E shtune, 18.05.2024, 03:35 AM (GMT+1)

Mendime

Letër Hashim Thaçit!

E shtune, 27.03.2010, 06:53 PM


I nderuar Zoti Kryeministër,

Derisa shikonim imazhet në të cilat Ju, si shefi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me homologë të vendeve fqinje parakalonit para kamerave në Bërdo të Sllovenisë, nëpër mend më shkonin dy marshe tuajat - mbase më të rëndësishmet që keni pasur në jetën tuaj jo vetëm politike.

I pari ishte ai në Prishtinën e sapoçliruar në verën e vitit 1999. T’ju kujtohet

edhe tashti kush ishte përskaj jush atë ditë? Me siguri që po. Imazhi i dytë i po një marshi ishte ai i datës 17 shkurt të vitit 2008. Kur nga "Grandi", ku qindra gazetarëve u thatë që do ta shpallnim shtetin, u nisët në këmbë përmes "Nënë Terezes", mes masës së njerëzve tanë... drejt Kuvendit të Kosovës!

Ju, Hashim Thaçi, jeni shefi i Qeverisë së një shteti i cili për shumëçka është në vendin e parë në Evropë. Lista është vërtet e gjatë, por mbase do të ishte me vend t'jua kujtojmë vetëm disa arritje të padyshimta - jo pak prej tyre të trashëguara nga paraardhësit, kurse po aq e në ndërkohë edhe më shumë me vulën tuaj.

Republika e Kosovës është vendi më i varfër i Evropës. Një qytetar të cilin ju e qeverisni nuk mund të harxhojë më shumë se 1 (një) euro në ditë. Sepse s'ka më tepër.

Republika e Kosovës është vendi më i korruptuar i Evropës. E tepërt t'ua kujtojmë këtu krejt raportet e organizatave e institucioneve ndërkombëtare - prandaj po e fillojmë e edhe mbyllim me të famshmin Raport të Progresit.

Republika e Kosovës është vendi me shkallën më të lartë të papunësisë, korrupsionit, ekonomisë gri, mungesës së investimeve dhe investitorëve, mungesës së lirisë së lëvizjes...

Ju, Hashim Thaçi, si historian e politolog, me siguri i keni lexuar rrëfimet e  shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare për Pashallarët e Kuq. Shumica absolute e ministrave tuaj janë po aq Pashallarë. Ama të zi! Pashallarë të Zi, të cilët nuk i shërbejnë vendit të tyre por atë po e vjedhin, përdhosin, përplasin e shtrydhin derisa s'ka më ku të shkojë. Kështu po e ndien populli, kështu po e shohin miqtë ndërkombëtarë. Pashallarët e Zi të politikës së Kosovës nuk duan ose nuk munden ta kuptojnë që jemi lodhur nga tregtia virtuale e sukseseve të tyre dhe me këtë edhe tuajin. Që na keni mbështetur për muri me këtë mentalitet kaq të rëndë të të bërit politikë.

Të jetë kjo Kosova e ëndrrave tuaja dhe tonave? Një peizazh jugafrikan (Homeland!)

me shpirtra të cunguar e shituar nga politika në krye të së cilës jeni ju?! Të jetë kjo Kosova e dy milionë qytetarëve të cilët çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje duhet të gëlltisin kriza që shkaktohen nga mosefektiviteti, oportunizmi, provincializmi, meskinitetet, marrëzitë banale!... As ëndrrave më s'po u besojmë.

Natyrisht që të gjithë po e presin të famshmin riformatizim. Por, gaboheni rëndë nëse mendoni që jemi të varurit e pritjes së madhe. Prandaj, ju siguroj që pritja nuk është e lidhur me shpresën që do të ketë ndryshime në mënyrën e qeverisjes. Sepse fryma tashmë i është zënë edhe vendit edhe popullit. Tis dëshpërimi.

E dini edhe ju më së miri: vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Marshi juaj i tretë, mbase më i rëndësishmi dhe ai i vërteti... do të jetë kur nga ndërtesa e Qeverisë do të shkoni në Kuvend dhe dorëzoni letrën për rënien e kësaj lloj qeverisjeje. Sa më shumë që vonoheni, aq më tepër do t'ju kushtojë. Edhe juve - edhe neve.

 

beqe.cufaj@zeri.info



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora