E hene, 06.05.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Mendime

Naser Aliu: Nuse në Gjermani

E enjte, 25.03.2010, 10:58 PM


Nuse në Gjermani

 

" Atë që e dashuron, lëre të lirë, nëse kthehet, atëherë është e jotja!" Konfuci

 

Nga Naser Aliu

 

Dan Pusi erdhi në Gjermani në moshën e re. Tre vitet e para qëndroi si strehimkërkues dhe pastaj fitoi statusin e refugjatit. Ishte së bashku me të atin, nënën dhe dy motrat. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare u dashurua në një bionde me origjinë nga Polonia. Nga kjo lidhje gati dy vjeçare, lindi Marta. Bashkëjetesa nuk zgjati shumë për shkak të kundërshtimeve, përzierjeve dhe mospajtimit të prindërve. Dani e braktisi atë dhe u kthye përsëri të banojë te prindërit.

Një ditë e mori malli për vendlindjen dhe i telefonoi një shoku të shkollës fillore. Biseduan për çdo gjë,  pastaj edhe për gratë, edhe për martesat. Gratë e huaja, gratë shqiptare. Pas gjysmë ore Rama e këshilloi të martohet me një shqiptare: “ Shqiptaret janë gra të sinqerta, nuk kanë shumë kërkesa, nuk janë të përdala, janë të dëgjueshme dhe nuk ta kufizojnë lirinë, mund të bësh çka të duash, " i tha ai. " Përveç kësaj, janë kuzhiniere të mira dhe kameriere të përsosura, me gratë shqiptare ti ndjehesh zotëri, me ato të perëndimit bëhesh zonjë", shtoi ai në fund duke qeshur.

Këto fjalë Dani i dëgjonte edhe në shtëpi, gati çdo ditë. Nuk ishin risi, por i shërbyen për ta përforcuar bindjen e tij. Kaluan disa javë nga dëgjimi i parë dhe Dani i telefonoi Ramës përsëri.

“ Merre kushërirën time”, i tha ai troç. " Sapo i ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet. Ajo ka një baba të sëmurë, të paralizuar, nëna e saj është traumatizuar rëndë dhe vuan nga një sëmundje e zemrës. Do të kishe bërë një vepër të mirë nëse martohesh me të!", i tha ai. “ I kanë vrarë djalin në praninë e tyre. Dhe, do t´ishte mirë nëse ndihmon prindërit e saj, njëqind euro në muaj mjaftojnë."

Pas dy orëve mori Dani një e-mail me fotografinë e Fjollës. Flokë të gjata, të zeza dhe  të lëshuara në të dy pjesët e kraharorit. Kishte fytyrën engjëllore me një përhijësim të lehtë të faqeve në të kuq, me trup të gjatë e të hollë. Ishte e veshur me një fustan të kuq dhe një këmishë të zezë të mbyllur deri në kopsën e fundit, me jakë të bardha dhe të qëndisura. Dani u prek nga bukuria dhe freskia e saj dhe i shkroi këtë email mikut: “  Shok i dashtun, un do t´iav çoj atyne 300 euro n´muj. Veç net kryhet puna. Më trego kur të nisem. Tung, edhe ty ti jap 200 euro për mësitni!” Dan Pusi.

Prindërit e tij u gëzuan se më në fund do ta kenë një nuse shqiptare në shtëpi dhe kështu do të pavarësoheshin nga bijat, që duhej të nxitonin për t´u bërë drekën, darkën apo thjesht edhe çajin paradite, kafenë pasdite apo qërimin e mollëve dhe copëzimin e tyre pas darke. Ato banonin në të njëjtën rrugë, afër qendrës, ku qiraja ishte më e lirë. Për herë të parë u gëzuan për gruan e djalit të tyre. Me ardhjen  e nuses, nëna nuk duhej më tí hekuroste veshmbathjet e Danit, edhe shpenzimet për lavanderinë mund të kursehen. Nuk ishin vetëm këto, të mërzitshme ishin kryesisht ngritjet për një gotë ujë, gjetja e ndonjë dokumenti, gjetja e telekomandës, e çorapeve apo edhe e shkrepsës. Për këto cikërrima e lëvizje krejtësisht të pa rëndësishme, nevojitet një nuse në shtëpi, e pagojë, shqiptare, që din të shërbej shumë dhe të flas pak, apo fare. Që ngrihet e para në agim, që shkon e fundit në shtrat. E cila punon e hesht. E cila gjithmonë buzëqesh, jo si gjermanet që të thonë: "Shko merre ujin vet, je i shëndoshë! Apo ta sjell ujin, nëse më tregon vërtetimin mjekësor, ku mjeku ka urdhëruar shtrirjen në divan!" Gratë e tilla janë të pafytyra dhe janë shenja se bota po degjenerohet.

“Plakou, po bami familje si ktu ni her!”, tha i ati i ngazëllyer. “Do ta kemi edhe ne një nuse shqiptare në shtëpi dhe më në fund, do të shtrihemi edhe ne në kanape. Si Krasniqët, që rrinë tërë ditën para televizorit dhe nuk duhet të lëvizin nga vendi! U kënaqën bre, u shkrinë...!”

Dani, para se të nisej, takohej çdo ditë me Fjollën në kompjuter. Kështu nga largësia nisi edhe lindja e dashurisë. Këto takime zgjatën gati një muaj.

Nëna e tij nuk mund ta fshihte gëzimin. Me dy bijat ia nisën pastrimit dhe rregullimin e shtëpisë.

" Le ta gjejë shtëpinë e pastër nusja, kështu kupton se si duhet ta mbajë për gjithmonë", tha motra e madhe. Zhvendosën çdo gjë, që nuk ishte e gozhduar. E fshinë pluhurin nga çdo skaj dhe në fund i lyen edhe muret, i pastruan xhamat dhe palosën të gjitha rrobat. E përgatitën Danin, i hekurosën disa këmisha e pantallona dhe i dhanë edhe një kollare me vete. E përcollën me muzikë duke kërcyer deri te hyrja kryesore e banesës. Dani u nisë duke i përshëndetur me dorë nga xhami i makinës. Në qiellin e vranët, me pika të rralla shiu, lëshoi vetëtima dritë rrufeshëm, pastaj disa herë, njëra pas tjetrës gjëmuan bubullimat. Ata vrapuan brenda. " Shenjë e mirë, shiu, bereqet", tha me vete i ati.

 

Herën e parë u takuan në ëmbëltore: Fjolla, kushëri i saj Rama dhe Dani. Pas një jave e ftuan për darkë në shtëpi. Nëna e Fjollës përgatiti një darkë gati dasmore dhe harxhuan tridhjetë eurot e fundit në shtëpi. Ajo i tregoi Danit për luftën, për përjetimet, për tmerrin, deportimet dhe kur ia nisi të flasë për djalin, u ligështua. Fjolla iu hodh në qafë e trishtuar. Rama vrapoi dhe u kthye me një gotë ujë. Ajo e skuqur në fytyrë kërkoi ndjesë. Me fytyrën e lagët, duke marrë peshqirin në dorë, kërkoi ndjesë edhe nëna e saj për shqetësimin e krijuar. Babai i Fjollës fshiu lotët dhe uli kokën. Aty para mesnate u ngrit Dani për të shkuar te daja i tij.

Në dalje i lëshoi njëzet euro në dorë zonjës së shtëpisë dhe i premtoi se sapo të arrijë në Gjermani, do tua dërgonte pesëqind tjera. Edhe Ramës i dhuroi njëzet dhe të tjerat i premtoi se do t´ia dërgonte me postë, sepse në Austri kishte pasur një defekt në makinë, ku ishte dashur të paguajë shumë. Ata u shikuan në mes vete, por arsyetimin e tij e pranuan në heshtje.

“Nuk është me rëndësi”!, tha nëna e Fjollës duke fërkuar duart para vete.

 

Prindërit e saj u gëzuan se e bija nga Gjermania sadopak do t´u ndihmonte në zbutjen e gjendjes ekonomike, të paktën për blerjen e medikamenteve.

Dy javë pas martesës kryen formalitetet e udhëtimit në ambasadën gjermane në Prishtinë. Dani u premtoi atyre se edhe Fjolla do të punësohet, se mund të fitojë shumë dhe mund ta ndihmojë familjen, si donë ajo dhe sa donë ajo. Në pyetjet e të atit të Fjollës, pse nuk ishte martuar deri tani, ai tha se tërë kohë kishte kërkuar një shqiptare, nga një familje e mirë, e fisme dhe se gjermanet nuk i pëlqejnë!

"Janë të përdala!", tha ai duke e parë në sy vjehrrin e tij. Rama tundi kokë në shenjë pajtimi. Prindërit e Fjollës u shikuan në mes vete dhe nuk thanë asnjë fjalë.

 

Sapo lanë pas vete kufirin austriak, u ndalën në një restorant.

Fjolla shikonte kureshtare njerëzit për rreth, kur ua afrua një kamerier i shtyrë në moshë, ajo e shikoi hareshëm. Dani u mërdhez, e vështroi kërcënueshëm dhe ajo uli shikimin mbi tryezë. Mori një lëng të mollëve, Dani një ujë mineral.

“ Më donë vërtetë apo u martove me mua me mua për leje qëndrimi“, i tha asaj derisa po mbushte gotën me ujë.

Fjolla ngriti kokën dhe e uli shpejt e hutuar. Bëri disa grimasa, largoi flokët nga fytyra dhe u lëvizë e trazuar. Për një çast harroi lodhjen, rrugën e gjatë dhe prindërit e sëmurë. Harroi çdo gjë!

“Si tha të lutem?”,

“Ti je shumë e bukur, 11 vite më e re se unë, prandaj thash...mos je martuar me mua për leje qëndrimi...Unë kam shtetësinë gjermane, kjo vlen më shumë se një titull profesori te ne!"

“ Jo, jo”, përsëriti ajo. “ Nuk më duhen letrat, unë kam ardhur për ty”, dhe uli shikimin.

"E kam një fëmijë....!"

"Si e ke një fëmijë?, pyeti ajo e shqetësuar, sikur ngrihej befasisht e trishtuar nga gjumi. " Mos u tall të lutem! Po tallesh, ti tha se nuk ke qenë i martuar kurrë!" dhe iu mbushën sytë me lot.

" Marta quhet, i martuar jo, mirëpo kam një vajzë, dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeçare, por mos u brengos, nuk kam kontakt me atë grua. Ishte një kurvë polake!" Kurvë i tha sa për ta qetësuar dhe për të krijuar bindjen se nuk ka më respekt ndaj saj.

“ Unë dua një djalë me një shqiptare, kjo është arsyeja pse desha të martohem me ty. Dua një shqiptar origjinal, komplet shqiptar! Kupton? Edhe për prindërit e mi...!”’

Kamerieri lëshoi dy pjata në tryezë. Fjolla u ngrit dhe doli te shkallët.

Ai u mundua ta qetësojë duke u betuar se disa vite nuk e kishte parë, se  nuk paguante alimente për vajzën dhe se kishte qenë i ri kur kishte rënë në dashuri.

“Mirëpo, nëse kjo është problem për ty, atëherë ta paguajë biletën e trenit dhe mund të kthehesh në shtëpi!", i tha gjersa thithte tymin e cigares duke ia hedhur asaj në fytyrë.

Fjolla ofshani thellë, largoi kokën dhe iu dridhen buzët. Dëshironte të kthehej në shtëpi, por do t´i dëshpëronte edhe prindërit dhe do të llogaritej si grua e lëshuar, kjo do ta dëmtonte dinjitetin e saj, tërësinë morale dhe do ta përcaktonte në të keq fatin e saj.

Dy orë i shtroi asaj aq shumë pyetje rreth të kaluarës, sa Fjollës i shpëtoi një fjalë duke pranuar se edhe ajo në moshën 14 vjeçare, kishte dashuruar dhe simpatizuar fshehtas një shok të shkollës, por pa u takuar kurrë me të.

" E sheh, që të dy kemi gabuar? Jemi njerëz," i tha asaj tani me zë më të butë duke qenë i bindur se "mëkatet" kishin peshën e njëjtë.

 

Dihet se disa dëshirojnë t´i ndërrojnë dashnoret çdo ditë, krenohen se janë imperialist seksual, por kur martohen vet, duan ta marrin një grua, që nuk e kanë prekur as rrezet e diellit! Ata nuk duan ta kontrollojnë vetëm të tashmen e grave, por duan ta zhbëjnë edhe të kaluarën e tyre. Ata dënojnë gratë e tyre, shkatërrojnë cilësinë e jetës duke konsideruar “vepre penale” të kaluarën, kur ia nuk ishte i pranishëm në jetën e saj. Sipas tyre, kur ata kontrollojnë të menduarit, posedojnë njeriun, mund ta nënshtrojnë deri në depersonalizim dhe ta drejtojnë me telekomandë!  Dhe, ta shumojnë vetveten!

 

Fjolla u nis shkallëve te poshtë. Vështroi drejt qiellit dhe eci para gjersa era shpupurishte flokët e saja të gjata dhe ajo herë pas here i rregullonte. Dielli po perëndonte dhe terri po mbulonte ditën ngadalë. Fustani i saj i hollë nga mëndafshi, që ia fali Dani, valëvitje dhe ajo me duart skofiare mbronte zbulimin e këmbëve! I ati e quante princeshë dhe krenohej me Fjollën. Ai ishte arsimtar i pensionuar herët për shkak të sëmundjes. Edhe pse Fjolla qe e shkëlqyeshme në shkollë, nuk mundi t´i vijojë studimet për shkaqe financiare. Dani e shihte nga shkallët e restorantit dhe kur pa se dy austriak po afroheshin, ai u nis në drejtimin e Fjollës. Si gjeli që pezmatohet,  kur sheh afrimin e gjelit tjetër.

 

Konkurrenca! Konkurrenca! Disa burra mendojnë se nuk janë burra të  mjaftueshëm. Kanë komplekse vogëlsie dhe këta burra, për ta gjetur një ekuilibër shpirtëror, mungesën e sedrës e plotësojnë duke nënshtruar bashkëshorten. Keqtrajtimin që i bëjnë gruas u shërben atyre si erzac i potencës. Burrat e tillë rëndom shërohen nga këto komplekse, kur t´ia humbin gruas tërë atraktivitetin femëror, kur vërejnë se askush nuk e shikon më. Ose, kur mplaken humbin krenarinë e dikurshme, sepse nuk janë më xheloz dhe gruaja është shkatërruar fizikisht dhe shpirtërisht. Disa gra dobësohen shumë nga problemet dhe mosrespektimi. Disa gra trashen nga stresi i përditshëm, mirëpo gratë me burra të tillë, gjëja e parë që humbin është: liria! Liria e të menduarit, shprehjes dhe lëvizjes. Deri në mbyllje dhe izolim! Kjo racë e burrave vetëm duke dominuar ndjehen vërtetë burra. Madje, këta janë burra të fuqishëm vetëm në shtëpinë e tyre, vetëm kundër gruas dhe fëmijëve!  Jashtë janë ose njerëz anonim ose herë-herë edhe të shoqërueshëm. Kështu mundohen ta fshehin impotencën kronike apo komplekset e tyre, që fshihen në mbathje! Disa Burra kanë frikë nga konkurrenca dhe kjo racë ka paragjykime: "çdo burrë tjetër e ka më të madh se unë! Çdo burrë tjetër është më i fortë se unë! Kështu paragjykojnë ata!  Kështu gjykojnë ata dhe pason izolimi dhe mbikëqyrja!"

 

Austriakët hynë në restorant duke folur e qeshur me zë të lartë.

" Kosovë apo Gjermani? Zgjidh! Tren apo autobus?!" Fjolla nuk tha asnjë fjalë, ashtu duke dënesur dhe duke fshirë lotët, u fut në makinë.

"Unë desha të jem i sinqertë me ty, nuk ta thashë këtë për krenari!" Fjolla e falënderoi dhe mbështeti kokën duke mbyllur sytë. U dëgjua një fishkëllim e rrotave, ashtu si dinë t´i bëjnë vetëm shqiptarët krenarë dhe u tretën. Dy austriakët, që po dilnin me nga një bagetë në dorë, shikuan duke zgurdulluar sytë!

 

Fjolla e veshur me një fustan të bardhë dhe një kurorë, qëndronte ulur në një karrige pranë derës dhe sa herë hynte apo dilte dikush, ngrihej në këmbë. Kur ajo varte kokën nga lodhja, vjehrra kollitej dy herë dhe Fjolla kërcente në këmbë. Pas ankesave të njëpasnjëshme të fqinjëve, u desh ta zvogëlojnë zërin e muzikës. "Laje ti moj gooooce, laje ti, shaminë e beqarit...!"

Aty para mesnatës të ftuarit dolën njëri pas tjetrit dhe Dani e mori për dore nusen në dhomën e fjetjes.

 

Në disa dasma shihen fytyra të zymta, të ngrysura të nuseve. Ato në vend se të gëzohen që martohen, ulur në një karrige rrezatojnë një trishtim makabër, një mospajtim, një revoltë të pashpjegueshme dhe frikë e tmerr nga çastet që vijnë. Ato ulen dhe ngrihen, përkulen e drejtohen për të dëshmuar me fakte, jo se ka ardhur si nuse në shtëpi, por si shërbëtore pa personalitet dhe pa dinjitet të vetin! Ato shërbejnë të ftuarit, ua marrin dorën duke u përkulur si skllave dhe tërhiqen prapa si robotë të programuar! Përkulja e tyre, nënshtrimi  i tyre, është letërnjoftim i mizoginëve. Ato nuk flasin, nuk qeshen, por shërbejnë, si shërbenin skllevërit Qesarin:. Julius Gaius Qesarin. Perandorin e famshëm romak!

 

"Me dëgjo", i tha duke ia përkëdhelur flokët: " Ti je tani në Gjermani dhe duhet t´i kuptosh disa rregulla këtu. Në qytet apo shitore nuk mund të shkosh vet." Fjolla ngriti kokën. " Nëse shkon, atëherë vetëm me nënën ose me motrat e mia. Miqësi me gjermane janë të ndaluara, edhe me shqiptaret, që nuk i njoh unë! Nëse rrugës takohemi me shokë, mos i përshëndet për dore, por vetëm nga larg, me fjalë, e qartë?  Dhe, një gjë mos harro kurrë, kur ecim rrugës, ec kokulur duke i parë vetëm këpucët apo pak para këpucëve, një metër, më shumë jo...!"

Fjolla pohoi duke tundur kokën dhe kafshoi buzët.

 

Gjyqi Për Çështje Familjare, janar 2010, të pranishëm: gjyqtari dhe zonja Mayer para kompjuterit; në sallë dy avokatë, psikologja znj. Dr. Müller, që merret me studimin e sjelljeve, Fjolla dhe Dani.

 

"Po ju lexoj shkurtimisht arsyen e shkurorëzimit, tha gjyqtari dhe hapi dosjen. "Dan Pusi dhe zonja Fjolla Destini-Pusi me shtetësi kosovare, janë martuar në janar të vitit 2008 në Kosovë. Pas gati një viti bashkëjetese, Fjolla ka braktisur djalin dhe është kthyer në shtëpi. Atje ka qëndruar tre ditë dhe është kthyer përsëri në RFGJ, por jo në shtëpinë e saj, por gati 900 km larg, në shtëpinë e grave...! "

Gjyqtari lexonte ngadalë pa ngritur kokën. Dani vështronte Fjollën vjedhurazi.

" Para se psikologja të lexojë raportin e vet, do të kenë mundësi palët të deklarohen. Ne sot nuk mund ta ndalim shkurorëzimin, por duhet të vendosim për ardhmërinë e Kevinit, se cilit nga prindërit do ta fitojë kujdestarinë. Pra, sot, nuk do të vendoset për interesat e prindërve, por të djalit!" Gjyqtari ngriti kokën, hoqi syzat e leximit dhe shtoi: " Fjalën e ka zonja Fjolla Destini-Pusi.

Ajo u ngrit, u falënderua dhe shikoi Danin në sy. Ai uli shikimin.

"Mund të flisni edhe ulur", i tha gjyqtari. Fjolla iu falënderua dhe ul duke shtrënguar një laps në dorë. Avokati e preku në krah duke i sugjeruar të flasë. Nga fillimi?, pyeti ajo.

" Po, nga fillimi," përsëriti avokati.

" Unë u dashurova në fillim në bazë të fjalëve, që m´i tregonte kushëriri im, pastaj takoheshim shpesh në internet, kur e pashë më pëlqeu dhe e dua akoma dhe jam e gatshme të kthehem pranë djalit tim!  E thash këtë sepse psikologja më pyeti se a ishim fejuar që nga fëmijëria. Në Kosovë diçka e tillë, nuk ekziston. Pra unë jam e gatshme të kthehem te djali, por jo me dy ..."

" Për fat të keq burri Juaj nuk e dëshiron këtë", e ndërpreu gjyqtari.

" Po, e di", tha Fjolla dhe shikoi përsëri Danin. Ai ktheu shikimin nga avokati i tij.

" Zoti gjykatës", vazhdoi Fjolla. " Unë në shtëpinë e tij jam sjellë si sillet një grua shqiptare..."

" Si sillet një grua shqiptare", pyeti gjykatësi.

" Unë kam respektuar të gjitha rregullat. Kam bërë atë që ka dashur ai. Prindërit e tij. Për një vit kam dalë dy herë në qytet. Kur erdhi letra nga Zyra për të Huaj me kërkesën për vijimin e kursit të gjermanishtes, ai e bëri copë-copë dhe e hodhi. Prandaj mua më nevojitet sot përkthyesi. Gjatë shtatzënisë më ka dërguar vetëm një herë te gjinekologu, jo burri im, por kunata. Te një grua gjinekologe. Dy javët e para ka fjetur në shtëpi, pastaj tha se duhet të punojë natën dhe kthehej në mëngjes, pak pas orë tetë. Kështu vazhdoi deri një javë para lindjes", dhe ajo mbylli sytë. Lotët rrëke zbritnin mbi faqet e saja valë. Avokati i dha një facoletë. Fjolla dëneste. Gjyqtari i ofroi një pushim të vogël derisa të qetësohej. Ajo refuzoi. "Do të vazhdoj", tha e vendosur. Psikologja i shtyri gotën me ujë, që gjendej mbi tavolinë me një kanë. Fjolla fshiu lotët dhe mori gotën në dorë duke u falënderuar.

" Zoti gjykatës, një javë para lindjes së Kevinit ishim të ftuar në dasmën e kushëririt të tij. Dola para dere të marrë pakëz ajër të pastër. Sapo desha të kthehem brenda, doli edhe ai për të tymosur dhe në atë çast u afrua një zonjë me dy fëmijë. Kur panë fëmijët Danin, vrapuna në drejtim të tij duke bërtitur "papi...!" ( babi). Unë e shikova atë e hutuar, mbeta e shtangur, ai i mori fëmijët me vrull, bërtit diçka në gjermanisht, e mbaj mend vetëm fjalën "Scheise", sepse te ne ka edhe emër femre: Shaize.

Gjyqtari nënqeshi si dhe zonja që shkruante në kompjuter.

" Siç thashë, i rrëmbeu fëmijë si i tërbuar, gruaja vrapoi pas tij dhe i çoi diku me makinë. Në atë çast më kanë dërguar në spital, ku linda djalin tim", dhe ia plasi përsëri vajit. " Në spital qëndrova shtatë ditë dhe nuk më ka vizituar asnjë herë. Unë desha që djali të quhet Faton, e kishin pagëzuar Kevin. Djalit i kam dhënë gji vetëm një javë. Pastaj kunata ime, që pat lindur fëmijë dy muaj para meje. Dani thoshte se tambli im është i keq. Pak para se të më dëboj nga shtëpia, mora vesh nga një shqiptare, nga një telefonatë anonime, se Dani nuk kishte punuar kurrë natën dhe se jetonte nga ndihma sociale, por natën e kishte kaluar te gruaja tjetër, gjermane. Një vit jetova në një gjendje të pa shpjegueshme: rrahje, keqtrajtime dhe qortime të përditshme. Djalin nuk ma jepnin, por e mbante nëna e tij ose kunata. Unë shërbeja në atë familje, por me djalin nuk kam mundur kurrë të kalojë një orë. Kevini flinte natën me gjyshen. Një ditë më tha ta marrë pasaportën me vete se do të dalim diku, u soll shumë mirë me mua, mendova se do të ndryshojë gjendja, por pas katër orëve arritëm në aeroportin e Berlinit. Më lëshoi biletën e aeroplanit në dorë me dhjetë euro dhe iku. Për të ardhur këtu, për dhurata, pata marrë hua një mijë euro, që nuk i kam kthyer...Pjesën tjetër e dini, se pastaj u ktheva në shtëpinë e grave...Gjatë më shumë se një viti qëndrimi në atë shtëpi, i kam telefonuar dhe shkruar mesazhe qindra herë, por kurrë nuk më lejoi ta takoj djalin...!"

Gjyqtari solli kokën dhe një copë herë mori disa shënime.

" E keni radhën ju, zoti Pusi, por përqendrohuni në çështjet kryesore ju lutem."

Dani tregoi se ishte zhgënjyer dhe se ndjehej i mashtruar nga Fjolla. Qëllimi i saj nuk kishte qenë krijimi i familjes me të, por përfitimi i lejes së qëndrimit.

" Fakti se kemi 11 vjet dallim, flet për këtë!, tha ai. " Në shtëpi sillej keq. Nuk respektonte prindërit e mi. Nuk është e vërtetë se ia kam ndaluar mësimin e gjuhës, por ajo thoshte se gjermanishtja është gjuhë oficerësh. Kam dashur ta dërgoj disa herë te gjinekologu, por nuk dëshironte, kishte turp apo shtirej se kishte turp. Nuk dinte të sillej si nënë e mirë, ndoshta pse është e re dhe nuk e kanë mësuar në shtëpi. Në aeroport nuk e kam dërguar, pse doja unë, por ajo më tha: ose ndaju nga ajo grua ose ika." Fjolla tërë kohën sillte kokë në shenjë mospajtimi.

" Unë i pata treguar qysh në Kosovë se kam tre fëmijë, me dy gra. Me gruan që kam dy fëmijë nuk kishim kontakte, por zoti gjyqtar, unë jam burrë, kjo nuk dinte të bëjë as dashuri si duhet. Seksi me të ishte i mërzitshëm, i pavlerë dhe iu ktheva gruas së dytë. Arsyeja kryesore pse unë u pajtova të kthehet, është se ajo nuk e donte djalin! E keqtrajtonte, nuk e ushqente, harronte...Diçka tjetër nuk kam ç´ ka të them", tha ia. " Harrova edhe një gjë që për ne shqiptarë është me shumë rëndësi: ajo nuk ishte e virgjër." Në këtë çast Fjolla u ngrit si e tërbuar, avokati u përpoq ta ndalë, por me gjithë pengimin e tij, arriti të hedhë me gotë në drejtimin e Danit. Ai uli kokën dhe gota u thye copa-copa në mur. Avokati i tij dhe Dani fshinë fytyrën nga uji, që u derdh gjatë fluturimit të gotës.

Dan Pusi u buzëqeshë dhe shtoi: " E shihni zotëri gjykatës! A mund të jetohet me një grua të tillë!?! E fëmija, si mund të jetojë fëmija me një nënë të tillë?!" Gjyqtari e qortoi Fjollën duke iu kërcënuar edhe me gjobë për mosrespektimin gjykatës...Fjolla vuri dorën në ballë dhe qante.

 

“ Ta dëgjojmë tani raportin e specialistes, që është marrë me studimin e sjelljeve të tyre“, tha gjyqtari. Avokatëve u janë dërguar kopje me kohë, por megjithëkëtë t´i dëgjojmë shkurtimisht edhe një herë. Psikologja mori syzat e leximit dhe ul në një tryezë në mes të sallës duke shfletuar dosjen.

" Gjykatë e lartë, sipas autorizimit Tuaj, unë mora kontakt me të dy palët. Në shtëpinë e zotëri Pusit isha nga ora dhjetë deri në orën pesëmbëdhjetë. Me zonjën Pusi dhe djalin u takuam dy herë, për tetë orë. Psikologja shikonte herë pas here në aktet e saja.

Si kalohet dita te z.Pusi? Nga ora dhjetë z.Pusi ishte shtrirë në divan dhe ai shërbehej nga nëna. Nëna i sillte ujë, nëna ia solli taketuken, tymoste në dhomën ku gjendej edhe djali. Kur djali qante, nëna e tij vraponte. Ai nuk shqetësohej dhe nuk lëvizej nga vendi. Shikonte televizor me të atin apo bisedonte me të. Ose luanin shah. Konstatimi im që është me rëndësi për gjyqin: djali nuk ka lidhje të veçanta me z.Pusi, por e konsideron nënë, nënën e zotit Pusi dhe ajo kujdeset për të. Interesante të përmendet se për drekë erdhi motra e tij, bëri drekën gati dhe me një enë në dorë u afrua pranë të pranishmëve për t´i larë duart edhe pse lavamani ishte aty afër. Fëmija ka ngelur prapa, i retarduar dhe nuk flet shumë dhe ndaj lodrave nuk reagon si fëmijë e moshës së tij.

Me zonjën Pusi u takuam dy herë: djali nuk reagon ndaj saj. Ata kanë jetuar më shumë se një vjet të ndarë dhe fëmija e konsideron gjyshen nënë!" Fjolla ofshani thellë dhe i nguli shikimin Danit duke shtrënguar nofullat, ai fshehu kokën pas avokatit të vet.

" Janë provuar dhjetëra mënyra për të rikrijuar një lloj lidhshmërie mes nënës dhe djalit, pa sukses. Djali qante në praninë e saj dhe nuk pushonte... Përshkrimet tjera me imtësi i keni të bashkangjitur në raport. Ajo u ngrit, eci ngadalë dhe ulë në radhën e parë.

 

Gjyqtari e falënderoi psikologen. "Para se të tërhiqem për të marrë vendimin, zonja Pusi ju lutem të mendoni se a mund të shpërnguleni në këtë qytet apo afër, në mënyrë që çdo njëri të ushtrojë detyrën e prindit? Gati 900 kilometra larg njëri tjetrit, nuk mund të bëhet!"

Fjolla solli kokën në shenjë mospajtimi.

" Zonja Pusi, ju keni leje qëndrimi në bazë të martesës, tani jeni e papunë dhe jetoni nga ndihma sociale, por meqenëse fëmija juaj është gjerman, atëherë nuk mund të ju kthejnë prapa, mirëpo vetëm nëse fitoni kujdestarinë e djalit apo jeni në gjendje të paguani alimente. Ligji parasheh rregulla të përkufizuara mirë. Ashtu si jetoni ju tani, duket vështirë, sepse nëse ju fitoni, atëherë djalit i pamundësohet kontakti me të atin dhe kryesisht me gjyshen...unë kam për detyrë të vendos në dobi të fëmijës! Pas vendimit të sotshëm Zyra për të Huaj vendosë se a vazhdohet leja e qëndrimi apo jo."

Avokati i saj u përpoq të bindë Fjollën, mirëpo ajo sillte kokën. Gjyqtari me zonjën Müller u ngrit dhe nga një derë, që gjendje pas tyre, hynë në zyrë. Pas gjysmë ore  gjyqtari hyri duke lëshuar dosjen mbi tryezë. Të pranishmit u ngritën në këmbë.

" Në emër të popullit", tha ai, " kujdestaria e djalit i besohet të atit, zotit Dan Pusi.

Arsyetim: " Në bazë të bindjeve pas këtij shqyrtimi dhe në bazë të raportit të psikologes konstatohet se në dobi të djalit është të mbetet te i ati, jo pse ai ka përgjegjësi atësie më të mirë, por se fëmija është mësuar me gjyshen dhe duhet evituar edhe një traumatizim tjetër. Nëna nuk është e gatshme të afrohet, për t´i mundësuar edhe t´atit ushtrimin e kujdestarisë. Kundër këtij vendimi zonja Fjolla Destini mund të ankoheni brenda dy javësh. Proceduar përfundon! Brenda dy jave do ta merrni vendimin me shkrim." Ai mblodhi aktet dhe doli.

Fjolla futi kokë mes duarve dhe ia plasi vajit. Avokati dhe psikologja u përpoqën ta qetësojnë. Dani me avokatin e vet doli jashtë. Në korridor prisnin nëna e tij me djalin dhe dy motrat. Dani i ngriti dy duart në ajër duke dashur pa fjalë t´u tregojë se fitoi. Ato të tria së bashku e përqafuan dhe ecën korridorit krenare.

 

Me njëzet shkurt 2010 qyteti ku banonte Fjolla vendosi për mosvazhdimin e lejes së qëndrimit dhe Fjolla u detyrua të kthehet në shtëpi. Askush nuk kuptoi refuzimin e saj kategorik për t´u afruar pranë djalit dhe kështu të fitojë kujdestarinë. Në muajin mars telefonoi me psikologen. Babai i saj kishte ngulu këmbë të mos afrohet pranë burrit. Dani iu kishte kërcënuar se do t´ia vriste bijën nëse afrohet apo vjen të banojë në qytetin e tij. Kaq!  Asgjë më shumë, asgjë më pak.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora