Mendime
Shaban Peraj: Zgjedhjet lokale
E hene, 29.03.2010, 09:58 PM
Zgjedhjet lokale
Shkruan: Shaban Peraj
Tani pas bërjes publike për datën e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi nuk ka mbetur edhe aq kohë për subjektet politike shqiptare që të bëjnë publike kush me kend, cilët do të jenë koalicionet e mundshme për këto zgjedhje, megjithëse pak a shumë sipas lëvizjeve që bëjnë mund edhe të paragjykohen. Ata që do të dalin të vetëm kanë llogaritë e tyre, po edhe ata të koalicioneve që si duket do të ndryshojnë nga ata të zgjedhjeve parlamentare, mbajtur vitin e kaluar. Paralajmërimet për momentin nuk janë aspak premtuese si për njërën ashtu edhe për palën tjetër, gjë që votuesit i vë në siklet si të veprojnë. Pavarësisht paralajmërimeve, përvoja tashmë na ka bindur se të njëjtit kanë vetëm fjalë kurse thelbi i së vërtetës qëndron gjetiu. E thënë troç ka nga ata subjekte politike shqiptare që akoma nuk e bëjnë publike qendrimin e tyre karshi këtij apo atij subjekti për ndonjë marrëveshje të mundshme, po aq përmes dhëmbëve ka thënie se pavarësisht rezultateve nëse vie puna për të fituar pushtetin lokal aty do të përfshihen edhe partner të koalicionit të tanishëm, gjë që e bënë akoma më të koklavitur situatën. Sido që të jetë duket se të gjithë i ka kapluar një sëmundje ngjitëse e cila vështirë të eliminohet kur janë në pyetje koalicionet e subjekteve politike shqiptare, pavarësish se a bëhen ata para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve. Për këtë kemi mjaft dëshmi nga zgjedhjet e kaluara për çka kemi të drejtë të besojmë se shqiptarët nuk munden dhe nuk duan të jenë bashkë, këtë jo për hatër të votuesve por thjeshtë për harati të vetën, pa e vrarë kokën për hallin e komunitetit të këtueshëm. Tani ne jemi mësuar me situata të tilla pavarësisht se para opinionit dalim qesharak dhe kjo na bënë t’i vëmë gishtin kokës për të menduar mirë kujt duhet dhënë besimin.
Koha e premtimeve ka filluar, të njëjtit përsëri do tu japin garanci, qytetarit i mbetet të besojë apo jo, por një gjë është e sigurtë se besimi i tyre te përfaqësuesit, sidomos te ajo pjesë që kohën e kalon me premtime duket se po bie. Ky komunitet duket se është ngi me premtime, aktorët do të vazhdojnë gjithnjë edhe këta dy muaj të luajnë lojën e tyre dhe kjo është e drejt e tyre për të premtuar në emër të elektoratit që kanë, por ajo që shqetëson është përgjegjësia e votës, kush ka të drejtë të luaj me te, cili është morali politik ndaj tyre dhe kush janë aktorët e kësaj valleje për t’i shqetësuar ata në vend që ti lënë të qetë e të mos i fusin në telashe siç kanë vepruar në periudha nga zgjedhjet e kaluara. Sido që të jenë agumentet e politikëbërsve ata në asnjë rast e në asnjë moment nuk guxojnë ti japin vetes avantazhe që gjoja se mbrojnë qytetarët, ata i denigrojnë ata të bindur se kanë mandatin për të pohuar se kultura e tyre politike u përket vetëm atyre dhe të njëjtën nuk duan ta lëshojnë, pavarësisht reagimeve të shumicës. Në këtë sens treguesit nuk janë optimist për asnjërin nga subjektet politike shqiptare, ajo që hetohet është se prijësit e tyre, ata që njëherë kanë hipur mbi karrige e kanë të vështirë që nesër të pranojnë humbjen prandaj kalkulojnë, bëjnë takime me këtë e atë, për të mos ia lënë rastit e për të mos u tronditur pozitat e tyre.Po kush do të jenë ata që nesër do të zënë karrigat e këshilltarëve, a thua do të vazhdohet me persona sikur deri më tani të cilët ishin aty sa për gishta? Ata kanë një qëllim dhe kjo është normale, paraqitjen e situatës ekonomiko-sociale ku vet japin vlerësime në fillim të mandatit e pastaj premtimet shpërndahen në shumë drejtime me të vetmin qëllim për të marrë pushtetin lokal. Të gjithë ata që do të konkurojnë janë të bindur se kanë mundësi të mira për t’i hyrë rrugës politike. Të njëjtit do të dalin në garën zgjedhore, do të zhvillojnë takime me qytetarër e lagjeve si dhe me fshatarët për t’u kërkuar votën duke shpalosur programet politike që nuk i kanë vetëm sa për t’u votuar e pastaj... Pastaj aty në parlamentin lokal do të instalohen këshilltarë që po ti referohemi të kaluarës ka nga ata që asnjëherë në asnjë rast nuk e kanë folur as edhe një fjalë të vetme për interesat e votuesve. Jemi dëshmitarë se aty janë ulur persona që asnjëherë nuk treguan vizion politik i cili vizion do të ndikonte në mbrojtje të interesave të votuesve dhe kjo duhet të reflektojë drejt se kujt duhet dhënë votën. Në raste të tilla fajet i kanë partitë që i kandidojnë por edhe ata që nesër i votojnë. Përkundër zhgënjimit të madh të votuesve dhe mungesës së fjalës nga ana e tyre sërish lakohen emra të këtyre kandidatëve për zgjedhjet lokale. Kjo për disa subjekte nuk ka edhe aq rëndësi, më e rëndësishmja është që gojëmbyllurit të mbrojnë interesat personale dhe klanore të partive. Për të tillët duhet të mendojnë mirë votuesit, duhet të shikojnë se cili prej këshilltarëve ka vepruar kuturu, të druajturit, të pazotët nuk u duhen as vetë partive. Ka ardhur koha që ata të cilët do të na prezantohen gjatë fushatës të dinë të veprojnë me në ndjenjë të vërtet elegante, prandaj pak respekt në përzgjedhjen e tyre, ndryshe do të humbasim edhe një shans.