlirimin e Kosovës nga robëria e shkaut, nuk vjen vullnetar. Vullnetar mund të shkojë e të luftojë ngado nëpër botë, jashtë territorit të tokave shqiptare. Të gjithë ata që vijnë të luftojnë për Lirinë e Kosovës nuk vijnë as për ta mbrojtur pragun e shtëpisë së tyre. Ata vijnë të luftojnë për gjethet e lisave, për vajin e fëmijëve, për kokrrën e misrit, për shushurimën e lumit, për... për qiellin e Kosovës,... për Kosovën dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Tashti ka ardhur koha që luftën ta bëjmë për vete. Shqiptarët kanë shkuar vullnetarë në Luftën e Spanjës që ta shporrin të keqen nga Evropa, por tashti, kur shqiptarët e bëjnë luftën për vete, Evropa bëhet e shurdhër para thirrjeve tona të etura për Liri. Në njëfarë forme edhe vetë Evropa, po e ndihmon luftën kundër shqiptarëve. Shqiptarët kanë luftuar si vullnetarë edhe në Kroaci, edhe në Bosnjë, sepse lufta bëhej kundër shkaut, por tashti kanë mbetur të vetmuar në Luftën e tyre. Megjithëkëtë, shqiptarët nuk do të gjunjëzohen, por do të luftojnë deri në fund për Liri dhe Bashkim Kombëtar.
SA AGJENSIONE TË HUAJA TË SPIUNAZHIT VEPROJNË
PËRGJATË KUFIRIT KOSOVË- SHQIPËRI
KOMBI: E thatë më herët se keni ardhur këtu përmes kufirit Kosovë- Shqipëri. Pikërisht ato ditë ndodhi një ngjarje mjaft e dhembshme. Në kufi kolona e përbërë prej njëmijë e dyqind (1200) ushtarëve duke depërtuar në Kosovë, ra në pritë të shkijeve me ç’rast ra një numër i vogël i ushtarëve. Përse mendoni se ndodhi kjo?
XHAVIT KASTRATI: Shqiptarët nga mërgimi, tekstualisht nga të gjitha vendet e botës, kudo që punojnë dhe jetojnë mendojnë që sa më parë, kurdo që t’u afrohet rasti i volitshëm, të kthehen në vendin e tyre, që ta bëjnë një pushkë më shumë për Lirinë e këtij populli të shumëvuajtur. Ashtu edhe unë me disa bashkëveprimtarë erdhëm nga Gjermania në Shqipëri. Aty qëndruam disa ditë. Unë atje, për aq sa kam mundur të kuptoj, në kufi kam gjetur mbi tetëdhjetë agjensione të huaja sekrete të cilat punojnë për interesat e shteteve të tyre. Nuk përjashtohet mundësia që një numër i konsiderueshëm i tyre të punojnë edhe për interesat e Serbisë. Por, nuk duhet harruar se në kufi mund të ketë edhe shkie, malazezë, maqedonë, që njohin mrekullisht gjuhën tonë dhe identifikimi i tyre paraqet vështirësi të veçantë. Shumë njerëz dhe shumë shërbime sekrete sillen përgjatë kufirit Kosovë- Shqipëri. Kam frikë se shumë shpejt mund t’ia shohim sherrin kësaj pune. Fatkeqësisht, një pjesë e të rinjve tanë që, për shkak të moshës, nuk kanë arritur ende të mësojnë hilet e të tjerëve e të piqen politikisht, shumë shpejt mund të bien viktimë e spiunazheve. Vetëm nga ky prizëm mund të shpjegohet rasti të cilin e potencuam. Ai grup i cili iu mësy kufirit kishte qenë tradhtuar, sepse për këtë tradhti dikush ka marr përfitime të majme nga Serbia. Kështu prej se ka ndodhur, gjithmonë, tradhtinë e dikujt tjetri e paguan me kokë. Thjesht, ajo që ka ndodhur në kufi atyre ditëve është një tradhti e kulluar. Asgjë tjetër.
KOMBI: Sa ishit në Shqipëri, gjithnjë e kam fjalën te kufiri, a keni pasur kontakte me ata persona që detyrën ndaj Atdheut e kryenin me përkushtim dhe ndershmërinë më të madhe e që do ta veçonit në këtë rast?
XHAVIT KASTRATI: Sigurisht. Mirëpo, tashti mendoj se s’është çasti që të bisedohet për këto gjëra. Megjithatë, do t’i përmend dy emra të burrave dhe atdhetarëve që, fatkeqësisht, tashmë janë të vdekur e që vepra dhe heroizma e tyre meritojnë respekt. Ata janë Abeja, (emrin e vërtetë të të cilit nuk ia kam mbajtur në mend) dhe Bedri Shala nga Drenica. Këta dy heronj, kanë kontribuar shumë dhe më besoni se tashti Kosova e ndien rendë vdekjen e tyre. Bedriun e njoha më gjatë. Ai ishte njeri i urtë e trim, ashtu siç duhet të jetë shqiptari i vërtetë. Bedriu ka rënë heroikisht në luftë kundër shkaut diku te Juniku, sepse ai nuk e përkufizonte pragun e shtëpisë së tij në Drenicë. Pragu i shtëpisë së tij mbrohej kudo në token shqiptare.
KOMBI: Zoti Xhavit, ofensiva e fundit e makinerisë ushtarake serbe sikur nuk ka të ndalur dhe ajo pas vetes po lë shumë fshatra të djegura e të shkatërruara tërësisht; po bien shumë viktimanga radhët e popullsisë civile; janë bërë shumë masakrime, rrëmbime dhe arrestime; në altarin e Lirisë kanë rërë shumë luftëtarë, vetëm e vetëm që ta përballim dhunën gjenocidiale të Serbisë e cila ka synim shfarosjen e races sonë. Përse mendoni se kjo ofensivë nisi e po vazhdon gjatë këtyre dy muajve të fundit e nuk u ndërmor që në fillim të luftës, kur dihet se Serbia këtë arsenal të armatimit e posedon më parë?
XHAVIT KASTRATI: Para se të përgjigjem në këtë pyetje, kam për të thenë se gjithmonë kam menduar, dhe këtë e kemi diskutuar edhe me bashkëveprimtarët e mi, se pa lëvizjen e vetëbrendshme të popullit shqiptar në Kosovë nuk mund të arrihet Liria. Evropa dhe bota nuk kanë punuar në favor të çështjes së Kosovës. Sidomos disa individë që po e vizitojnë Kosovën këtyre kohëve të fundit. Mendimi im personal është se ata më shumë kanë punuar në favor të interesave të Serbisë sesa në favor të gjetjes së zgjidhjes së çështjes sonë. Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj për ofensivën serbe të këtyre muajve të fundit, mendoj se, përpos heshtjes së faktorit ndërkombëtar, asaj i ka ndihmuar edhe vetë kursi politik shqiptar që po ndiqet në Shqipëri, e posaçërisht në Kosovë. Kjo ofensivë është pasojë e mosunitetit të mendimeve dhe hapave politikë të shqiptarëve, fatkeqësisht. Prandaj, mendoj se për tejkalimin e një gjendjeje të këtillë, patjetër duhet që sa më parë të bëhet unifikimi i proceseve politike të Kosovë- Shqipëri. Kapitull të veçantë i këtij uniteti paraqesin partitë politike shqiptare në Kosovë dhe diplomacia e saj që duhet të krijojnë një vijë të përbashkët, duhet të bashkëveprojnë, të koordinojnë veprimtarinë e tyre politike e diplomatike, nëse e dëshirojmë lirinë e Kosovës. Kështu që pasoja duhet kërkuar te shkau, do të thotë, pa u sanuar shkaku kot kërkojmë ndërprerjen e pasojës. Vetëm kur të ndërpritet mekanizmi, që është edhe ligj i natyrës, shkak-pasojë, ne do ta kemi një gjendje të shëndoshë në terren, vetëm në këtë mënyrë, pra, duke llogaritur në unifikimin e politikës shqiptare, nisur nga qytetari e deri te qeveria- presidenca, do të realizojmë kërkesën e popullit shqiptar të Kosovës, që për ne është hap ii parë i sendërtimit të bashkimit kombëtar dhe të tokave shqiptare.
KOMBI: Mendoni se lufta në Kosovë është vetëm fillimi i një procesi?
XHAVIT KASTRATI: Po. Lufta në Kosovë paraqet nismën e një procesi më të gjatë politikë e kombëtar. Kjo luftë e shqiptarëve në fund të mijëvjeçarit të dytë do të përfundojë me fitoren e tyre, sepse, tek e fundit, kjo është edhe e drejtë natyrore e këtij populli. Serbia, me ndihmën e aleatëve tradicionalë të saj, Rusisë dhe Greqisë, do të bëjë çmos që Kosovën të mos e lëshojë nga kthetrat e veta. Mirëpo, tashti, për çastin e pikërishëm, kemi dy detyra të shenjta para vetes: e para është, sikundër që e thashë edhe më herët, të krijohet një vijë politike kombëtare shqiptare dhe, e dyta është Ushtria Çlirimtare e Kosovës të gradohet me emrin Ushtria Çlirimtare Shqiptare. Pa sendërtimin e këtyre dy parametrave jetik për kombin shqiptar, ne do të mbesim në gjysmë të rrugës. Sepse, shkakun e mosunitetit politik e hasim në terren, ndërsa sa i përket formimit të forcës ushtarake me emrin UKSH mendoj se vetëm një ushtri e tillë do ta kishte forcën dhe mandatin për çlirimin final të tokave shqiptare dhe për bashkimin e tyre.