E enjte, 01.05.2025, 12:10 AM (GMT+1)

Mendime

Daniel Gàzulli: Mbi besimin

E hene, 29.03.2010, 09:58 PM


Mbi besimin

 

            (Shënime)

 

- Replikë pa leje nji letre miqësore -

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Ateisti dhe fanatiku janë ekstremet e së njejtës dukuni: besimit. E, si dihet, ekstremet puqen. Ateisti ka dymijë vjet që përpiqet me argumentue se Jezusi nuk ka egzistue e nuk egziston. Të kishte të drejtë, pse u dashkan dymijë vjet argumentime? Fanatiku asht i dhunshëm, mohues e përjashtues i tjetrit, aty edhe ndeshkues për te, për rrjedhoje antifetare.

Po përpiqem shkurtimisht, sa cekë, të parashtroi idenë time mbi besimin – sa prej këndimesh, aq prej përvojës vetjake në “kërkim të përhershëm të së vërtetës hyjnore”.

 

Besim – Pjesëmarrje fetare në nji të vërtetë të shfaqun edhe pse të paprekëshme; pandehja e egzistencës të nji Zoti, në Krishtnim virtyti i parë teologjik; bindje e mbështetun jo mbi prova e demonstrime, por mbi sa na shfaqi Jezusi nëpërmjet fjalës e predikimit.

Shënimi 1 – Me besue aproksamitivisht, apo në mënyrë të “personalizueme”, do me thanë mos me besue.

Shënimi 2 – Me shtrue pyetjen: a ka egzistue apo a egziston Jezu Krishti, do me thanë me kërkue a paraqitë prova – për rrjedhojë, mos me besue. Në çastin që shtrojmë këte pyetje, do me thanë si besimi tek na asht tronditë randë, nëmos e kemi bjerrë përgjithmonë.

Shënimi 3 – Mbasi njeh Zotin të përsonifikuem në Jezusin, (përndysh urdhënesat tjera nuk kanë vlerë), e para që vjen mbas kësaj asht: Me dashtë shoqin si vetveten. (Italisht: amare il prossimo. Pa pikë dyshimit që në shqip asht shprehë ma mirë mesazhi apostolik).

Shnimi 4 – Feja, sa kohë që mbështetet mbi dashuninë, përjashton smirën, urrejtjen, mëninë. Me urrye do me thanë mos me dashtë. Po si do t’ia bajmë me “anmikun”? Përgjigja asht: Askush të mos e prekë Kainin. Pra, Kainin, jo Abelin – ai, vetiu, nuk ka pse preket, pse asht viktimë dhe i pafajshëm.

Shënimi 5 – Atëherë, si do t’ia bajmë me Kainin? Përgjigja asht e thjeshtë: duhet me diftue qartë e fort cili asht fajtori (Kaini), por pa mëni, pa urrejtje.

Shënimi 6 – Shtjellimi im: Nuk mjafton me pranue njohjen e Zotit si nji e të vërtetë. Nuk mjafton me thanë se e do të afërmin simbas mësimeve ungjillore e njiherësh me urrye Kainin. Besimtari i vërtetë do edhe Kainin: këtu fillon nji prej virtyteve ma të nalta kristiane – mëshira.

Shënimi 7 - Xhelatri dhe viktima: Themelet e nji besimi qëndrojnë mbi flijimin e viktimave prej xhelatëve. Këta të fundit janë vetiu të gjykuem nëpërmjet veprës së tyne çnjerëzore. Kjo, po, duhet kthjellue, që njerëzit ta kuptojnë të keqen dhe gjithçka që mund të vijë prej kësaj. Nëse viktima bahet xhelati i xhelatit, atëherë themelet e besimit tranden e nuk vonon e ai shembet (aty ku janë trandë themelet – tek xhelati i xhelatit, ishviktima). 

Shënimi 8 – Kleriku. Ai duhet të jetë udhërrëfyes dhe shoqnues drejt së vërtetës hyjnore, kurrë kërcënues me ndëshkime hyjnore, kurrë prokuror e gjykatës i mëkatarit, kurrë friksues. Ku fillon frika, pushon besimi. Kush beson prej frikës në Zotin, nuk asht besimtar. Ai, kleriku, asht edukator, edhe nëpërmjet fjalës, pse ate na ofroi Jezusi qysh se u shfaq në mes nesh, por në radhë të parë nëpërmjet jetës së tij të virtytëshme. Po si do t’ia bajmë kur shembulli i tij nuk asht ai ungjillor? Thamë, ai asht udhërrëfyes, po kjo nuk do të thotë se ai vetë nuk e humbë udhën ndonjëherë. Natyrisht, në kësi rastesh, nuk duhet ta ndjekim. Duhet të kërkojmë, të gjerjmë  e të ndjekim udhën që na tregoj Jezusi qysh në zanafillë të besimit tonë Kristian. Kleriku nuk asht përfaqësues i Zotit në Tokë, aq ma pak mëshirimi i tij. Atij, thjeshtë, i asht ngarkue nji mision: me ndezë dritën e Zotit, kudo që asht errësinë, apo kudo që ajo asht shue. Të mos na hutojë, pra, ndonji shmangëje prej udhës hyjnore e klerikëve të veçantë.

Shënimi 9 dhe i fundit: Bibla: Në zanafillë qè fjala.  E deri në jetë të pasosun do të jetë ajo, fjala. Gjithë mjetet tjera, fizike apo psikologjike, që kanë në bazë dhunën apo ndëshkimin, të bajnë me bjerrë udhën hyjnore.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx