E enjte, 01.05.2025, 03:23 AM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Ata që kërcënojnë, shantazhojnë dhe mohojnë liritë dhe të drejtat e tjetrit nuk mund të jenë të dashurit e Zotit

E shtune, 27.03.2010, 10:59 PM


‘Ata që kërcënojnë, shantazhojnë dhe mohojnë liritë dhe të drejtat e tjetrit nuk mund të jenë të dashurit e Zotit’

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Çështja e “shamisë” dhe shkrimi im nxori në sipërfaqe gjithë injorancën, dogmatizmin, paturpësinë, ideologjinë dhe “programin politik” të disave që fshihen prapa fesë. Madje, autorët e këtyre reagimeve të botuara janë prezantuar si të “dërguar” të Zotit në tokë! Njëri prej tyre dhe, në njëfarë mënyre, të tre autorët e reagimeve dhe ata që ndodhen prapa “perdesë” pretendojnë se edhe jeta ime varet prej tyre, e kanë në grusht!? Reagimet e këtilla të mbushura me kërcënime, urrejtje, mllef dhe egërsi të shfrenuar, me “selame”, me shpifje dhe fyerje personale, të mbushura me ligjërata fëmijërore dhe që personalizojnë çështjen nuk do të duhej t’i botonte asnjë gazetë, por kjo është çështje e redaksisë së saj.

 Këta autorë të reagimeve më ngjajnë me atë punën e atij djalit që i kishte pas thënë babait të tij: “Hajde babë t’i tregoj mezhdat e arave”. Aq naive tingëllojnë këto reagime sa nuk do t’ia vlente me u marrë me to, por ç’t’i bëjë borxhit që ia kam lexuesit dhe opinionit tonë publik. Njëri më quan “politeistë”, tjetri “komunistë”, tjetri “leninistë”, tjetri...! Unë ju them juve dhe gjithë botës: Më mjafton që jam SHQIPTAR! Për mua, ai që është shqiptar është edhe mysliman, edhe i krishterë, edhe komunist, edhe demokrat, edhe enverist, edhe zogist edhe çka të dojë tjetër...

 

Secila fe ka normat e veta

 

Të gjithë shkrimin tim, të botuar te “Kosova Sot”, e përshkonte ideja që secila fe ose secili besim ka rregullat dhe normat e veta, që duhen respektuar nga të tjerët, shkolla fetare ka rregulla të tjera nga shkolla laike, kafeneja rregulla dhe norma të tjera nga oda, partitë politike, institucionet, etj. Por, këta nuk e kanë as hallin e fesë, as të Zotit. Ata duan “islamizimin’-arabizimin e tërësishëm të jetës në Kosovë, ata duan ta veshin hapësirën shqiptare në ferexhe dhe shami, siç lënë të kuptohet në reagimet e tyre, që Kosova të sundohet me ligjet islamike-kuranore ose talebane!!

   Koha e sundimit të Kishës, kur kisha ishte shtet dhe bënte inkuizicion, duke djegur njerëzit edhe në turrë të druve si “heretikë”, të pafe, ka perënduar. Përpjekjet për të sunduar shtetin ose shoqërinë me ligje islamike të shek. VII janë të gjalla dhe kanë shpënë botën arabe, (edhe shoqëri tjera “islamike”) dhe po i mbajnë në një konflikt dhe gjakderdhje që nuk po i shihet fundi. Por, këto, në fund të fundit, janë çështje të atyre popujve. Kjo gjendje sigurisht që i ka edhe shkaqet historike, ekonomike, sociale, etj.

Për mua ka rëndësi që sot edhe shkenca ka pranuar faktin se gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në Evropë dhe në botë. Sipas Robert Angjelis, Matieu Arefit, etj., edhe fjala ose emri ADAM shpjegohet vetëm nga gjuha shqipe, që do të thotë ATË dhe AMË (Mbajeni mend!). Gjithashtu, fjalët Zeus, Faraon, madje, sipas tyre, edhe fjala ose emri Arabi, edhe hieroglifet shpjegohen vetëm me gjuhën shqipe. Në enciklopeditë e botës, në pemën e gjuhëve botërore, në rrënjë të saj është gjuha shqipe. Prandaj, po jua përsëris: Po ndjehem mirë kështu siç jam, SHQIPTAR. Besoj që këtë të drejtë do të ma njihni ju të “dërguarit” e Zotit në tokë. Izmat dhe sektet e tjera të huaja i mbani për vete. Si shqiptar i kam të gjitha.

Farën që nuk arriti ta shuaj Roma, Bizanti, Turqia e sulltanëve, carët e kralët e Serbisë nuk do të arrijnë ta shuajnë as këto lëvizje e sekte ideologjike dhe politike që fshihen pas fesë ose pas Zotit. Perandorët dhe sulltanët edhe “de jure” ishin të dërguarit e Zotit në tokë, por qenien shqiptare, e dëmtuan shumë, por nuk arritën ta zhbënin. Kisha greke kishte shpallur greqishten gjuhë të Zotit, kurse shqipen tonë e mallkonte dhe e quante gjuhë barbare! Shqiptarët që përpiqeshin ta mbanin të gjallë këtë gjuhë ndiqeshin, vriteshin e helmoheshin nga ajo Kishë. Megjithatë, gjuha shqipe mbijetoi dhe u bë edhe gjuhë e Zotit, kurse Kisha Ortodokse Shqiptare u nda nga ajo greke, falë edhe atdhetarit të madh dhe intelektualit të përmasave botërore, Fan S. Nolit. Të njëjtën gjë pretendonte Vatikani. Por, popujt e civilizuar i thanë: JO! Secili të flas dhe të lutet në gjuhën e tij. Kështu bëri edhe Kisha shqiptare.

 

Feja e shqiptarit me fytyrë shqiptare

 

Vetëm feja islame, sipas këtyre injorantëve, qenka “universale” dhe gjuha arabe gjuhë e Zotit!! Jo pak, por me shekuj mbrapa. Jo që ju ka ngecur ora, por nuk keni orë fare. Sllavët, tek e fundit janë një gjak, por, megjithatë, secili mban fenë dhe Kishën e tij (Kisha Ortodokse ruse, Kisha Ortodokse serbe, maqedonase, etj.) Prandaj, në këtë kuptim shqiptarët duhet të kenë Xhaminë e tyre shqiptare dhe një Bashkësi Islame Shqiptare të vetme, që do t’i shërbente vetëm kësaj Toke të shenjtë dhe Zotit. Feja e shqiptarit, cilado qoftë ajo, duhet ta ketë fytyrën shqiptare. Sipas meje, çdo fe, parti, ideologji e shoqatë do të duhej t’i shërbente interesave të atdheut në gjuhën e popullit dhe atdheut të saj. Ky është vullnet i padiskutueshëm i Zotit. Sidoqoftë, është e drejtë e pakontestueshme e secilit me u deklaruar ashtu si dëshiron dhe si e ndjenë veten. Në botë ka me miliona myslimanë me prejardhje shqiptare që nuk ndjehen më shqiptarë dhe nuk flasin as kuptojnë shqip. Madje, ka qindra mijëra të deklaruar myslimanë, me origjinë shqiptare, në Tregun e Ri, në Plavë e Guci, Tivar, etj., që janë sllavizuar dhe flasin gjuhën serbe a malazeze (e njëjta gjë). Në kohën e Jugosllavisë kishte shqiptarë (shumë pak) që ishin deklaruar “jugosllavë”, komb i shpikur politik, i cili në shumicë përbëhej nga myslimanët e Bosnjës. Qindra mijëra të tjerë, me origjinë të pastër shqiptare, që janë greqizuar, të tjerë që janë italianizuar, etj. Të gjithë këta mund të jenë besimtarë të mirë, por nuk janë më shqiptarë! Ky është thelbi i çështjes, që do të duhej të debatohej. Sepse, në Kosovë nuk është e ndaluar as Kisha, as Xhamia dhe as shkollat fetare. Kush të përcaktohet për fe le të shkojë në institucionet që janë të destinuara për këtë çështje. Por, kurrkush nuk ka të drejtë as ta detyrojë tjetrin të besojë, as ta detyrojë të bëhet me atë apo me këtë fe, sikur nuk mund t’ia imponojë partinë ose ideologjinë e tij dhe as t’u shërbejë interesave të huaja, duke u fshehur pas fesë ose, Zot ruana, pas Zotit!

   Nga reagimet e këtyre “insanëve” e mora vesh se këta po bëkan kujdestari dhe po mbakan regjistra edhe për ata që nuk agjërojnë e për ata që nuk po shkuakan në Xhami!! Nëse, vërtetë nuk jeni të ngarkuar me këtë “detyrë” nga i madhi Zot, merruni me punët dhe hallet tuaja se ju mjaftojnë, o ju të mjerë! Nëse keni marrë detyra të tilla nga njerëzit dilni edhe më hapur me programin tuaj, me kërkesat e juaja politike, si e mendoni rregullimin shtetëror, shoqëror e politik, juridik e ekonomik të shoqërisë shqiptare, ndoshta ma mbushni mendjen edhe mua, por mos u fshihni pas fesë e pas Zotit se është turp dhe mëkat.

 

Kush është më shqiptar

 

Këto reagime duket se janë bërë nga një dorë. Në disa vende për argument përmendin “cullakhanën”, që gjoja mua nuk po më pengoka! E kam thënë në shkrimin tim për “shaminë” se “dikush do të kërkonte të shkojë nudo në shkollë” (e nuk lejohet), por me sa duket nuk e kanë kuptuar këta mendjevarfër dhe dogmatikë të mjerë. Diku ma kujtojnë përqindjen e myslimanëve, etj. Unë e di që hapësira e mbetur shqiptare është e banuar me mbi nëntëdhjetë për qind shqiptarë. A janë të besimit islam, sunitë a shiitë, etj., a janë të krishterë ortodoksë, katolikë e protestantë, a janë demokratë a socialistë, a janë ballistë e zogistë, nuk më bënë përshtypje. Është e drejtë e tyre hyjnore dhe ligjore të besojnë në çka të duan ata ose të mos besojnë fare. Nuk do të duhej, në emër të lirisë fetare të imponohet feja dhe të dhunohen liritë dhe të drejtat e njeriut me altoparlantë e në gjuhë të huaj! Nuk dua me u mat me sojin e juaj a jam më shqiptar se ju a jo. Por, e di saktë dhe e dinë gjithë bota se shqiptaria dhe vlerat kombëtare, kulturore, pse jo edhe shpirtërore të kombit tonë nuk mund të përfaqësohen dhe prezantohen në botë as me minare as me kambana, sepse nuk janë tonat ose nuk janë vetëm tonat. Ato prezantojnë dhe përfaqësojnë vetëm një segment të ngushtë të vlerave tona shpirtërore, siç është feja ose besimi. Vlerë “universale” për gati gjysmën e botës është besimi në një Zot. Në këtë pikë islami dhe krishterimi nuk dallojnë. Madje, edhe profetët këto dy fe i kanë pothuajse të njëjtë.

   Ka popull, si kinezët, dhe nuk janë pak, që i besojnë filozofisë së Konfuçit (konfuçizmit), të tjerë, që s’janë pak, i besojnë Budës, etj., etj. Pra më shumë se gjysma e njerëzimit nuk e lidhin besimin e tyre me Zotin e Islamit dhe as me atë të Krishterimit. Ju që jeni të “dërguarit” e Zotit në tokë mbase mund t’i ktheni edhe ata në “dinë”. Merruni pak edhe me ata të pafe!

   Në reagimet, që vijnë nga e njëjta dorë, nuk përmendet fare Turqia republikane (moderne) dhe themeluesi i saj, Mustafa Qemali, ATATURKU. Pse ma përmend Leninin o i mjerë! Ku ke tru me u marrë ti me te. Pse se përmend atë që dëboi nga Turqia selinë botërore të fesë islame dhe “shefin” e saj, sepse cenonte interesat madhore të Turqisë. E, megjithatë, e gjithë Turqia vazhdojnë ta thërrasin ATË (babë) të Turqisë Mustafa Qemalin.

   Sa për votat dhe votimet që keni përmendur është një shpifje dhe një gjë shumë e ulët, si të gjitha reagimet tuaja pa asnjë vlerë dhe argument. Me vota është matur Partia juaj, që mbron “shaminë” dhe e dini rezultatin. Me vota është matur edhe Partia Demokristiane dhe e dini rezultatin! Prandaj, harrojeni popullin mysliman a të krishterë në hapësirën shqiptare!

 

Thirrjet Zotit

 

Në Kosovë ka popull shqiptar dhe pakica të tjera. Ka edhe myslimanë. Mund të ketë edhe të tjerë që duan të bëhen. Askush nuk i ndalon. Por, harrojeni idenë për t’i detyruar shqiptarët me u bë “myslimanë”. Ka ikur koha kur turqit, serbët, malazezët, maqedonasit, etj. i “detyronin” shqiptarët të deklaroheshin myslimanë, për ta ulur përqindjen e tyre. E dimë që edhe sot Serbia dhe miqtë e saj janë shumë të interesuar që Kosova të jetë “myslimane”, që shqiptarët të deklarohen “kosovarë” e çfarë të duan tjetër. Ata, vetëm një gjë nuk e kanë dashur kurrë: Ata nuk duan (dhe luftojnë e kanë luftuar me të gjitha mënyrat e mjetet) që Kosova të mbetet SHQIPTARE. Me këtë program ata kanë pasur suksese, por FARA jonë mbijetoi dhe do të mbijetojë përgjithmonë, sa të jetë toka me njerëz! Ka pasur një filozof që thoshte: “Digjni të gjitha librat se kemi Kuranin”! Një tjetër thoshte: Digjni të gjithë librat tjerë se e kemi “Shtetin” e Platonit”! Por, jo këto thirrje Zoti nuk i dëgjoi. Në këtë botë ka vend për të gjithë dhe për të gjitha. Çdo krijesë dhe çdo libër a vepër tjetër është bërë me vullnetin e tij. Kush mendon ndryshe, si këta të “dërguarit” e Zotit në tokë, është kundër Zotit dhe vullnetit të tij...

   Sa për njoftim të opinionit publik, unë nuk kam qenë në garë zgjedhore, por kam qenë shef i shtabit zgjedhor të Degës së PDK-së edhe në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje, dhe Partia Demokratike, e drejtuar nga unë, gjatë fushatës i ka fituar të dy palë zgjedhjet. Herën e fundit Partia Demokratike e Kosovës ka marrë rreth dhjetë mijë vota nga qytetarët e Vitisë, shumica absolute shqiptarë. Të gjithë ata që na kanë votuar e kanë ditur dhe e dinë se jemi shqiptarë dhe më së shumti na kanë votuar pikërisht pse jemi shqiptarë, që njohim të gjitha besimet dhe liritë e të drejtat e secilit për të qenë ai që do të jetë, pa ekskluvizma. Para dy vitesh, kur kam qenë në garë zgjedhore, nëse nuk i vjen mundi këtij farë letërnxirësi, kam qenë kandidati më i votuar në Viti. Nënkryetar  i Komunës së Vitisë jam me votën e PDK-së dhe të qytetarëve të Vitisë, por edhe me dëshirën time për t’i shërbyer sadopak këtij vendi, se unë nuk mundem sa ju “heronjtë” e kësaj komune, që mburreni, kënaqeni dhe kërcënoni se xhamitë nuk po i zënë njerëzit! Kurrë nuk u shkon mendja se në Kosovë, pothuajse nuk ka në asnjë fshat pallat kulture a sporti, nuk ka bibliotekë, etj. Farës tuaj i mjafton Xhamia! 

   Ndoshta edhe këtu kam bërë gabim. Nuk ju kam marrë leje të bëhem nënkryetar! Mos është dashur, zotërinj, të marrim leje te ju për t’u bërë nënkryetar komune apo çfarëdo qoftë tjetër. Se helbete, ju që keni në dorë edhe jetën e njeriut mund të bëni edhe ligjin në Komunë, ju mund t’ua “hapni kafazin luanëve” dhe vaj halli për ne, e qe besa edhe për Kosovën, do të na bëjnë copë e grimë!! Edhe kryetari i Partisë, Thaçi, do të duhej t’ju kërkonte falje pse nuk po ju pyet si me e drejtuar partinë dhe Qeverinë. A me i vesh edhe policet me ferexhe e “shamia”?

 

Hapësira shqiptare pa shami e ferexhe

 

Në Viti jam kthyer me dëshirën time. Për deputet dhe për kryetar Komune nuk kam pranuar të kandidohem për shkak të Planit të Ahtisarit, kundër të cilit kam qenë edhe në Kuvend edhe me shkrime në gazeta të ndryshme. Kërkoj falje që edhe atëherë nuk kam marrë leje prej jush: Me e përkrah a mos me e përkrah atë Plan, që e paskeni pasur kaq për qejfi me gjithë se nuk është bërë mbi parimet Islame!? Bile, ky Plan, Kushtetuta e Kosovës, ka lejuar dhe legalizuar edhe “homoseksualizmin”, që mbase ju e përkrahni. Unë, ju kërkoj edhe njëherë falje, por kam qenë kundër. E bëra këtë “kabahat”...!

   Kandidatin për kryetar Komune në Viti, edhe herën e parë edhe të dytën e kam propozuar unë dhe e kanë miratuar organet e Degës dhe të Partisë (Kryesia dhe Këshilli Drejtues i PDK-së). Ndoshta do të ma falni edhe këtë “kabahat”, se nuk ju kam pyetur juve të nderuar dogmatikë e mashtrues. Sa për gjykata kot që më kërcënoni. Po të kishte gjykatë do të merrej me këta Ademët që më kanë kërcënuar publikisht nëpërmjet gazetës. Pastaj, të paktën ky reaguesi i fundit e di që nuk më kanë trembur as gjykatat e pushtuesit, jo më këto që do të bëhen tonat dhe besoj që ligjet do t’i interpretojnë dhe zbatojnë gjithmonë në interes të vendit, në mbrojtje të gjuhës shqipe, të rendit, rregullit, lirive dhe të drejtave të njeriut pa dallim a janë me atë fe apo me këtë fe, me atë parti, apo këtë parti, i pasur apo i varfër, etj. Pak më ka frikësuar funksioni i tij i “luftës”, i përmendur në fund të shkrimit, por shpresoj të më ketë falur edhe kësaj here. Shpresoj se nuk do të ma ndaloni qëndrimin në shtëpinë time dhe në Kosovë, si dikur Jugoserbia.

   Kam besim të patundur se hapësira shqiptare kurrë nuk do të vishet dhe mbështillet me ferexhe e shami. Por do jetë e lirë dhe do të jetojë në harmoni me kohën dhe ligjet e kohës, sipas vullnetit të Zotit, i cili po e përsëris, që më së miri e kupton gjuhën SHQIPE!    

Do t’i lutem Zotit në gjuhën shqipe: O Zot fali se nuk dinë më shumë! Kurse ai kërcënuesi me “luanët” e kafazit e dinë që për çdo ditë jam në Viti... Unë, me ju e kreva!

 



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx