E merkure, 30.04.2025, 05:43 PM (GMT+1)

Mendime

Bep Kuqani: Ku shkuan harmonia, mirëkuptimi dhe toleranca fetare...

E diele, 21.03.2010, 10:54 PM


KU SHKUEN HARMONIA, MIRËKUPTIMI DHE TOLERANCA FETARE, MBURRJA DHE KRENARIA KOMBËTARE E SHQIPETARËVE ?

 

Nga Bep Kuqani, Stamford CT

Ish i burgosur politik në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri

 

         “… ÇONIU BURRA, MERRNI PUSHKËT DHE DELNI TA VRASIM DOM ANTON KÇIRËN, KËTË PRIFT TE KEQ KATOLIK ANTI KOMBËTAR, ANTI SHQIPTAR DHE ANTI MYSLIMAN I TËRBUEM…”

 

           Sigurisht, nuk besoj, se ka mrrijtë puna deri këtu, sa me ua ba këtë thirrje haptas besimtarëve myslimanë Hoxha i Detroitit; por organizimi me kaq nxitim i mitingjeve dhe demostratave anti patriotike dhe anti humane, që u zhvilluen në Detroit dhe në Prishtinë kundër Dom Anton Kçirës, këtë kuptim dhe këtë përmbajtje kanë. Edhe krye Myftiu i Prishtinës, me të njëjtin nxitim i ka kërkue Ipeshkvit të atij vendi heqjen e së drejtës të meshtarisë Dom Antonit; e për çka?

 

           Gjithe ky “sherr” e paska zanafillën nga nji vidiomontazh i hjedhun në internet, në faqen youtube me “pjesë të cungueme” të nji fjalimi të mbajtun nga ana e tij, në nji aktivitet të shoqatës së intelektualeve, në Kishen Katolike të “Shën Palit” në Detroit.

 

           Unë nuk e njoh personalisht Dom Anton Kçirën e, rrjedhimisht nuk kam asnji opinion për te, dhe nuk mund t’a paragjykoj as për mirë, as për keq. Unë nuk e di gjithashtu se çfar “ëfjalori” paska përdorë, sa me irritue kaq shume zemrat e fanatikve të mykun e, me u ndezë menjiher ma shpejt se baroti flaka e urrejtjes kundër tij. Për të gjitha këto zhvillime, u vuna ne dijeni nga nji shkrim i Dom Antonit, te botuem në gazetën “BOTA SOT” të ditës së Shtunde datë 6 Mars 2010.

 

          Por ajo që me bani nji përshtypje shumë të fortë dhe më la nji mbresë jashtëzakonisht të keqe, asht fakti që doli menjiherë në sipërfaqe, se sa e cekët paska kenë kjo “harmoni fetare” ndërmjet shqiptarëve, e propagandueme kaq shumë për vite e vite me radhë.

 

           Bindja ime asht, se ka nji dorë djallëzore e shumë keqdashëse, që i organizon këto ngatrresa e mundohet me mbjellë përçamje e situata konfliktuoze në mes myslimaneve e katolikëve në te gjithë hapsinën shqiptare dhe se kjo dorë asht ma origjinale “puro komuniste”. Në kjofte se dihen autorët e atij vidiomontazhi, atëherë nuk asht aspak e vështirë të verifikohet “prejardhja” e tyne. Dhe dihet, se komunistët e çdo truelli etnik kjofshin myslimanë apo katolikë, janë “anti myslimanët” dhe “anti katoliket” ma të rrezikshëm, se ata nuk kanë FE, ZOT as ATDHE.

 

          Janë komunistët, që ia falen Kosovën Serbisë; janë ata që vranë me mija e mija kosovarë qysh nga viti 1945 e në vazhdimësi; janë ata që e kanë “hale ne sy” Pavarsinë e Kosovës, që u fitue me ndihmen vendimtare te “imperializmit amerikan”; janë ata që i tërbon harmonia, mirëkuptimi dhe toleranca fetare, që premtojnë Paqe, mirëgjendje e stabilitet të qendrueshëm.

 

          Prandaj as Hoxha as Prifti, as myslimanët dhe as katolikët, nuk duhet të bien pre e intrigave të tyne; Prandaj kërkohet gjak - ftohtësi, arsyetim i shndoshtë, urti e matuni jo vetëm nga prelatët fetarë, por edhe nga intelektualët dhe të gjithë besimtarët e ndershëm myslimanë e katolikë dhe jo veprime të nxitueme e të damshme.

 

          Në kjoftë se janë të vërteta ato që shkruen Dom Antoni, në gazetën e sipër citueme :

 

1.     GJATË GJITHË AKTIVITETIT TIM FETAR ÇËSHTJA JONË KOMBËTARE KA QENË DHE MBETET PARATHËNIA E ÇDO INISIATAVE OSE VEPRIMTARIE TË DREJTUAR NGA ANA IME.

 

2.     KISHA QË UNË DREJTOJ ËSHTË DHE DO TË MBETET NJË VATËR E BESIMIT DHE ATDHEDASHURISË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT.

 

3.     VLERËSIMI DHE RESPEKTI PËR ÇDO SHQIPTAR PAVARSISHT NGA BESIMI I TIJ FETAR KA QENË DHE MBETET KRYEFJALA E AKTIVITETIT TIM.

 

4.     KAM MARRË PJESË NË TË GJITHA DEMOSTRATAT PAQËSORE TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS, PËRPARA INSTITUCIONEVE AMERIKANE PËR SENSIBILIZIMIN DHE NDËRKOMBËTARIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS.

 

5.     KAM UDHËHEQUR DHE ORGANIZUAR TAKIME ME ZYRTARE DHE ME PËRFAQËSUES TË LARTË TË SHTETIT AMERIKAN NË MBROJTJE TË ÇËSHTJES SONË KOMBËTARE.

 

6.     KAM DREJTUAR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË DETROITIT NË FUSHATËN E MBLEDHJES SË NDIHMAVE FINANCIARE PËR USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, SI DHE KAM OFRUAR GJITHÇKA KAM PASUR VETË NË NDIHMË TË KËSAJ ÇESHTJEJE.

 

7.     KAM ORGANIZUAR DHE KAM DREJTUAR TË GJITHA NISMAT DHE TUBIMET NË PËRKRAHJE TË PAVARSISË SË KOSOVËS DERI SA KJO ËNDERR SHUMËVJEÇARE E SHQIPTARVE U BË REALITET.

 

          E pra e përseris: “Në kjofshin të vërteta të gjitha këto”, për të cilat Dom Antoni insiston se ka “prova dhe fakte historike”, atëherë më thoni ju lutem: Cili shqiptar e në veçanti kosovar (tue përjashtue ata që dhanë jetën, qeë derdhën gjak e që morën pjesë aktive në radhët e U.Ç.K-ës ) ka kontribue ma shumë për KOSOVËN SHQIPTARE moralisht e materialisht sa Dom Antoni?

 

            E si mund të hidhet balte mbi nji figurë të tillë patriotike për ndonji shprehje të gabueme, që me sa gjykoj unë nga shkrimi i tij, nuk ka pasë asnji paramendim as mbrapamendim qëllimkeq, përveç formulimit të gabuem nën peshën e emocioneve të fuqishme, e pse jo edhe revoltuese, të qëllimeve kriminale të atyne tre shqiptarëve të Maqedonisë? Dhe ketë e pranoi publikisht edhe vetë Dom Antoni, kur deklaroi: “FJALORI NGA ANA IME NUK KA QENË I PËRZGJEDHUR MIRË DHE ME KUJDES”!

 

             E si mund t’i thuhet “anti mysliman i tërbuem” Dom Antonit, kur për vite e vite me radhë ka ba gjithçka ka kenë e mundun prej tij për “Lirinë dhe Pavarsinë” e KOSOVËS “me shumice absolute myslimane”?

 

             Unë nuk kam asnji argument nga “pala tjetër”, që të mund të justifikohet ky aksion kaq i rrufeshëm kundër Nji Atdhetari Te Pa Lodhun si Dom Antoni, me nji bilanc aq te pasun aktivitetesh (43 vjeçar) në favor të çështjes sonë kombëtare e në veçanti të KOSOVËS.

 

           Janë pikërisht këto arsyet, që mue më vendosin “apriori “ në anën e Dom Antonit.

 

            Gjithsesi jam i mendimit, qe “pala fajtore” (tue përjashtue “ish komunistat“, se ata nuk e njohin “PENDIMIN” e nuk dijnë me kërkue falje), duhet t’a ndjejë si Obligim Moral Me Kërkue Ndjesë Publike; të mbyllet ky “sherr” përfundimisht dhe të mos përseriten ma raste të tilla, që mund të marrin përmasa të pa parashikueshme.

 



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx