E diele, 28.04.2024, 07:03 PM (GMT+1)

Mendime

Fehmi Ramadani: Cili është modeli i bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Beogradit?

E diele, 21.03.2010, 04:45 PM


Cili është modeli i bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Beogradit?

 

BE-ja, përkatësisht Brukseli është duke punuar në katër modelet e bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Beogradit: Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, Qipros dhe Turqisë, Palestinës dhe Izraelit, si dhe Kinës dhe Tajvanit. Ndërsa, Beogradi po punon në hartimin e modelit të krahinës së Bavarisë (Gjermani).  Modeli më i mirë i Prishtinës ndaj Beogradit do të ishte fqinjësia e mirë dhe raportet ndërshtetërore, sepse kjo është rruga e shtensionimit të rajonit dhe erës së re politike në Evropë.

 

Shkruan: Fehmi Ramadani

 

Para se të ndodhë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, para se të ndodhë hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian, BE-ja, përkatësisht Brukseli është duke punuar në hartimin e një dokumenti bazë për bashkëpunim në mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili do të jetë obligues për dy vendet. Ky dokument do të jetë i ngjashëm sikur me gjashtëpikshin e Ban Kimunit, i cili palën kosovare e kishte gjetur të befasuar. Gjithashtu, ky projekt përputhet plotësisht edhe me deklaratat e mëparshme të ambasadorit të Britanisë së Madhe në Beograd,  Stive Woodvort,  i cili tha se Beogradi dhe Prishtina do të jenë të detyruar të kenë një lloj bashkëpunimi në të ardhmen.

 

Mediumet serbe, por edhe ato të huaja njoftojnë se ky model bashkëpunimi do të bazohet në përvojën e Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore,  Qipros-Turqisë, Palestinës - Izraelit, si dhe Kinës e Tajvanit.

 

Be- ja insiston që Beogradi dhe Prishtina të zgjedhin njërin nga këto modele, ose të pajtohen vetë këto dy vende me ndonjë model të vetin, ndryshe do të jenë të detyruar të mbështesin njërin nga modelet e lartpërmendur.

 

Modeli i Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore ishte përmendur qysh në vitin 2007 nga Volganf Ishinger,  negociues i BE-së për Kosovën, i cili qysh atëherë në Vjenë kishte propozuar një model të tillë bashkëpunimi, por pala serbe e kishte refuzuar me këmbëngulësi.

 

Ndërsa, modeli Kinez -Tajvanez është një propozim tjetër pak më i vështirë, sepse Tajvani nuk është nën protektoratin ndërkombëtar dhe nuk njihet si shtet nga BE-ja, por edhe nga shtetet e botës. Ky territor konsiderohet si vend kinez me tendencë të pavarësimit të tij. Për këtë model po flitet, sidomos përpara Konferencës së Bërdos në Slloveni,  të cilin presidenti Tadiq kishte propozuar që delegacioni shtetëror i Kosovës të përfaqësohet me emrin UNMIK-KOSOVO dhe se Beogradi nuk do të kundërshtojë përfaqësimet dhe integrimet rajonale të saj. Sipas Beogradit ky model bazohet në rezolutën 1244 e KS të OKB-së, e cila ende është në fuqi dhe ruan tërësinë territoriale të Serbisë.   

 

Gjatë shqyrtimit të këtyre opsioneve BE-ja ka rezerva të theksuara, sidomos ndaj modelit në mes Palestinezëve dhe Izraelit, Kinës e Tajvanit dhe Qipros e Turqisë, të cilat janë të ngarkuara me vite të tëra, të cilat kurrsesi të zgjidhen. Po kështu edhe Beogradi ka rezerva të mëdha ndaj këtyre opsioneve dhe ajo më shumë preferon modelin krahinës së Bavarisë në Gjermani, e cila është vend i lirë, ka Qeverinë, gjygjësinë dhe institucionet tjera, për veç subjektivitetit ndërkombëtar. Beogradi tashmë është duke punuar shumë në këtë drejtim, që pas vendimit të Gjygjit Ndërkombëtar të Hagës mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës të fillojë ofensivën e re për një lidhje dhe model të ri në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ajo tashmë është e vetëdijshme se kjo do të jetë kusht për integrimet evropiane të këtij vendi.

 

Por, tani shtrohet pyetja, çfarë modeli ka Prishtina? A kanë projekt konkret politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që t’i shmangen ndonjë vendimi jo të favorshëm për Kosovën?  Kosova nuk mund të krahasohet me Qipron, Kinën, Palestinën dhe Irlandën, sepse edhe nga vetë politika ndërkombëtare është cilësuar, si rast specifik, apo “sui generis”. Kosova ka një trajtim krejt tjetër nga këto vende, por edhe rruga e saj deri te pavarësimi ishte shumë e rëndë dhe me sakrifica të mëdha. Asnjë vend në botë nuk kishte përjetuar një kataklizmë kombëtare sikur Kosova, andaj çdo argument dhe krahasim me Tajvanin, apo Irlandën është i pavend. Mirëpo, siç po punon politika e jashtme e Kosovës dhe Shqipërisë gjithçka është e mundshme. Prishtina dhe Tirana, përfundimisht duhet të zgjohen nga gjumi, të bashkëpunojnë dhe të hartojnë një plan të përbashkët në mënyrë që të ndalin modelet evropiane dhe serbe në dëm të Kosovës. Prishtina dhe Tirana duhet të kenë projekte konkrete për vete, e më pastaj për integrime rajonale dhe evropiane. Projekti i parë që duhet bërë është bashkëpunimi i plotë në mes Tiranës dhe Prishtinës dhe integrimi i tyre në të gjitha fushat, dhe më pastaj me shtetet e rajonit. Ndërsa, me Serbinë nuk duhet të ketë asnjë model tjetër, përveç modelit të fqinjësisë së mirë dhe raporteve reciproke ndërshtetërore. Kurse, për projektet e BE-së që janë në ndihmë të Kosovës dhe Shqipërisë mund të diskutohet pa asnjë problem. Modeli i fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok ndërshtetëror do të ishte modeli më i mirë si për Serbinë, por edhe për BE-në,  sepse edhe BE-ja do të lirohet nga kjo situatë e nderë në rajon, ndërsa Serbia, përfundimisht do t’i kthehet vetes, problemit të qytetarëve saj, por do të përjetojë edhe një katarzë të përgjithshme shoqërore e politike, e cila do të ishte shumë e dobishme për të ardhmen e këtij vendi. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora