E premte, 03.05.2024, 01:04 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Quku: Shqiptarët historikisht i kanë përballuar me sukses sulmet e forcave të errëta

E marte, 23.03.2010, 10:56 PM


SHQIPTARËT HISTORIKISHT I KANË PËRBALLUAR ME SUKSES PLANET SULMET E MANOVRAT E FORCAVE TË ERRËTA

 

Nga Mentor QUKU

 

Të nderuar bashkëvëllezër,

 

Kohët e fundit u  sulmua në media një shqiptar i madh, dom Anton Kçira. Kuptohet që lajmi i keq u amplifikua  dhe u përhap me shpejtësi rrufeje, pa u përmendur katërdhjetetre vite sakrifica të pandërprera të tij në dobi të çështjes kombëtare. Dom Anton Kçira, duke e shikuar SHBA, si mbrojtësen më të madhe të kombit shqiptar, në një çast zemrimi e trishtimi paska përdorur fjalë të vrazhda, që natyrisht nuk duheshin thënë, e për të cilat ka kërkuar falje publike.

Por menjëherë të shkon mendja tek raste analoge në historinë tonë kombëtare: Nuk është hera e parë që personalitete të fuqishme dhe karizmatike, si Faik Konica, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, apo ndonjë tjetër, në zëmrim e sipër, janë shprehur me fraza të rënda, të cilat, të lexuara jasht kontekstit, mund të merrnin kuptime të tjetërsuara. Mirëpo ishin pikërisht këta personalitete, dashuronjësit më të zjarrtë të Shqipërisë dhe punëtorët e mëdhenj të çështjes kombëtare. Sa herë që projektet e idetë e tyre janë përplasur me realitete të hidhura, kanë reaguar furishëm, janë acaruar emocionalisht, duke u shprehur me fjalë të vrazhda, pa menduar se ka forca të errëta që janë të gatshme për ti shkëputur ato nga konteksti që janë thënë, për t’i kompiluar e për t’i futur në korniza të tjera, me qëllime të tjera. Por sot, pasi kanë kaluar vite, janë sqaruar kushtet, kontekstet dhe kornizat e vërteta ku janë thënë, asnjeri nuk mund që të vërë në dyshim sakrificat e tyre sublime dhe përkushtimin e tyre në shërbim të atdheut. 

Kam parë me keqardhje videomantazhin lidhur me një nga fjalimet e drejtuesit të Kishës Katolike të Shën Palit të Detroitit, Dom Anton Kçirës, publikuar në You Tube. Kjo për disa arsye. E njoh mirë figurën prej atdhetari të Dom Antonit. I njoh mirë kontributet e tij për çështjen kombëtare dhe kam bindjen se ai me jetën e vet ka dhënë prova se në çdo rast ai ka punuar në favor të interesave kombëtare. Janë aq të mëdha e aq të qarta kontributet e dom Antonit për çështjen kombëtare, sa që asnjëri nuk mund t’i mohojë ato për shkak të një reagim emocional të tij. Kjo ndodhi kur ai ndjeu se ishin në lojë dinjiteti dhe interesi kombëtar, i bindur se SHBA mbetet garanti më i madh i kombit tonë, mbrojtësi më i madh i lirisë dhe i demokracisë.

Kam patur fatin ta njoh personalisht Dom Antonin, kur me ftesën e tij, kam mbajtur fjalën e rastit, si spiker kryesor, në manifestimin e madh Ditën e Flamurit më 28 nëntor 2007, mbajtur në Kishën e Shën Palit të Detrotit. Atje kam parë se si e kishte konceptuar ky meshtar atdhetar kishën e re me imazhet legjendare të figurave të ndritura kombëtare, si Skënderbeu, Nënë Tereza, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Gjergj Fishta. Dedë Gjo Luli, Adem Jashari, etj. Kisha dëgjuar edhe më parë për misionarin e devotshëm dhe atdhetarin e flaktë Dom Anton Kçirën, se si, ai, me energji të pashterrshme, punonte për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në diasporë, si edhe për rritjen e emrit të Shqipërisë në botë. Kam mësuar me kënaqësi nismën e tij për të sjellur në SHBA monumentin e Gjergj Kastriot, Skënderbeut, epoka e të cilit është më e lavdishmja dhe më madhërishmja në historinë tonë, elementi më i qenësishëm i krenarisë sonë kombëtare.

Gjatë kërkimeve e studimeve të mija, rreth historisë sonë, si edhe rreth figurave të shquara kombëtare, kam zbuluar shpesh herë fakte e dokumente për planet që synonin poshtërimin, përçarjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar, që nga rrogat e majme mujore e deri tek shitja e hapur e interesave kombëtare, nga ndërhyrjet e sofistikuara deri tek agresionet e hapura. Ndërkohë shumë të tjerë kanë rënë në grackën e planeve antishqiptare, mes të cilave dallohen ato që përpiqen të nxisin antagonizmin mes besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. Synimi i tyre ka qenë dhe mbetet dobësimi i kohezionit të brendshëm të shqiptarëve. Por, për fat të mirë, është virtyt i shqiptarëve që duke qenë të ndryshëm të jenë të bashkuar, kjo sepse kanë një pasuri shumë të madhe të përbashkët, kanë një gjuhë shumë të lashtë e shumë vitale, si edhe një histori e një fat të përbashkët. Janë cilësi organike dhe natyrale të shqiptarëve,  të trashëguara brezi në brez. Shumë here, rrethe të ndryshme janë përpjekur të nxitin përçarjen fetare në këtë qytet të lashtë, por gjithnjë kanë dështuar. Ka shumë fakte që flasin për harmoninë në mes të  besimeve të ndryshme fetare në qytetin tim, në Shkodër. Kujtoj gjestin burrëror e kuptimplotë të Kupe Danes, krijiimin e shoqërisë Vllaznia në vitin 1919 (nga shkrirja e tre shoqërive të tre besimeve, Mustafa Pasha, Vaso Pasha dhe Nji tubë lule), apo ngritjen e flamurit kombëtar në vitet ’30, në një kordon të përbashkët në mes të kumbanores së Kishës dhe minares së Xhamisë, në qendër të qytetit.

Për fat të mirë shqiptarët historikisht i kanë përballuar me sukses planet, sulmet e manovrat e forcave të errëta. Dhe jo vetëm kaq: shpesh ka ndodhur e kundërta, është rritur edhe më shumë bashkimi shpirtëror dhe vetëdija kombëtare e shqiptarëve. Kështu po ndodh edhe kësaj radhe. Të gjithë ata që hodhën gurin, të mashtruarit apo ata që bënë naivin po e kuptojnë se çdo ditë që kalon, po ndriçohet më shumë e po ngrihet më lart figura atdhetare e dom Anton Kçirës. Po shihet qartë se shumë personalitete e njerëz të thjeshtë kanë dalë në mbështetje të figurës atdhetare  Dom Anton Kçirës, çdo ditë e më shumë, shqiptarët po kompaktësohen, pavarësisht nga përkatësitë fetare, politike, ekonomike apo krahinore.   



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora