E diele, 28.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Koha e antivlerave dhe mediokriteti kadrovik profesional

E shtune, 20.03.2010, 06:12 PM


KOHA E ATIVLERAVE DHE MEDIOKRITETI KADROVIK PROFESIONAL

Nga Adnan Abrashi

Pa dyshim se sot në përgjithësi, shoqëria e jonë kosovare po ballafaqohet me mjaftë sfida nga më të ndryshmet. Apo, të jemi më konkret, me shumë dukuri negative specifike si fenomene në vete. Përveç atyre të tjerave materiale të shprehura në formë të papunësisë dhe varfërisë së skajshme në përhapje, si tejet brengosëse është edhe shfaqja e shumë veseve të një morali të dyshimtë masiv që neve si shoqëri, dita – ditës, po na shpinë kah një degradim të pandalshëm kolektiv.
Format e këtij degradimi moral janë të shumta por, mbi të gjitha, ajo që duhet të na brengos seriozisht është se ato nisen dhe zyrtarizohen që nga nivelet më të larta të hierarkisë politike vendimmarrëse shtetërore. Pra, fillojnë nga koka dhe shprehen në formë të antivlerës dhe mediokritetit kadrovik. Kësaj, fillimisht i paraprijnë procesi i imponimit të tyre si autoritete të rrejshme shoqërore, e që, më vonë, në bindjet tona na familjarizohen kinse si personalitete të shquara me vlera të larta profesionale.
Autoriteti si virtyt në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, nënkupton ndikimin e fortë dhe mbresëlënës të një personi, duke shkaktuar tek personi apo personat tjerë dhuntinë psikologjike të nderimit dhe respektit ndaj tij. Për të qenë dikush i tillë në një rreth të caktuar shoqëror, patjetër si karakteristikë të përgjithshme duhet të disponoj: inteligjencë të nivelit të konsiderueshëm, virtyte të larta morale, karizëm reflektues, si dhe aftësi të treguara profesionale në bazë të meritave gjatë një periode kohore në punë. Ky autoritet, ndryshe mund të quhet edhe si: “autoritet i meritës”.
Në kuptimin e ngushtë profesional, kur janë të dalluar për një fushë të caktuar, individët autoritativ, në të shumtën e rasteve konsiderohen edhe si “ekspertë”, apo “autoritete të profesionit”. Këta si veçori të përgjithshme i karakterizon: titulli i nivelit arsimues në profesion, eksperienca e duhur, rezultatet e shumta të treguara në atë fushë, dhe, patjetër, në rend të parë, përveç nga të tjerët, duhet të kenë respekt të lartë nga vetë kolegët e profesionit të tyre të ngushtë. Këta njerëz të autoritetit të meritës, apo ekspert të profesionit, vazhdimisht në vete ndjejnë mangësinë e dijes dhe konsideratës së duhur ndaj të tjerëve, kështu që, përmes përsosjes gjithnjë në rrjedhojë, janë në kërkim permanent të këtyre vlerave.
Përveç autoritetit të mirëfilltë të meritës, si më shpesh në praktikën tonë të përditshme kosovare hasim në personalitete të ashtuquajtura, si: “autoritete të postit”, apo “i karriges” . Në krahasim me të parët, të pajisur me këtë lloj autoriteti, këta individ, respektin e të tjerëve ndaj tyre nuk e ndërtojnë mbi bazat e vlerave të sipër cekura subjektive, por mbi vetë autoritetin objektiv ekzistues institucional ku punojnë, apo në krye të së cilës gjenden aktualisht.
Fatkeqësisht, këso farë autoritete sot kemi mjaftë dhe kudo; në të gjitha fushat e jetës tonë shoqërore. Por, mbi të gjitha, më tepër janë në politikë.
Pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror - demokratik, këso autoritete të postit, ka çdo kund dhe kudo në botë. Ama, këta të tanë janë specifik. Janë gjithnjë si “sui generis” në mesin e shumë “sui generis-ave” tona të tjera. 
Dhe... pse më tepër mund t’i hasësh ata bash në politikë?!
- Sepse, politika është “streha” dhe “prodhuesja” më e madhe e kuadrove që pretendojnë për këtë lloj autoriteti; 
- Sepse, me të hyrë në këtë shoqëri të të “zgjedhurve”, për një afat shumë të shkurtë, aty nuk eliminohet vetëm fukarallëku i mendjes, por edhe ai material; 
- Sepse, dikur materialisht të varfër, mjaft nga ta askush-a dhe kurrkush-a, pa kurrfarë vlera morale dhe profesionale në jetë, përmes marrjes me këtë “zanat” të çmueshëm, brenda natës bëhen të pasur dhe dikush-a me autoritet; 
- Sepse, ata, kudo që të gjenden, janë të kërkuar në çdo moment: në zyre, shtëpi, kafene...permanent bombardohen nga thirrjet, e veçanërisht ato telefonike në celular.
Ata që deri më dje vështirë i mësonin operacionet më elementare të manipulimit me aparatin mobil të dhuruar “bakshish” prej “bacit” që punon në Gjermani, sot si “autoritete politike me karrige” i mbajnë në xhepa 3 sosh. Edhe pse me vete i kanë nga tri, vështirë se në ndonjë thirrje lajmërohet aq lehtë, përveç nëse telefonata nuk është bërë nga shefi i tyre urdhërdhënës hierarkik të cilit me servilizëm të madh i nënshtrohet, apo nga ndonjë pronar firme që ka konkurruar në tender, me të cilin dihet se çka bisedohet.
Vërtet është përjetimi i radhë kur pa nda të kërkon çdo kush; kur të gjithë të tjerët kanë nevojë për ty. Sa kënaqësi është kur edhe të panjohurit të përshëndesin në rrugë; në cilindo lokal ku hynë, tjetërkush pagunë për ty. Por, nga të gjitha këto “lezete”, si më e preferuar është kur i lusin gazetarët dhe mediet. Kuptohet, nëse në atë moment, nuk janë eventualisht në ndonjë “m*t – aferë”. Edhe pse si ftesë e mezipritur, këta as atyre nuk i thonë menjëherë “po”, por: “caktoni terminin tek sekretaresha ime”, “së pari më duhet ta shikoj agjendën e aktiviteteve javore”, “ju lutem, lajmërohuni më vonë”, “dëgjohemi nesër”... janë disa prej arsyetimeve të zakonshme për zhargitje të qëllimshme taktike që praktikisht krijojnë efekt më të madh të autoritetit.
Fjalitë me zhargone shabllonistike të mësuara përmendësh dhe përdorimi sa më i shpeshtë i shprehjeve të huaja në dialekt, është stili i “pasur i komunikimit elokuent” i intervistave të tyre nëpër medie, si: multietnicitet (shumëkombësh), oportunitet (përshtatshmëri), reciprocitet (dyanshmëri), informalitet (jashtligjshmëri), kredibilitet (besueshmëri), aproksimativitet (përafërshmëri) ... Sa më të pakuptimtë dhe më të koklavitura të janë këto shprehje, aq si më të mençur i vlerësojmë ne ata.
E , pra, si për fund, edhe kjo është Kosovë. Realiteti ynë i pashmangshëm shoqëror që disa kanë qejf ta quajnë sfidë e jo dështim. 
Fatlumsisht, jeta po vazhdon edhe kështu. 
Pa dyshim...?!!


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora