E shtune, 27.04.2024, 07:01 AM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Në Kosovë edhe shamia arabe mund të jetë mbi shkollën dhe mbi ligjin

E merkure, 24.03.2010, 10:52 PM


Në Kosovë edhe shamia arabe mund të jetë mbi shkollën dhe mbi ligjin

 

Nga Xhevat Bislimi

  

Feja me rrymat e shumta të saj përditë e më shumë dhe përditë e më hapur po merr karakter të theksuar ideologjik e politik edhe në Kosovë. Zaten feja në çdo periudhë historike i ka shërbyer pushtetit dhe shtetit. Në periudha të caktuara historike, në disa vende edhe sot, feja ka qenë vetë shteti. Ajo e ka bërë dhe e ka zbatuar ligjin. Mendojeni kohën e inkuizicionit, zbatimin e sheriatit, shtetin e talebanëve, etj. Tendenca të tilla që feja ta bëjë ligjin, ta kontrollojë shoqërinë, ta vendosë normën e sjelljes, të moralit dhe të mënyrës së jetesës janë mjaft aktuale dhe kanë ngritur krye. Madje, nganjëherë po i tregojnë edhe dhëmbët në hapësirën shqiptare, që dikush po "investon" dhe do të donte ta quante dhe ta shndërronte në hapësirë "islamike"-arabe. Temë, sa e gjerë aq e thellë. Temë, që do vëmendje dhe mendje, angazhim dhe përkushtim, guxim dhe studim nga inteligjencia shqiptare. Por, me sa duket, jo vetëm politikanët, që çdo fjalë a punë të tyren e matin me votë, por edhe inteligjencia jonë (me ndonjë përjashtim) disi është e hutuar dhe ndoshta edhe e frikësuar nga këto lëvizje dhe rryma fetare, që janë bërë kërcënim për qytetërimin dhe të ardhmen e kombit tonë.

 

Për fe është xhamia

 

Për ta bërë këtë shkrim më "ngacmoi" një prononcim i Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, për çështjen e "shamisë" në shkollat tona! Ky Avokati ynë i nderuar, pa u hamendur dhe mbase pa menduar fare për këtë problematikë bukur problematike, tha: "Dikush po e sheh veten mbi ligjin". E kishte fjalën për një "nxënëse" me shami që nuk qenka lejuar të hyjë në shkollë edhe pasi kjo i qenka "lejuar" nga gjykata e Gjilanit - e Ymer Huruglicës! Zoti Sami dhe secili qytetar i Kosovës me dy ditë shkollë e ka të qartë se në Kosovë shkolla është laike dhe feja është e ndarë nga shteti. Kosova është e tejngopur me xhami e me kisha. Nuk ka vend në botë ku është kaq e lejuar dhe e papenguar feja! Në Kosovë ka edhe shkolla fetare. Prandaj, askush nuk mund të predikojë fenë e tij, partinë apo ideologjinë e tij në shkolla. Për ata që janë përcaktuar për fe është xhamia, është kisha dhe janë shkollat fetare të hapura më shumë se që ka nevojë ky vend e ky popull! Askush nuk duhet dhe nuk do të "guxonte" t'i interpretonte liritë dhe të drejtat e njeriut, siç po i interpreton ndonjë gjykatës a gjykatë e korruptuar dhe siç po i interpreton Avokati i popullit (njeri shumë i nderuar) në rastin e shamisë. Gjykatat dhe vendimet e tyre nuk mund të jenë mbi ligjin dhe mbi interesat e vendit. Për vendimet e tyre të kundërligjshme dhe të ndikuara nga lëvizjet fetare, nga paraja apo nga politika ata do të duhej të përgjigjeshin dhe të ndiqeshin edhe penalisht, por kjo nuk ka bërë vaki deri më sot në Kosovë!!!

Çfarë do të thoshte zoti Sami Kurteshi apo çfarë do të thoshin gjykatësit dhe prokurorët e "nderuar" nëse fëmijët e dikujt do të shkonin në shkollë me plis të bardhë si dëbora, me tirq e me xhubletë, ose, nëse fëmijët e ca të tjerëve do të shkonin me kaçketë, ca të tjerë me beretë, të tjerët me shajkaq, dikush me dimija, dikush me fustanellë, dikush me pantallona të shkurta, dikush me kryqin sa vetë ai, dikush nudo, etj.? A kanë të drejtë edhe këta, dhe, nëse shkolla nuk do t'i lejonte a do të ishte mbi ligjin? Me këto interpretime të lirive dhe të të drejtave të njeriut ju po kërkoni të krijoni një kaos dhe katrahurë që do ta shpinte në kolaps shoqërinë tonë ose në një konflikt të përhershëm e primitiv midis rrymave fetare, ideologjike, politike e "kulturore".

 

Thirrja e ezanit me altoparlant

 

A do të ishte mbi ligjin kleri mysliman nëse nuk do t'i lejonte njerëzit të hynin në xhami me mbathje, të pinin raki, të këndonin e të vallëzonin? A do të ishte mbi ligjin kleri katolik po të mos lejonte që kisha të shtrohej me qilima dhe dikush a një grup njerëzish të faleshin dhe të luteshin zbathur, si në xhami? A do të ishte mbi ligjin Komuna nëse nuk do të lejonte dikë që të hiqte tavolinat e karriget nga zyrat dhe t'i shtronte ato me qilima e me "shilte" si në odat e burrave? A do të ishin mbi ligjin ato shoqata, grupe apo parti që do të shpallnin thirrjet, deklaratat apo "lahitë" e tyre nga tri herë a pesë herë në ditë me altoparlant, duke dhunuar dhe terrorizuar qytetarët, siç po bëjnë xhamitë me minaret dhe altoparlantët e tyre? Në vendet e civilizuara, qytetarët gjithnjë e më shpesh po kërkojnë që edhe kambanat e kishave të ndalohen dhe po ndalohen, kurse te ne edhe "ezani" thirret me altoparlant shurdhues pa pyetur për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qetësinë e tij! Nuk ka primitivizëm më ekstrem se thirrja e këtillë (me altoparlant) e "ezanit". Pothuajse, të gjithë shqiptarët, fatkeqësisht, jetojnë nga dhe me bukën e botës së krishterë (të "kaurëve"), madje edhe turistë (haxhinj) shkojnë me parat e fituara nga bijtë e tyre në vendet e krishtera, ndërsa altoparlantët gjëmojnë në të katër anët e Kosovës si të ishe në Arabi!!

 

Ndarja e fesë nga shteti

 

Po dua të them se në Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare feja është e (tej)lejuar dhe tepër e papenguar (e shfrenuar), por ne nuk jemi as Republikë islamike dhe as e krishterë... Ne, "më katolikë se Papa nuk kemi nevojë të bëhemi"! Franca e krishterë, për të ecur përpara, e ka ndarë fenë nga shteti që në vitin 1905. Shoqëria njerëzore gjatë gjithë ekzistimit të saj, qysh se u nda nga egërsia, ka jetuar, është udhëhequr dhe ka funksionuar me ca norma, doke, rregulla dhe me një sistem vlerash të kohës, varësisht nga konteksti historik, ekonomik e shoqëror. Përpjekjet për të përmbysur dhe dhunuar sistemin e vlerave ekzistuese nga disa grupe, rryma dhe lëvizje fetare janë të mbarsura me rreziqe për popullin tonë. Ato mund të qojnë ujë vetëm në mullirin e atyre që e duan Kosovën dhe gjeografinë shqiptare pa shqiptarë! Të jetojmë, të falemi, të lutemi në xhami, në kishë a në shtëpi, por si shqiptarë. Të qenit shqiptar ishte dhe është vullnet i Zotit, i cili më së miri e kupton gjuhën shqipe, nënën e gjuhëve të botës. Cilido shqiptar, që mendon të jetojë, të falet, të lutet e të vdes si italian, grek, arab, turk, amerikan, etj. është kundër Zotit dhe vullnetit të tij të pa diskutueshëm në tokë. Përpjekjet për ta mbjellë gjuhën, kulturën dhe qytetërimin e huaj te shqiptarët nëpërmjet "fesë" janë përpjekje kundër Zotit, kundër fesë dhe kundër kombit e Atdheut.

Populli ynë i mençur gjithmonë ka thënë: "Sipas vendit edhe kuvendi", ore Sami. Nuk më habitën aspak RTV 21 dhe, sidomos KTV-ja, që ka vendosur në tabelë të qitjes Komunën e Vitisë, nuk më çudit as UNMIK-EULEX-i me sojin dhe sorollopin e tij në Kosovë. Më befasoi Sami Kurteshi me deklaratën e tij të pa menduar...



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora